Spartak Ngjela: Kosova nuk ka territore serbe
Politika serbe duket e trembur dhe ka ulur kokën për të përcaktuar kufijtë definitivë mes saj dhe Kosovës.
Domethënë ka pranuar më në fund njohjen e Kosovës.
Atëherë?
1.
Pse është kaq e shqetësuar politika shqiptare për Serbinë?
Historia e Shqipërisë ka qenë njëherësh : hidhërim shoqëror, sakrificë e patriotëve dhe ligësi e maskarallëk i të shiturëve të saj.
Po kjo zhurmë ç’është?
Të gjithë janë të shqetësuar por të acaruar duken të shiturit. Janë të mërzitur antishqiptarët e korruptuar që flasin shqip, se kishin shpresë të ndalonin rindërtimin e shtetit real të të gjithë shqiptarëve. Është demokracia dhe vendosja e drejtësisë në Shqipëri që i tremb, por që edhe i ka bashkuar kundër interesit shqiptar.
Por, a flitet realisht për shkëmbim territoresh?
Jo, Kosova nuk ka territore serbe dhe është marrë me luftë si entitet kushtetues .
Por politika e lartë serbe, me vuajtje nga humbja, është më e aftë se politikanët tanë në Tiranë, tani sundues të përkohshëm, që nuk kanë lidhje fare me Shqipërinë, me Kosovën dhe me shqiptarët.
Kurse Vuçiç dhe stafi i tij politik është shumë më i aftë. Dallimi midis tij dhe Saliut e Ramës qëndron te fakti që Vuçiç po mbron interesin e vendit të tij, duke sakrifikuar ose duke vënë në rrezik karierën e tij, kurse të dy birboret tanë shesin interesin kombëtar në Moskë dhe në Stamboll për të garantuar karrierën e tyre korruptive. Turp historik, sigurisht, por që do të jetë më e pakta për të dy.
Ka një kusht amerikan për pavarësinë e Kosovës; por edhe një kusht të Bashkimit Europian.
Më qartë: Vuçiç e ka politikën amerikane kundër, se ajo është me shqiptarët dhe vetë Vuçiçi është pasardhës i pushtuesve të territoreve shqiptare. Por Vuçiçi ka pranuar nënshtrimin. Kurse të dy sunduesit e përkohshëm të Shqipërisë, të bashkuar tani, Rama-Berisha, janë kundër politikës amerikane. Vuçiçi e bën pranimin e kushtit amerikan nga shqetësimi për të ardhmen e vendit dhe popullit të tij, kurse të dy të ikurit tanë e kanë antiamerikanizmin e tyre nevojën për të mbajtur më çdo kusht pushtetin e tyre korruptiv.
2.
Duke e arsyetuar edhe një herë sot qëndrimin e vet rreth caktimit të kufijve me Kosovën, Vuçiçi ka theksuar se “Kosova është territori që nuk dihet kush dhe si e trajton, dhe si e tillë gjithmonë mbetet burim i konflikteve të mundshme”.
Domethënë Vuçiçi është i qartë, sepse e di historinë dhe, e di gjithashtu se, nëse nuk e pranon kushtin amerikan tani, politika amerikane mund fillojë të “gërmojë” realisht më tej në histori. Por nëse fillon ky proces me forcën amerikane, Serbia, e cila është ngritur si shtet krejt e krejt me territore të pushtuar, shkon drejt shpërbërjes.
Pikërisht këtu fillon preçizioni i faktit të territorit shqiptar të Kosovës. Domethënë këtu fillon çështja e territorit shqiptar të Preshevës, e të tjerave vende që banohen nga shqiptarët në Serbi.
Vuçiçi kuptohet se është i qartë për kushtin amerikan, sepse ai e thotë hapur që, “po nuk i lanë të gjitha territoret shqiptare, rrezikojmë Serbinë”. Dhe sigurisht që është kështu, se aty ka edhe Vojvodinë hungareze, edhe etni të tjera të pushtuara. Prandaj, ku flitet më këtu për mosdorëzimin e të gjitha territoreve shqiptare?
Kjo më në fund është arsyeja e nënshtrimit të politikës serbe, se ajo u gjend midis dy alternativash: ose shpërblejë, ose njohjeve Kosovës dhe dorëzim i të gjitha territoreve shqiptare.
3.
Nuk e shihni që nga kushti amerikan për Shqipërinë territoriale në Ballkanin Perëndimor është shqetësuar deri në marrëzi dhe vetë Erdogani. Po ky çfarë ka që flet me Serbët kundër Shqipërisë territoriale?
Madje ky profan historik na përmend si një të keqë botërore dhe Shqipërinë e Madhe- dhe është gjithë frikë.
Po kush pyet për të! Kurse Rama me brekushe e ka mendjen te Erdogani për të mposhtur Amerikën në Ballkan. E kuptoni kush është kryeministri me brekushe i Shqipërisë? Një njeri trembur që mendon se mund të mundë Amerikën me Perandorinë Osmane të imagjinuar në jerm nga Erdogani. (!)
Gjithsesi, gjithçka sigurisht që po ecën me revan drejt identitetit gjithëshqiptar në Ballkanin Perëndimor. Të paktën Vuçiçi e ka kuptuar dhe kërkon të shpëtojë nga një rrezik i madh për vendin e tij. Kurse këta shqiptarë të korruptuar nuk po lënë gur pa luajtur kundër politikës amerikane në Ballkanin Perëndimor dhe kundër interesit shqiptar.
Por janë duke punuar në vakum, dhe në një të ardhme të afërt do ta kenë shumë keq. Kushti amerikan për Kosovën nuk ndërron, përkundrazi mund edhe të thellohet nëse Presidenti serb nuk do ta ketë aftësinë bindëse ndaj hordhive të politikës pushtuese serbe.
Gjithsesi bashkimi i të gjithë shqiptarëve të Ballkanit Perëndimor në një entitet federativ, tani po kuptohet se është në rrugën e vet të historisë.