Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Ati, gjaku dhe kujtesa në librin e Ibrahim Vasjarit

Shënime për librin “Kristale në errësirë”

 

Kemi përpara një libër që sjell pushkatimin e katër personave në Gjirokastër më 1948.  Këta janë:

1. Syrja bej Vasjari i diplomuar për inxhinieri agrare në Francë, kryetar i një çete nacionaliste deri në vitin 1943. Për rezistencën antifashiste të tij dëshmojnë disa nga komandantët partizanë të kohës, si dhe djegia e shtëpisë nga fashistët. Pas këtij viti, për arësye se lufta mori shfaqjet e përplasjes midis shqiptarëve, Syrja bej Vasjari e shpërndan çetën dhe u kthye në jetën private.

2. Zenel Shehu me arsim të mesëm (shkolla tregtare e Vlorës), ish komisar i një batalioni partizan dhe kryetar i Kom Ekz. të rrethit Tepelenë deri më 1947, kur arrestohet.

3. At Gjergj Suli, klerik ortodoks, dhe (4) baba Shefqet Koshtani, klerik bektashi.

Veç dëshmive, fakteve e dokumentave mbi veprimtarinë politike dhe jetësore të katër personazheve të këtij libri, na shpaloset dhe një histori pak ose aspak e njohur e familjes Vasjari me një traditë mbi dyqindvjeçare. Më të përmendurit janë: Ago Vasjari, i cili që nga viti 1870 do të jetë oficer i lartë në shërbim të Ali Pashë Tepelenës; Veiz Vasjari, hero i këngëve të epikës historike në kohën e Tanzimatit, krahas Tafil Buzit dhe Çelo Picarit; Ibrahim Vasjari, përfaqësues i Tepelenës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Duke ndjekur linjën e kujtimeve dhe të mbresave personale, stili herë-herë merr tiparet e  shkrimit artistik: gjyshi i autorit të librit është vizatuar me dorë shkrimtari të vërtetë.  Në tërësinë e tij libri e ka të pandarë një sens artistik: në frazën, në konceptimin e kapitujve të veçantë, në organizimin e mbresave. Kjo e ka bërë më të lehtë kalimin nga mbresat a kujtimet, te dokumentacioni dhe, më tej, te shtjellimi i argumenteve mbi faktet e dokumentet e paraqitura. Ndjeshmërinë në libër e rrit edhe ajo që ky është një libër i shkruar nga i biri për të atin. Ai fillon si i tillë. Në fund ndahesh me mbresën se ke lexuar një libër artistik. Por, për të na sjellë në realitetin e një libri mbi ngjarje të vërteta, autori në fund të çdo kapitulli vazhdimisht na jep dhe referencat për libra a dokumente mbi të cilat është mbështetur.

 

Pas kësaj paraqitjeje në vija të përgjithshme të librit, po ndalem në atë çfarë na thotë autori nëpërmjet tij. Kulturologët ngulmojnë se feja, autoriteti dhe tradita kanë qenë në themel të qytetërimit perëndimor. Këto të vënë në lidhje (religo) me të kaluarën dhe të japin identitetin si person, por edhe më përtej personit. Autori i këtij libri ka pasur një lidhje, një vargan lidhjesh me të kaluarën, të cilat më 1948-tën u prenë, për t’u zëvendësuar nga disa të tjera. Ati i tij u vu në radhën e “armiqve shekullorë të popullit” dhe u vra. Ky ishte termi i kohës për të gjithë ata që kishin një titull fisnikërie, që kishin gjë e pasuri të trashëguar. Po ndërronte rendi i botës dhe i vlerave. Dhe për të vendosur vlerat e reja komuniste, duhej që t’i vrisje nën termin “armiq shekullorë” të gjithë ata që kishin krijuar vlera deri atëhere. Kështu, personazhet e këtij libri u vranë për ideologji, për një faj përtej tyre dhe sipër tyre. Fatalisht u paragjykuan si të tillë. U vranë bashkë të lidhur dorë për dorë dy klerikë, një ish komisar nga një familje e dëgjuar klerikësh që  kishte dhënë gjithçka për luftën, një bej që më shumë se sa pasuri, (në Tepelenë nuk ka pasur bejlerë klasikë) kishte një traditë të dëgjuar familjare dyshekullore. Mund të thuash se u vranë shëmbëlltyra të një kohe, simbolet e saj. Ata që do të krijonin një “botë të re” vranë “të vjetrën”, Shqipërinë historike, fetare, zakonore, tradicionale. Pra, ky është një libër për kujtesën. Themeli i shpirtit është te kujtesa (Shën Augustini).

