Albspirit

Media/News/Publishing

Sulmi ndaj shtëpisë së gazetares, Rama: I patolerueshëm! Pres ndëshkimin e keqbërësve

Kryeministri Edi Rama, reagon ndaj sulmit me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares Klodiana Lala.

Ai thotë se është e patolerueshme, barbaria ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares

“E patolerueshme barbaria mbi shtëpinë e gazetares Klodiana Lala! Ngjarja duhet zbardhur sa më parë dhe strukturat e shtetit janë të angazhuara maksimalisht. Mbështes e inkurajoj Klodianën në këtë moment kritik dhe pres me padurim ndëshkimin e keqbërësve”, shkruan Rama.

Familja e babait të gazetares së kronikës në News 24, Klodiana Lala përjetoi momente terrori në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku u qëllua me breshëri automatiku.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03.30 të mëngjesit të kësaj të enjteje, në lagjen “Bruk”, në rrugën “Shkëndija”, Tiranë.

Mësohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të pjesës së jashtme të banesës së shtetasit A. Lala, rreth 64 vjeç, babai i gazetares.

Në momentin e ngjarjes në banesë, ishin vëllai i Lalës, prindërit e saj, por edhe dy vajzat e vogla të gazetares.

Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka të lënduar në njerëz. Gazetarja shkon çdo ditë në banesën e të atit, për shkak se prindërit kujdesen për dy vajzat e saj gjatë kohës që ajo është në punë, dhe pjesën më të madhe të kohës e kalon atje, duke qenë shtëpia e dytë e saj.

Mësohet se plumbat kanë dëmtuar dritaret, derën dhe muret e banesës.

Aktualisht nga ana e policisë po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Kujtojmë se Lala është e përfshirë në sektorin e kronikës prej thuajse 15 vitesh, ku në raportime të ndryshme nuk ka kursyer akuzat e forta ndaj grupeve kriminale.

Madje kohëve të fundit ajo është bërë pjesë e debateve televizive, ku për shkak të profesionit dhe investigimit ka bërë deklarata të forta.

Please follow and like us: