Pjetër Vukaj: Xhubletë…
Xhubletë, ti i ngjan vendit
Me lugje si Lugjet e Kelmendit
Duararta malësore të endi imët
me katër lugje sa katër stinë
Në të katër stinët të mbante veshur
I rrie trupit bukur, hijshëm, ngjeshur
Në verë mban fresk, trupi s`djersin
në dimër mban ngrohtë, kur fryma akull ngrin
E kur të veshe edhe sot ty nusja
Bashkohen si në flamur, e zeza edhe e kuqja
Të vesh malësorja kur më shume i ka hije
Në ditën më të bukur në ditë nusërie
Me sa gjilpëra pishash je qëndisur?
Me sa rruaza si sy zogjsh je stolisur
Me rruaza edhe më të vogëla se syri i zogut
Në zanë e kthen malësoren ditën e logut
Ke ngjyra më shumë se të gjitha lulet e tokës
Ke rruaza më shumë se sytë e gjithë zogjve të botës
Je e moçme, e lashtë sa malet
Kush vesh ty, fiton festivalet
“““
Se si ndjehem kur të gjej varur në muze
Dhe brenda teje një malësore s`ke
Sa më dhimbesesh kur kështu të shoh
Që askënd s`hieshon, s`zbukuron as nuk e ngroh…
Kur të lante malësorja, të varte për tharje
Në muze më dukesh si e dënuar me varje
Ty vërtetë të veshin rrallë
Por kur të veshin, dukesh si e gjallë
Nëse të kanë shitur dhe trafikuar
Në Kelmend të kanë ruajtur si emblemë të çmuar
Në dasmë, edhe në ditë vere me vapë
Në Logun e Bjeshkëve do të veshin prapë e prapë
Humbasin veshje të huaja, më shumë etiketa, marka
Por ty kelmendaset të ruajnë prapë nëpër arka
Kelmendesja të trashigonte si veshje për pajë
Si sytë ruajti çdo rruazë të saj…
Jetë sa malet e pavdekësi do të kesh
E bukur je ti, por më e bukur ajo që të vesh…
Lugjet e Kelmendit nga orteqet u grryen
Sytë e zogjeve, ngrinë, në rruaza u kthyen
Të gjitha veshjet nënë hijen tënde të rrinë
Të gjithë stilistët e botës, më të endin nuk dinë
S`u ende në sallone, galeri, as atelie
Por në të bane në bjeshë, në kulla malësie
A do të line me kush që ty të ende?
O veshje mitike, o veshje legjendë
S`ke vit prodhimi, autor as etiketë
Veç emrit të magjishëm, xhubletë
Nusërohesh, rinohesh, merr jetë
E pavdekshmja,e paplakshmja xhubletë….