Bedri BLLOSHMI: Revolta e Qafëbarit dhe terrori komunist, 1943-1990 (1)
SPAÇI
Kjo është godina ku rrinim ne, skllevërit e minierës. Punonim me tri turne në galeri. Përballë kësaj godine, tarraca që duket, shërbente për të bërë apelin tri herë në ditë. Poshtë tarracës janë banjat. Në çdo dhomë flinin 51-52 të dënuar. Në fushatën e arrestimeve të vitit 1979-1980 auto-burgu vinte çdo javë në Spaç e sillte të dënuar të rinj nga Tirana. Në këto vite, numri i të dënuarve u shtua aq shumë sa nuk kishte më vend se ku të flinim, ndaj përdoreshin krevatet e të dënuarve që punonin turni tretë. Në pjesë shtriheshin për të fjetur nëpër ballkonet që shikoni në foto. Në krah të kësaj godine katër katëshe është edhe një tjetër ndërtesë (siç duket në vijë të drejtë) që ishte e mbushur plot me të dënuar të cilët nuk mund të punonin (gjashtëqindëshat) sepse ishin në moshë të thyer e mezi mbanin veten në këmbë, ishin të sëmurë, sakatë dhe të gjymtuar. Ata, për të zbritur tri herë ditë e të shkonin në tarracën ku bëhej apeli, kapeshin pas hekurave të ballkonit. Edhe pse ishte shi, borë, ngricë apo vapë në tarracën e numërimit qëndronim gjysmë ore ose edhe më shumë se një orë, duke pritur oficerin e rojës që të fillonte apelin. Kishte të sëmurë që nuk lëviznin nga shtrati, sakatë e qorra me një sy ose me një dorë dhe të gjithë këta të dënuar kur i thërriste brigadieri i dënuar për leximin e shtypit duhej patjetër të vinin në sallën e leximit ku qëndronim 4-5 orë në ditë të detyruar të dëgjonim përrallat e diktatorit. Në qoftë se ndonjëri bënte zhurmë apo kollitej, atë e priste biruca ku qëndronin të izoluar nga 15, 25 deri në 30 ditë. Pikërisht prapa këtij pallati të gjatë që shikoni në foto ndodheshin birucat e famshme të cilat i rrihte era nga të katër anët.
SPAÇI – KAMPI I SHFAROSJES SË TË BURGOSURVE POLITIKË
Duhet të ketë qenë mesi i gushtit të vitit 1977. Biruca me numër 8 në Degën e Punëve të Brendshme të Librazhdit u hap dhe më hodhën hekurat. Në atë dhomë-birucë ishin edhe disa të dënuar të tjerë dhe (sipas rregullave) prisnim të na largonin për në burgun e Tiranës. Pasi na lidhën dy e nga dy, na hipën në një makinë të mbuluar me hekura e llamarinë. Shefi i hetuesisë, krimineli Selim Caka, hipi të kontrollonte a ishin mbyllur mirë prangat e më pas ulëriti: “Tani nisuni! Kujdes rrugës, keni një të dënuar me 25 vjet heqje lirie se mos tenton të arratiset! Po t’ju kërkojnë të ndaloni se kanë nevoja personale mos e bëni, as keq të mos ju vijë për këta armiq!”. Udhëtuam për disa orë dhe më në fund makina u ndal. U dëgjua kërcitja e një dere të hekurt e makina vazhdoi përsëri të ecte. Pas pak u ndal. Dera e auto-burgut u hap, na hoqën prangat dhe na urdhëruan të zbrisnim nga makina. Sapo zbritëm, policia na mori e na ngjeshi të gjithëve në një dhomë e cila ishte e mbushur që më parë me të dënuar të tjerë.
Aty mësuam se kishim arritur në Tiranë dhe ajo ndërtesë e stërgjatë dhe tri katërshe thërritej “kaush”. Nuk e mbaj me mend me saktësi se sa ditë na mbajtën aty, kur një ditë të bukur na thirrën përsëri, na nxorën në oborrin e burgut e na hodhën përsëri prangat. Ishim 20 vetë që na hipën në auto-burg e na lidhën në dy-tri vende tek sponti i makinës. Dera e makinës u mbyll dhe u nisëm pa e ditur për ku. Udhëtuam për disa orë me duart që na ishin mpirë nga prangat dhe uria po na gërryente. Filluan të vjellat. Disa të burgosur thërrisnin që të ndalej makina sa të freskoheshim e të lahej dyshemeja nga të vjellat të cilat lëshonin një erë të tmerrshme për shkak të temperaturës së lartë dhe ambientit të mbyllur që sa vinte e bëhej edhe më e padurueshme. Në një pjesë të ndarë të makinës edhe kjo si kafaz, rrinte një polic i cili shihte nga ne.
Me njërën dorë shtrëngonte automatikun, dorën tjetër e mbante në mekanizmin e shkrepjes dhe herë pas herë ulërinte: “Mbylleni gojën! Mos t’ua dëgjoj zërin, nuk keni vdekur të tërë tashti!”. Nga mënyra si mënjanohej makina herë pas here kuptohej se rruga ishte me gropa. Po ashtu edhe kthesat ishin të shpeshta dhe nga gulçima e motorit kuptohej se rruga ishte malore. Këto i merrnim me mend se për të parë nuk shihnim asgjë se dritare nuk kishte përveç 5 a 6 vrimave që ishin në tavanin e makinës prej të cilave futej pak ajër. Kjo gjendje e ky rrugëtim i stërmundimshëm vazhdoi për disa orë. Herë pas here dëgjonim zërin e çjerrë të policit i cili pyeste shoferin edhe sa orë rrugë kishin mbetur. “Ja – thoshte shoferi, – e kaluam Rubikun, tani nuk jemi dhe aq larg, vetëm se është malore dhe ka shumë kthesa.” Midis nesh kishte të burgosur të cilët ishin të dënuar për të dytën herë dhe, sipas tyre ishin duke na çuar në Spaç ku na priste ferri minierë. E pyeta njërin prej tyre nga i dinte këto dhe ai m’u përgjigj: “Kam qenë disa vjet atje, më liruan e tani po më çojnë prapë! Këta qenër po t’u vunë pas, nuk të lenë rehat”. Pas ca kohe udhëtim, mbi një malore gjatë së cilës makina fikej herë pas here, u dëgjua e kërcitura e një dere që u hap, makina u ndal dhe u dëgjua sërish e kërcitura e derës që u mbyll. Na hapën derën e auto-burgut, na hoqën prangat e zinxhirin që na mbante të fiksuar pas spontit të makinës e policët na ulëritën: “Zbrisni poshtë! Pse i hapni sytë ashtu? Do të mësoheni shpejt si nusja e re kur shkon në shtëpinë e burrit.”. Sapo zbritën, na rreshtuan e filluan të na tregonin rregullat e regjimit të brendshëm, duke na porositur në mënyrë të veçantë që ta mbanim gojën mbyllur se ndryshe do të na dënonin përsëri.
Përpara nesh ngriheshin dy godina katërkatëshe me pamjen e një përroi shumë të thellë që ishte pothuaj i tharë. Në oborr kishte shumë të dënuar kokë qethur, që bënin xhiro e herë pas here hidhnin sytë nga ne, të sapoardhurit, e të jepnin të kuptoje se prisnin me padurim që të bashkoheshim me ta. Gjashtë a shtatë metër pas shpinës sonë, në vendin ku na kishin rreshtuar, ngrihej rrethimi i parë me tela me gjemba, 4 a 5 metra i lartë dhe i thurur me fije vertikale e horizontale. Mbi çdo shtyllë që mbante të tendosur rrjetën e telave me gjemba, ishte vendosur një prozhektor. Përbri nesh, rreth 20 metra larg, ngrihej një karakoll, në majën e të cilit qëndronte në gatishmëri një ushtar me kallashnikov, grykën e të cilit e mbante të drejtuar nga ne. Shihte nga ne si ngrirë. “Çoji të bëjnë banjë, – hungëriti oficeri I rojës, – qenkan gjithë morra e thërrija!” Kur zbritëm poshtë u takuam me disa të dënuar. U prezantuam me njëri-tjetrin, na thanë dhe u thamë sa ishim dënuar e na dhanë urimin që bëhej në raste të tilla
“Paçim shëndet e na pastë Zoti amanet!” Kjo humnerë, që të fuste tmerrin, ndodhej mes kodrave të larta e të rrjepura ku dukej tek-tuk ndonjë shkurre nëpër dheun e kuqe, quhej Spaç. Shkurret e mbira në sipërfaqet e dy pllajave ishin në luftë të vazhdueshme me natyrën për të mbijetuar mbi këtë rrjepurinë. Ato përpiqeshin të ngulnin rrënjët e tyre të dobëta në tokën e zhuritur apo në të çarat e gurëve të djegur nga dielli përvëlues. Gjethet e këtyre shkurreve gjatë ditës, për shkak të thatësirës e vapës, rrinin të mbledhura, ndërsa gjatë natës së errët mund të hapeshin ndoshta nga frika e britmave të ushtarëve përzier me zhurmën e kërcitjes së tmerrshme të ndonjë breshërie kallashnikovi, që do të thoshte se ndonjë “armik” kishte tentuar të fitonte lirinë, apo qëllonin qëllimisht për ta mbajtur kampin nën terror. I gjithë rrethimi ndriçohej nga llamba të mëdha elektrike që rrinin të ndezura gjatë gjithë natës. Në rast furtune shiu ose bore, kur energjia elektrike pësonte shkëputje, ushtarët ishin të detyruar ta ndriçonin këtë rrethim me fishek-zjarre, që i lëshonin njëra pas tjetrës pa ndërprerje deri sa të kthehej ndriçimi duke bërtitur: “Ndal, kush kalon se do të qëlloj!”. E gjithë komanda në këto raste futej në kamp dhe të dënuarit futeshin brenda nën komandën “Futuni brenda! Asnjë të mos dalë nga dhoma! Shpejt, shpejt brenda në dhomë!”.
Kjo tokë e djegur nga acidi sulfurik, që gjendej me shumicë në këtë zonë, vazhdonte të shkatërronte sipërfaqen e tokës e cila përpiqej t’i shpëtonte këtij shkatërruesi të pamëshirshëm. Në të dyja anët e përroit, ujët e të cilit ishte përzier me acidin e që zhurmonte, kripërat e nëntokës kishin lënë gjurmët e tyre duke dalë në sipërfaqe. Pak hapa më tej, duke ndjekur rrjedhën, shihje se ky ujë fillonte të shteronte. Të gjithë udhëtarët që kalonin këtyre anëve nuk mund të rrinin pa thënë me vete “Ky vend është i mallkuar”. As zogjtë e malit nuk arrinin të jetonin aty, le pastaj njerëzit ose bagëtia. Aty kishte vetëm dhè të djegur dhe gurë të thatë që të thërrmoheshin në dorë sapo i prekje. Ky vend vlerësohej vetëm prej gjeologut pasi kishte shpuar në thellësi të mëdha, duke zbuluar çfarë kishte brenda ajo karakatinë e natyrës. Kur bie fjala se si ishte gjetur kjo tokë e mbetur shkretë, shumë thonë se Sigurimi Shtetit e kishte zbuluar nga vrojtimet dhe fotografimet të cilat i kishte bërë gjatë fluturimeve me helikopter mbi këtë vend. Këtu ata çonin skllevërit e komunizmit.
Edhe ata që mbetën gjallë pas luftës civile i prisnin vetëm vende të tilla: gropa të djegura e të fshehura nga çdo sy që askush të mos i dëgjonte britmat, rënkimet e ulërimat që shkaktoheshin nga torturat e vazhdueshme.
Në Shqipëri gjeje me bollëk trekëmbësha, gropa me të pushkatuar, burgje, kampe internimi dhe kallashnikovë. Bandat e kuqe sapo pushtuan vendin, pushkatuan pa gjyq njerëz nga klasa e përmbysur, i zhdukën pa nam e nishan dhe familjarët e tyre i internuan kush e di se ku. Sigurisht pasuria dhe prokopia e këtyre njerëzve përvetësohej nga komunistët.
Babai më tregonte se në muajin prill të vitit 1968 pasi mbaroi ndërtimi i fabrikës së çimentos në Elbasan, gjysmën e të burgosurve i çuan në burgun e Laçit dhe pjesën tjetër në Spaç, Reps ose Rubik ku ishte hapur burgu i ri. Këtë vend të izoluar nga vetë natyra, e kishte gjetur Sigurimi. Këtij izolimi iu shtuan edhe gjashtë rrethime të tjera me tela me gjemba. Jashtë këtij rrethimi gjendeshin tre kapanonet e ushtarëve. Ishin ngritur edhe karakollët nga të cilët ushtarët vigjilonin ditë e natë me automatik në dorë. Në barkun e kësaj grope të llahtarshme gjendet miniera e Spaçit. Këtu do të silleshin disa nga “armiqtë” e partisë e të popullit dhe jo pak, por rreth 1500 të tillë. Ata do të shfrytëzoheshin deri në palcë, do të gjymtoheshin e do të sfiliteshin nga norma operative e cila duhej tejkaluar, por edhe nga vetë kjo gropë, që nën peshën e ankthit ta shtonte pesimizmin, të bënte të humbje shpresën e të jepte përshtypjen se rroje në Mesjetë.
Sapo u futa në kamp i dërrmuar, shumë i tronditur dhe i pafuqishëm të qëndroja në këmbë prej izolimit të gjatë në birucat e Librazhdit, disa miq e bashkëvuajtës të xhaxhait dhe babait m’u prezantuan. Mundoheshin të më qetësonin sado pak, duke më dhënë kurajë që të mos mërzitesha se kësaj pune nuk i dihej. Priteshin ndryshime politike, sipas mendimit të njërit apo arsyetimit të tjetrit. Të nesërmen e mbërritjes sime në kamp më thirrën në zyrën teknike. Kryetari i zyrës, një burrë me mustaqe, i ushqyer mirë, me një bark të dhjamosur, ishte një i dënuar për agjitacion e propagandë. Pak më tej qëndronte një ushtarak thatanik i cili rrotullonte kapelën sa në një dorë në tjetrën. “Nesër do të dalësh në punë, – foli barkaleci me mustaqe. – Të këshillojmë të rrish urtë e të mos flasësh. Të ulësh kokën e të punosh, ndryshe këtu merr dënim tjetër e s’e nxjerr lëkurën kurrë nga këtu. Mos u merr me llafe dhe pse je dënuar shumë, po të sillesh mirë, të punosh e të ulësh kokën, ke përfitime: të ulet dënimi dhe këtë propozim ia bëjmë ne komandës për sjellje të mira ose të këqija”.
Të nesërmen më nisën në punë me brigadën e cila punonte në zonën e dytë. Edhe pse miqtë që përmenda më sipër iu lutën kryetarit të zyrës teknike që të paktën atë muaj të më linin pushim sa të merrja veten (kështu bëhej për të gjithë të dënuarit e sapo ardhur), qe e kotë.
Rruga për në zonën e dytë ishte malore e më larg se zonat e tjera. Ngjitesha me zor të madh e bëhesha qullë në djersë edhe pse më ndihmonin miqtë të cilët më mbanin nga krahët kur ecja. Në një rast gjeta një copë ristel që e përdorja si shkop, por polici ma mori dhe e theu. Ai më kërcënoi, duke më thënë se po të më shihte përsëri me shkop në dorë, do të kisha pasoja. “Do ta thyej në kokë, nuk lejohet”, më tha. “Nuk kam fuqi, nuk eci dot”, i thashë policit. “Nuk paske vdekur tashti?!”, më hungëriti polici.
Galeritë e zonës së dytë nuk kishin asnjë lloj kushti teknik. Temperatura brenda saj shkonte 35-40 gradë celsius. Galeria ngushtohej çdo ditë nga presioni dhe vagoni duhej të ishte më i vogël. Minerali i cili vinte i përzier me ujë nuk mund të merrej me lopatë për ta ngarkua në vagon, kështu që ne përdornim kapelën e shollit. Sfiliteshim gjithë ditën në punë. Mërzitja sa vinte shtohej e shpesh herë pyesja veten: “A bëhen 25 vjet burg kështu në këto kushte?”. Kur ktheheshim në fjetore as gjumi nuk më zinte. Edhe kur dremisja për disa çaste, më shfaqej dhoma e izolimit, gishtat e thyera të dorës nga shefi i hetuesisë, torturat, të rrahurat dhe kur më lidhnin duar e këmbë me urdhër të hetuesit. Në këto pak çaste dremitjeje më kalonin përpara syve ngjarjet e hetuesisë, pretenca në gjyq “Genc Leka, vdekje – pushkatim; Vilson Blloshmi, vdekje – pushkatim; Bedri Blloshmi, vdekje – pushkatim!”; dita e 12 qershorit, gjithë frikë e tmerr. Isha i lidhur duar e këmbë me helmetën të ngjeshur mbi kokë. Djersët më rridhnin papushim si nga tronditja ashtu edhe nga vapa mbytëse; 13 qershori kur na dhanë vendimin për Gencin e Vilsonin, vdekje, pushkatim, ndërsa unë 25 vjet burg. Më bëhej sikur dëgjoja zhurmën e zinxhirëve përgjatë korridorit kur nxirrnin për në banjë në fillim Gencin e pastaj Vilsonin. Përpara dhomës ku rrija unë u zgjidhnin dhe u lidhnin sërish zinxhirët nëpër këmbë e duar.
Në minierën-burg të Spaçit punohej me tri turne. Aty gjendeshin 5 zona (galeri dhe traverbang) të cilat të çonin në barkun e këtij mali, faqja e të cilit ishte e zhuritur. Punohej 8 orë në errësirë të plotë, duke thithur jo vetëm erën e karbitit që digjej me një flakë të pakët e të verdhë, por edhe erën e gazrave, të mykut, të drurëve të kalbur të galerisë, të minjve të ngordhur, të ujit të qelbur i përzier me acidin. Do thithnim edhe erën e rrobave e të çizmeve të llastikut të kalbura, që vinin të përziera me mineralin e ardhur nga nënkati. Era e dinamitit të plasur të mbushte mushkëritë ndërsa tymi i mjegullt I tij të verbonte sytë dhe detyroheshim të uleshim mbi gjunjë për t’u ruajtur nga ky tym i përzier me helmet i cili nuk arrinte të nxirrej jashtë galerisë as nga kompresorët, duke qëndruar si re, shtëllunga-shtëllunga në galeri. Dilnim nga galeria vetëm kur mbërrinte turni pasardhës. Të gjithë ata të cilët nuk realizoni normën, te dera e galerisë i priste polici që i hidhte prangat ose i lidhte te një shtyllë betoni, në shi e borë apo edhe vapët të ishte, që ndodhej në majë të kodrës, pranë barakave të kapterit.
Shumë të burgosur të ardhur rishtas në këtë galeri-ferr, një prej të cilëve isha dhe unë, kalonin ditë të tëra duke vjellë gjak bashkë me çfarë kishin në bark dhe tymin e thithur. Kishte raste që stomaku ambientohej shpejt me këtë përzierje helmesh të nëntokës dhe në më pak se një muaj nuk ndienim më gjë, por shumë prej nesh sëmureshin nga tuberkulozi e shurdhoheshin e sakatoheshin nga aksidentet, duke këputur dorën ose këmbën, duke u tretur pak e nga pak e duke u lutur që vdekja të vinte e t’i merrte sa më parë. Vetëm atëherë mund të rehatoheshe e të shpëtoje një herë e mirë, kaq e padurueshme ishte bërë jeta.
Zona e dytë ishte zona më e keqe. Ishte një nxehtësi e tmerrshme. Galeria pikonte fillim e mbarim acid sulfurik mbi trupat e zhveshur të të burgosurve, mbi këmbët e gjakosura, lëkura e rrjepur e të cilave nuk i mbulonte plagët që rridhnin gjak. Kushte të tilla ose duhet t’i pranoje në heshtje ose çdo refuzim të çonte në përballje me format “e riedukimit”, të lidhnin duart pas shpine dhe më pas të lidhnin pas shtyllës së betonit. Kishte raste kur polici pasi të kishte lidhur me duar pas, hipte edhe vetë duke i vendosur të dyja këmbët midis hekurave dhe kolovitej derisa i burgosuri rrëzohej përdhe. Po t’i thoshe policit se fronti i punës ishte me rrezik shembje, se në këtë front nuk ka mineral apo se vagoni i ngarkuar me mineral piriti, që peshonte jo pak, por 3 ton, dilte nga shinat, duke i shkatërruar ato dhe kështu puna do të ndërpritej për disa orë, ai çirrej: “Dil jashtë! Më prit te shtylla se ta rregulloj unë qejfin ty!”. Pasi të lidhte duart pas saj të varte edhe një rrotë vagoni. Ajo peshonte jo pak, por plot 25kg. Për kushtet e sigurimit teknik as që bëhej fjalë. Puna nuk ndërpritej për asnjë çast, as edhe atëherë kur ndonjë të burgosur e zinte minerali ose dheu i shembur në galeri. As vdekja nuk e ndalte punën në atë gropë-ferri. Puna me tre turne vazhdonte derisa nxirrej i vrari nga barku i nëntokës. Ai merrte me vete edhe fajin për dheun e shembur se me demek kishte hyrë në frontet e ndaluara që nuk lejoheshin nga sigurimi teknik dhe se askush nuk e kishte detyruar të futej atje. Kështu justifikohej gjithmonë polici me brigadierin e lire sa herë vritej dikush, duke e pasuar me batutën “një armik më pak”.
Kur konstatohej se në vagonin me mineral piriti kishte gurë e copa druri të përzier me të, që ne e bënim qëllimisht sipas policit ose brigadierit të lirë, ishte tortura më e madhe. Veç sharjeve e ulërimave se vazhdonim të sabotonim, duhet të duronim edhe prangat e drurin pa pushim derisa të lodhej polici.
Spaçi, ky vend shkëmbor i shkretë, popullsia e të cilit jetonte në mjerim e padituri edhe njerëzit i kishte si vetja. Pikërisht mes këtyre njerëzve ishin zgjedhur policët e burgut, që i kishin shpëtuar mjerimit ekstrem të kooperativës, duke e quajtur parajsë hapjen e burgut, sepse kishin fituar vendin e tyre të punës, sepse hanin bukë gruri, siguronin veshje falas, uniformën (kur merrnin të renë uniformën e vjetër e çonin në familje) dhe merrnin një rrogë për të qenë. Këta njerëz ndjeheshin shumë të gëzuar se ishin punësuar si policë në këtë ferr. Ata bënin shaka me njëri-tjetrin, me fuginët (mbushësit e minave) ose brigadierët e lirë duke thënë: “Rri mirë se të çuam në cooperative që të hash dynjanë!”. Fëmijët e tyre përkraheshin nga shteti, merrnin bursa për shkollim pasi baballarët e tyre punonin në një sektor tepër të rëndësishëm, ruanin “armiqtë e partisë e të popullit”. Këta police na shikonin me shumë urrejtje sepse ne të burgosurit kishim dashur të rrëzonim pushtetin popullor, por ishin edhe të kënaqur për ekzistencën tonë sepse po të mos ishim ne, ata nuk do t’i kishin këto vende pune. Kur na torturonin, bëheshin aq agresivë e të pamëshirshëm, sa drurin e ndalnin vetëm kur lodheshin, por edhe kur ndalnin drurin nuk ndalonin të sharat duke na thënë: “Ju armiqtë, këtu e keni vendin brez pas brezi sepse vetëm vrer villni nga goja. Ju jeni të pabindur!”.
Puna e pandërprerë dhe në kushte tmerrësisht çnjerëzore e shtonte numrin e viktimave dita-ditës. Trupat e atyre që vriteshin nuk u jepeshin familjeve pa mbaruar dënimi, të cilin duhet ta kryenin ditë më ditë edhe të groposur buzë përrenjve të Spaçit. Shumë të burgosur të cilët trulloseshin në galeri nga helmi që u merrte mendtë, shtriheshin pavetëdije në kanal apo anash shinave të galerisë, duke marrë plevitin brenda pak muajve. Në një rast kur dheu zuri dy të dënuar, njërin e nxorëm, të vdekur sigurisht, ndërsa tjetrin për ta nxjerrë, pasi na larguan ne të dënuarit që punonim aty, i prenë kokën me sëpatë sepse ishte e vetmja mënyrë për të nxjerrë kufomën prej andej. Atë që nuk e vriste dheu që shembej, ia merrte jetën pleviti pak nga pak, por kishte edhe nga ata të cilët nuk e përballonin dot punën e stërmundimshme dhe torturat sfilitësh, duke i dhënë fund jetës me vetëvrasje, apo gjymtonin veten duke thyer duar e këmbë që të mos futeshin më në galeri. Pranonin të mbeteshin sakatë për gjithë jetën, vetëm e vetëm të shpëtonin nga kthetrat e policisë. Po të ishe i gjymtuar ose sakat, mjeku të linte pushim, nuk të nxirrnin më në punë. Kush nuk humbte jetën, mbetej ulok. Ka pasur edhe ndonjë rast kur i dënuari i shpëtonte nga duart torturuesit dhe turrej vrap drejt rrethimit ku e priste ushtari i cili pasi ulërinte “Ndal!”, të dënuarin e ndalte me breshërinë e kallashnikovit. Më mirë të vdisje se të ishe nën thonjtë e policit që të rripte lëkurën. Ushtari i devotshëm që kryente “detyrën”, duke i marrë jetën një njeriu, shpërblehej me 15 ditë leje dhe pasi mbaronte ushtrinë mund të vishej polic me të dënuarit.
Në Spaç u njoha me shumë djem e burra të guximshëm dhe intelektualë të cilët ishin nga e gjithë Shqipëria. Agim Hamiti nga Dukati i Vlorës, një djalë i qetë dhe inteligjent, kishte qenë ushtar në Tale të Lezhës, në brigadë pune bashkë me vëllain tim, Vilson Blloshmi. Kishin studiuar bashkë dhe po në Tale, në vendin ku kishin korrur misër e kishin bërë punë të tjera bujqësore, ishin njohur me një prift i cili i ndihmonte me literaturë të huaj. Sa herë që takohesha me Agimin, më dukej sikur flisja me vëllain tim, Vilsonin. Në ferrin e Spaçit pas meje erdhi edhe xhaxhi im, Hasan Blloshmi, i cili u dënua me 10 vjet heqje lirie. Atë e kishin arrestuar ditën e internimit të familjes sime pasi u dënuan Genc Leka e Vilson Blloshmi (vëllai im) dhe unë. Gencin e Vilsonin i dënuan me vdekje (pushkatim) dhe i ekzekutuan natën e 17 korrikut të vitit 1977 te vendi i quajtur “Përroi i Firarit”. Xhaxhai ynë, Hasani, këtë e kishte dënimin e dytë. Në dënimin e parë ishte dënuar me 20 vjet heqje lirie nën akuzën takim dhe strehim “diversantësh” sepse sipas Sigurimit të Shtetit, ishte takuar me Bardho Lekën, dajën e tij, i cili ishte arratisur në Jugosllavi bashkë me dajën e Vilsonit, Sabri Spahon. Xhaxha Hasani ndërroi jetë, i sëmurë shumë rëndë, në korrik të vitit 1982 në burgun e Spaçit. I dënuar me 25 vjet burg ishte dhe një miku ynë, Hysni Palla, që ndërroi jetë edhe ky në muajin maj të vitit 1982. Ai ishte bashkë me kunatin e tij, Mehmet Merxho, po nga Pogradeci.
Në burgun e Spaçit kishte shumë të dënuar: Afrim Selimllari, Tofik Dobrishti, Fatos Kërluku, Nikolin Thana, Luan Koka, Dilaver Çeloaliaj, Myslym Çeloaliaj, Nuri Çeloaliaj, Qemal Demiri, Petrit Velo, vëllezërit Ali e Enver Shaqiri, Pëllumb Lamaj, Xhemal Mustafaraj, Fatmir Lamaj, Sehit Albrahimi me dy djemtë e tij Besimin e Muharremin, Dalip Bardhoshi, Murat Marta, Haxhi Balliu, Agim Noku, Çajup Bejko, Vilson Zeko, Ahmet Hoxha, Thoma Bejo, Musa Hoxha, Edmond Halimi, Haxhi Baçinofski, Nuredin Skrapari, Tomor dhe Ali Allajbeu, Irakli Sirma, Sali Çako, Besim Fehmi Valteri, Mersin Vlashi, Ehtem Ibrahimi, Fetah Malasi, Kozma Dodolli, Xhemil Lundraku, Amir Kuqo, Visar Zhiti, Skënder Haluca, Hasan Bajo, Gjergji Cepollari, Nasli Beqo, Beqir e Mexhit Capa, Petrit Bazelli, Xhelal Koprencka, Luan Burimi, Guxim Kullolli, Ali e Dalip Alla, Aqif Selimi, Isuf Sollaku, ALi Bardhi, Xhemal Spata, Kadri Thaçi, Hysni Alia, Xhem Sefolli, Man Hoxha, Dom Simon Jubani, Elez Hoxha, Gjon Kola, Lek Froku, Danjel Marku, Isuf Haluca, Mazllëm Kaso, Sadik Alimadhi, Xhevat Braçe, Hysni e Zenel Palla, Haki Hoxha, Frederik Rreshpja, Vasil Zguri, vëllezërit Ferit e Cuf Tahja, Agron Kalaja, Petrit Balili, Frederik Tarelli, Dede Begeja, Mihal Shukuli, Syrja Lame, Riza Bregu, Gani Ibraliu, Noc Zima, Petro Zharkalliu, Kiço e Niko Mihallari, Tahir Hamza, Sami Lushaku, Jetulla Gashi, Ded Kasneci, Kol Shkëmbi, Valentin Tropani, Bexhet Balliu, Ylber Darova, Kujtim Xhaja, Roland Tole, Mezan Abazi, Agim Akcani, Skënder Tufa, Fejzulla Çepi, Kujtim Hasimeta, Veli Dollani, Mithat Ago, Sherif Allamani, Vllasi Koçi, Hysen Tabaku, Ramazan Spahiu, Sotiraq Porodini, Hazis Kullolli, Mark Qafa, Xhevat Tarusha, Murat Gjonzeneli, Bardhosh Gjonzeneli, Gani Skura, Shaban Elezi, Arben Pilinxhi, Sabri Rakipi, Ali Bulku, Myslym Shima, Feim Salianji, Qani Sadiku e plot burra të tjerë nga të katër anët e Shqipërisë. Spaçi kishte mbi 1500 burra në vitet 1978, ’79, ’80 e të burgosurit vazhdonin të shtoheshin derisa u vra Mehmet Shehu. Më pas, fluksi i prurjes dhe i ngjeshjes nëpër burgje u ul. Pas kësaj vrasje, u bë një amnisti dhe në Spaç u liruan 374 të dënuar, ata të cilët ishin dënuar 8 vjet e poshtë dhe ata që kishin nga pak burg.
Në zonën e dytë u njoha me një djalë trup madh, të sjellshëm dhe fjalë pak i cili ishte nga Malësia e Madhe, Gjelosh Deda e quanin. E kishin dënuar me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë. Ai kishte dhe një vëlla të dënuar me të njëjtën akuzë. Kisha biseduar disa herë me të kur ishim në galeri pasi i kishim frontet e punës afër e afër. Kishte një urrejtje të jashtëzakonshme për sistemin komunist, por kishte dhe një forcë të brendshme që e bluante urrejtjen dhe e mbante përbrenda. Ishte shumë i matur e kur fliste mes njerëzve bënte sikur buzëqeshte dhe të jepte një përgjigje të qetë prej babaxhani. Kur vinte koha e 5 minutëshit që bënim me policin e brigadierin para se të hynim në galeri, unë shpërtheja dhe thosha ç’më vinte në mend. Gjeloshi vinte te fronti i punës, uleshim të dy dhe ndiznim nga një cigare nën flakën e llambës së karbitit e fillonim të zbrazeshim apo qetësoheshim duke folur kundër atyre terroristëve që na kishin shkatërruar jetën neve dhe krejt familjeve tona, duke na vrarë e burgosur. Gjithmonë më thoshte: “Mundohu e mos fol kaq hapur Bedri, se këta të bëjnë gjëmën. Ta mbyllin derën fare. Këta janë të pamëshirshëm, megjithëse ti i njeh më mirë se unë këta katilë”.
Nuk më kujtohet as muaji, as dita, por duhet të ketë qenë fillimi i vitit 1978. Gjeloshi ishte në frontin e punës e sapo kishte filluar të bënte birat me martel. Ishim në të njëjtin turn. Brigadieri i dënuar e lajmëroi se e kërkonin jashtë. “Lëre punën e dil shpejt. Kanë ardhur dy civilë e të presin tek kodra”, i kishte thënë ai. Unë sapo kisha filluar të bëja birat, kur m’u ndërpre ajri dhe marteli m’u fik. Dola nga fronti nën tymin e bardhë të galerisë dhe 4-5 metra më larg pashë Gjeloshin. Ai kishte palosur tuba-gomën, duke ndërprerë ajrin e kompresorit. “Gjelosh, si është puna? Çfarë ke? Ke ndonjë hall? Të duhet ndonjë vegël për punë?”, e pyeta sapo e pashë. “Bedri, më jep dorën e mirë u pafshim”, m’u përgjigj ai. “Gjelosh, çfarë ka ndodhur? Kush të kërkon? Ku po të çojnë?”, e pyeta sërish. “Më kërkojnë jashtë Bedri. Kanë ardhur dy civilë, kështu më tha brigadieri. Unë po iki Bedri. Ishalla shihemi përsëri, mbase në botën e lirë.”. Gjeloshi iku shumë i mërzitur. Iku dhe s’u kthye më. Pas disa muajsh vëllai i tij bëri takim me familjen. Ata i kishin thënë se Gjeloshi kishte vdekur. E kishin bashkuar me 3 a 4 veta të tjerë të arrestuar në Pukë, i kishin nxjerrë në gjyq dhe Gjeloshin e kishin dënuar me vdekje (pushkatim). Në një rast, kur erdhi auto-burgu të sillte të dënuar, një prej tyre e caktuan në zonën e dytë dhe në brigadën ku isha unë, madje flinim edhe në të njëjtën dhomë. Në Spaç kishte një rregull: e gjithë brigada flinte në një dhomë. Ishte një djalë jo aq trup madh e me një fytyrë të hequr e krejt të bardhë. Dukej se kishte qenë për një kohë të gjatë në izolim në hetuesi. Që në 5 minutëshin që bënim çdo ditë pa u futur në galeri ku na jepnin planin e punës, polici iu drejtua të porsaardhurit: “Ti quhesh Tomë. Je dënuar shumë. Rri mirë, ul kokën, puno dhe mos u merr me fjalë. Je caktuar minator”. Tomën e caktuan në galerinë nr.20, një galeri shumë e vjetër, afër frontit tim të punës.
Pasi polici, brigadieri i lirë dhe brigadieri i dënuar bënë kontrollin nëpër frontet e punës, na dhanë porositë dhe u larguan, unë vajta te fronti i punës së Tomës dhe ia filluam bisedës:
– Hajde more burrë, ulemi pesë minuta, – i thashë unë, i dhashë dorën, e pyeta nga ishte dhe vazhdova: – Mos u mërzit. Ky hall s’të ka zënë vetëm ty. E gjithë Shqipëria në burg është. Ne jemi më mire se ata jashtë. Sa të kanë dënuar?
– Shumë Bedri, 25 vjet. A bëhen 25 vjet burg? – ma ktheu Toma.
– Edhe mua aq më kanë dënuar, – vazhdova unë, – por lutju Zotit, të na japë shëndet e të na ruajë nga ndonjë rrezik në galeri. Them se ne që jemi dënuar shumë, kemi një favor, një herë për një herë nuk do të na dënojnë përsëri, se siç më kanë thënë shokët, këtu të ridënojnë, po ne kemi kohë, se mos bëmë këto dhe u liruam?!
– Pse Bedri, të dënojnë përsëri këtu në burg? – më pyeti Toma i habitur. – Ka pasur raste që ditë e lirimit iu kanë hedhur prapë Prangat?
– Tomë, këta kriminelë, jo vetëm të ridënojnë, por edhe të vrasin po të duan. – iu përgjigja unë. – Po mos e paçim kismet. Këtu ushtrohet terror Tomë, madje në shumë raste, ata të dënuar që mbushin dënimin i riarrestojnë dhe i dënojnë prapë. Që kur kam ardhur unë, asnjë i dënuar nuk është liruar edhe pse e ka mbushur kohën e dënimit.
Këtu ka shumë të dënuar që kanë bërë 25 vjet burg dhe i kanë ridënuar edhe me 20-25 vjet të tjerë burg. Tomë, mos e mbaj mendjen te dënimi. Kush e di ç’bën Zoti dhe e thyejnë qafën! Nuk i sheh? Këta gati po e hanë njëri-tjetrin. Nuk e sheh si po e vrasin njëri-tjetrin? Kështu e ka komunizmi, ha pjellën e vet. Hajt mos u mërzit, paçim shëndetin. Tom Ndoja ishte djalë shumë kurajoz, punonte shumë dhe u ambientua shumë shpejt. Rrinte me njerëz të moshuar të malësisë, burra besnikë. Ata kishin rënë në burg se kishin treguar besnikëri, kush u kishte kërkuar ndihmë për t’i nxjerrë jashtë kufirit e kishin ndihmuar. Kishte nga ata që i kishin dënuar sepse kishin strehuar dhe ushqyer persona që hynin e dilnin nga kufiri i vendit tonë. I kishin ndihmuar edhe me armatime e me ç’të mundnin të arratisurve që hynin e dilnin në kufi. Kishte raste që i kishin mbajtur me muaj të tërë të fshehur në shtëpi dhe më pas i kishin përcjellë matanë. Një ditë në bisedë e sipër e pyeta Tomën në e njihte Gjelosh Dedën. Tomës iu mbushën sytë me lot.
– Pse e paske njohur edhe ti Bedri?! – ma ktheu. – Ja këtu pranë e kishte frontin e punës.
– Po, – iu përgjigja, – punonte në zonën e dytë, në frontin e piritit. Atë ditë, që e lajmëruan të dilte jashtë galerisë, erdhi dh u nda me mua. E pashë se ishte shumë i shqetësuar. “Mirupafshim, bafti Zotit!”, më tha. Iku dhe s’u kthye më. Nuk u mor vesh se ç’u bë me atë djalë.
Ndoshta e kanë çuar në ndonjë kamp tjetër në Ballsh, Lezhë ose Burrel. Këta vampirë e kanë kthyer gjithë vendin në kampe e burgje.
– Lëre atë muhabet Bedri, Gjeloshi nuk është më gjallë. Atë e dënuan me vdekje, bashkë na dënuan. Mbajti një qëndrim burrëror në gjyq e me siguri e kanë pushkatuar. Ka pasur probleme dhe me biografinë, – tha Toma.
Në ferrin e Spaçit kishte shumë djem trima dhe ndër ta ishte edhe Sokol Sokoli. Sokol e kishte emrin e në të vërtetë ishte sokol mali. Ishte trup madh, shumë i fuqishëm, tepër i sjellshëm e i respektuar me të dënuarit e tjerë dhe i dëgjonte këshillat e më të mëdhenjve, e malësorëve të moshuar me mustakë, burra të cilëve kur flisnin, fjala u zinte vend. Pamja e tij burrëro binte në contrast me sjelljen dhe asnjëherë nuk u pa të demonstronte forcë apo të grindej me njeri. Në bisedat mes shokëve shpesh herë për të dëgjohej të thuhej: “Shyqyr që është sjellshëm se meazallah po të ngatërrohesh me të, të bën copa me atë fuqi që ka! S’ka doktor të të marrë përsipër po të futi në dorë Sokoli!” Kur ndodhte që ndonjë të diel na linin pushim, Sokoli, Toma e plot të dënuar të tjerë uleshin bashkë të pinin kafe dhe ia fillonin muhabetit për jetën e lirë. Në bisedë e sipër shokët i thoshin Sokolit të tregonte për ndeshjen që kishte bërë me atë mundësin profesionist i cili kishte kërkuar të mundej me të. Sokoli me modesti u përgjigjej: “Po leneni atë muhabet se do të thoni pastaj se po lëvdohem, megjithatë po ua tregoj. Ishim plot shokë e po bënim shaka që donin të më vinin në provë me një mundës të cilin e njihja, ishte nga anët tona, madje kishim edhe muhabet. U futëm në fushë e siç ju thashë ai ishte i stërvitur. Unë asnjëherë s’kisha bërë stërvitje. Megjithatë e gjeta momentin, e kapa për krahu dhe e plasa në tokë e në çast ai thirri sa kishte fuqi “Ç’më bëre, më vrave Sokol!”. E kapëm dhe e kontrolluam e pamë se krahu i ishte thyer në dy vende. Ja kjo ishte e gjitha.”. Më pas e pyesnim për atë punën e kufirit kur ishte arratisur dhe ai përgjigjej: “U ngatërrova bre burrë, ishte borë e madhe. E kalova kufirin dhe ec e ec kujtova se isha në Gjakovë, por ç’e do isha futur përsëri në Shqipëri. Më arrestuan e mbas disa muajsh hetuesi më nxorën në gjyq dhe më dënuan me 18 vjet burg. Po hajt ma, lene kët muhabet.” Asnjëherë nuk ra në sy për keq në burgun e Spaçit. Aq sa i fuqishëm ishte, po aq i sjellshëm, i urtë dhe i komunikueshëm ishte. Sokoli shkonte shumë mirë me Tomën, Mark Shutanin, Marash Kumbullën, Pashuk Pashukun, Pashuk Loron e plot e plot burra trima e të besës. Nga burgu i Spaçit, pas ca muajsh na transferuan pjesë-pjesë, për në burgun e Qaf Barit, në rrethin e Pukës. Edhe këtu na ngjeshën në minierë, më keq se në Spaç.
SOKOL ZEF SOKOLI
Sokol Sokoli lindi në fshatin Palç të Lekbibajt të rrethit të Tropojës në datën 24 prill 1949 nga prindërit Zef e Cole Sokoli. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes e më pas e mobilizuan të kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ai u rrit jetim pasi prindërit e tij ndërruan jetë që kur Sokoli ishte fare i vogël dhe nuk pati as vëllezër e as motra. Sokoli punoi gjatë si traktorist në ndërmarrjen bujqësore të Bajram Currit e në vitin 1979 u arratis jashtë Shqipërisë, por nuk arriti të realizonte dëshirën e tij pasi u kap në kufi ku e arrestuan dhe e dënuan me 15 vjet heqje lirie për arratisje nga gjykata e rrethit Tropojë. Nga Dega e Brendshme e Tropojës e dërguan në kampin e Spaçit e më pas e transferuan në kampin e Qaf Barit të rrethit të Pukës.
Sokol Sokoli u arrestua dhe u torturua mizorisht me rastin e revoltës së Qaf Barit bashkë me Tom Ndojën si organizatorë të kësaj revolte e cila u bë për të kundërshtuar dhunën policore më datë 22 maj të vitit 1984. Sokol Sokoli u dënua me vdekje, pushkatim, në Degën e Brendshme të Pukës nga Gjykata e Lartë më datë 3 qershor 1984 pas një hetuesie çnjerëzore prej 10 hetuesve të ardhur nga Tirana. Sipas fotografisë së gjetur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Sokol Sokolit i kishin nxjerrë njërin sy gjatë torturave. Ai u ekzekutua më datë 8 qershor 1984 në mes të natës në vendin e quajtur “Antena”, në fshatin Kuç të rrethit të Shkodrës. Sipas dokumenteve arkivore që do të shohim më poshtë Sokol Sokolit pas pushkatimit ia kanë nxjerrë edhe syrin tjetër, po ashtu kanë vepruar edhe me sytë e Tomë Ndojës.
Vendimi i Gjykatës së Rrethit të Tropojës për dënimin e Sokol Sokolit në vitin 1981
VENDIMI I DËNIMIT TË SOKOL SOKOLIT
Vendimi i Gjykatës së Rrethit të Tropojës. Vendimi i dënimit të parë për tentativë arratisjeje i Sokol Sokolit i riarrestuar në Qaf Bar të rrethit të Pukës në revoltën e 22 majit 1984. Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Gjykata e Rrethit Tropojë
Nr. i Regj. Themeltar – 20 –
Nr. i Vendimit – 20
Vendim
“Në emër të Popullit”
Gjykata e rrethit Tropojë e përbërë nga:
Perikli Kolagji – Gjyqtar
Sadri Ponari – anëtar
Haxhi Mulgeci – anëtar
me sekretare Vera Doçin dhe prokuror Bahri Pirin shqyrtoi në seancë të hapur të datës 27.3.1981 çështjen penale Nr.20 që i përket:
Të pandehurit: Sokol Sokoli, i biri i Zefit dhe i Coles, i dl.1949, lindur e banues në Palç, me origjinë shoqërore fshatar i varfër, me gjëndje punëtor, me arësim 8 vjeçar, i pa parti.
I akuzuar: Për tradhëti ndaj atdheut në formën e arratisjes të parashikuar nga nenet 47/gj.
Gjykata pasi përfundoi hetimin gjyqësor, pasi dëgjoi prokurorin i cili kërkoi deklarimin fajtor të të pandehurit sipas akuzës dhe dënimin e tij përfundimisht me 19 vjet heqje të lirisë, pasi dëgjoi të pandehurin i cili në fjalën e mbrojtjes dhe të fundit të tij kërkoi mëshirë, Vëren,
I pandehuri Sokol Sokoli ndonse i ri në moshë, ruan e manifeston çfaqie të ideologjisë së huaj borgjeze e revizioniste Dëshmitari Pal duke qenë shitës dyqani dhe duke menduar se zëri…
…përsëri në tokën tonë ku kapet nga njësiti kufitar. I pandehuri mundohet të mbuloje krimin e kryer prej tij duke pretenduar tek njësiti kufitar se ka humbur rrugën, pasi shkonte në fshatin Zherk tek një person i cili i kishte disa të holla borxh. I pandehuri Sokol Sokoli ka konsumuar krimin e tradhëtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes, parashikuar nga neni 47/gj e Kodit Penal. Vepra në ngarkim të të pandehurit provohet me thëniet e tij me thëniet e dëshmitarëve Pëllumb Përkola, Esat Torra, Kujtim Isufi dhe me materialet e tjera të çështjes.
Prandaj, Gjykata në mbështetje të nenit 150 K.P.P. Vendosi:
Të deklaroj fajtor të pandehurin Sokol Sokoli për krimin e tradhëtisë ndaj atdheut, në formën e arratisjes dhe në bazë të nenit 47/gj e Kodit Penal e dënon me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet heqje të lirisë dhe me heqjen e të drejtës elektorale për pesë vjet kohë. Vuajtja e dënimit i fillon nga data e arrestimit më 31.12.1981. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim e protestë brënda 5 ditëve.
- Curri, më 27.3.1981.
Sekretari Gjyqtari
/Vera Doçi/Perikli Kolagji/
(firma) (firma)
Zbardh V.D.
SHËNIM: Vendimi ka marrë formë të prerë pa u kundërshtuar dhe protestuar më datën 2 prill 1981.
Z/SEKRETARI I GJYKATËS
(Mehmet Berisha)
TOM KOL NDOJA
Tom Kol Ndoja lindi në fshatin Kllogjër në Shllak të rrethit të Shkodrës në vitin 1952. Me prindër Kol e Zoj Ndoja. Këta kishin lindur shtatë fëmijë, gjashtë djem dhe një vajzë. Toma ishte djali i dytë nga gjashtë vëllezërit. Ai shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes e në vitin 1971 shkoi dhe kreu shërbimin e detyruar ushtarak. Ai punoi në hidrocentralin e Fierzës deri në ditën e arrestimit. Toma u arrestua në fshatin Berishë të rrethit të Pukës. U dënua me 25 vjet heqje lirie nën akuzën për sabotim ekonomik, agjitacion e propagandë dhe për armë mbajtje pa leje. Ka qenë i burgosur në kampin e Spaçit, nga ky kamp u transferua në kampin e Qaf Barit të rrethit Pukë. Në këtë kamp më 22 maj 1984 u riarrestua bashkë me 12 të burgosur të tjerë si organizator i revoltës. Më datën 3 qershor e nxorën në gjyq dhe më datë 8 qershor 1984 orën 00 u pushkatua së bashku me shokun e tij Sokol Sokoli, në fshatin Kuç të rrethit të Shkodrës, në brendësi të territorit të antenës të rrethuar me tela me gjemba ku në katër karakollë vigjilonin ditë e natë me kallash në dorë ushtarët e detyruar. Pas 27 vjet kërkimesh e përpjekjesh të jashtëzakonshme nga familjarët dhe shokët e tij të burgut u bë e mundur dhe më datë 29 maj 2011 u zbulua vend-groposja që s’kishte asnjë shenjë orientuese dhe më datë 2 qershor 2011 u bënë homazhe tek Instituti i të Përndjekurve Politikë ku morën pjesë personalitete të larta të shtetit, si presidenti i republikës z.Bamir Topi e të tjerë. Shokë bashkëvuajtës, miq e dashamirë morën pjesë në lamtumirën për në banesën e fundit të Tom Ndojës e Sokol Sokolit. Presidenti i republikës i nderoi ata me Medaljen e Trimërisë si udhëheqës së revoltës së Qaf Barit. Tom Ndoja i cili u dënua me akuzën e terrorit në ambientet e burgut edhe sot pas 20 viteve të përmbysjes së komunizmit mbetet terrorist e nuk ka përfituar nga ligji për dëmshpërblimin e të dënuarve politikë, kjo për arsye se neni i terrorit nuk është amnistuar nga Parlamenti Shqiptar. Gjithsesi, sot, Tom Ndoja ka një varr ku familjarët, dashamirësit e miqtë e tij e kujtojnë e do ta kujtojnë brez pas brezi dhe do të vendosin lule në shenjë nderimi sa herë të kenë dëshirë.
Dua të shpjegoj se në dokumentet arkivore gjendet vendimi dhe urdhri i ministrit të brendshëm, Hekuran Isaj, që urdhëron: “Pas ekzekutimit të dy të ekzekutuarve t’u nxirren sytë!”.
Dëshmija e Tom Ndojës ku përfshihet dënimi i parë dhe dënimi i dytë.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
MINISTRIA E DREJTËSISË
Regjistri i Gjëndjes Gjkyqësore
Nr. i Prot. 6497
Dëshmi (1)________________
Për të quajturit (Emër dhe mbiemri) TOM NDOJA, i biri i KOLËS dhe i ZOJËS
lindur më 1952 në KLLOGJEN SHKODËR
Me vendimin nr.62 datë 21.11.1978 të Gjykatës rrethit Pukë është deklaruar fajtor për krimin: 1) Agjitacion e propagandë kundër Pushtetit Popullor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal është dënuar me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie. 2) Sabotim të ekonomisë socialiste dhe në bazë të nenit 53 të K.Penal është dënuar me 25 (njëzet e pesë) vjet me heqje lirie. 3) Armëmbajtje pa leje në bazë të nenit 224 të K/Penal është dënuar me dy vjet heqje lirie. Në zbatim të nenit 35 të Kodit Penal përfundimisht është dënuar me 25 (njëzet e pesë) vjet heqje lirie dhe me heqjen e të drejtës elektorale për 5 vjet kohë. Dënimi ka filluar të zbatohet me 11.3.1978. Me vendim nr.3 datë 3.6.1984 të Gjykatës së Lartë është deklaruar fajtor për krimin e veprës terroriste në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 150/I, 13, 35 e 36 të K.Penal është dënuar me vdekje pushkatim dhe me humbjen e të drejtës së zgjedhjes për 5 (pesë) vjet kohë. Dënimi ka filluar të zbatohet me 24.5.1984
Tiranë, me 8.8.1994
______________ Mela
/ firma – vula /
MARTIN SOKOL LEKA
Martin Leka ka lindur më 5.2.1945 në fshatin Nicaj Shalë, Dukagjin nga prindërit Sokol e Leze. Ai kishte edhe dy vëllezër të tjerë. Prelën e Gjergjin. Martini ishte fëmija i dytë. Shkollën 7 vjeçare e kreu në fshatin e lindjes ndërsa shkollën e mesme industriale në Shkodër. Pas kryerjes së shërbimit të detyruar ushtarak, punoi si elektricist deri në ditën e arrestimit më datë 3 shtator 1975. U akuzua për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor bazuar në nenin 73/1 të Kodit Penal, u dënua me 10 vjet heqje lirie dhe u dërgua në Spaç për të vuajtur dënimin. Nga kampi i riedukimit të Spaçit e transferuan në kampin e Qaf barit. Më datën 22 maj 1984 u riarrestua si pjesëmarrës dhe organizator i revoltës në bashkëpunim me të tjerë. Në vendimin Nr.3 të Gjykatës së Lartë u deklarua fajtor për veprën e terrorit në bashkëpunim dhe u dënua me 16 vjet heqje lirie. Pasi u dënua e transferuan në burgun e Burrelit. E liruan nga ky burg më 18 mars 1990. Pas daljes nga burgu, Martini u martua me Verën dhe lindi 3 fëmijë: Emiljanon, Rafaelin e vajzën Emanuela. Pas disa vitesh ai u sëmur nga një paralizë dhe më date 14.6.2011 ndërroi jetë. Familja e tij vazhdon të banojë në qytetin e Shkodrës.
Dëshmija e Martin Lekës në dënimin e pare dhe dëshmija e vendimi i dënimit të dytë në Qaf Bari.
REPUBLIKA E SHQIPERISE
MINISTRIA E DREJTESISE
Regjistri i gjendjes Gjyqësore
Nr. I prot._____________
DESHMI (1) _______________
Për të quajtur (Emër dhe mbiemër) MARTIN LEKA _______________
i biri i _________SOKOL _________dhe i _________LEZE_________
lindur më _______1945______19____ në ____NICAJ – Shkodër_____
Me vendim nr 64 te dates 9/III/1976 te Gjykates se Rrethit Shkoder eshte deklaruar fajtor se “Ka zhvilluar agjitacion e propaganda kunder pushtetit popullor dhe ne baze te nenit 73 – 12 te K.P. e denon me dhjete (10-vjete heqje lirije. Denimi ka filluar te zabtohet me date 2/IX/1975. Me Vendimin nr 3 te Gjykates se Larte eshte deklaruar fajtor se “Veprave te terrorit me bashkepunim dhe ne baze te nenit 50/I – 13 – 35 – e –36 te K.P. eshte denuar me 16 (gjashtembedhjete) vjete heqje lirije dhe te zgjedhjes per pese vjet kohe.
Tirane 28/V/1993 (Dy pullat- Vula) Firma
KONSTANDIN SOTIR GJORDENI
Konstandin Gjordeni lindi më 2 prill 1957 në rrethin e Durrësit nga prindërit Sotir e Xhaurije, që paten edhe dy vajza. Kosta, pasi kreu shkollën fillore, bëri edhe dy vjet gjimnaz në Durrës. Ai punoi në fabrikën e miellit e në hekurudhë. Shërbimin e detyruar ushtarak e kreu po në qytetin e Durrësit në Hamallaj. Familja e Konstandin Gjordenit, origjinën e hershme e ka nga qyteti i Beratit. Babai i tij, Sotiri, ishte rrobaqepës. Nëna e tij, Xhaurija, ka qenë shtëpiake dhe rridhte nga një familje tregtare anijesh në qytetin e Durrësit, origjina e të cilës është nga Anadolli, Turqi, por vendosur herët në Shqipëri. Në vitin 1946, pasi Shqipëria u pushtua nga komunistët të cilët filluan grabitjet e pasurisë në çdo qytet e fshat, edhe kjo familje nuk mundi t’i shpëtonte bastisjes së bandave të kuqe që i grabitën 5 barka me motor (motor lundra kalamishi) si dhe tërë pronat (tokat). Kosta, duke mos e duruar skamjen e mjerimin që kishte pushtuar vendin, grabitjen e pasurisë që iu bë prindërve të tij në vitin 1946, vendosi, por me dhimbje të madhe sepse nuk shihte rrugë tjetër, të largohej nga atdheu i tij, për t’u arratisur jashtë vendit, të paktën do të mbushte barkun me bukë. Kështu, ai bashkë me dy shokë të tjerë mori rrugën drejt kufirit. Kosta arriti deri në qytetin e Kukësit, drejt fshatit Laku i Dardhës. Aty, njerëzit, si gjithmonë “vigjilent”, duke i parë se nuk ishin fytyra të njohura për fshatin, u grumbulluan çetat vullnetare dhe bashkë me gratë të cilat mbanin shatat në dorë i rrethuan, duke i kërcënuar e sharë. Si gjithmonë, ata që vendosnin për t’u arratisur apo për të bërë agjitacion për jetën e tmerrshme, krejt natyrshëm kërkonin të bisedonin me dikë për t’u shprehur ose për të marrë rrugën që t’i shpëtonin diktaturës komuniste. Kosta në Durrës kishte një të njohur që ishte me origjinë nga një fshat i Kukësit. Ai bisedoi me “shokun” nga Kukësi për t’u arratisur dhe ky i fundit mori përsipër t’i nxirrte përtej kufirit në fshatin e tij meqenëse e njihte mjaft mirë kufirin.
“Miku” nga Kukësi e denoncoi në Degën e Punëve të Brendshme ditën që Kosta dhe dy shokët e tij kishin vendosur të arratiseshin. Sapo ata mbërritën në Kukës, shkuan në fshatin ku do të kalonin kufirin, por atje i priste Dega e Punëve të Brendshme me ushtarët e kufirit me gjithë komandantin e postës kufitare. Kosta kishte dajën e tij në Gjermani dhe mendonte të shkonte tek ai. Me të mbërritur, të tre i kapën, u hodhën prangat dhe i kyçën në Degën e Punëve të Brendshme të Kukësit nga data 6 deri më 12 gusht 1982 e më pas I sollën në Degën e Punëve të Brendshme të Durrësit nga ku edhe i nxorën në gjyq pas 3 muajsh. Kostën e dënuan me 12 vjet heqje lirie ndërsa “mikun”, kuksianin e liruan dhe shpërblyen me medalje për “punë të mirë”.
BAJRAM VUTHAJ
Bajram Vuthaj1) lindi në fshatin Fushë Kuqe të rrethit të Krujës më date 1 prill të vitit 1956. Arsimin 8 vjeçar e kreu në fshatin e lindjes e më pas vazhdoi shkollën e mesme profesionale për t’u bërë axhustator. Punoi në këtë profesion deri më 1975, vit në të cilin mobilizohet për të kryer shërbimin ushtarak në Zallherr të rrethit të Tiranës. Pasi u lirua nga ushtria, punoi si traktorist. Më pas u arrestua me akuzën “bisedë për arratisje” dhe e dënuan me 15 vjet heqje lirie.
Gjyshi i Bajram ka lindur në Vuthaj2) të Malit të Zi dhe në vitin 1923 emigroi në Shqipëri dhe u vendos në Shtoj të rrethit të Shkodrës.
___________________________
1) Meqenëse dy nga të dënuarit e revoltës së Qaf Barit, Bajram Vuthaj dhe Haxhi Baçinovski, vijnë përkatësisht nga Mali i Zi dhe Kosova, jam i detyruar, që për ta, të jap sqarime ndryshe nga të dënuarit e renditur më parë.
2) Vuthaj: fshati më i madh me popullsi shqiptare në komunën e Plavës (Mal i Zi). Shtrihet në jug të Gucisë. Lartësia mbi nivelin e detit është 980m. Popullësia: 866 banorë në vitin 2003, ndaj 781 banorë në vitin 1948. Vuthaj janë të pasur me burime ujore. Popullsia është e besimit mysliman, merret me blegtori dhe bujqësi. Shkolla e parë shqipe në vend është hapur gjatë Luftës së Parë Botërore. Por në kohën e Mbretërisë jugosllave mësimi zhvillohej në gjuhën serbe. Nga viti shkollor 1944-1945 mësimi zhvillohej në gjuhën shqipe. Nga ky fshat ka mërguar pjesa më e madhe e popullsisë. Ajo kryesisht është vendosur në qytete të ndryshme të Kosovës, por në botën e jashtme sidomos në SHBA. – Nail Draga – Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 2008, faqe 2931.
Nga fshati Shtoj më pas u vendosën në Fushë Kuqe ku banuan e vazhdojnë të banojnë edhe sot e kësaj dite. Bajrami pasi u dënua nga gjykata e Durrësit me 15 vjet burgim e transferuan në burgun e Ballshit në rrethin e Fierit. Nga atje e transferuan në burgun e Qaf Barit dhe më 22 maj 1984 e arrestuan bashkë me 11 të dënuar të tjerë si pjesëmarrës në revoltë. Më 3 qershor e nxorën në gjyq dhe e dënuan me 15 vjet heqje lirie.
Bajram Vuthaj u lirua nga burgu në marsin e vitit 1991. Ai është i martuar dhe ka dy djem, Dorjanin dhe Damjanin. Ai bashkë me familjen e tij banojnë në Fushë Kuqe.
Vendimi i Gjykatës së Rrethit Durrës për Bajram Vuthajn, dënuar me 15 vjet heqie lirie.
REPUBLIKA POP. SPCOIALISTE E SHQIPËRISË
GJYKATA E RRETHIT DURRËS NR. Vendimi 83
NR.RREGJ. THEM 87 Data 14.5.1981
DATA ARDHJES 30.4.1981
VENDIM
“Në emër të Popullit”
Gjykata e rrethit Durrës e përbërë prej: Kryetar të seancës gjyqësore Adil Velja, Nd.Gjyqtar Myftie Domi, Nd.Gjyqtar Demir Malaj
Asistuar prej sekretares Irma Sula me pjesmarrjen e prokurorit Xhemali __________ (e palexueshme), shqyrtoi në seancën gjyqësore me dyer të hapura çështjen penale Nr.87 që i përket: TË PANDEHURVE:
- Bajram Vuthi, i biri i ismailit dhe Nurijes, dtl. 1956, lindur dhe banues në Fush Kuqe të krujës, me arsim 2 të mesëm, punëtor, i pa organizuar, i pa dënuar, i martuar, pa fëmijë, me origjinë fshatar i varfër, me gjendje punëtor, i arrestuar më dt. 15.3.1981.
…………………………………….
- Të deklarohet fajtor i pandehuri Bajram Vuthaj për krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit të mbetur në fazën e përgatitjes, në bazë të nenit 47 gërma “gj” dhe ll e K. Penal të dënohet me 15 vjet heqje lirie. Në bazë të nenit 25 të K.Penal t’i hiqet e drejta e zgjedhjes për 5 vjet kohë. Vuajtja e dënimit për tre të pandehurit fillon nga data e ndalimit të tyre më 15 mars 1981.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve.
__________________________
Nga të ridënuarit e revoltës së Qaf Barit, të shpërthyer më 22 maj 1984 dhe të dënuar në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Pukës nga Gjykata e Lartë, kërkova dhe kontaktova BajramVuthin i cili nuk ka qenë në burgun e Spaçit. Unë e kam njohur në Qaf bari kur erdhi nga burgu i Ballshit. Bajrami i dënuar nga Gjykata e Durrësit me 15 vjet heqje lirie për tentative arratisje. Kundër vendimit mund të bëhet ankim dhe protestë në Gjykatën e Lartë Tiranë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e shpalljes. U shpall sot më datën 14.5.1981.
Durrës, më 14.5.1981.
Me dekret të Kuvendit Popullor Nr.7040 dt. 27.5.____ Eqerem
Fadil Hoxhës ti falet dënimi i mbetur.
K/sekretari Gjyqtari
/ Osmen Aliu / / Adil Velja /
( firma ) ( firma –vula )
Vendimi ka marrë formë të prerë1)
Më datën: 20.5.1981.
BAÇINOVCËT1)
Familje nga Bajçina e Llapit është e njohur për pjesëmarrjen e shumë anëtarëve të saj në luftën nacionalçlirimtare të popullsisë shqiptare të Kosovës gjithmonë me armë në dorë kundër sundimeve të huaja në v. 1908-1925 dhe për bashkëpunimin aktiv me Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Kosovës (shih). Kryefamiljari i Baçinovcëve, Ahmeti (i njohur me emrin Bel), luftëtar i hershëm i lëvizjes kombëtare kundërosmane për pavarësi, një nga drejtuesit e kryengritësve të rajonit të Vushmisë e të Llapit në v. 1908-1912, u vra në përpjekje me pushtuesit serbë nga fundi i v. 1918. Pas kësaj, vëllezërit Baçinovci, Rushiti, Halili, Hamiti e Saliu, përbënë bazën e një çete, që u bë e njohur në mbarë Kosovën. Luftimet më të ashpra i zhvilluan në afërsi të fshatit Popovë, më 1919, ku luftoi heroikisht edhe nëna e katër vëllezërve; në Podrimë e Drenicë, më 1920; në rajonin e Vushtrisë e të Llapit, më 1921 etj. Vëllezërit Bajçinofci ishin pjesëmarrës të kuvendit të prijësve kryengritës, që u mbajt më 17 qershor 1920 në katundin Murgullë të Llapit (shih: 2 Kuvendi i Murgullës). Në periudhën korrik e 1923 – shkurt 1924, çeta e tyre, së bashku me e çetën e M. Konjuhit krijuan dhe mbrojtën e zonën e lirë të Zagorth-Dumnicës; në konik e 1924 luftuan për mbrojtjen e Arbanisë së Vogël e (shih), zonës së lire të krijuar në Drenicë nga A.Galica. Për shkak të ndjekjeve të vazhdueshme e të persekutimit nga regjimi serb, në vjeshtën e vitit 1925, të 20 pjesëtarët e familjes Bajçinofci u shpërngulën nga Kosova dhe u vendosën në Shqipëri. Në v.1941 gjysma e familjes u rikthye në Kosovë.
_______________________
1) Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 2008, faqe 152-
153.
FAMILJA BAÇINOVCI
…Gjatë kohës që qëndroi në Shalë të Mitrovicës, çeta e Azem e Shote Galicës mori takime me shumë grupe e çeta të malësisë së Shalës së Mitrovicës, të Llapit e të krahinës së Vuçiternës e të Prishtinës. Në Mitrovicë, Vuçiternë e Prishtinë u përhapën thirrjet e Hasan Prishtinës për kryengritje1). Çetat e këtyre viseve përfshinin në radhët e tyre mjaft luftëtarë dhe drejtoheshin nga patriotët e dëgjuar, vëllezërit Baçinofci, Mehmet Kojuhi e të tjerë. Në vjeshtën e vitit 1919, çeta e Azem Galicës, çeta e vëllezërve Bajçinofci dhe Mehmet Kojuhit në bashkëveprim u përgatitën për të sulmuar Vuçiternën që të lironin shqiptarët e mbyllur në burg. Për këtë qëllim çeta e Mehmet Kojuhit (pasi vrau në Llap spiunin e serbëve Selman Muhagjerin) u bashkua me çetën e Vuçiternës të drejtuar nga Baçinovcët dhe të dyja u përqendruan në kodrat e katundit Skrome. Ndrësa Azemi me Shotën me çetat e tyre u zunë pritë forcave serbe që mund të vinin nga Mitrovica. Administrata serbe në Vuçitern për disa ditë qe në panik të madh. Mirëpo për shkak se nga Podujeva e Prishtina mbërritën forcat serbe dhe përpjekjet për të hapur burgun e Vuçiternës dështuan. Ndër këto ditë, patrioti Sali Baçinovci tregon: “U zhvillua një luftë e rreptë në vendin e quajtur “Guri i Sokolit” afër katundit Popovë. Numëri ynë ishte shumë më i vogël se ai i serbëve. Ne ishim jo më tepër se 15 vetë, kurse ata ishin gati 200 vetë. Armiqte kishin pushkë, mitraloza e municion me shumicë. Ndërsa ne kishim nga një pushkë e pak municion. Midis të rrethuarve ishte Mehmet Kojuhi dhe na katër vëllezërit Baçinovci bashkë me nanën tonë e disa të tjerë. Gjithë ditën nuk pushoi për asnjë çast lufta, dëgjohej vetëm fërshëllima e plumbave. Aty nga mesdita qarku i rrethimit të “Guri i Sokolit” u ngushtue aq shumë sa vetëm një gur na ndante nga armiqtë.
_______________________
1) V.Vinaver. “Shënime historike”, libri XXIII, 1966 faqe 515.
Nuk më harrohet asnjëherë kritika që na bëri nana jonë e cila qëndroi si burrneshë po na porosiste herë pas here me zërin e sajë të qëndresës thërriste emër për emër ne bijve të sajë. Shytin, Halitin, Hamitin e Salihin, or birët e nanës, kujdes mos qëlloni aq shpesh fyshekë, gjuani dhe me gurë që i keni me shumicë u pastë nana, trimat e nanës. Aty nga mbramja forcat serbe u thyen, u tërhoqën, duke lanë rreth “Gurit të Sokolit” disa të vrarë. Mbas kësaj lufte, çeta jonë u bashkua me Mehmet Kojuhin, nxituam me ju ngjitë maleve që shtrihen nga Llapi; ndërsa çeta e Azemit me Shotën u drejtuan nga malet e Shalës së Mitrovicës. Është për t’u shënuar se, qysh nga kjo kohë, gratë e luftëtarëve Bajçinofcë, të ndjekura prej armikut e të mbetura pa shtëpi, për disa vjet me radhë u detyruan të jetonin me burrat e tyre maleve e pyjeve.
Kurë qeverisë serbe u mungonte forca të përballonte hovin e çetave kryengritëse në fushën e luftës, krahas kërcënimeve e dhunës më të egër, ajo përdorte edhe format dinake të mashtrimit, propozonte paqe e armëpushim. Një taktikë e tillë e autoriteteve të Beogradit në planin e brendshëm diktohej për të fituar kohë ose për të futur në kurth luftëtarët e çetave, ndërsa në planin e jashtëm nga nevoja për t’i shpëtuar demaskimit aktual para konferencës së paqes në Paris ku Komiteti i Kosovës, pa ndërprerje, me anë të protestave dhe delegacioneve, i bënin të njohura masakrat që bëheshin atje nga Serbët. Për këtë qëllim naçallniku i Vuçiternës ftoi për bisedim në komunën e Smrokornicës Mehmet Kojuhin me Baçinovcët. Ditën e takimit naçallniku rrethoi në fshehtësi Smrokornicën me 150 xhandarë. Mirëpo, Mehmet Kojuhi e Baçinovcët të lajmëruar nga populli për këtë kurth nuk u paraqitën në takim. Të gjithë sa ishin thoshin në bisedat tona “Nuk i zihet besë krajlëve”. Ato ditë, si lumë njëri mbas tjetrit u sulën repartet e ushtrisë serbe kundër çetave kryengritëse dhe popullit të Kosovës. Në njoftimet e ardhura ato dite nga Kosova thuhej: “Në Gjakovë e Prizren bërtet tellali se shumë ushtri janë përgatitur në Shkup për me ra në Kosovë1).”