Fisnikëria e këtij libri është se, i nisur si një libër për atin, shkruar nga i biri, del përtej kësaj kornize, duke na dëshmuar se në këtë vend po vritej Ati, (me shkronjë të madhe), krijuesi i jetës, traditës, historisë. Tani gjithçka po fillonte nga e para. “Bota e re” po ngrihej mbi themele gjaku, mbi gjakun e së vjetrës. Po ngrihej mbi krime të tilla të gjalla, të prekshme, mbi prerje njerëzish, po dhe mbi krimin e shkëputjes, prerjes nga një botë në vazhdimësinë e saj të natyrshme, të provuar. Gjaku po vihej në themelin, por dhe në kufirin midis dy botëve. Brezat e sotëm e harrojnë. Por gjer dje komunistët ishin krenarë kur përmendnin gjakun. Mjafton të hapësh faqet e gazetave a të fjalimeve të  kohës, që ta shohësh. Atyre u duhej një perde gjaku për të ndarë epokat dhe për të fshehur të kaluarën. Një mur gjaku që të mos shohësh e të mos shkosh përtej tij.

Por edhe diç më shumë se kaq. Llogaria bëhej për të ardhmen. Një llogari gjaku që nuk shpaguhej me asgjë. Në këtë bankë gjaku llogaria mbetej e hapur. Ata që ikën, dhanë gjakun, ju, pasardhësit do të jepni për ne jetën tuaj. Nuk do të keni më jetë tuajën. Do të jetoni si nënnjerëz, në kushte nënnjerëzore. Kështu do të jetoni ju dhe gjithë ç’vjen prej jush. Në murin e gjakut që ndan botët, ju do të muroheni si kufoma politike, pa të drejta. Jeta juaj është tharë që kur atit tuaj ia premë damarët me plumb për ta shkulluar prej gjakut. Dhe kjo llogari gjaku kurrë nuk do të reshtej. Këto përsëriteshin në çdo festë, në çdo përvjetor të fitoreve komuniste. Madje edhe në mbledhjet banale të mëngjezit, kur brigadierët u ndanin vendet e punës njerëzve. Kur i veçonin në punët më të rëndomta të bijtë e “armiqve”.

Krimi, kur nuk pranon arsye, ndërton mite. Dhe miti i “armikut” e kishte ngrirë jetën. Jeta, kjo tabu që nuk preket, kjo ngjizje prej gjaku që, nëse e prek, do shpagën barabar me gjakun që u derdh, kishte ngrirë. Përmbi jetën majmeshin mitet e kohës që nuk ngopeshin me gjakun e armikut. Dhe tashmë Ibrahim Vasjari që kishte pasur një lidhje me një të shkuar historike të shquar, ishte vënë në lidhje me botën e hijeve, me Hadesin komunist ku e kishin zbritur atin dhe të shkuarën e familjes së tij. Mitet e botës së hijeve të kthenin në hije po t’i prekje.

Odiseja i Homerit që të zbriste në Hades, dha gjakun e një qëngji. Gjaku me rrjedhën e tij shpoi perden e botës së hijeve dhe lidhi të gjallin me të vdekurin. Cili është qëngji i therur, që me rrjedhën e gjakut të tij, zbret në Hadesin e hijeve që komunistët e krijuan për armiqtë e tyre? Cila qe flija që u dha, për t’i bërë që të flasin hijet në këtë libër? Patjetër, mendoj se është kalvari i gjatë i Ibrahim Vasjarit, pengu për një jetë të shkuar nën dhunë e nën përbuzje. Por është dhe diçka tjetër. Është ndjenja e atësisë. E atit të munguar, të vrarë dhe të poshtëruar edhe pas vrasjes. Balzaku thotë te Xha Gorio: “Atdheu do të shkatërrohet, nëqoftëse etërit do të merren nëpër këmbë”. Në këtë vend ndodhi diçka mizorisht më shumë se sa kaq: etërit u vranë dhe u përbaltën edhe të vdekur. Në ndjenjën dhe në kuptimësinë më themelore të tij ky është një libër hamletian. Shqipërinë e kanë quajtur prej vitesh tokë hamletiane. Ibrahimi  “ngjall” atin dhe të tjerët që dorë për dorë me të u pushkatuan më 1948.

Dhe pengu mbetet. Një varr për të vdekurit nuk mund të japë. Ata që i vranë patën kujdes që shenjë e varr të mos mbetet.

Please follow and like us: