Kosnett: Qëndrimi amerikan ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar
Diplomati veteran Philip Kosnett thotë se qëndrimi amerikan lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka ndryshuar. Zoti Kosnett, i emëruar nga presidenti si ambasador i ardhshëm amerikan në Kosovë, doli të enjten para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë. Senatori Chris Murphy e pyeti diplomatin lidhur me takimin që kishte zhvilluar në fund të korrikut ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç me këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë Jared Kushner dhe komentet pas takimit kur zoti Daçiç u shpreh se qëndrimi amerikan është tani “më pranë qëndrimit tonë” gjë që ka zgjuar shumë spekullime lidhur me ndryshime në qëndrimin amerikan. Senatori pyeti lidhur me spekulimet për mundësinë e mbështetjes nga Shtetet e Bashkuara për idenë e shkëmbimit të territoreve. Senatori kërkoi të dinte se çfarë instruksionesh kishte marrë diplomati lidhur me qëndrimin amerikan dhe nëse ky qëndrim kishte ndryshuar kohët e fundit. “Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne mbështesim dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes dy vendeve. Mendojmë se ka rëndësi kritike që të dyja vendet të avancojnë për të kapërcyer tensionet e vjetra. Ne besojmë se është me rëndësi kritike që dy vendet të jenë në gjendje të diskutojnë ide të reja. Kjo nuk është fjalë-kod për të mbuluar idenë e shkëmbimit të territoreve. Ne duam të shohim se çfarë idesh do të paraqesin dy qeveritë. Synimi ynë strategjik afat-gjatë është të shohim stabilitet në rajon, zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të vjetra mes dy vendeve në forma që forcojnë lidhjet e dy vendeve me Perëndimin”, tha Kosnett.