_______________________
1) Gazeta “Populli” datë 1 nëntor 1919 (Njoftim i korrenspondentit “Drenicar”).
“Qeverija jugosllave ka shpallur shtetrrethimin ndër krejt viset e Kosovës1).”
……………………..
Ceroviqi2), çetat kryengritëse të Kosovës i quante banda dhe për t’i përzënë nga trojet e tyre shpesh ju çonte fjalë e u thoshte: “Kufirin po jua lemë të lirë, po deshët me kalue në Shqipni. Askush nuk ju ndalon me hik!”. Pushtuesit serbo-malazez duke përhapur këto fjalë mundën të frikësonin një pjesë të popullsisë dhe aty u krijua një situatë e papërshtatshme për çetat kryengritëse. Në këtë gjendje çeta e Azem e Shote Galicës u detyrua të largohej nga Malësia e Shalës së Mitrovicës për në Drenicë. Të detyruar nga gjendja e krijuar për çetat e armatosura, Azem Galica, Baçinofcët dhe Mehmet Kojuhi pranuan të bënin bisedime me autoritet qeveritare serbe.
SHEFQET HALIT BAÇINOVSKI
Shefqet Halit Baçinofski lindi më 1.1.1919 në Vuçiternë të Kosovës. Në vitin 1923 familja e tij u shpërngul nga vendlindja dhe erdhën në Shqipëri. Shefqet Baçinofski në vitin 1947 u arrestua dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie nga Gjykata Ushtarake e rrethit të Shkodrës. Shefqet Baçinofski ishte djali i parë i tre djemve të Halit e Emine Baçinofskit. Shefqet Baçinofski ndërroi jetë më datë 1.6.1964 në fshatin Çlirim në Fier.
_______________________
1) Gazeta “Populli” datë 13 janar 1920 (letër nga Shkupi, 29 dhjetor 1919).
2) Inspektor i përgjithshëm e fuqiplotë i Beogradit në Kosovë.
HAXHI BAÇINOVSKI
Haxhi Baçinovski lindi në qytetin e Fierit më 4 korrik të vitit 1957. Haxhiu është vëllai i katër vëllezërve të tjerë: Ismetit, Gëzimit, Hashimit, Ahmetit dhe i një motre, Eminesë. Arsimin fillor e mbaroi në Fier. Prindërit e tij, Shefqeti dhe Dinore Baçinovski kanë lindur në fshatin Llapashticë në Kosovë. Ata erdhën në Shqipëri në vitin 1923 dhe u vendosën në qytetin e Fierit. Gjyshi i Haxhiut ka luftuar krah për krah Shote dhe Azem Galicës kundër serbëve. Në vitin 1947 babai i Haxhiut, Shefqeti u arrestua nën akuzën si agjent i UDB-së dhe u dënua me 12 vjet heqje lirie. Haxhi Baçinovski e kreu shërbimin e detyruar ushtarak në vitin 1980 në Xhyrë të rrethit të Librazhdit. Në kohën që ishte duke kryer shërbimin ushtarak e arrestuan me akuzën si agjent i UDB-së dhe përfundimisht e dënuan me akuzën për agjitacion dhe propaganda me 10 vjet heqje lirie, duke e çuar në burgun e Spaçit. Nga atje e transferuan në burgun e Qaf Barit dhe aty e arrestuan më 22 maj të vitit 1984 për arsye se bashkë me 12 shokët e tij organizuan revoltën duke kundërshtuar dhunën e egër të policisë. U dënua nga Gjykata e Lartë e Tiranës me 21 vjet burg. Nga atje e transferuan në burgun e Burrelit. U lirua nga burgu i Burrelit më 29 mars 1991. Haxhi
Vendimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë që dënon Haxhi Baçinfskin me 8 vjet heqie lirie.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
GJYKATA RRETHIT TIRANË
“KOLEGJI USHTARA”
________________ _____________________
VENDIM
“NË EMËT TË POPULLIT”
Gjykata Popullore e rrethit Tiranë Kolegji Ushtarak i përbërë prej:
Kryetar Seance Agim Ibrahimi
Nd.gjyqtar Simon Dervishi
Nd.gjyqtar Thoma Jorgji, asistuar prej sekretarit Petrit Klosi, me pjesëmarrjen e prokurorit Sali Hoxha, sot më dt.30.1.1982 mori në shqyrtim çështjen penale Nr.6 që i përket:
- – HAXHI BAXHINOVSKI: i biri i Shefqetit dhe Dinores, datë lindje 1956, lindur në Fier, banues në Radestinë të rrethit Fier, me origjinë fshatar i varfër, me gjëndje punëtor, i pa martuar, me punë në fermën e fshatit Radestinë,
VENDOSI
Të deklarojë fajtor të pandehurin Haxhi Baxhinovski për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër Pushtetit Popullor dhe në bazë të nenit 55/1 të K.P. e dënon me 8 vjet heqje të lirisë.
- * *
Nga dymbëdhjetë të riarrestuarit në kampin e Qaf Barit, me rastin e shpërthimit të revoltës, dy prej tyre janë me origjinë nga Kosova. E kam shpjeguar më poshtë se familja Baçinovski dhe familja Vuthaj kanë ardhur në Shqipëri gjatë viteve 1922-1923. Këto familje kanë qenë gjithmonë ballë për ballë me pushkë në dorë kundër serbit, kanë luftuar, janë vrarë e dërrmuar, duke u përpjekur të mbrojnë vatrat e tyre. Tani dihet botërisht se copëtimi i Shqipërisë u bë në vitin e mbrapshtë 1913 nga dy fuqi të mëdha. Berlini dhe Londra kënaqën grykësinë e Beogradit dhe Athinës në dëm dhe në kurriz të shqiptarëve. Ky faj i qëllimshëm i mbushi 100 vjet copëtim. Kryeministri i Londrës me rastin e vizitës së tij në Kosovë e tha me gojën e tij se me Shqipërinë është bërë një padrejtësi e madhe, por nuk u dëgjua të thoshte se kur do të ndreqet kjo padrejtësi. Unë mendoj se ky 100 vjetor nuk duhet ta gjente Shqipërinë në 5 copa shtetesh dhe se s’duhet vazhduar me këtë padrejtësi. Unë duhet të kujtoj këtu se ne nuk i kemi borxh askujt, nuk i kemi hapur luftë ndonjë shteti tjetër dhe duke humbur luftën pas nënshkrimit të kapitullimit në bazë të ligjeve të luftës u pagua dëmshpërblimi që caktuan fitimtarët. Dua të përmend se pa u rrokullisur mire komunizmi, Gjermania, një shtet i ndarë për shkaqe që tani dihen (ndarë nga fuqitë fitimtare të Luftës së Dytë Botërore) u ngrit dhe e shembi murin famëkeq të ndarjes, bëri bashkimin dhe asgjë nuk ndodhi, asnjë shtet tjetër nuk kundërshtoi, madje shumë vende, me sa mbaj mend (më kujtohet shumë mirë kur ishim në burgun e Burrelit), e përshëndetën këtë veprim. A mos vallë këtë duhet të kishim bërë në vitin 1990? Apo është më fisnike që gabimet apo fajet duhet t’i rregullojë ai që i bëri? Ja pra, luftërat janë shkaktare që shpërngulin popullin, familje të tëra të ikin nga sytë këmbët për të shpëtuar lëkurën. Kjo ka ndodhur me shumë familje shqiptare që për t’i shpëtuar zhdukjes nga i paudhi serb morën udhën në errësirë duke ardhur në Shqipëri. Kjo tragjedi është luajtur edhe me popullin çam ku monarku grek bëri lloj-lloj krimesh duke i detyruar shqiptarët të merrnin arratinë nga trualli dhe vatrat e tyre. Mijëra shqiptarë u masakruan, mijëra vdiqën gjatë udhëtimit e shumë pak mbërritën në Shqipëri. Po për rastin çam çfarë do të thotë historia? Do e rregullojë fajin që ka bërë?
Shumë flasin dhe i mëshojnë fort zbatimit të rezolutës mbi të drejtat e njeriut. Po për këtë pjesë popullsie që u masakrua padrejtësisht nga greku çfarë do të thonë? Krimet e Zervës janë të pashoqe e të pashembullta. Ai ka çarë barkun e grave shtatzëna me majën e bajonetës, duke ua nxjerrë fëmijët e më pas i ka përplasur në tokë. Me mijëra u vranë, me mijëra vdiqën rrugës nga uria teksa po largoheshin. Për këto krime, për ato varre të hapura, për lotët që janë dredhur e vazhdojnë të derdhen, kush duhet të përgjigjet? A i takon këtyre të mbijetuarve të kthehen në vatrat e të parëve të cilët kanë jetuar aty në shekuj?
Drejtësi bashkëpuno me historinë. Rregulloi këto krime dhe faje të rënda që janë bërë në kurriz të shqiptarëve. Kjo është dhe arsyeja që pas këtyre rreshtave të filloj me vitin 1913, me përgjegjësit Berlinin e Londrën për ndëshkimet e pamerituara ndaj shqiptarëve. Dhe kjo ndodhi pas shpalljes së pavarësisë më 1912 nga plaku patriot dhe i mençur Ismail Qemal Vlora. E gjithë tragjedia ndodhi pas ngritjes së flamurit me shkabën dy krenore në qytetin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Është detyrë e domosdoshme të kujtojmë me pak rreshta se çfarë ndodhi me Shqipërinë në qershorin e vitit 1878.
Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.