Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Nuk mund të rri pa folur për Sofie Kopolën

 

 

Ese

 

Ndoshta në kinematografi, nuk ka pasur deri më sot ndonjë këndvështrim kaq femëror për të parë konfliktet e thella njerëzore, si në filmin e Sofia Kopolës “Disa tërheqëse”, si do ta përktheja unë.

Bëhet fjalë për një grup vajzash të vitit 1864, që gjatë luftës civile gjenden në shkollën që, në mes të konfliktit, sa një grusht kanë mbetur në dorën e drejtueses së saj, luajtur nga Nikolë Kidman.

Po të lexosh subjektin e filmit, që mbështetet në një novelë të shkruar dhe ekranizuar edhe më parë, do të duket sikur një dorë e ngjashme me punonjëset e vjetra të montazhit, ka përshkruar fill e pe skenat që rrjedhin njëra pas tjetrës dhe që një kritik i ka quajtur të një ndërtimi kirugjikal, aq me skrupulozitet vjen së pari leximi i vetë regjisores amerikane.

Askund nuk thuhet se fill në internate të vogla të arsimimit të parë femëror, fillon të shpaloset një frymëmarje që duket se i ishte fshehur botës për shekuj me radhë. Por që gjithsesi nuk e humbet magnetin drejt qerthullit të marrëdhënieve mes sekseve dhe shtratit, ku nuk mungon tërheqja fizike, apo seksuale, ëndrra, apo zhbirimi, forca e shpalosjes së këtyre rrethanave të njëpasnjëshme me të cilat Sofie Kopola, duke ndërhyrë dy shekuj e ca më parë, arrin suksesin e saj.

Ndoshta unë nuk do të shkruaja këto rreshta për gjuhën filmike të kësaj regjisoreje, sikur ajo të mos kishte moshën e vajzës sime. Dhe sikur një zë edhe më i thellë i brendshëm të mos më thoshte se e gjithë kjo ngjarje është vendosur po thuaj në të njëjtat rrethana dramatike të Sevasti Qiriazit, kur ajo, përshfaqur si Dafina te filmi “Mësonjëtorja” mbetet me një vajzë të vetme, në shkollën e saj të hapur vetëm njëzet vjet më vonë gjithnjë në shekullin XIX.

Që atëhere dhe deri sot, lexuesit u njohën me këndvështrimin e Madame De Stael, Xhejn Osten, Koletën, Zonjën Stein, pa llogaritur fuqinë e sotme shprehëse të poetëve dhe shkrimtarëve që kanë fituar çmimin ‘Nobel’.

Megjithatë duhet të them se vështrimi i Sofie Kopolës, ai i kinematografisë, është një nga më të freskëtit, në zbërthimin e shpirtit njerëzor në momente të një izolimi dhe trysnie të pashoqe edhe përballë vetes, në një truall ku çelin marrëdhëniet më të qënësishme të kësaj bote.

Gjithçka ndryshon në këtë buketë femërore të krijuar me finesat e Monesë dhe tablove të tjera të shekujve të mëpastajme, kur në gjysëm internatin me shtylla të bardha të qëndrueshme doriko-gotike, që përfaqësojnë trashëgiminë e palëkundur, një prej vajzave më të vogla sjell një ushtar të unionit, që ka dezertuar, por që trondit shpirtrat delikate. Ndoshta ushtari i plagosur, të cilit përpiqen t’i shërojnë plagët, duhet t’u japë diçka të gjithave aq sa vajza më e vogël meriton një kopsë të uniformës së tij. Ato duket t’i japin mikpritjen, librin e lutjeve, një gotë konjak dhe pastaj një tjetër, pamjet delikate, provokimet, tingujt e muzikës, besnikërinë për të mos e dorëzuar te njerëzit e tyre të konfederatës, deri sa në fund bashkarisht vendosin t’i japin kërpudhat me helm që i shkaktojnë vdekjen. Filmi e përdor muzikën kur i takon të ndërhyjë bota e papritur e anktheve trupore, që e lënë botën tjetër jashtë.

Vendosja e kësaj ngjarje të parë nga këndvështrimi i vajzave gjatë luftës civile amerikane, vetëm se riciklon rrathët e konflikteve që njerëzit i kanë në të gjithë marrëdhëniet e tyre. Dhe pyes veten: Kur do të mësohemi ta shohim veten, pa bërë përditë vetëm histori e cila është një shkencë tjetër?

Të vraposh nëpërmjet këtyre sagave, nga filmi i famshëm klasik i Flemmingut “Së bashku me erën” deri te filmi i fundit i Sofia Kopolës është të sjellësh gjithmonë vrushkuj të erërave të sapo lindura…Sofia Kopola duket se sa ka përcjellë te dera Ingmar Berganim dhe konflikte të pashprehura direkt, duke afruar edhe me filmin amerikan me atë europian. Ndoshta se në film ndjehet e trajtuar influenca e periudhës viktoriane, kur vajzat artin e tyre të parë kishin të mësonin të qëndisnin dhe të qepnin.

Dhe kisha dëshirë të ndaj me ju respektin dhe mirënjohjen për këtë qëndistari të re të shekulli të XXI që na jep Sofie Kopola.

Mund të flisja edhe më shumë për të si për botën tonë, një botë që për ditë ne e diferencojmë nga ajo e të tjereve, sikur të kemi fituar një identitet specifik dhe të pangjashëm. Dikush mund të thotë se kështu i krehim bishtin vetes, po unë nuk e them, pavarësisht se edhe kjo shprehje egziston. Unë kam zgjedhur të shpreh gëzimin tim që një kineaste si Sofia na ka dhënë një film kompakt, edhe kur ka zgjedhur kohën e konflikteve të mëdha, në aq kompaktësi deri në kompleksitetin e botës femërore e cila shprehet si kulminacion në përngjasimin e një kasapi, në rolin e realizur kaq kompaktësisht pa shprehje të hapur, të drejtpërdrejtë prej Nikolë Kidmanit. Dhe ja me këtë forcë kaq jo të drejtpërdrejtë, mjafton të duket e tepërt gjithçka tjetër që mund të thuhet për një luftë civile nga më të famshmet.

Sofia Kopola mund të të bëjë edhe të buzëqeshësh duke parë ato lutje të përditshme fetare edhe gjatë vendimit dhe kompaktësisë për të helmuar një njeri, që e mendonin armik, ju doli i zakonshëm, pastaj zgjues ëndrrash dhe pabesnik e jomirënjohës, pasi është më lehtë të tregosh dhunë se sa mirënjohje për të gjithë.

Merre me mend sa do ta kisha fyer këtë botë artistike të sotme, sikur pasi të kisha parë këtë film, të mos kisha shkruar këto rreshta. Me që sot nuk e di se të kujt e kanë shpallur botën organizatat ndërkombëtare, as se çfarë ka qenë më kryesore në agjendën kryesore të politikës dhe mediave shqiptare, thjesht dëshëroj ta quaj për ju edhe si ditë ime e Sofie Kopolës. Ia vlen. Prandaj po shpejtoj që të mos kaperxejë ora 24. Dhe ja edhe një ‘natën e mirë’.

 

23 gusht 2018

Please follow and like us: