Albspirit

Media/News/Publishing

E veja e heroit Bajo Topullit pa punë? Publikohen dokumentat nga Arkiva

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar disa dokumente historike sot lidhur me Bajo Topullin.

“Më 1 nëntor 1932 Merushe Topulli, e veja e heroit Bajo Topulli, i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë me një lutje, ku kërkon të merret në punë si infermiere. Në mos qoftë e mundur kjo, është gati të shërbejë pa pagesë kudo që ka nevojë shteti dhe atdheu. Pranë kësaj lutjeje gjejmë edhe dy dokumente të tjera, datuar pak ditë më herët se lutja në fjalë. Njëri është emërimi i Merushes në pozicionin e kryeinfermieres së Dispancerisë së fshatit Ardenicë, kurse tjetri konfirmimi se Mirushja mbërriti në vendin e punës dhe filloi punën normalisht. Brenda më pak se 1 muaji e sapoemëruara mbetet sërish pa punë, për arsye që praktikën dokumentare nuk na e sqaron.

Merushe Topulli, e lindur në Kaukaz, shtetase osmane, u njoh dhe u martua me Bajo Topullin në vitet 1920-22, kur ky ishte me punë në Stamboll. Erdhi bashkë me të në Gjirokastër kur Bajo Topulli u emërua kryetar i Bashkisë më 1925. Nga martesa nuk patën pasardhës. Për arsye të paditura, një vit para vdekjes së tij, më 1929, Bajo dhe Merushe Topulli nuk jetuan më bashkë. Pas Luftës II Botërore Merushe Topulli nuk gëzoi asnjë privilegj nga statusi i heroit që kishte i shoqi. Përkundrazi, u dënua nga regjimi totalitar me burgim dhe punë të detyruar,dhe vdiq e vetme.”

Please follow and like us: