Albspirit

Media/News/Publishing

Përgjimi me shantazh ndaj gjyqtarit në Strasburg, Basha: Rama të shkarkojë Bibën dhe Agaçin

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, flet për një skandal me përmasa evropiane që provon se qeveria e Edi Ramës funksionon si një organizatë mafioze.

Në një dalje të sotme për mediat nga selia blu, ai tha se audio regjistrimi i Denar Bibës, aktualisht nënkryetar i KQZ dhe kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme sesi e ka projektuar Edi Rama drejtësinë e re për shqiptarët.

Basha tha se pasi ka vënë nën kontroll të plotë gjykatat dhe prokurorinë shqiptare, Edi Rama ka kërcënuar edhe shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ai deklaroi se sipas regjistrimit audio të publikuar nga media, Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Qeverinë në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë.

Sipas Bashës, kërcënimi është i qartë: Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës “pas përfundimit të mandatit do të mbetet pa punë dhe se sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do t’i shërbejë për asgjë”.

Ai shtoi se me këtë gjuhë tipike mafioze, i dërguari i Engjëll Agaçit, pra i Edi Ramës sipas tij, i kujton gjyqtarit shqiptar në Strasburg se: “ky tren, pra mundësia e për të bërë pazar me Qeverinë, nuk do t’i vijë më në jetë”.

Kreu i opozitës deklaron se ky shantazh është një akt të mirëfilltë mafioz dhe një rast të paprecedentë jo vetëm në historinë e shtetit shqiptar, por edhe i pa imagjinueshëm në historinë e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut.

“Engjëll Agaçi dhe Denar Biba, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me porosi të Edi Ramës, kanë kryer veprat penale të korrupsionit aktiv dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike. Prokuroria duhet të kishte nisur këtë mëngjes procedimin penal ndaj tyre, dhe duhet ta kishte komunikuar këtë publikisht, për të treguar se nuk është një vegël në dorën e Edi Ramës dhe të sejmenëve të tij. Por prokuroria e kapur nga Edi Rama hesht, siç ka heshtur për çdo krim që përfshin zyrtarë të lartë të qeverisë së Edi Ramës”, u shpreh Basha.

Ai shtoi se shantazhi ndaj gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, zbulon para çdo shqiptari dhe miqve të huaj mekanizmin që përdor Edi Rama për të kontrolluar çdo vendim të prokurorëve, gjyqtarëve e komisionerëve të vettingut në Shqipëri.

Në këtë linjë, kreu i opozitës tha se kur Edi Rama arrin të shantazhojë gjyqtarin në Gjykatën e Strasburgut, çdo shqiptar e ka të thjeshtë ta imagjinojë presionin, korrupsionin dhe shantazhin që Edi Rama u bën gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtarëve të vetingut.

Basha tha se kjo është prova dhe arsyeja pse komisioni i vettingu ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, siç vinte në dukje pak ditë më parë edhe Washington Times.

Ai deklaroi se sot prokuroria duhet të kish nisur menjëherë procedimin penal ndaj Engjëll Agaçit dhe Denar Bibës për shantazh ndaj gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut dhe duhej të kishte njoftuar publikun për një hap të tillë.

Por siç tha kryedemokrati, kjo nuk ndodh sa kohë kemi një prokurori të kapur nga Edi Rama dhe njerëzit e tij të lidhur kokë e këmbë me krimin.

“Me vënien e tyre para përgjegjësisë penale, një prokurori që i shërben qytetarëve dhe jo mafias, do të provojë atë që dimë të gjithë, se urdhëruesi i kërcënimit të gjyqtarit shqiptar në Strasburg, është vetë Edi Rama. Asgjë tjetër nuk e justifikon dot heshtjen e Edi Ramës i cili sot duhet shkarkojë nga detyra Engjëll Agaçin dhe Denar Bibën e t’ia dorëzojë drejtësisë”, deklaroi në mbyllje Lulzim Basha.

Please follow and like us: