Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova, e madhja dashuri e Ramize Gjebresë

 

 

Vasfi Baruti

 

 

… Çonju vllazën të lidhim besën

Për Kosovë e Çamëri

Drejt andej ta ngjallim shpresën

Për bashkim e për liri…

 

… i dashuri im është Shqipëria e vërtetë, e pandashme; atdheu është si e këndon marshi dhe u jep jetë gjithë dashurive të tjera, që ushqehen nga i madhi Zot, …

E madhja dashuri

Mes dashurish e madhe shumë Dashuria Kosovë. Që në vegjëli, Aneja e mëkoi me kujtime për Kaçanikun e Kosovën. Ramona shpirtvrarë nga terrorizmi serb për të afërmit e saj e tërë Kosovën. Nga babai, në shpirt i gjalloi krenari, ngase në krye të çetës luftoi në grykën e Kaçanikut kundër Turgut Pashës. Nga shoqe shkolle, prej viseve të Kosovës, i mbeti refreni i përditshëm: Kosova, Kosova. Nga lexime të shumta në libra historie e periodikë mësoi për histori të Kosovës dhe tmerret serbe të hedhura në blloqe shënimesh. Janë ngulime shqiptarie në ndërdije e shpirti Gjebrea, që formësuan shqiptari, sa s’mund të mendojë shqipëri pa Kosovë e Çamëri. Marshin Për Kosovë e Çamëri, i mësuar nga vajzat e Nëna Mbretëreshë me kujdesin e Gjebresë – e këndonin në “dirigjimin” e saj.

 

… Kishte disa fletore me shumë fletë me shënime për Kosovën, të nxjerrë nga libra e gazeta të lexuara. Kur iku në Vlorë, i la në shtëpinë tonë e ku i dihet ku janë se shtëpinë e bastisën fashistët. Me shumë njohuri për gjeografinë e historinë e Kosovës e figura të shquara të saj, për krimet e serbëve në Kosovë, që i kishte ndarë sipas qyteteve e fshatrave të Kosovës. Njëri bllok me shënime, skica rrugësh e objekte nga Kaçaniku e më tregonte: ja kjo është rruga X, atje rruga Y, këtu shtëpia e gjyshit, atje shtëpia e axhës … të gjitha nga rrëfime te Anesë; … kur të shkoj në Kaçanik e mezi e pres të vijë ajo ditë e lumturisë sime të madhe, nuk pyes por hap portën e futem brenda. Më mësonte hymnet e Kosovës,  i recitonte me pasion e ndjej keqardhje që i kam harruar, kujtojini ju …  (Vera Tetova. Dosja 1955/2002).

 

Marshi nr. 1

Për Kosovë e Çamëri!

Çonju vllazën të lidhim besën

Për Kosovë e Çamëri

Drejt andej ta ngjallim shpresën

Për bashkim e për liri

Mjaft u talle me ne Europë

Mjaft duroi ky kombi ynë. […]

[Nga Krishina, me çmimin e parë].

 

Marshi nr. 2

Zgjohu Kosovë

Zgjohu Kosovë, tokë e shqipërisë

Ku vetë Leka ka sundue,

Për liri do vdes shqiptari,

trashëgim si na la i pari

Gegë e toskë, sokola e Lekë

sod për ne do zbardh agimi

Në Kosovë të lirë

O gjallë o dekë! […]

[Nga Plaku i Drenicës, me ëmimin e dytë]

 

 

Marshi nr. 3

Kosova!

[…] Kosovë, o vend i famshëm i trimnisë

Kosovë, o lule e bukur e shqipnisë

Si vashë e virgjën: nuse sikur je

[…] Kosovë, o atdhe i lavdishëm i burrnisë

ti ke pas kjan mbretëreshë e Rumelisë

[…] Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha

[…] Kosovë o trimneshë, lule e rrallë…

[Nga Asdreni, me çmimin e tretë].

