Erika Rustemi: Rruga drejt suksesit mësohet çdo ditë!
Ajo këndon, pozon, merret me modeling por ka hobi edhe aktrimin, si të thuash një gërshetim fushash arti. Erika, këngëtarja shqiptare sapo ka sjellë në treg një klip të ri me titull “Bang Bang” të cilin e ka sjellë si prurje të re për sezonin e verës. Ajo ka ndërmend të sjellë disa projekte të reja të cilat do vijnë shumë shpejt për publikun e saj që e ndjek dhe sigurisht do dhe muzikën e Erikës!
– Erika, këndon prej disa vitesh dhe para pak kohësh ke sjellë edhe një klip të ri me titull “Bang Bang”, pse kjo tendencë për këngë në gjuhë të huaj?
-Anglishtja është universale tashmë dhe mendoj se teksti shqip i gërshetuar me anglishten të ndihmon edhe për të çuar këngën që sjell përtej vendeve shqipfolëse dhe shpresojmë të bëjë efektin e saj!
– Erikë, përveç muzikës dhe modelingut, ku të pëlqen tjetër të angazhohesh?
– Nuk mund të them se e kam pjesë të angazhimit, por kam hobi aktrimin, më pëlqen aktrimi! (Buzëqesh)
– Si erdhën këto të dyja në jetën tënde?
– Muzika erdhi shumë më herët dhe është pjesë e imja, kurse modelingun, nuk e kisha menduar derisa më erdhi oferta e parë dhe atëhere vendosa t’i kombinoja të dyja.
– Në Shqipëri, këngëtarët bëjnë shumë gjëra njëkohësisht… këndojnë, aktrojnë, bëjnë koreografi… Cilën prej këtyre e bën më mirë dhe cilën, më pak?
– Të kënduarit, sigurisht që e bëj më së miri, por dhe këto dy të fundit janë pjesë e skenës. Çdo këngë do pak aktrim dhe koreografi.
– Gjërat e mira vijnë tek ata që dinë të presin apo që nxitojnë për t’i patur?
– Unë mendoj se gjërat e mira nuk vijnë as tek ata që presin, as tek ata që nxitojnë, por tek ata që nuk reshtin së punuari dhe së vepruari për atë që duan të arrijnë.
– Miqtë e vërtetë i ke afër apo larg?
– Miqtë janë gjithmonë afër. Përderisa dikë e quan “mik”, nuk ekziston ajo distancë që mund të të largojë. Miqtë e vërtetë ngelen të tillë gjithmonë!
– Çfarë do të thotë për ty t’ia kalosh bukur?
– Të kaluarit bukur është thelbi i gjithçkaje; ngjarje të bukura, kujtime të bukura… Kjo është jeta!
– Ka një shprehje që thotë se të ëndërruarit dhe lumturia janë të vetmet gjëra falas. Sa e vë në praktikë të parën dhe sa rend pas së dytës?
– Jam tip ëndërrimtar dhe sigurisht, të ëndërruarit, në thelb, është gjithmonë e lidhur me lumturinë. Njeriu rend dhe ëndërron gjithmonë për lumturinë.
– Për çfarë ke harxhuar më tepër para deri më sot?
– Për qejf. (Qesh)
– Çfarë është e ndaluar për Erikën?
– Është e ndaluar të bëjë keq! Unë vetes i ndaloj çdo gjë që mund të më cënojë të qenit “njeri”.
– A mendon edhe ti se gjërat e ndaluara janë njëkohësisht edhe më të bukurat?
– Nëse janë të ndaluara, atëhere bukuria zbehet në sytë e mi!
– Ti vetë, në cilat gjëra po fokusohesh më shumë këtë kohë?
– Momentalisht, angazhimet me punë nuk janë të shumta dhe po mundohem të fokusohem në projektet e reja që do sjell.
– Për çfarë të pëlqen të lësh kohë mënjanë, veç të tjerash?
– Mundohem gjithmonë të gjej kohë për një kafe me shoqëri dhe për familjen.
– Ke dashur ndonjëherë të të gënjejnë sepse gënjeshtra ka qenë më e ëmbël se e vërteta në ato çaste?
– Gënjeshtra, kurrë nuk mund të jetë e ëmbël!
– Ku përfundojnë sekretet e tua… ia rrëfen
dikujt, i shkruan në ditar apo i mban për vete?
– Nuk kam sekrete. Ndodhitë dhe gjërat e mia i ndaj me njerëzit e mi të afërt.
– E ke të qartë në mendje se si duhet ta arrish suksesin?
– Rruga drejt suksesit mësohet çdo ditë, por thelbi mbetet gjithmonë puna, vullneti dhe shpresa.
– Kontrata që do të të lumturonte?
– Një kontratë që do të më sjellë sukses, kontratë që do të më sjellë të ardhura dhe të jetë e përshtatshme për mua si këngëtare dhe si njeri.
– Projekte të reja?
– Sigurisht që po dhe madje shumë më shpejt se ç’mund të mendohet! Ju dua shumë!
Denisa Çerma, gongnews.al