Albspirit

Media/News/Publishing

ALUSH CANAJ: Mbrëmë e putha lirinë

Sot është 66-vjetori i lindjes të poetit dhe atdhetarit ALUSH CANAJ . Në shenj të kësaj dite u sjellim një tufë vargjesh të tij nga libri  Mbrëmë e putha lirinë, ku është e plotë krijimtaria letrare,  botuar nga SHB “Faik Konica”, Prishtinë, 2018.

ALUSH  CANAJ 

 

 

ËNDRRA NË KRAHËT E ERËS

 

Fusha mbylli sytë

edhe qielli

me këngë t`kaltra.

Vrik erdhi gjumi

më çoi te lumi

era në breg

me mori mbi flatra.

 

Fluroja fushës,

fluturoja malit

sikur me raketë!

Pylthit me lulëkuqe

vizitova një mollëkuqe

n`pallat të zambakut

në katin e tretë.

 

Peshqit në det

më mësuan not

te i Dashurisë Kep.

As vetë nuk e di

si rashë në thellësi.

Kur më puthi nëna,

unë: sa një plep!

(1969)

 

ÇKA I DUHET LULES

 

Lules i duhet uji,

pa ujë s`mund të rritet.

I duhte edhe dielli

n`luhare të kolovitet.

 

Ndonjë flutur e kopshtit

krahët me pranverë,

t`ia puthë faqet pikaloshe

kur t`i shkon në derë.

 

Nuk bënë pa puhizën

që shetitë nëpër fushë,

e freskon me shami t`vet,

e gicilitë në gushë.

 

Një dorë e vogël piktori

i duhet lules laureshë,

ta pikturojë nga dritarja

saherë të buzëqeshë.

(1971)

 

FLAMURI MBI KULLË

 

 

Më ndjekun ujqit

për flamurin mbi kullë.

 

Copa-copa do të më bajnë

si drenushën e pafajshme,

nëse më kapin në maje të lisit.

 

Ulurojnë,

lisin duan ta rrëxojnë

po rranjet e tij thellë në Iliri.

 

Si lumi kur del nga shtrati

zemërimi rritet e rritet

plasin nga inati

Flamuri mbi kullë valvitet.

Kallnor, 1972

 

FLAMURI S`BIE

 

Ujqit edhe ditën ulurojnë,

duan të na frikësojnë.

 

Shqiponja jemi ne,

mbi ta bëhemi rrufe.

 

Dikush edhe vritet,

flamuri s`bie. Valvitet.

Kallnor, 1972

 

MRËMË E PUTHA LIRINË

 

Mrëmë

e pashë  në ëndërr

Lirinë.

Ishte si manushaqe,

e putha në faqe.

 

S`kaluam as dy hapa

qentë na lehnin prapa.

 

S`di si u afruan,

Prangat na i vunë.

(1971)

 

 

TE TIRANA

 

Te Tirana

Nana,

edhe motër Zana.

Atë dimër na  ndanë

e lisat i vranë.

Më s`mund të duroj,

andej do të fluturoj,

aty, ku e kam Nanën,

e motrën time, Zanën,

Mëmëdheun,

Skënderbeun.

Nëse ujku më vjen pas

do ta vras.

(1970)

 

NËNA SHQIPËRI

 

 

Atje larg në veri
Nëna ime Shqipëri
si ylber me shtatë ngjyra
lule e çelur, më e mira.
E kam dritë, e kam xhan
korbat e zezë prej saj më ndanë.
Oh, sa keq! U bubu,
AJO pas malesh – unë këtu
Zog do t`bëhem të fluturoj
Nënën time ta takoj
ta puth në faqe si dikur
t`i them në prehër : U bëra burrë.
Ujq e dhelpra më vijnë pas
dashuri e Nënës do t`i vrasë.

(1970)

 

TE TIRANA

 

Te Tirana

Nana,

edhe motër Zana.

Atë dimër na  ndanë

e lisat i vranë.

Më s`mund të duroj,

andej do të fluturoj,

aty, ku e kam Nanën,

e motrën time, Zanën,

Mëmëdheun,

Skënderbeun.

Nëse ujku më vjen pas

do ta vras.

(1970)

Please follow and like us: