Sotir ATHANASI: Përvojë nga Zvicra
PËR VOGËLUSHEN ADRIANA NË LOZANË
“ADRIANA!
Unë mendoj për ty.
Ti, a e di?”
(Nga kartolina e një çunaku të klasës)
Takimi me Nikon në Lozanë s’ishte vetëm një befasim i kënaqshëm, siç u ndodh rëndom dy shokëve. Qe, si të thuash, një domosdoshmëri kulmore për të vazhduar bisedën e nisur vite më parë. Diskutimin mbi një temë sociologjike. Dhe ja, rasti e solli të ndodheshim mbase në vendin dhe kohën e duhur. Madje, në një stinë tejet të përshtatshme. Trinia nuk është se harmonizohej me klimën. Sepse edhe ky fillim maji nuk mund të themi se kishte ardhur njëkohësisht me pranverën. Përkundrazi. Ai qe në një kuotë ku mëngjeset karakterizohen me një të ftohtë brisk. E ndjeshme kjo sidomos për ne që vijmë nga Ballkani e një klimë mesdhetare. Por edhe nuk mund të ankohemi, Dielli i Gjenevës është i nxehtë, ashtu si hija të rrëqeth…
Gjjthsesi, pas bisedave të para, Nikua, duke kujtuar diskutimin e lënë pa përfunduar, ndonëse me shaka, më tha:
– Nuk besoj se më ke ndjekur nga Athina për të argumentuar tezën e një debati aspak shterues mbi:
“Temperamentin e popujve në vartësi nga klima”.
– Kurrsesi, – thashë unë dhe shtova: – megjithëse është rasti ideal për të.
Ai qeshi me shpoti dhe me një humor të lehtë m’u kundërvu:
– E ndiej që je pajisur me argumente për të më mbërthyer me to për muri dhe mezi pret t’i shpërfaqësh. Veçse edhe unë kam të miat, ndonëse shpien ujë në “kopshtin tënd». Prandaj, të them paraprakisht se e ke të fituar opsionin. Por më parë shpjegomë pse u ndodhe në këtë spital onkologjik, për çka nuk mund të gëzohem kurrsesi që të shoh.
– Ke plotësisht të drejtë. Kam mbesën dhjetë vjeçe të shtruar.
– Nga se?
– Për momentin nga një kollë e vazhdueshme me temperaturë.
– Dhe pse pikërisht këtu?
– Sepse . . .
Është me Leuçemi dhe në raste të tilla imuniteti është pranë zeros. Prandaj kërkon regjim dhe kujdes të rreptë spitalor. Kërkon empati që do të thotë…
Dhe shoku im nuk më la ta shpija deri në fund shpjegimin.
– Kërkon ngrohtësi, dashuri dhe mbështetje. Kërkon, por… – dhe ai më bëri shenjë të lexoja një tabelë frëngjisht. Unë ngrita supet dhe ai e përktheu:
“TI NUK JE VETËM!”
Kështu shkruhet në të. Dhe kjo u drejtohet atyre fatkeqëve që kanë këtë diagnozë. Ky është një nga argumentet për të cilin e kisha fjalën aty më parë. Dhe kjo s’ka të bëjë me… Temperamentin e Popujve në Vartësi nga Klima”.
Përpara kësaj sentence solidariteti, tejet mbështetëse, kushdo do të mbushej me kurajo. Kuptova se Niko kishte të drejtë kur tha se ‘provat’ e tij, e dërgonin ujin në “kopshtin tim”.
Vura buzën disi në gaz, më tepër për ta zbutur klimën e acartë që u nder dhe në çast u kujtova se në dorë kisha zarfin me disa kartolina. Por më parë duhet të uleshim diku dhe të vazhdonim bisedën. Se edhe ai për një shkak të ngjashëm ndodhej në atë spital.
Ishim në katin e njëmbëdhjetë.
U dëgjua uturima e një helikopteri që u ul në tarracën e një tjetër godine të këtij kompleksi të madh spitalor, jo shumë larg nesh.
– Kjo pliko është për ty, si zotërues i frëngjishtes, – i thashë unë.
– Nuk mund të them se e njoh mirë gjuhën, mbase mjaftueshëm. E madje aq sa të merrem vesh, por edhe të lexoj.
– Atëherë urdhëro plikon. Veçse së pari duhet të dish se mbesa, ngaqë tri javë ka qenë me një kollë të vazhdueshme, mësuesja i vinte në shtëpi dhe i shpjegonte të gjitha lëndët që zhvillonte në klasë. Dy ditët e fundit ajo e pa që fëmijës nuk po i binte temperatura, mori makinën e saj dhe bashkë me të ëmën e sollën në këtë spital. Mësuesen e quajnë PATRICIA FREHNER. Një grua për të cilën vogëlushja ADRIANA ndien kaq shumë dashuri, saqë është e pamjaftueshme ta krahasosh me nënën e saj. Kjo ndërkëmbyeshmëri ndjenje, shoku im i viteve të rinisë, nuk mund të jetë assesi në vartësi të shumëçkaje; aq më pak e kushtëzuar nga ndonjë faktor jashtënjerëzor: Absolutisht klimaterik.
Ai buzëqeshi nga ky ngacmim imi për t’i dhënë ritëm bisedës dhe e shtyu atë më tutje:
– Le të shohim provat.
– Po. Veçse më parë duhet të nënvizoj se mësuesen e ADRIANËS në shkollë e quajnë KATHERINË CONOD. Ajo u shpjegoi nxënësve në klasë se shoqja e tyre ndodhet e shtruar në spital në një gjendje tepër të rëndë. Temperatura prej 40° nuk i është ndarë për dy ditë rresht. Kjo do të shqetësonte çdo organizëm, sado i shëndetshëm të qe. Prandaj mendoj se e ka të domosdoshme ndihmën tuaj morale Mbështetjen tuaj. Të marrë fuqi nga forca juaj. Kurajo nga guximi juaj. Zemër për të mbijetuar nga zemrat tuaja.
Gishtat u ngritën dhe në pjesën e dytë të ditës, kur fëmijët erdhën në shkollë për të bërë dy orët e mësimit të pasdites, ata kishin marrë me vete secili nga një kartolinë.
Atë çast unë hapa plikon dhe nxora KARTAT POSTALE.
Ishin të gjitha, pa përjashtim, në formë zemre.
Po ta shkruante këtë tregim miku im, prof. dr. Resmi Osmani, dhe t’i shihte ato, njëra mbi tjetrën, do t’i quante: OBELISKU I DËLIRËSISË.
Por unë i vendosa perpendikularisht me tryezën dhe ato më ngjasuan me një parzmore mbrojtëse.
– Ky rreshtim, – tha Nikua si poet, – është sa stolisës, aq edhe në një funksion mbrojtës. Këto zemra të gardhuara përballojnë çdo temperaturë. ADRIANËS duhet t’i jenë ulur në normale shifrat e saj.
Unë miratova me krye:
– Tani fjalën e ka përkthimi nga frëngjishtja.
Niko mori kartolinën e parë që i zuri dora. Le ta lexojmë atë:
“Të uroj të kesh kurajo, ADRIANA!
Dëshiroj të shërohesh sa më shpejt.
Ne të duam të gjithë. Shumë!
EMMA”
“Kurajo të mirë për ty, ADRIANA!
Shpresoj që së shpejti të jesh pranë nesh.
ELOISE”
“ADRIANA!
Ti më mungon shumë.
Shpresoj të bëhesh mirë shpejt.
LOIC.M”
“Kurajo të mirë, ADRIANA!
Unë mendoj për ty. Ti a e di?
MEGAME”
“Mirëmëngjes, ADRIANA!
Shpresoj që temperatura të të kalojë shpejt.
Gjatë gjjthë kësaj kohe mendoj për ty.
AMBRE”
“Paç fat, ADRIANA.
Pres me padurim të të shikoj.
A L E X”
“Për ADRIANËN!
Shpresoj që të bëhesh mirë sa më shpejt.
Kryqëzoj gishtat që ti ta kalosh më shpejt luftën.
Të dua shumë dhe do të doja që të kthehesh
sa më shpejt në shkollë.
Paç FAT!
N I N A”
“ADRIANA!
Uroj të shërohesh sa më shpejt.
RAPHAEL”
Janë edhe disa kartolina të tjera, të cilat kanë thuajse një tekst të ngjashëm.
Kështu, mund të shkruajmë vetëm emrat për ta lehtësuar disi lexuesin nga një ngarkesë e tepërt. Konkretisht:
G E N N Y, L O I C, R, O C E A N E, G. O C E A N N E, F. D I A N A, T H O M A S.
Mbas kësaj ne mbetëm si të nemitur për disa çaste. Dëlirësia fëminore na kishte vënë përfund.
Nga kjo gjendje na nxori të dy Nikua. Ai, për ta ndryshuar krejt tablonë dhe për ta futur në tryezën e diskutimeve problemin, tha:
– Shumë mirë!
Por unë do të jap edhe një argument substancial, ashtu siç edhe të pëlqen ty, të përgjithësosh dhe të plotësosh kushtin e të quajturit TREGIM.
– Nuk mbaj mend se në ç’muaj isha në këtë spital vitin e shkuar. Ky institucion mjaft dinjitoz universitar, në oborrin e tij ishte tejet, po tejet ama, i mbushur me njerëz. Në fillim mendova se janë studentë dhe nuk e kisha aspak gabim. Por veshja e tyre më bënte të dyshoja. Kur pyeta, e di se ç’më thanë?
Unë ngrita supet.
– Po. Ka edhe studentë. Por shumica janë qytetarë të thjeshtë që kanë zënë radhën për të dhuruar gjak.
Nuk gjeja fjalë për t’iu përgjigjur kësaj të vërtete fisnike. Këtij gjesti aristokratik. Apo këtij superhumanizmi galaktik. Kujtoj se edhe në Athinë dhurohet gjak. Por ai bëhet thuajse i detyrueshëm nga familjarët e pacientit që e ka nevojë atë. Kurse në Tiranë gjaku blihet nga institucioni.
[Tani që po përcjell këtë tregim për K/redaktorin e këtij portali, dëgjoja në lajmet nga vëndi ynë se po bëhet fushatë dhurues e e gjakut për . . . TALASHEMIKËT, dhe më bëhet zëmra mal]
* * *
Ndërsa po përgatisja këtë shkrim për portalin tim të dashur, Sakra që botohet në ZVICËR, vjen mësuesja PATRICIA FREHNER në shtëpi për të bërë mësimet me ADRIANËN dhe thotë se: klasa e ka marrë vesh që ka dalë nga spitali dhe po bën fushatë për t’i blerë një dhuratë të veçantë.
Ky solidaritet është më shumë se prekës. Ai ka mbërritur krenajën e humanizmit dhe e lë ku e ku diskutimin shterp mbi:… TEMPERAMENTIN E POPUJVE NË VARTËSI NGA KLIMA.
Please follow and like us: