Christopher Hill: Loja e tepruar e Putinit
Liderët e Greqisë dhe Maqedonisë (së Veriut) e kryen mirë detyrën e tyre, duke iu përgjigjur agresionit rus me ndershmëri dhe guxim. Çështja është nëse edhe të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë!
Politika e jashtme e Kremlinit duket se mbështetet gjithnjë e më tepër në supozimin se të gjitha vendet janë po aq të korruptueshme sa Rusia e Vladimir Putin. Së fundmi, kjo ishte e dukshme në përpjekjet e dyshuara të Rusisë për të minuar një marrëveshje mes Greqisë dhe fqinjit të saj të vogël verior, Republikës së Maqedonisë për çështjen e emrit. Duke e marrë të mirëqenë se maqedonasit do ta miratojnë referendumin e 30 Shtatorit, vendi i tyre do të njihet tani e tutje si Republika e Maqedonisë Veriore.
Marrëveshja nuk ishte e thjeshtë për t’u arritur. Në thelb, mosmarrëveshja ballkanike mes Greqisë dhe Maqedonisë daton prej vitit 1991, kur Maqedonia, atëherë një nga republikat më të varfra të ish-Jugosllavisë shpalli pavarësinë e saj dhe adoptoi emrin Republika e Maqedonisë. Ky emërtim do të vazhdojë të ketë pasoja reale për vendin me 2.1 milion banorë.
Ndërsa rajoni verior i Greqisë është formalisht i njohur si Maqedonia, dy vendet përfunduan në një mosmarrëveshje shumëvjeçare. Greqia vuri veton ndaj kërkesave të Republikës së Maqedonisë për t’iu bashkuar aleancave perëndimore dhe organizatave ndërkombëtare, ndërkohë që fqinjët e saj, Shqipëria dhe Bullgaria u pranuan në NATO dhe në rastin e Bullgarisë, edhe në Bashkimin Europian. Ajo u pranua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në vitin 1993 nën emrin provizor “ish-republika Jugosllave e Maqedonisë”.
Çështja e Maqedonisë ka një histori të gjatë dhe të ngarkuar. Pas tërheqjes së Perandorisë Osmane dhe ringjalljes së identiteteve historike dhe ento-nacionaliste në Ballkan, Maqedonia u nda mes Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë dhe identiteti i njerëzve të saj të inkorporuar u shtyp. Gjatë luftërave të Bosnjes dhe Kosovës në vitet 1990, diktatori serb, Slobodan Milosheviç i përshkroi njerëzit e Maqedonisë si “vëllezërit e vegjël” që e kishin humbur rrugën.
Ndërkohë, shqiptarët që kanë jetuar për mijëvjeçarë në pjesën perëndimore të Maqedonisë e përbuzën pretendimin kushtetues të Republikës së Maqedonisë për t’u bërë shtëpi e “maqedonasve”. Siç njëri prej liderëve shqiptarë e pa atë, maqedonasit ishin thjesht një “klon sllav”. Ngjashëm, disa bullgarë, të cilët janë ende të plagosur nga fitoret e grekëve dhe serbëve mbi vendin e tyre gjatë Luftës Ballkanike të 1913-s, i konsideruan maqedonasit asgjë më shumë se bullgarë të hutuar, të cilët ishin bllokuar në anën e gabuar të konfliktit.
Duke pasur parasysh mungesën e arritjeve diplomatike në ditët e sotme, marrëveshja Greqi-Maqedoni e arritur në liqenin e Prespës (që kufizohet me Republikën e Maqedonisë, Greqisë dhe Shqipërisë) mori përgjigje dërrmuese pozitive nga komuniteti ndërkombëtar, kur u njoftua më 12 Qershor. Qeveritë e vendeve të Europës dhe gjetkë lëshuan deklarata mbështetjeje dhe inkurajuan kundërshtarët grekë dhe maqedonas të marrëveshjes që ta përkrahnin atë.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Kremlinin. Më 6 Qershor, Greqia njoftoi se kishte “prova të pakundërshtueshme” se Rusia po përpiqej të minonte marrëveshjen e Prespës, duke u përpjekur të blinte zyrtarë dhe kësisoj duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të Greqisë. Në një deklaratë të theksuar, ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias akuzoi gjithashtu Rusinë për financimin e protestave brenda Greqisë dhe deklaroi se vendi i tij nuk do të intimidohet. Greqia ka dëbuar tashmë dy diplomatë rusë, duke e shtyrë Rusinë drejt anulimit të vizitës në Athinë të ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, si dhe të deklarojë përjashtimin e diplomatëve grekë nga Moska.
Pa asnjë surprizë, dinakëria ruse është diktuar edhe në veri të kufirit grek. Sipas kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, Rusia ka financuar protestat antiqeveritare dhe ka shtyrë bizneset maqedonase të orientuara nga Rusia që të nxisin dhunë në prag të referendumit të 30 shtatorit.
Rusia nuk e ka mbajtur sekret dëshirën e saj për të dobësuar NATO-n. Duke kundërshtuar marrëveshjen e Prespës, ajo është duke shpresuar të pengojë Maqedoninë nga bashkimi me Aleancën. Por edhe nën presion, Rusia e Putinit nuk do të pranojë se kundërshton afrimin mes Greqisë dhe Maqedonisë, dhe jo më të kërkojë falje për masat aktive të ndërmarra për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të Greqisë dhe Maqedonisë.
Kundërshtimi i Rusisë për zgjerimin e NATO-s shpjegohet shpesh si një përpjekje për të penguar vendet që dikur ishin aleate të Bashkimit Sovjetik për t’u afruar me partnerin e ri strategjik. Por Maqedonia nuk ka qenë asnjëherë një anëtar i Traktatit të Varshavës, dhe as nuk është veçanërisht e rëndësishme për interesat ruse.
Në kontrast, Greqia- një anëtare e NATO-s prej vitit 1952 ka mbajtur megjithatë një marrëdhënie pozitive me Rusinë e Putinit, madje duke hedhur poshtë një deklaratë të Bashkimit Europian kundër vendit për sulmet e supozuara me agjentë nervorë në Mbretërinë e Bashkuar vitin e kaluar.
Kremlini po sulmon tani me arrogancë interesat e Greqisë, ndoshta duke nënvlerësuar rëndësinë e marrëveshjes së Prespës për qeverinë greke. Ironia qëndron në faktin se Putini ka kritikuar gjatë Shtetet e Bashkuara për tejkalime dhe përpjekje që imponojnë vlerat e saj tek të tjerët. Në Ballkan dhe gjetkë, Putini është përpjekur ta prezantojë veten si një partner i arsyeshëm, i cili nuk do të ngrejë pyetje mbi të drejtat e njeriut dhe as nuk do të këmbëngulë për respektimin e ndonjë grupi të caktuar vlerash.
Tani është e qartë megjithatë se as miqtë dhe as armiqtë nuk duhet ta tolerojnë politikën e jashtme të Rusisë. Kremlini e ka rritur politikën e vet të ndërhyrjeve sekrete në proceset politike të vendeve të tjera. Ai ka gjurmuar dhe tentuar të vrasë ish-anëtarë të shërbimeve të saj sekrete në vendet anëtare të NATO-s. Dhe mesa duket, është përpjekur të minojë një marrëveshje të arritur me vështirësi mes dy fqinjëve në Ballkan, të cilët po përpiqen të tejkalojnë dekada të tëra mosbesimi.
Duke parë përpara, do të jetë e rëndësishme të kujtojmë se politika e jashtmë e Rusisë është e motivuar jo vetëm nga mëria dhe hidhërimi, por edhe nga një vetëdije e bezdisshme për rënien e saj. Liderët e Greqisë dhe Maqedonisë (së Veriut) e kryen mirë detyrën e tyre, duke iu përgjigjur agresionit rus me ndershmëri dhe guxim. Çështja është nëse edhe të tjerët do të bëjnë të njëjtën gjë!/Project Syndicate/