Sadik Bejko: Vallja shqiptare e Kadaresë
(Semiotika dhe arketipi në poezinë “Valle shqiptare”)
Mbi gërmadhat e një valleje të porsaprishur fillonte të ngrihej një valle e re…Kjo lëvizje këmbësh dhe duarsh mund të ishte alfabeti më i vjetër i krijuar dhe i lexuar nga njeriu.
“Është mirë të shkruash diçka për vallet”- mendoi shkrimtari. (Ismail Kadare, nga romani Dasma) Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më me famë që prej se ky romancier i përkthyer në shumë gjuhë të mëdha botërore, e ka filluar krijimtarinë si poet. Kur u botua romani ‘Gjenerali..’, vepra e tij e parë në prozë, ai ishte poet i mirënjohur me katër libra të botuara.
Këtu, si fillim, dua të ndalem te vjersha e tij ‘Vallja shqiptare’. Nuk është nga kryeveprat e tij, por e vënë në tekstet e leximit për shkollat tetëvjeçare, ndihma që më kërkoi djali i një mikut tim për të thënë diçka mbi të, më dha rastin për sa po shkruaj më poshtë.
Kjo vjershë, botuar në librin ‘Koha’, 1976, është një nderim i shkrimtarit të shquar për artin e popullit të tij. Vallja tradicionale me bukurinë e madhështinë, me kujtime e shënja të mshehura të lashtësive mitike, me kumtet universale që përcjell, mbetet e dashur dhe e pavdekshme; art i madh, intim e familiar njëherësh, për ne një provë origjinaliteti dhe identiteti të pashlyeshëm kulturor. Mbi këtë temë kanë shkruar poezi shumë autorë: Valle Rugove nga Martin Camaj, Vallja labërishte, nga Dritero Agolli, Vallja gorare nga Koçi Petriti.
Kadareja për shumë nga romanet e tij i është drejtuar folklorit. Në romanin e parë të tij “Gjeneralin…” vëmë re përshkrimet e dasmave; në skenën më dramatike, atë me plakën Nicë, në përshkrimet dramatike të ditës së shtatë prillit, Kadareja fut lëndë nga ngjethtsira e legjendave tona dhe nga drita e breshërimtë e diamanteve të dasmave tona të traditës. Në ‘Komisionin e festës” në atmosferën që i prin masakrës, vallet shqiptare, deri kostumet popullore shqiptare krahasuar me ato osmane, kanë atë bryllësi dhe atë hakërrimë të luanëve në ecje e sipër. ‘Doruntina’, ‘Dosja H’, ‘Prilli i thyer’ janë struktura të gjera epike të lindura së pari në mitrën e folklorit e të mitologjisë shqiptare. Kjo përkujtesë do të shkonte gjatë e do të kërkonte të tjera hulumtime, por këtu është vendi vetëm sa për ta cekur.
Te ‘Kushëriri i ëngjëjve’, frymëzuar nga balerini i mirënjohur parisien me origjinë shqiptare, Angjelin Perlocaj, ai flet për një gjuhë të trupit. Vallja është e lidhur me festën, me gëzime kolektive, por sidomos me dasmën. Njeriu, nëpërmjet valles, në këto ditë gëzimesh të shenjta vë kokën, vë gjithë shpirtin, flet me gjuhën e ritit që pohon disa nga nyjet më themelore të egzistencës sonë si njeri e si kolektivitet; rreket t’i shkojë deri në fund intimitetit më të thellë, më të prekshëm të trupit e të shpirtit njerëzor, në një ngashëri që e bën kaq të hapët e të hupët hondokomën e thellësive të njeriut të vetëpërmbajtur shqiptar- vetëpërmbajtja dikur ndër ne ishte kult- sa që në këtë jermi e dalldi që e ngre njeriun diku aty lart dy tre pashë mbi shtatin e tij, është e lehtë të kalohet nga gazi në helm, nga realiteti në fantazi, nga historia në legjendë.
Në këto ditë festash e dasmash, kur çkyçen e ngjizen, zbërthehen e mbërthehen kockat e gjithë brinjëve dhe të gjithë nyjeve të trashëgimisë, me një ngërç dhe gajdhi si të nënës kur po e lind foshnjën, në këtë harbim njerëzor që, në fund të fundit, mbaron te bashkimi në mish e në shpirt i një nuseje dhe i një djali, të dy kërthinj në moshë, çaste kur hallkatë e shpirtrave janë të lëshuara e të zgjidhura tërësisht, ka qenë e lehtë të ndodhin dhe hatara dhe mrekullira që në ditët e tjera plot ftohtësi e zymti të ashpër shqiptare as që mund të merren me mend. Stuktura e valles mbase më shumë se çdo strukturë tjetër folklorike e sjell fare qartë mendimin biblik: njeriu është sa fizik aq edhe shpirtëror njëherësh; të dy fillesat fiziken dhe shpirtëroren vallja i shkrin, madje është trupi që bëhet instrument i shpirtit.
Tri herë opinga rrahu dheun,
Sikur kërkoi leje prej tij.
Pastaj shamia palët ndehu
Me qetësi dhe madhështi.
Arti popullor ruan diçka nga ritet e lashta, kur toka dhe qielli ishin perëndi. Prijësit e fiseve dhe falltarët i faleshin dheut kur do të ndërmerrnin një udhë a një punë me rëndësi. Sot këto kuptime të vjetra janë harruar, por vallja i ruan. Ndër ne ende betohen: për këtë dhe. Vargjet në këtë strofë të parë na thonë se vallja shqiptare në qetësinë e madhështinë e saj, nis e rëndë, e shtruar, me seriozitetin që kanë ritet e lashta të nëmatisjes, të therorisë e të jetesës, me solemnitetin e lutjes për të qenë në ndoren e në pëlqimin e Zotave. Madje vallja ende nuk ka nisur. Valltarët ende përfalen e mbushen me frymë si para një vrapimi të gjatë.
Kështu midis qiellit edhe botës
Vallja u nis, vallja u shpall.
Këmba sinjale i çon tokës
Dhe dora qiellit i jep lajm.
Në strofën e dytë madhështia bëhet më konkrete, vallja do të na thotë diçka universale, diçka tokësore e qiellore njëherësh; edhe sot shqiptarët betohen: për qiell e për dhe. Për Kadarenë vallja është një krijesë e gjallë: ajo lind. Për Kadarenë vallja është serioze si një luftë (themi ushtarakisht: u shpalli luftë), pra pasi u kryen ritet ndaj tokës e qiellit, u ndërmor një veprim me shumë rëndësi për jetën e një bashkësie. Këtë mesazh fsheh vallja me lëvizjet e saj, me thjeshtësinë e opingave të saj. Ndoshta ajo nënvizon diçka nga virtytet luftarake të malësorëve. Vihen re dy elementët e pandarë: truporja e shpirtërorja dhe gjerësia tronditëse e një tendosjeje që rreh të bashkojë tokë e qiell, hapsirat duhet të kërcasin e të zgjerohen pa një cak që t’I përmbajë lëvizjet, energjitë përpushëse të brendshme.
Dhe vallja rrokulliset tutje
Në kohëra hedhur si hobè,
Prilli përsipër i hedh lule
Dhjetori borën shkund atje.
Tashmë me një vërtikë në të shkuarën hapësira kohore bëhet elastike, gremiset thelllë e vjen në të sotmen dhe s’ dihet në ç’ kohëra pa fund e mban vrapin. E tashmja si kohë këtu është e tashmja e përjetshme. Në kujtesën e nënvetëdijes sonë kolektive vallja na godet, na trondit, por edhe na çliron në fshehtësitë e hedhura në harresë (në kohëra hedhur si hobe). Vallja ka disa shenja e një simbolikë ëndrre, simbolikë mitesh, që mundet nuk i kuptojmë, por na trondisin se dinë të na thonë cilët jemi, na ushqejnë shpirtërisht me origjinalitetin tonë parak e kombëtar. Vargjet (antitezë dhe shpirtëzim bashkë): “prilli përsipër i hedh lule/dhjetori borën shkund atje” mund të kenë disa kuptime:
1,vallja është e lashtë dhe e pavdekshme si elementët e natyrës;
2,e freskët, përherë e re, befasuese si natyra;
3,vallja përmban lirikën dhe epikën, të bukurën dhe ashpërsitë e jetës;
4, kostumet popullore tonat janë të bukura me gjithë ngjyrat e prillit dhe plot kontraste ku mbisundon ngjyra e bardhë;
5, vallja është një këmbim i përheshëm i lëvizjeve, emocioneve, i delikatesës dhe i vrulleve të papritura; 6, vallja është si truallet, si dherat e dashura të fëmijërisë, një truall i përhershëm shpirtëror e kolektiv, si një tokë e shtruar dyst me supe të lidhura burrash e grash të një kohe që shkoi (kur vallen e ke parë për herë të parë); ndërrimi i stinëve nuk ka shumë punë me të, vetëm sa e përkëdhel me borën a lulet; si realitet shpirtëror i trashëguar ai është tashmë brenda nesh i paluajtshëm.
Valle shqiptare, shenja n’erë.
Ylbere tirqesh tej- tëhu.
Kush ju kërceu ju njëherë
Dhe këmbët rob s’i mbenë te ju.
Strofa e katërt rreh t’i japë ligjërimit poetik forcën përgjithësuese; jepet misteri i shënjave, shumllojshmëria e ngjyrave dhe me metaforën rob, jepet pasioni rrëmbyes e i pashlyeshëm që të bën t’i nënshtrohesh vetiu e përgjithmonë kësaj bukurie. Themi: të lësh kokën, themi: të lësh thonjtë, të lësh mendtë, ku kalle këmbët, të rënçin dhembët, por të lësh këmbët rob, pra të gjymtohesh me dashje? Jo, je i gjymtuar po nuk luajte vallen tënde, të vendit tënd. Këtu “mbesin këmbët rob” si imazh është nga më të bukurit e krejt poezisë dhe jo vetëm se vallja është shprehje e emocionit me lëvizje, me këmbë. Shkrimtarët e mirë pasurojnë gjuhën sipas modeleve më të mira të traditës.
Kush ra midis vorbullës suaj
Dhe s’u përzhit, dhe s’u përflak.
Ju bubullima me opinga,
Që nëpër shekuj bridhni varg.
Më në fund Kadareja me artin e metaforave “vorbull”, “u përzhit, u përflak” do të thotë se me vallen kalojmë nëpër një proces të gjallë e transformues; njeriu bje në ekstazë, del nga vetja, shkrin si nga një zjarr e krijohet prapë, ndjeshmëria e lartë të shliron, të hap shpirtërisht- kjo nga karakteri shqiptar tepër i gjallë i valles sonë, por dhe nga ai paqëtim si dëlirja në ritet e lashta të djegjes në zjarret pastruese të tempujve. Të shohësh se si fshatarët tanë të paushqyer mirë në festat kolektive, atje maje kodrave a në odat fshatare, me një daulle e me një curle ndër ohe dhe uhe brofin dhe bien në gjunjë, çahen shpirtërisht ashtu si çahen e buçasin shurdhueshëm pemët e pyllit në tufan, si shungullimat e daulleve…
Në tërë këtë shfrim fizik e shpirtëror gjen një ngjasim me atë harbim të vrulleve më të buta e më të egra të diskotekave të sotme moderne. Të rinjtë, fshatarët, qytetarët e vegjëlisë vallen e kanë kulmin e gëzimit. Diku shën Agustini afërsisht shkruan se atë që ne të diturit rropatemi ta arrijmë me dituri, të thjeshtët vetëm me besim dhe menjëherë si ushtri e kapin qiellin.
Dyvargshi i fundit është si një distancim nga objekti, një të vështruar që përfshin të shkuarën dhe pritmëritë, vështrim si nga largësi të pamata. Vallja është mit; përjetësi e entitetit, e një kulture. Me metaforën “ju bubullima me opinga” poetizohet vallja deri në legjendë, (përfytyrim vërtet fanatstik: bubullimat me opinga ecin mbi shekuj) deri në një fenomen qiellor e tokësor, (vëreni sërish të dy elementet thelbësore) bubullimat dhe opingat me xhufka të kuqe. Shkallëzimi i krejt poezisë është në vetë përmbajtjen e natyrën e lëndës poetike, e valles: fillon qetë, ndizet, bubullin. Nga harmonizimi i të dy temave i tokësores dhe i qiellores, i fizikes dhe shpirtërores, i opingave dhe i bubullimave, nga harmonzimi I planit konkret me atë imagjinativ kemi një poezi për vallen shqiptare, por edhe vetëm për vallen, si arketip, si thelb i përjetshëm i jetës kolektive, aq i pandashëm nga njeriu edhe në këto kohë të kompiuterave.