Harrojeni Leonardon dhe Maldinin, po vjen rikthimi i madh te Milani
“Juventus është ekipi më i fortë në letër, nuk ka asnjë diskutim për këtë, por më pas mund të ndodhin shumë gjëra të tjera në fushë dhe Milan të ëndërrojë dhe të mendojë për gjëra të mëdha, ashtu si e do tradita.” Këto kanë qenë fjalët e Kakà, duhet ta besojmë…
Më pas, braziliani, që shumë shpejt mund të rikthehet në klubin kuqezi si drejtues, shtoi: “Milan është një ekip që po përpiqet të marrë sërish vendin në futbollin e madh. Nuk duhet të nënvlerësojë Europa League, sepse kur vijnë ekipet e eliminuar nga Champions Leaugue, kjo bëhet një veprimtari shumë tërheqëse dhe suksesi jo vetëm të jep mundësinë të rikthehesh në Champions, por të shton prestigjin dhe të fut në Superkupën e Europës.”
I pyetur se ku e sheh veten te projekti i ri i Milan të Leonardo dhe Maldini, Kakà shton: “Nuk e kam idenë për momentin. Aktualisht dua të qëndrojë pranë familjes time në Brazil dhe ende nuk kam menduar për një punë me kohë të plotë. Pas pak kohe do të rikthehem në Itali, për arsye personale dhe do të takoj drejtuesit e Milan për të parë situatën. Do të shkojë në “San Siro” si tifoz, por në të ardhmen do të doja të bëja më shumë për Milan. Eshtë vetëm çështje kohe.”