Albspirit

Media/News/Publishing

Tjetër denoncim i fortë nga PD: Miku i Ramës, Agron Papuli mori 1.8 mln euro në korrik

Partia Demokratike ka vijuar edhe sot denoncimet me tenderat, që sipas saj persona të afërt me Ramën favorizohen nga qeveria. Në një dalje për mediat nga selia blu, Flamur Noka tha se kompanisë së mikut të Ramës, Agron Papuli, në muajin korrik të këtij viti i është dhënë tenderi i radhës. Ai tha se bëhet fjalë për një tender me objekt “qira operacionale automjetesh nga Policia e Shtetit me vlerë, 1.8 milion euro”.

Deklarata e Nokës:

Edi Rama, po tregon çdo ditë se qëllimi i pushtetit të tij nuk ka qenë dhe nuk është qeverisja e shqiptarëve, por vjedhja dhe pasurimi i tij dhe i oborrtarëve të tij. PD denoncoi një ditë më parë provën e dokumentuar se si qeveria e Edi Ramës, i ka dhënë baxhanakut të tij Armand Frangu, 41 tendera me vlerë 15.6 milion euro.

Ky nuk është rasti i fundit. Sot, po bazuar në dokumente zyrtare, po denoncojmë faktin se si Edi Rama vijon të favorizojë një ndër binzesmenët e afërt të tij, duke i dhënë miliona euro nga buxheti i shtetit, me gjithë denoncimet e shpeshta publike. Kompanisë së mikut të Ramës, Agron Papuli, siç provohet edhe në dokumentet zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik në muajin korrik të këtij viti i është dhënë tenderi e rradhës. Bëhet fjalë për një tender me objekt “qira operacionale automjetesh nga Policia e Shtetit, 1.8 milion euro.

Marrja me qera e makinave është korrupsion i pastër për të pasuruar financuesin e Edi Ramës, kjo sepse harxhohen miliona euro për makina me qera dhe makinat nuk i mbeten policisë, por i rikthehen përsëri mikut të Ramës. Kostoja e marrjes me qera të makinave është më e madhe sesa blerja e tyre. Favorizimi me tendera muk ndalet vetem me makinat e policisë. Në dy vitet e fundit, nga kompania shtetërore OSHEE, kompanitë e preferuara të Ramës, në pronësi të Agron Papulit kanë përfituar 6 tendera, me vlerë 4.3 milion euro.

Ky është një korrupsion i paracaktuar dhe një akt korruptiv kriminal, pasi të gjitha specifikat e tenderave për makinat në qeverisjen e Edi Ramës janë përcaktuar nga vetë Agron Papuli duke pamundësuar garën për të tjerët.  Janë 127 tendera që i janë dhënë mikut të kryeministrit, Agron Papuli, që prej ditës që qeveris Edi Rama. Duke bërë një llogari të thjeshtë, rezulton se nga buxheti i shtetit për mikun e kryeministrit Agron Papuli, janë dhënë 17.3 milion euro.

1.8 milionë eurot e përfituara në korrik të këtij viti janë kësti i fundit i një politike arrogante të kryeministrit, i cili buxhetin e shtetit e shpërndan ekskluzivisht për familjen e tij, baxhanakun, miqtë e deputetëve të partisë si dhe për oligarkët që pastrojnë paratë dhe paguajnë tarifën tek kryeministri. Por zullumi i kësaj qeverie s’ndalet së trashuri, prandaj klika e baxhanakëve, e miqve të gruas dhe e grave të miqve s’mund të mbijetojë gjatë. Shqiptarët nuk do të lejojnë që Edi Ramës t’i jepet shansi ta privatizojë edhe buxhetin e vitit të ardhshëm.

Please follow and like us: