Del përgjimi, Qeveria shantazhoi gjyqtarin shqiptar në Strasburg
Publikohet një regjistrim i pjesshëm audio ku sipas tij vërtetohet se qeveria shantazhoi gjyqtarin shqiptar në Strasburg për bllokimin e çështjeve të pronave.
Bëhet fjalë për një bisedë mes Denar Bibës, që atëherë mbante postin e zëvendës kryetarit të të KQZ-së, me gjyqtarin shqiptar të Gjykatës së Strasburgut Ledi Bianku, për t’i kërkuar atij të ndikonte tek kryetari i GJEDNJ-së për pezullimin e çështjeve të pronës të qytetarëve shqiptarë.
Exit.al i cili publikon përgjimin thotë se biseda është bërë gjatë një vizite në vitin 2014 në Strasburg, ku pjesë informale e delegacionit qeveritar ishte dhe Denar Biba.
Përgjimi i bisedës së zhvilluar mes Biankut dhe Bibës, “e cila, sipas këtij portali, duket se është bërë në një mjedis publik, me gjasa bar ose kafe është dërguar në mënyrë anonime përmes postës elektronike tek ky portal.
Në regjistrim, Biba shprehet se atë e ka dërguar Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, për t’i kërkuar Biankut të ndihmojë qeverinë, duke nënkuptuar se ndihma do shpërblehet, kurse e kundërta do ta lërë Biankun pa hapësirë ne sistemin e drejtësisë se vendit pas mbarimit të mandatit në Strasburg.
Biseda e përgjuar
Edhe pse regjistrimi ka shkëputje, në të dëgjohen qartësisht fjalët e Bibës, shkruan portali.
“Më mori Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun?
I thashë…
Më thonë që nga gjithë këta që kemi afër ne ti e ke [më afër].
[Agaçi më] tha… hajde të pijmë një kafe… ky muhabet të mërkurë, të enjte…
Tha, kemi këto problemet, e di ti gjithë kjo historia që do kërkohet shtyrja.
Të lutem tha, ti lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori … sot është Niko Peleshi [këtu në Strasburg] ka takim [me Kryetarin e GJEDNJ-së]”
Biba vazhdon:
“Ma paguan ata biletën…”
Pastaj, Biba i drejtohet Biankut për ta bindur që të pranojë të ndikojë:
“A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë.”
Ledi Bianku konfirmoi bisedën
Portali shkruan se kontaktoi me Ledi Biankun, i cili konfirmoi takimi me Bibën dhe në vija të përgjithshme përmbajtjen e bisedës në regjistrimin audio, që na u dëgua ne në mënyrë anonime me postë elektronike. Bianku, gjithashtu, pohoi për portalin se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Bibën, ai informoi në lidhje me këtë ndikim të papërshtatshëm kryetarin e atëhershëm të GJEDNJ-së Dean Spielmann.
Pronat dhe vizitat ne Strasburg
Që nga viti 1991, kthimi i pronave të konfiskuara nga regjimi komunist ka mbetur një çështje problematike për të gjitha qeveritë shqiptare. Deri më sot, nuk është arritur të miratohet asnjë ligj i drejtë për njohjen dhe ligjërimin e pronave të konfiskuara dhe gjykatat. Prandaj, shumë nga këto çështje kanë përfunduar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg.
Vitin e kaluar, u raportuan rreth 105 dosje pronash nën shqyrtim nga Gjykata e Strasburgut, me dëmshpërblime të kërkuara që arrijnë në qindra milionë euro.
“Ndërkohë, qeveria Rama ka vazhduar të shpronësojë pronarë të ligjshëm për projektet e saj të “rilindjes urbane”, të cilat po rrisin numrin e çështjeve kundër qeverisë përpara GJEDNJ-së.
Duke kuptuar se, si çështjet e trashëguara të pronës, ashtu edhe çështjet e reja të prodhura nga politikat e tij, mund të krijonin një dëm masiv ndaj buxhetit të shtetit, qeveria Rama vendosi që të shmangë Gjykatën e Strasburgut nga shqyrtimi i çështjeve të pronës, ndërkohë që ai ka një ndikim të madh mbi gjykatat shqiptare.
Për këtë arsye, menjëherë pas ardhjes në pushtet, Kryeministri Rama pretendoi se do të hartonte një ligj i cili do të zgjidhte përfundimisht problemin e kthimit dhe kompensimit të pronave dhe të gjitha mosmarrëveshjet që lidheshin me pronën. Me këtë pretendim, ai filloi që të bënte presion direkt mbi Gjykatën e Starsburgut që të kthente të githa çështjet gjyqësore të qytetarëve shqiptarë dhe të mos pranonte të reja në pritje të ligjit që ai do të hartonte.
Me këtë mision, në qershor 2014, udhëtoi drejt Strasburgut delegacioni qeveritar, i kryesuar nga Zëvendës Kryeministri i atëhershëm dhe Ministër i tanishëm i Bujqësisë Niko Peleshi, dhe shoqëruar nga Avokatja e Shtetit Alma Hiçkaj, ish-Zëvendësministri i Drejtësisë Idlir Peçi dhe drejtoresha e atëhershme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Ministre e tanishme e Biznesit Sonila Qato.
Qëllimi i vizitës ishte pikërisht t’i parashtronte zyrtarisht Kryetarit të GJEDNJ-së Dean Spelmann kërkesën që Gjykata e Strasburgut të pezullonte shqyrtimin e të gjitha rasteve që lidheshin me kthimin dhe kompensimin e pronave, deri në hartimin dhe zbatimin e një ligji të ri mbi pronën, që qeveria do të miratonte së shpejti dhe i cili do të kënaqte të gjitha pretendimet e ish-pronarëve njëherë e përgjithmonë.
Nuk ka nevojë të thuhet se një ligj i tillë nuk u bë kurrë realitet—qeveria miratoi në vitin 2016 një ligj që ngjalli kundërshtimin e pronarëve që u ishin konfiskuar pronat për shkak se ai mohon pothuajse krejtësisht kthimin apo kompensimin fizik te pronave dhe premton një kompensim minimal monetar. Akoma më keq, qeveria Rama miratoi në vitin 2015 Ligjin për Investimet Strategjike, i cili i jep të drejtën qeverisë të shpronësonte pronarët privatë për përfitim të sipërmarrësve private, të cilët duan të zhvillojnë mbi pronat e tyre “investime strategjike”, shkruan portali në artikullin e publikuar sot me titull: ‘Qeveria shantazhoi gjyqtarin shqiptar në Strasburg për bllokimin e çështjeve të pronave”
Vijoi trysnia
Pas vizitës së delegacionit në 2014, qeveria Rama e vazhdoi trysninë ndaj GJEDNJ-së – vijon Exit.al- anëtarë të ndryshëm të saj vazhduan të vizitojnë Strasburgun për të ndikuar drejtuesit e GJEDNJ-së.
Kështu, më 9 maj 2016, GJEDNJ-në e vizitoi një tjetër delegacion qeveritar i kryesuar nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj për të parashtruar të njejtin qendrim para kryetarit të ri të GJEDNJ-së Guido Raimondi, i cili sapo ishte zgjedhur.
Pas kësaj vizite, më 12 maj 2016, Kryeministri Rama deklaroi në sallën e Kuvendit se “kemi arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut se nuk do ketë më vendime pronash kundër Shqipërisë dhe çështja e pronës u zgjidh.”
Nuk është e qartë se mbi çfarë baze e bëri kryeministri Rama këtë deklaratë, por është e qartë se ajo bie ndesh më çdo koncept të drejtësisë e shtetit ligjor dhe shkel të drejtën e qytetarëve shqiptarë për një proces të drejtë ligjor për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Trysnia e ushtruar ndaj gjyqtarit Ledi Bianku hedh, gjithashtu dritë mbi dështimin e njëpasnjëshëm të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të zëvendësuar Biankun, mandati i të cili ka mbaruar zyrtarisht që prej një viti.
Si asnjëherë më parë në historinë e Gjykatës së Strasburgut, lista e kandidatëve të dërguar nga qeveria shqiptare është refuzuar tre herë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, e cila shqyrton tre kandidatët e paraqitur nga qeveria për të përzgjedhur njërin prej tyre.
Afati i fundit i dorëzimit të listës së rradhës—listës së katërt—ishte 31 gusht 2017, por qeveria e shpalli listën e aplikantëve vetëm para pak javësh dhe arriti ta dërgojë listën e katërt me tre kandidatët e përzgjedhur mes tyre në fund të korrikut 2018, thuajse një vit pas afatit të caktuar.
“Vlen të theksohet se asnjë nga kandidatët e paraqitur nuk i është nënshtruar vetingut, edhe pse reforma në drejtësi e ka bërë detyrimin kushtetues vetingun ndaj çdo kandidati për gjyqtar.
Është e lehtë të merret me mend se pse qeveria ka dështuar dhe është vonuar kaq shumë në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarit shqiptar në GJEDNJ. Kryeministri Rama kërkon me çdo kusht një gjykatës i cili do të bëjë çdo gjë që i kërkohet prej tij, përfshi refuzimin e çështjeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Është në dorë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të mos lejojë që të zgjidhet një gjyqtar i tillë” shkruan me tej portali.