Artan Hoxha: Pushohet hetimi për masakrimin e Elvi Fundos
Me që jemi të ngazëllyer nga përfshirja për mbrojtjen e lirisë së medias dhe gazetarëve, ja një mesazh tjetër që na serviret i freskët nga agjensitë e zbatimit të ligjit. E mbani mend si e masakruan Elvi Fundon mëngjesin e 8 marsit 2017?!!! E kam gjetur të masakruar në spitalin ushtarak sa dukej se nuk do të ngrihej më në këmbë. Për fat të mirë ia hodhi paq me ca operacione në kokë dhe në fytyrë, por e mori veten dhe e kemi sërish mes nesh. Autorët që e kryen krimin para kamerave sapo Elvi kishte dalë nga banesa, u kujdesën që tia përcillnin qartë mesazhin. Ta dëmtonin sa më shumë të ishte e mundur në fytyrë, në gojë, në nofull, duke ia theksuar mesazhin se nëse nuk e qepte ai gojën do të kujdeseshin ata ta bënin një gjë të tillë. Edhe atë kohë u bë zhurmë, u fol për cenimin e lirise së medias dhe për pasigurinë e jetës në Shqipëri.
Ja ku jemi 18 muaj më pas, për ironi të fatit më 31 gusht 2018, një ditë pasi prokuroria, Policia dhe gjykata u shprehën njëzëri se e dënojnë sulmin ndaj Klodiana Lalës. Më poshtë keni vendimin e freskët të prokurorisë për pezullimin e hetimeve për moszbulimin e dy autorëve që sulmuan barbarisht Elvi Fundon. Elvi tani duhet që brenda 10 ditësh të apelojë vendimin në gjykatë ose ndryshe …tia mbathë nga sytë këmbët nga ky vend pasi autorët (këtë radhë edhe më të inatosur se herën e parë) mund të rikthehen sërish të mbarojnë atë që nisën mëngjesin e 8 marsit 2017. Zotërinj të ligjit faleminderit që na ngushëlloni, por detyra juaj është të zbuloni krimet, të ndëshkoni autorët, të vendosni drejtësi. Kur pas një viti e gjysëm pezullohen hetimet për masakrimin barbar të Elvi Fundos, ngjarje që ndodhi ditën për diell, vetëm 500 metra nga sheshi Skënderbej, para kamerave që e filmuan në cilësi maksimale sulmin, mes dhjetëra dëshmitarëve që i panë live autorët, si mund të kemi shpresë se do të zbulohet sulmi ndaj banesës së prindërve të Klodiana Lalës, ngjarjë që ndodhi në një zonë të thellë në periferi të Kamzës, në errësirën e natës, pa asnjë kamera rreth e rrotull dhe sigurisht pa asnjë dëshmitar?!!!
E di që shumë njerëzve në këtë vend mund të mos u pëlqejë ajo që shkruan apo që thotë Elvi Fundo dhe media e tij. E cilësojnë të idhët, farmak, por kjo nuk do të thotë që të rreshtohen me maskat që e masakruan me doreza dhe leva hekuri, e të gëzohen që ata do të jenë sërish të lirë….
Sepse ato maska me leva hekuri janë ende në qarkullim rrugëve të Tiranës, të gatshëm për t’u shfaqur para banesës tuaj, për të përcjellë të njëjtin mesazh. Nëse heshtim sot, dhe i lëmë vetëm kolegët tanë pavarsisht bindjeve apo opinioneve që ndajmë me ta, nesër do të jetë shumë vonë. Aq vonë sa nuk do të kemi kohë për të fiksuar as sytë e kriminelëve që fshihen pas maskës, ndërsa ndjejmë mbi trup egërsine e dhunës së tyre.