Rexhep SHAHU: Kush e urren Kadarenë?
Ismail Kadareja ka shkruar se Dantja është i pashmangshëm për planetin tonë të vogël, ka shkruar se Dantes nuk mund t’i iket siç nuk mund t’i iket ndërgjegjes.
I bindur them se Kadaresë nuk mund t’i iket, nuk mund t’i shmangesh sepse ai tashmë është ndërgjegja jonë, ndërgjegja jonë kombëtare, është pasaporta dhe identiteti i çdo shqiptari, krenaria e mburrja e çdo shqiptari jo analfabet dhe jo bir i urrejtjes, i çdo shqiptari jo shpirt shitur, i çdo shqiptari jo argat i djallit e të keqes që ‘han bukën e vet e ban dertin e huaj’.
Edhe qortuesit më të mëdhej të Kadaresë, edhe kundërshtarët që e urrejnë sepse i ‘fut nën hije’, ‘ua zë diellin’ dhe nuk i le të rriten, të gjithë armatat e mediokërve, armatat e lilipuëve hidhen me furi në sulme kundër Kadaresë të armatosur deri në dhembë me arsenalin e fjalëve të mësuara prej Kadaresë, me stilin shfarosës të Kadaresë. Ai, atje në majë, qesh dhimbshëm dhe mendon se ende nuk kanë mësuar të shkruajnë letërsi këta kundërshtarët e mi të vobektë që mendojnë se janë të mëdhej por nuk punojnë për t’u bërë të mëdhej.
Kadareja është bërë tashmë ndërgjegja jonë, krenaria jonë, është bërë i pashmangshëm për ne dhe për letësinë botërore, është bërë sundues, është bërë “tiran” për “armiqtë e kundërshtarët e tij”, është bërë ‘i padurueshëm”, po ua zë diellin gjithë kundërshtarëve.
Por ata që nuk e durojnë Kadarenë dhe nuk ngopen edhe sikur ta shohin të coptuar, që kënaqen sikur atë ta mbulojë harrimi, si armatat e pafundme të mediokërve që shkruajnë letësi për të kompensuar dashurinë që s’e patën kurrë ose për të kërkuar famën, që s’e mbërritën kurrë në jetë me punët e bëmat e tyre si ushtarë të partisë apo oficerë aktivë e rezervë të ish Sigurimit të Shtetit apo të shërbimeve sekrete të huaja, famën që i përbuzi me neveri, ata e kërkojnë famën në letërsi, bëhen adoloshentë e dashnorë të shpifur në poezi, ose pleq që u ka ikë treni dhe duan të rendin pas trenit me të cilin u ka ikë e dashura por s’kanë këllqe të bëjnë as dy hapa vrap se ju del gjuha një pash.
Kadarenë e urren Serbia, e urrejnë shërbimet e fshehta të saj, e urrejnë komunistët shqiptarë që janë rracë në zhdukje (s’kam asgjë si njerëz por si mendësi, si filozofi) dhe ish Sigurimi i Shtetit shqiptar që i ka ngulë rrënjët thellë në të ardhmen tonë.
Sulmi ndaj Kadaresë është melodi serbe, është i frymëzuar nga qarqe serbe, i orkestruar nga qarqet serbe, është histeri serbe, është hakmarrje serbe. Për shkak të qëndrimeve dhe përplasjeve të Kadaresë me serbët në mbrojtje të identitetit kombëtar shqiptar, në mbrojtje të Kosovës dhe shqiptarëve dhe ndëshkimin e dhunës serbe.
Nuk duhet që letërsia shqipe të ketë Nobelist, nuk duhet që gjuha shqipe të ketë një Nobelist, thonë serbët se pastaj edhe gjuha e letërsia shqipe do të hyjnë në rangun e kulturave të mëdha. Nobelistë duhet të ketë Serbia se ata mendojnë se janë gjuhë e madhe, popull i madh, letërsi e madhe. Ata serbët bëjnë letërsi të madhe, ata kanë nxjerrë Nobelistë, an ipse Nobelistë autor platformash shfarosëse ndaj shqiptarëve.
Në korin e korbave shqiptarë anti Kadare përçohet kjo dëshirë serbe.
Shqiptarët janë gati ta vrasin njëri – tjetrin që të mos jetë asnjë më i madh se tjetri.
Shqiptarët që shkruajnë libra, libra që duhen djegë për shkak të cilësisë së dobët, për shkak se janë anti libra që duhen ndaluar për të mos e përllomë edhe më keq mjedisin dhe shijet e lexuesve, janë më të zellshmit kundër Kadaresë.
Në fakt, si dritëshkurtër që janë, ata anti Kadaretë nuk janë kundër Kadaresë por janë kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve se ashtu duan serbët. Janë kundër gjuhës shqipe, kundër letërsisë shqipe. Por dritëshkurtërit nuk e dinë ose e dinë por duan të bëjnë ashtu, që duke sulmuar Kadarenë të sulmojnë shqiptarët, gjithë shqiptarët e globit, gjithë shqiptarët në hapsirën e tyre jetike.
Dhe jo pak herë kemi dëgjuar të thuhet se “serbët kanë letërsi të madhe…”.
Po, kanë, dhe ne nuk na ka ardhë keq kurrë pse kanë letërsi të madhe, pse kanë Nobelistë edhe Nobelistë antishqiptarë të zellshëm.
Por ne si shqiptarë nuk jemi kundër serbëve, ne jemi kundër tonëve, jemi kundër vetes tonë, edhe pa e ditur edhe duke e ditur se veprojmë për llogari të serbëve, nuk duam askënd në mesin tonë, matemi sejcili me hijën e mengjesit, matemi sejcili me Homerin, Danten, Xhojsin, matemi me Kadarenë që tashmë është bërë i pashmangshëm nga jeta jonë, nga kujtesa jonë kombëtare, nga memoria jonë, për të mos thënë se është bërë memoria jonë, është ylli në pasaportën tonë kombëtare me Nënë Terezën e Skëndërbeun se ai ka shkruar historinë tonë në letërsi. Një popull që e ka të shkruar historinë në letërsi, ai popull nuk vdes sepse historia e mirëfilltë shkruhet nga letërsia.
Shajmë e kritikojmë Kadarenë me fjalët që i kemi mësuar prej Kadaresë, me stilin që kemi mësuar prej Kadaresë.
Shajmë Kadarenë dhe harrojmë se letërsia e Kadaresë është përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës dhe është pëlqyer, pranuar, lavdëruar jo prej çobanëve të botës apo lexuesve çobanë por prej ekspertëve, prej figurave më të mëdha të letërsisë, prej popujve që lexojnë dhe që kanë kult librin, prej popujve që quhen popuj libri.
Duke sharë Kadarenë për llogari të serbëve, sharësit mendojnë se maten me Kadarenë, mendojnë se bëhën të famshëm si ai duke u marrë me Kadarenë dhe presin që ai t’u thotë se më mirë po marr në dorë një kovë me mut se sa po u përgjigjëm ju sharësve të porositur e me pagesë ndoshta prej Serbisë.
Kadarenë e shajnë komunistët e zellshëm shqiptarë, më të paditurit, më idiotët, gjithë komunistët të cilët e kanë parë gjithmonë Kadarenë si armik në radhët e partisë, si armik të brendshëm por që s’kanë patur çfarë t’i bëjnë, thjeshtë janë detyruar ta lexojnë e bile bile ta mësojnë përmendësh për të gjetur në rrjeshta e mes rrjeshtave armikun e partisë.
Kadarenë e shajnë komunistët, ata komunistë që kanë menduar se e kanë të tyrin e të partisë së tyre dhe ndjehen të tradhëtuar prej tij, kur në fakt Kadareja i tyri nuk ka qenë kurrë, kurrë. Ia përmendin poemat për partinë, për komunizmin, për stalinin etj etj, që ai i ka. Por edhe ato i ka art të vërtetë. Por i ka haraç që ka paguar për jetën e vet se diktatura kërkonte domodo haraç që ta linte gjallë. Komisioni i Nobelit dhe anti Kadaretë nuk arrijnë ta kuptojnë këtë gjë, këtë marrëveshje, këtë kontratë.
Inatin e kanë me Kadarenë, inat që s’e kalb dheu kurrë, se Kadareja si askush ia ka bërë autopsinë diktaturës, komunizmit. Komunistët të gjithë e shohin veten tek ‘Nëpunësi i pallatit të ëndrrave’ e disa duan vërtetë të jenë, ndjehen të lumtur të jenë e disa kanë turp, disa kanë frikë mos identifikohen.
Rrinë dhe ia kujtojnë Kadaresë një e dy se ka qenë shkrimtar i diktaturës. Po çfarë të bëjë ai që i ra të jetojë atë kohë, atë periudhë historike. Por edhe pse kanë kërkuar edhe letrat në koshat e nevojtoreve, nuk kanë mundë t’i gjejnë Kadaresë flirte me diktaturën e tiranët e vendit. Diktatura është dridhë prej Kadaresë dhe Kadareja është dridhë prej diktaturës, – kjo ishte epoka.
Dostojevski – ndërgjegja apo pasqyra e shpirtit rus kur ishte në pranga, në galerë në Siberi, i dënuar me vdekje prej Carit, ndërsa ishte i pafajshëm, i thur një ditiramb të famshëm Carit me një pendesë të thellë si puthje dore për ndëshkimin që ia kishte bërë (sipas Cvajgut). Populli rus kurrë nuk ia përmendi, kurrë nuk ia bëri të madhe këtë gjë Dostojevskit të vet. Sepse ai është popull i Dostojevskit, ndërgjegje e tij.
Ne nuk ngihemi kundër Kadaresë dhe jemi gati të paguajmë që të zhduket e të mos ekzistojë më çmimi Nobël, vetëm e vetëm të mos e marrë Ismail Kadareja, shkrimtari i famshëm shqiptar në arenën ndërkombëtare, shkrimtari që ka shkruar si askush historinë shqiptare dhe shpirin shqiptar, shkrimtari që i ka bërë avokati si rrallë kush çeshtjes kombëtare shqiptare.
Cinizmi e dashakeqësia e kumunistëve është e jashtëzakonshme, urrejtja është e përjetshme, Akademia e Nobelit nuk e kupton këtë se duke nderuar Kadarenë ka ndëshkuar diktaturën më të egër në Europë, diktaturën më të shpikur.
Duke nderuar Kadarenë, nuk kuptojmë se do të nderohej rajoni ynë i vogël që është sa një lagje Europe. Duke nderuar Kadarenë do të nderohej gadishulli Ballkanik. Duke urrye Kadarenë do të vazhdojmë të mbetemi gadishulli i urrejtjes edhe për shumë kohë.
Kadarenë e urren për vdekje ish sigurimi i shtetit. Sepse ish sigurimit të shtetit Kadareja i ka thënë se nderi i atdheut nuk është te vrima e shurrës së vajzave e grave shqiptare. Se po të jetë nderi i shqiptares aty do të thotë që ai nder është i pistë sepse aty pshurret dhe i vjen era shurrë. Dhe nderit të shqiptarit nuk duhet t’i vijë era shurrë, ani se lejohet t’i vijë era hajni, mashtrim, tradhëti, besë prerje, mos mbajtje fjale e bese, shpifje, etj etj.
Ish sigurimi e partia e komunistëve ushqeu popullin me idenë se nderi është te vrima e shurrës dhe nuk është e pandershme të tradhëtosh atdheun, të gënjesh e të mashtrosh, të vjedhësh, të presësh në besë, të shpifësh, të spiunosh vëllanë, motrën, gruan, babën, nënën, e të bësh një mijë e një të zezat e tokës.
Alfred Nobeli po të ishte gjallë do të ndjehej i turpëruar me mosvlerësimin e Kadaresë. Ai çmim ka nevojë për Kadarenë sepse Kadareja përfaqëson një gadishull ku urrejtja është lulja që gjindet gjithkund në këtë rajon, gjendet në gjithë tavolinat e zyrave të shtetarëve të këtij rajoni ku jetojnë njerëz që “n’mëni të shoi-shoqit kemi le” siç thotë kandidati i parë shqiptar për çmimin Nobël, Gjergj Fishta, i quajtur Homeri shqiptar.