Albspirit

Media/News/Publishing

Bedri Blloshmi: Havzi Nela, dita e fundit në qeli para varjes në litar

Më 19 dhjetor 1986 Havzi Nela lirohet nga burgu, i cili kishte filluar më 22 maj 1967, plot 21 vjet burg ia kishte bërë diktaturës. Fillimisht ishte dënuar për arratisje në Prizren, bashkë me bashkëshorten më 26 prill 1967.  Më 6 maj 1967 jugosllavët e sjellin në doganën e Morinës, bashkë me disa të arratisur të tjerë. Siç e kujton vetë ai, ishte lidhur dorë për dorë me Ismail Didën.  Më 22 maj 1967 Havzi Nela u dënua me 15 vjet burg, kurse e shoqja Lavdija me dhjetë vjet burgim. Më 8 gusht 1975 e ridënojnë duke i shtuar edhe 8 vjet të tjera. Qëndroi në qeli deri në 19 dhjetor 1986 kur lirohet.

Më 12 tetor 1987 e interrnojnë në Arrën, ndërsa në 3 gusht të po këtij viti e arrestojnë.  Mëngjesin e 10 gushtit Havzi Nela u gdhi i varur në mes të qytetit të Kukësit, me litar në qafë, duar të lëshuara e këmbë të bashkuara. Pra në gusht, edhe pse thonë se ky muaj e ndryshon kohën e nxehtë dhe thuhet “gusht e gunë”. Atë mëngjes në qytet frynte fllad i lehtë që e përkundte trupin e pajetë me litar në qafë. Njerëzia ishte njoftuar që të vinte e organizuar, sipas ndërmarrjeve ku punonin dhe që të pështynin “armikun e klasës”.  Sipas informacioneve trupi i poetit ka qëndruar deri pasdite dhe më pas e kanë hedhur në një makinë tip ‘Zis’ dhe e zhdukën pa nam e nishan. Lufta e ftohtë kishte mbaruar dhe komunizmi u shkërmoq si Të mos kishte egzistuar kurrë.

Por komunizmi shqiptar erdhi me gjak, jetoi me gjak për 50 vjet dhe tani në prag të agonisë së plotë kërkonte ende gjak. Është krejt absurd dhe asnjë lloj llogjike nuk ta pranon, por ja që është e vërtetë: stalinistët shqiptarë e varën në litar Havzi Nelën pikërisht në fund të asfiksisë, më 10 gusht 1988.

Arrestimi i dytë i poetit

Më 3 gusht 1987 poeti Havzi Nela gdhihet në një nga birucat e Degës së Punëve të Brendshme të qytetit të Kukësit. Kryetari i Degës Frederik Ymeri, një kriminel i lindur, i argasur, me bark deri në qafë, i kollarisur e i buzëqeshur zbret nga makina përpara Komitetit të Partisë së Rrethit. Mbasi liroi kollaren nga qafa e dhjamosur, ngjiti shkallët dhe iu drejtua një zyre ku rrinte Miti Nito, Sekretari i Parë i KP të Rrethit. U përshëndet me sekretaren e tij dhe ajo i tha se po e pret shoku Miti. Sapo u fut brenda, Miti u ngrit në këmbë dhe pa ia shtrirë dorën i thotë:

–    Bravo, kështu ju don partia, të jeni vigjilentë, do ta bëjmë një shembull të mirë se këtu ka shumë armiq, siç e dini. Ndryshe ky popull nuk nënshtrohet, e kam biseduar edhe me shokët e Tiranës. Ata janë plotësisht dakort, do ta varim në mes të qytetit shumë shpejt dhe formalitetet do t’i reduktojmë. Në qelinë nr. 8 Havziu ishte vetëm. Për koincidencë, edhe atë natë kur sigurimi jugosllav e solli në doganën e Morinës, po në këtë qeli e futën. Krejt i qetë dhe i vendosur ulet në çimento dhe po mendonte se çfarë fati kishte patur. Të burgosurit kur janë vetëm në birucë, mendojnë se kush mund të ketë raportuar, sa mund të dënohet, sa mund t’i zgjasë internimi, etj.
Havziu këto gjëra i kishte të qarta, por vetëm për një gjë nuk ishte i saktë. Herën e parë e dënuam me 15 vjet burg, por më pas i shtuan edhe 8 të tjera. I bëri edhe ato, por nuk e lanë me kaq, e internuan. Ndoshta ai mund të kishte fat tjetër nëse do të ishte në qeli sepse do të lirohej si ne të tjerët në 1991. Pra pyetja që e mundonte ishte: çfarë do të vendosej këtë herë? Askush nuk  e mendonte atë fat tragjik. Sekretari i Parë mbante në sirtar litarin për ta hedhur në qafën e poetit. Izolimi zgjati pak ditë dhe ja përfundimi.

9 gusht 1988, dita e fundit e një të dënuari

Atë ditë në Degën e Punëve të Brendshme të Kukësit kishte shumë lëvizje. Binte në sy që hynin e dilnin shumë civilë, policë, oficerë, diçka ndryshe nga ditët e tjera. Ç’të ketë ndodhur vallë? Poshtë në qelitë e errta, në birucën 8, në cepin e saj një njeri i dënuar, shtrirë me kurriz nga dera, lidhur këmbë e duar me pranga, një copë litar bashkonte këmbë e duar mbrapa, me kokën ngjeshur në helmetë, mbërthyer në gushë me një rryp meshini. Këto pajisje ishin bërë enkas për njeriun që para se t’i merrnin jetën do vuante torturat 1-2 muaj. Kishte raste kur ato zgjasnin 6 muaj, 18 muaj deri në dy vjet, në pritje të ankthshme se kush do të vinte përpara, jeta apo vdekja.
Ashtu shtrirë, i mbërthyer me litar e zinxhirë saqë trupi bëhej plagë, shpatullat, kofshët dërmoheshin nga qëndrimi në pozicion të lidhur. Flokët nga qëndrimi nën helmetë dhe nga djersa fillonin të binin. Të gjitha këto dhimbje në trupin e fatkeqit, megjithëse ai grusht trupi që tretet për çdo orë e çdo kohë mendon se ka shpresë dhe pret që të çlirohet një ditë nga prangat dhe zinxhirët.

Mbrëmja po afron, në biruca vazhdon orari i veprimeve, polici hap dyert me radhë duke thirrur: hajdeni të merrni ushqimin.  Më në fund u hap edhe biruca e të dënuarit me vdekje. Zakonisht personave që dënohen me vdekje u fusin brenda nga një të dënuar tjetër që ta ndihmojë; kur mpihet nga njëri krah ta kthejnë në krahun tjetër, mbasi nuk durohen dhimbjet. (Këtë fakt unë e di nga koha kur u dënuan me vdekje me pushkatim poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Atë natë që i ekzekutuan kishin me vetë dy të dënuar të tjerë që u shërbenin. Të nesërmen i sollën në birucën time dhe ata ma treguan këtë fakt) I dënuari që i shërbente Havzi Nelës, mori tasin e tij e ia shtriu policit që t’i hidhte dhe më pas mori për vete.  Filluan të hanë. “Kujdestari” i thotë Havziut:

–    Një herë do të të jap ty me lugën pa bisht, një herë do e fus në gojën time.
–    Jo, jo, do ha më vonë, ia ktheu Havziu, ti ha për vehte.
I dënuari mbasi hëngri 2-3 lugë e largoi tasin duke vazhduar të shikonte të dënuarin me vdekje.
–    Të lutem, i drejtohet pas pak, sa të të njom buzët, gojën, mos e mbaj mendjen te dënimi se nuk u dihet punëve të Zotit. Nuk besoj se do të zbatohet vendimi i gjykatës.
–    Nuk e kam për atë, i përgjigjet Havziu. Mbasi ishte dhënë pretenca me varje në litar, gjyqtari më pyeti “ç’ke për të thënë, i pandehur”? Unë iu përgjigja “Të zbatohet sa më parë fjala e prokurorit”.
–    Po mendohem për tjetër gjë, i tha shoku i birucës.
–    Po, ia ktheu Havziu, kur dënohesh me vdekje të lidhin kështu si mua. Do presësh mbi 35 ditë dhe më shumë, edhe 2 muaj, edhe 6 muaj. Duke pritur lodhesh, të dhemb trupi, duart dhe shpatullat të enjten, të mpihet koka, fillon e mban erë dhe lëkura të bie copa-copa. Më duhet të pres të paktën 35 ditë në këtë gjendje se përfundimin e kam të qartë, e kam të sigurtë fundin.

Në birucë bënte shumë vapë, tregon i dënuari që i shërbente Havziut. Herë pas here i fshija ballin me këmishën time, i jepja ujë shpesh se i thahej buza. E ktheja nga një krah në tjetrin, sa herë që më thoshte. Herë pas here në sportelin e birucës shfaqej turiri i policit. Havziu filloi të më tregojë për vendimin e internimit, me sa mbaj mend Arrën quhej, ishte shumë keq, as kushtet e burgut nuk i kishin siguruar. Vetëm gjithmonë, në një kthinë më keq se kasollja e qenit të romanit “Të mjerët” e Viktor Hygoit. Edhe pse më vinte keq se e mundoja, e pyeta se ç’është ky personazh i Hygoit. Havziu vuri buzën në gaz dhe nisi të më tregonte. Në këtë kohë kërciti dera e hekurt që të sillte në biruca zhurmë këmbësh dhe biseda të mbytur. U dëgjua edhe zhurma e përplasjes së birucave deri në birucën ku ishin një i dënuar me vdekje në litar dhe unë që isha dënuar me 6 muaj për një ofendim.

U hap dera jonë dhe u futën brenda dy policë. Mbas tyre hynë 4 civilë dhe tek dera qëndronte në këmbë Kryetari i Degës me civilë dhe policë të tjerë anash. Kuptohesh nga lëvizja e këmbëve se korridori ishte plot. Unë shtanga, më hipën disa të dridhura, u mbështeta në cepin tjetër të birucës dhe ngula vështrimin mbi Havziun, i cili e priti vendimin qetë-qetë, me një pamje që kuptohej lehtë guximi dhe krenaria e këtij burri; në buzët e tij dukej një buzëqeshje e lehtë.

Ia zgjidhën litarin që bashkonte duart e këmbët, e ngritën në këmbë, i kaluan një litar në prangat e duarve, ndërsa cepin tjetër e mbante një nga civilët. Me zinxhir i lidhën këmbët, por Havziu as që e prishi terezinë fare, kokën e mbante lart te dera. U ndal për një moment, u kthye nga unë me qëndrim burrëror.  Mik, më tha, ma bëj hallall, të lutem, për shërbimin, edhe një herë të lutem. Unë ngriva, lotët filluan të më rridhnin instiktivisht në faqe, ndërsa në korridor dëgjohej tingëllima e zinxhirëve të këmbëve të Havziut që largohej dhe më në fund porta u mbyll.

Në birucë ra qetësi varri, unë i ulur në mesin e qelisë, me shikimin e mbërthyer mbi tasin e supës të Havziut. Ashtu duke u dridhur, pa gjumë në sy, i tronditur kuptova se dita kishte zbardhur. Erdhi polici dhe më thotë: dil, edhe ti je i liruar. Dola jashtë, diku aty afër dëgjoheshin zëra njerëzish si asnjëherë tjetër që kalonin të organizuar. Bëra mbas tyre tek sheshi ku ishin grumbulluar shumë veta dhe nuk po kuptoja asgjë. U afrova më shumë për të parë se përse ishin mbledhur. E kuptova që nuk ishte festë, njerëzit me kokë ulur thithnin cigare dhe lëshonin shtëllunga tymi.

U afrova dhe unë dhe çfarë të shihja: një trekëndësh përpara gjithë atij populli kishte lartësinë e duhur për ta parë. Pashë dhe njoha mikun tim të qelisë me litar në qafë, duart të lëshuara, këmbët vetëm me çorape, ndërsa në fytyrë i ndriste nuri; buzët me një farë buzëqeshje…dukej si i gjallë. Njerëzia filluan të shpërndaheshin bashkë me mua. Ishte ora 10 e mëngjesit, data 10 gusht, viti 1988. Një fllad i lehtë përkundte trupin e varur me litar në qafë. E di që është e pabesueshme, por kjo është e vërtetë. Ish i dënuari më vdekje./ shqiptarja.com/

Please follow and like us: