7 kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese, mes tyre ish-kryeprokurori
Shtatë juristë kanë vendosur kandidaturën për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese. Lista është shpallur sot në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Vakancat në Kushtetuese u krijuan pasi shumë gjyqtarë dolën nga sistemi për shkak të vetingut. Ndër kandidatët është dhe Theodhori Sollaku, ish-kryeprokuror, që së fundmi punon si avokat. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë aktualisht është jashtë funksionit, për herë të parë në histori që nga themelimi i saj në 1992. Nga 9 anëtarë që duhet të ketë kjo gjykatë, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në veting dhe vetëm dy kanë mbijetuar; përkatësisht kryetari Bashkim Dedja dhe anëtarja Vitore Tusha. Kushtetuta sanksionon që vakancat në Gjykatë Kushtetuese zëvendësohen me emërime të kryera nga tre institucione, Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë.
Njoftimi i kuvendit
Pas shpalljes nga Kuvendi i Shqipërisë, në datën 25.7.2018, të hapjes së procedurave të aplikimit për vendin vakant për gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, që do të zgjidhet nga Kuvendi, kanë paraqitur aplikimet kandidatët e mëposhtëm:
- Elsa Toska
- Fiona Papajorgji
- Ilir Panda
- Sinan Tafaj
- Theodhori Sollaku
- Valbona Bala
- Vasil Bendo