Nga dhuna e UDB te dhuna e Enver Hoxhës
Historia e shqiptarit të Kosovës që u arratis nga dhuna e UDB-së për të rënë në dhunën e regjimit komunist shqiptar dhe që nuk u përkul ndaj torturave deri në fund.
Nga Behar Mustafa*
Fazli Deliu nga Çabra e Zubin Potokut, tash 75 vjeçar, 29 vjet të jetës së tij i kaloi nëpër burgje. Dy në ish-Jugosllavi dhe 27 në Shqipërinë komuniste ku iku për të gjetur shpëtim. Ai lëshoi Kosovën në vitin 1966 dhe kur u rikthye pas 27 vjetësh nuk i njohu as vëllezërit. Me mbijetesën e tij dëshmoi se njeriu është më i fortë se guri, ndërsa ende nuk e ka humbur shpresën. Fazli Deliu, i lindur në shtator të vitit 1941 në fshatin Çabër të Zubin Potokut që nga fëmijëria nuk mund t’i duronte padrejtësinë dhe të këqijat që u bëheshin shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Fqinj i kishte serbët – të privilegjuarit e asaj kohe. “Kam qenë një djalë që nuk i kam duruar fyerjet e serbëve në kohën e rinisë sime në Kosovën që udhëhiqej nga komunistë serbë dhe kolaboracionistë shqiptarë. Shumë herë kacafytesha me serbë që i kishim komshi dhe për këtë u bëra halë në sy të pushtetarëve të cilët filluan të ushtronin dhunë dhe tortura ndaj meje”, shpjegon ai. I kishte vetëm 16 vjet kur filloi dhuna dhe presionet ndaj tij. Deliu thotë se pushteti i atëhershëm nuk pati mëshirë as për moshën e tij. “Edhe pse isha vetëm 16 vjeç, UDB-ja filloi ndjekjet, rrahjet e burgosjet për të mos pushuar me vite. Më mbajshin në biseda me netë të tëra pa ngrënë e pa pirë, pa më vizituar as familja, ndërsa në moshën 23 vjeçare më dënuan me dy vjet burg të cilat i mbajta në Burgun e Nishit”, tregon ai. Ishte koha kur në Kosovë zbatohej aksioni i armëve, i ideuar nga ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme Aleksandar Rankoviq. Shqiptarëve u kërkoheshin armë dhe kur nuk u gjendeshin, rriheshin shpesh deri në vdekje me pretekstin se nuk po tregojnë ku i kanë fshehur. Njerëzit detyroheshin të blenin armët për t’i dorëzuar në polici, ose të shpërnguleshin. Rrugë tjetër nuk kishte.
Hapja e një dere tjetër të vuajtjes
Kur kreu burgun në Nish, Fazli Deliu tash 25 vjeçar vendosi të arratisej në Shqipëri. Nuk e kishte lehtë të ndahej nga më të dashurit dhe ta kalonte atë kufi të shumëvrojtuar. “Ishte shumë e vështirë ndarja nga vendlindja, familja, nga nëna që me donte aq shumë, por ky ishte vendimi që duhej të merrja për t’i shpëtuar likuidimit nga UDB-ja. Dhe kalova ilegalisht kufirin përmes Gjakovës dhe u vendosa në qytetin e Bajram Currit”, rrëfen ai daljen “matanë gardhit”. Megjithëse në Kosovë kishte kryer vetëm katër vjet shkollë për shkak të rrethanave të pafavorshme dhe represionit që përjetonte, ai nën kujdesin e gjyshit të tij Zenun Deliut ishte rritur me këngë patriotike. Njëra nga këngët që i pëlqente shumë ishte pikërisht ajo që i kushtohej Bajram Currit, emrin e të cilit mbante qyteti ku u vendos. Por Shqipëria nuk i doli ashtu siç mund ta kishte menduar. Atje thotë se hasi në një pushtet të egër që s’kishte asgjë të përbashkët me njerëzoren. Jetës së Fazli Deliut në Shqipëri i përshtaten më së shumti vargjet e këngës së rapsodit Dervish Shaqa: “Oj Kosovë kur ta kthyem shpinën, e lamë borë, e gjetëm dimën”. Pikërisht pse e tha me fjalë atë që e kishte kënduar rapsodi, u dënua me dhjetë vjet burg. “Gjashtë muaj më kanë mbajtur në hetuesi në Bajram Curri, mandej pasi kam thënë se këtu qenka më keq sesa në Kosovë, më kanë dënuar me 10 vjet burg që i kam mbajtur në burgun e Shijakut e të Rubikut në Mirditë,” shpjegon Deliu.
Tatuazh për të mos harruar
Derisa prifti françeskan Zef Pllumi pasi doli gjallë nga burgjet komuniste të Shqipërisë shkroi librin “Rrno për me tregue”, Fazli Deliu datën e burgosjes së tij të parë e ktheu në tatuazh trupi për të mos harruar. Në dorën e tij të djathtë ai “ka të gdhendur” datën 23 tetor 1966, ditën kur u burgos. Ai mendonte se do ta riniste jetën nga e para, kur ta kryente dënimin prej 10 vjetësh burg, por para se t’i shkonte këtij dënimi në fund, regjimi ia përgatiti një derdhi për t’ia vazhduar qëndrimin prapa grilave. “Kishin dëgjuar se unë nuk jepem përpara dhunës dhe torturës dhe përpara askujt. E kishin sjellë aty një njeri nga i cili dridheshin të gjithë, i cili erdhi tek vendi ku ishim të vendosur rreth 40 të burgosur kosovarë, të ndarë me tel nga pjesa tjetër e të burgosurve dhe thirri emrin tim në mënyrë që të më njihte dhe filloi të më shante të gjithë familjen”, kujton Deliu. Ai tregon se këtij provokatori ia ktheu në të njëjtën mënyrë. “Unë e prita derisa e kreu dhe në fund e luta të më lejonte t’i thosha vetëm një fjalë. Pasi më dha leje, ia shava Enver Hoxhën dhe të gjithë komunistët. Në atë moment i ka rënë bilbilit dhe më kanë dërguar në qeli, por tani në burgun e Rrëshenit pa pasur kontakt me askënd. Aty kam qëndruar shumë muaj,” vazhdon rrëfimin Deliu.
Shoqërimi me një mi dhe një hardhucë
Në këtë kohë ai punonte nga 16 orë në minerën e Spaçit, ndërsa tetorëshin tjetër të ditës e kalonte në qeli. Derisa poeti Visar Zhiti, ish i burgosur politik e quante Pegas (sipas mitologjisë kalë me flatra) një kalë që e shihte të hante bar pranë burgut të Kukësit nga një e çarë e qelisë ku po vuante dënimin, Fazli Deliu ia doli ta zbusë në qelinë e tij në fillim një mi dhe pastaj një hardhucë. Me ta shoqërohej, i kishte miq, mundohej të komunikonte në ato rrethana të rënda. “Në qelinë e burgut, nga një vrimë, një ditë del një mi me të cilin shoqërohem, madje arrita të zbus miun. Më pas del edhe një hardhucë, të cilën duke i ofruar insekte të ndryshme, po ashtu arrita ta zbus. Kështu jetën e kalova me një mi dhe hardhucë, duke komunikuar me ta”, rrëfen Deliu. Ai thotë se ende edhe sot vazhdon t’i dojë këto dy lloje kafshësh.
Rrahja nga nipi i Hysni Kapos
Këtij burri të fortë që nuk e rrënuan gjithë këto vuajtje, nganjëherë i dridhet buza kur kujton dhjetë vjet të tjera burg të kaluara në burgjet e Elbasanit dhe Zejmenit të Lezhës. Nuk e harron sidomos rrahjen dhe poshtërimin që iu bë nga Agron Kapo, nipi i Hysni Kapos, bashkëpunëtorit të afërt të Enver Hoxhës dhe sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. “Aty [në burgun e Zejmenit] më ndodh katastrofa më e rëndë. Para 2500 të burgosurve më rrahën për vdekje, duke më alivanosur, eprori Agron Kapo (nipi i Hysni Kapos), duke m’i shtuar rrahjet dhe duke më lagë me ujë në ditët e ftohta të janarit dhe kështu gati çdo javë”, tregon këtë episod rrëqethës Deliu. Ai thotë se i mbijetoi edhe burgut të Burrelit.
“Në Burrel ka qenë një fjali që e thoshin eprorët e asaj kohe ‘Burrel hyn e s’del’. Unë qëndrova 4 vjet së bashku me tre shokë nga Kosova: Nazmi Berishën nga Prishtina, Idriz Zeqirin nga Peja dhe Hysen Bukoshin nga Theranda,’’ kujton Deliu.
Kthimi në Kosovë dhe mosnjohja e vëllezërve
Por tmerrin më të madh të jetës së tij Fazli Deliu e konsideron mungesën e informatave për familjen që kishte në Kosovë, gjatë tërë kohës sa qëndronte nëpër burgjet e regjimit të Enver Hoxhës. Edhe familja e tij gjatë tërë kësaj kohe nuk dinte asgjë për të. Ai rrëfen se u lirua nga burgu në vitin 1993 dhe menjëherë u nis drejt vendlindjes. Atij nuk i pritej, thotë se autobusi që po e kthente atëherë në Mitrovicë i dukej se nuk po lëvizte nga vendi. Pas 27 vjetësh të qëndrimit në Shqipëri, Mitrovica i dukej shumë më ndryshe. Tregon se nuk i njohu as vëllezërit, se kuptoi që nëna i kishte vdekur dy vjet para se të lirohej, ndërsa babanë e gjeti gjallë.
Riardhja te torturuesit e fëmijërisë
Por vuajtjet nuk i përfunduan Fazli Deliut me kthimin në Kosovë. Serbët me të marrë vesh që ai ishte kthyer filluan përsëri ta torturojnë, si në rini. Pastaj shpërtheu lufta dhe Deliu edhe njëherë e mori rrugën drejt Shqipërisë tash si refugjat. Kësaj radhe tregon se u mirëprit nga shteti shqiptar, ndërsa pas luftës u rikthye përsëri në Mitrovicë për ta rinisur jetën në kushte të rënda e pa përkujdesje.
Shpresa vdes e fundit
Tash i ka 75 vjet dhe jeton vetëm, në një banesë kolektive në ish-kazermën e TMK-së në Shipol të Mitrovicës. “Jetoj i vetëm dhe marr 75 euro pension në muaj. Më kanë ndihmuar fqinjët, ndryshe nuk kisha qëndruar deri tani,” thotë Deliu. Ai pas gjithë këtyre vuajtjeve gjen forcë ta falënderojë zotin që nuk ka probleme me shëndet. “E falënderoj zotin që jam shëndosh e mirë, sepse nuk ankoj nga ndonjë sëmundje dhe nuk përdor asnjë ilaç. Çdo ditë ec në këmbë nga 10 kilometra nga banesa këtu në Shipol deri në qytetin e Mitrovicës dhe anasjelltas,” tregon Deliu mënyrën se si jeton. Ai thotë se shpresën gjithmonë e ka pasur shumë të madhe dhe ajo e ka mbajtur gjallë deri tash. “Shteti i Shqipërisë ma ka pranuar kompensimin për qëndrimin në burg dhe në vitin 2015 do t’i marr më këste paratë për vitet e qëndrimit në burg. Kjo shpresë po me mban, sepse paratë do t’i ndaj më njerëzit që më kanë ndihmuar në këto vite,” tregon Deliu sekretin e mbijetesës. Ai ende nuk e di se sa do të jetë vlera e kompensimit që do të përfitojë nga shteti shqiptar.
Gazeta Jeta në Kosovë, janar 2015