Përgjimi me shantazh ndaj gjyqtarit në Strasburg, Biba: E vërteta e metaforës së trenit që vjen veç një herë
Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba pranon bisedën audio të përgjuar mes tij dhe Ledi Biankut, gjyqtar shqiptar në Gjykatën e Strasburgut.
Duke folur për ‘Ora news’ ai tha se, “Nuk ka nevojë të bëni detektivin me mua. Unë e kam takuar mikun tim Ledi Bianku, ndër të tjera edhe në vizitën zyrtare pranë GJEDNJ, ku isha pjese e delegacionit të kryesuar nga ish zv-kryeministri i kohës.
Metafora e trenit që vjen veç një herë, ishte në përgjigje të pyetjes që Bianku më bëri mua se përse pranova detyrën e kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik, duke qenë se ishte në dijeni të aspiratës sime për Gjykatën Kushtetuese. Ja kaq e thjeshtë është”.
Ai shton se mjafton të dëgjohet biseda e plotë, dhe do të kuptohet që “sakrifica” e përfolur ishte e tija dhe nuk kishte asnjë lidhje me gjyqtarin Bianku.
“Isha unë që pranova një detyrë që nuk e doja. Kërkoni bisedën e plotë! E keni për detyrë”, u shpreh Biba.
Ky reagim vjen pas një audio regjistrimi të dal në media ku pretendohet se Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Qeverinë në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë.