Albspirit

Media/News/Publishing

Jorida Tabaku: Të përndjekurit, të harruarit e kësaj qeverie

 

Ajo çfarë është kthyer në zakon për qeverinë është angazhimi i saj për të trajtuar shtresën e persekutuar gjatë regjimit komunist me standarte të dyfishta. Fjala vjen, pasi vari në rrugët e Tiranës fotografitë e martirëve katolikë të vrarë nga regjimi komunist për të blerë vëmendjen e Papa Françeskut, u angazhua të nderonte xhelatët e diktaturës (si Shyqyri Çoku) me tituj nderi.

Një skemë të tillë përdori edhe kësaj radhe. U angazhua në një spektakël me paratë publike në Tepelenë dhe nga ana tjetër qendisi një ndryshim ligjor duke i ulur fondin e të përndjekurve politikë, të cilët për vitin aktual kanë marrë 2,2 mlionë usd pra 6.6 herë më pak se një vit më parë.

Kjo nuk përbën habi pasi kjo qeveri ia ka vështirësuar edhe më jetën të përndjekurve politikë në dëmshpërblimin që do të merrnin. Në vitin 2014 ajo ndërhyri në ligj duke imituar logjikën e klasave nën diktatin e proletariatit; krijuan ndarjen në 70% grupi parësor dhe 30% grupi dytësor. Pasi dhe kjo skemë nuk mundi të përmbushte asnjë pritshmëri kanë prodhuar një ndryshim ligjor që ia shtyn edhe më dëmshpërblimin kësaj shtrese.

Me ligjin e ri që duan të votojnë në kuvend qeveria jo vetëm shtyn në kalendat greke dëmshpërblimin por sipas ndryshimeve të reja i jep të drejtën vetes që shumën që ka buxhetuar për të përndjekurit por që nuk ia paguan atyre mos ta mbajë në zërin e pagesës për të përndjekurit por t’ia kalojë një zëri tjetër në buxhet. Thënë më shkoqur ia heqin të përndjekurve dhe ia japin ndonjë koncesioni apo mbyllin ndonjë gropë në buxhet.

Premtuan se do të shpërndajnë më shumë të ardhura tek të përndjekurit se sa qeverisja e PD, por realiteti rezulton ende sot e kësaj dite ndryshe nga propaganda. Në pesë vjet qeverisje të Edi Ramës janë buxhetuar 2 mld lekë më pak për të përndjekurit se në katër vite të Partisë Demokratike, këto shifra kushdo deputët socialist që tund shallin e pionerit dhe i dhemb zemra për të përndjekurit mund t’i vërtetojë në librat e llogarive të qeverisë.

Detyrimi total që shteti shqiptar i ka të përndjekurve politikë në kosto financiare është i barabartë sa 3 koncesionet në shëndetësi, ku check up përfiton vetëm për vitin 2018 mbi 8 mld lekë nga buxheti i shtetit ndërsa të përndjekurit politik marrin 8 herë më pak.

Partia Demokratike është zotuar që do të anullojë çdo koncesion abuziv dhe paratë e keqpërdorura nga qeveria specialiste e kryeministrit Rama do t’i vendosë në funksion të shqiptarëve dhe mbi të gjitha në shërbim të dëmshpërblimit për të përndjekurit politikë. Megjithëse jam e bindur që asnjë pagesë monetare nuk mund të shlyejë vuajtjen dhe hidhërimin që kaluan gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Please follow and like us: