Reshat Kripa: Copëza jete
Nga libri “Dhimbje”
Copëza jete
Me të jetës hap, eci i menduar,
Rreth e rrotull vetes, vështroj i trishtuar,
Botën tonë të madhe, mbushur halle plot,
Medet s’jam në gjendje, ta përmirësoj dot.
GONI DHE BENI
Goni edhe Beni, shokë fëminie,
Shokë të pandarë, në shtëpi dhe shkollë,
Bashkë ëndërronin, me pasion rinie,
Ëndrra dashurie, me dëshira plot.
Goni bir tregtari, një tregtar me nam,
Vrarë nga fashistët, si nacionalist,
Babai i Benit, dalë partizan,
Bie atë ditë, si një komunist.
Ranë që të dy, njëri-tjetrit pranë,
Se të dy së bashku, kërkonin lirinë,
Ranë që të dy, kurrë nuk u ndanë,
Se të dy së bashku, donin Shqipërinë.
Por kohët ndryshuan, nuk kishte më mik,
Ndihej mosbesimi, besa ish harruar,
Në çdo individ, gjeje një armik,
Luftë borgjezisë, në parulla shkruar
Goni hiqej zvarrë, në fusha, kanale,
Thellë në një fshat, atje internuar,
Beni si gjykatës, me mendje të madhe,
Çdo fatkeq dërgonte, burg a pushkatuar.
Në një ditë të bukur, të dy u takuan,
M’u në sallë të gjyqit, të dy ballë për ballë,.
Goni i pandehur, hekurat ndër duar,
Beni ky gjykatës, porsi trim me pallë.
Gjyqi po vazhdonte, me shpatën e zhveshur,
Egërsi e tonit, trimin nuk e tundi,
Atëherë Minosi , me vështrim të ndezur,
Ngrehu i pandehur, thuaj fjalën e fundit!
Unë e dua jetën, dua edhe mikun,
Dua dashurinë dhe fisnikërinë,
Kur në vend të tyre, unë gjej armikun,
Jeta nuk më dhimbset, mermani lirinë!
Po kush i dëgjon, kush i dëshëron,
Këto fjalë të arta, thënë me guxim?
Me një zë të akullt, zëri po dënon,
Pafajsinë vetë, vdekje pushkatim.
Kështu iku Goni, me ballin përpjetë,
Duke ëndërruar, vendin në liri,
Krismat mëkatare, në një vend të shkretë,
Ra duke thërritur: Rrofsh moj Shqipëri!
Për Benin mizorin, s’mbeti gjë në jetë,
Të zhytej më thellë, në krimin e tij,
Gjersa Perëndia, me gjyqin e vetë,
E dërgoj në ferr, në ferrin e zi.
Vlorë, tetor 1996
Në kërkim të lirisë
Liri, ku ishe?
Për shumë vjet të kam kërkuar,
Vite dhimbje, vite zjarri,
Për çdo ditë ëndërruar,
ditë shprese, ditë malli.
Liri, ku ishe?
Për Liri, për Shqipëri,
Ishte besa jonë e parë,
Për flamurin kuq e zi!
Për një Shqipëri të mbarë.
Liri, ku ishe?
Të kërkonim në errësirë,
Të kërkonim ditë e natë,
Donim jetë më të mirë,
Donim një kohë të artë.
Liri, ku ishe?
Kur në pranga robëruar
Dita ditës të shpresonim,
Shpirtin, trupin sakatuar,
Veç për ty, Liri, mendonim!.
Po sot, Liri ku je?
Mos vallë prapë na braktise,
Të kërkoj po s’të gjej dot,
Prap në ferrë na gremise,
Mos vallë po mundohem kot?
Liri, ku je?
Përsëri duke kërkuar,,
Thellë në zemër ty të ndiej,
Zemra ime turbulluar,
Po ty vallë ku mund të gjej?
Liri, ku je?
Ku të gjej kur s’të gjej dot,
Kur jetoj ngado rrethuar,
Nga çakenjtë fuqiplotë,
Me miliona të mbuluar.
Liri, ku je?
Kur në ballë të drejtësisë,
Kur në mes të parlamentit
Gjej ithtarët e robërisë,
Çveshur shpatën ndaj miletit.
Liri, ku je?
Kur në tele dhe gazeta,
Shoh gjithmonë ato fytyra,
Hedhin vallen tungjatjeta,
Sipas ritmit ngjyra ngjyra.
Liri, ku je?
Kur pronari s’është pronar,
Pronën gëzon dikush tjetër,
Derdhet gjaku anembanë,
A thua s’jemi vëllezër.
Liri, ku je?
Nuk e pe se ç’ndodhi mbrëmë,
M’u në qendër të qytetit,
Ra një djalë për të qënë,
Si një yll i rënë nga qielli.
Liri, ku je?
A pyete: vallë përse,
A pyete pse e vranë,
Pse e shtrinë atë përdhe,
Po përse atij i ranë?
Liri, ku je?
Ndaj unë ty, sot nuk të shoh,
Ndaj unë ty sot të kërkoj,
Eja, eja të të njoh,
Këtë vend ta lulëzojmë.
Liri, ku je?
Po thërras në moshë të shkuar,
Ashtu si në moshë të re,
Kujtoj kohën e kaluar,
Ndaj thërras: Liri, ku je?
Tiranë, nëntor 2002
KËRKOJ VARR PËR TIM ATË
Kushtuar vajzave shqiptare që diktatura i la jetime dhe që nuk kanë një varr ku të derdhin dy pika lot apo të vendosin një tufë lule.
Përse vashë
rri trishtuar,
shpirtin ty
kush ta lëndon,
pse je kaq
e dëshpëruar,
syri yt
pse po loton?
Mos vallë zemrën
ty ta theri,
flak’e zjarrtë
e dashurisë,
mos vallë shpirtin
ty ta teri,
çapkënllëku
vajzerisë?
Çfarë kërkojnë
syt’ e tu,
n’humbëtirëne pabesë,
a mos vallë
shpirti yt,
e ka humbur
sot çdo shpresë?
Ngriti kryet
vajz’e mirë,
loti rridhte
si ujvarë,
zemra thyer
hidhërimit,
pëshpëriti:
– Kërkoj varr.
Kërkoj varr
për tim atë,
nuk e di
ku dergjet vallë,
e rrembyen
një natë vjeshte,
i dhuruan
plumb në ballë.
Isha foshnje
un’ aherë,
kur e vranë
e masakruan,
kur Kainët
e pabesë,
lirin tonë
përdhunuan.
Pyes mamin
– Ku është babi,
pse nuk vjen
më në shtëpi?
Ajo gjegjet,
pikëlluar,
– Fluturoi
se ku s’di.
Dhe tani
që jam e rritur,
kam një brengë
një dëshirë,
nuk kërkoj
as këng’as valle,
por veç varr
për një martir.
Dua vetëm
të derdh lotët
për mbi varr
të atit tim,
të vendosë
një kurorë
plot zambakë
e trëndafilë.
Të gjithë miqtë
po me thonë,
babi yt
ra për liri!
Të gjithë miqtë
po më thonë
donte vetëm
Shqipëri!
Po aherë
pse s’më thonë,
ku ndodhen
eshtrat e tij,
që t’i mbledh,
ato në grushte
në parajsë
ato t’i shpie
Atëherë
zemra ime
do jetonte
qetësuar,
atëherë
syt’e mi
do pushonin
së lotuar.
Por kërkoj,
Kërkoj më kot,
të gjej vendin
ku ka rarë,
nuk e di
a ka në botë
një të vdekur
pa një varr?
Ngriji kryet
vajz’e dashur,
mbaji lart
me krenari.
derdhi lotët
vendos lulet
në çdo skaj
në Shqipëri.
Se kudo
aty do jenë
eshtra trimash
për liri,
se kjo tokë
e përgjakur
i shtrëngon,
i mban në gji!
Tiranë, shtator 2010