 

 

… Ja këto janë dashuritë e mia, këtu është dashuria që ngacmove motra Vera; po ta them, i dashuri im tashti është shqipëria e vërtetë, e pandashme; atdheu, si e këndon marshi, u jep jetë gjithë dashurive të tjera, që ushqehen nga i madhi Zot, më e madhe dashuri. Të dashurin tim e dua të bukur si atdheu, trim si Kosova, të mençur si Dante. E thosh me humor, por besonte në çka më thoshte.  Gjebrea prirej drejt ideales, që është në shpirti i rinisë! (Vera Malo – Katina Afezolli 2003).

 

Idile kosovare

Idilet kosovare janë gjetje e Ramonas, ruajtur nga shoqja e saj, Vera Tetova. … unë e Ramona bënim dashuri, here unë dashnor i Ramonas e herë ajo i dashuri im. Ishte dashuri e marrë vërteti e shprehnim dashurinë e vedit. Mbetesha pa mend nga bukuria e dialogut të saj. Kur flisnim për dashurinë, natyrisht bisedonim shpesh, vinte një çast e ndanim rolet o djal o vajzë e i shfaqim dashurinë njëra-tjetrës dhe loja dashurore mori emër në shoqërinë tonë. Ramona i di përmendsh idilet, se vetëm ato! Mërzitej kur unë deformoja dialektin e idileve nga të cilat mbetën …

 

Idyll Kosove

 

… Djali:

N’u bash troftë me ra n’ujë

Më ka falë Zoti ustallak

Edhe dal nëpër komshi

E lyp gjinden gjirali

E i fus n’ujë e të lypi

Në pastë ba Zoti kismet

Për me qitë trofën në breg

të ha baca me kimet si simitin me sherbet:

Nuk t’del çare pa m’marrë mue

moj bardhokja e bukur-o.

 

Vajza:

Unë gjylpanë kam me u ba

E n’ hi t’zarrmit kam me ra

Nuk t’marr ty more i keq-o

merrem n’mujshë more i shtremt-o. …

 

Idili i dashurisë një bashkëbisedim i ndezur dashuror i djalit e vajzës, dialog mes tyre e në garë kush fiton me zgjuarsi e thjeshtësi, me bukuri të shprehjeve, me gjuhën e pasur e plot metafora e alegori. Fitorja është e djalit, pse vajza preket me benë e armëve: Dikur lodhesh e del n’fushë,/ Tak, qet baca e t’ vret me pushkë:/ S’të del çare pa m’marrë mue, bardhok’ e bukur-o.  Be-ja me armë dashuri për armën në mbrojtje t’atdheut, Kosovës.

 

Copëra tragjedie

“Dosja Tetova – Gjebrea” ka mbetje copa gazetash të kohës me fragmente nga tragjedia e Kosovës, lexuar nga Ramona.

 

“Tragjedia e Kosovës.

Gjakova, me katunde të lulëzuara, kthyer në qimitire, hi e shkrumb prej egërsirave sërbe të Beligradit gjakatar. 20 maj 1919. Nënprefekti kriminel Miro Proda me çetën e tij rrethon katundin e qetë Botusha […] arreston 11 burra, me Ymer Isufin në ballë, grabiti 9000 krerë bagëti, 50.000 kv. drithë e 60.000 napolona pasuri shtëpijake, stoli vajzash e nusesh […] shtëpive iu vu zjarri… një ditë-natë Botusha e bukur digjej zjarr e flakë, mbeti hiri […] Po e ca zjarr n’atë hi që nuk do shuhet kurrë […] të arrestuarit u lidhën nëpër shelgje në mesnatë në dritën e flakëve të Batushës i vunë nishan trupat e u bënë shoshë […] kur po i ekzekutojshin, aty sollë gjithë fshatin që të shihnin me sy atë tragjedi tmerri, që Neroni di ta bëjë. Në Batusha janë instaluar serbë e malazezë e pesionarë burgjesh […] Jablanica: vranë me mitraloz 78 shpirtra dëshmorë burra, pleq, gra, fëmijë, me Tahir Ismalë në krye; dogjë 32 shtëpi, plackitet fshati mbarë […] kështu e Mazniku, Zhabeli, Krajlani” …

 

“Pllavë.

Pllavë, 20 mars 1919, serbët pushtuan qytetin e Pllavës […] fëmijë, plaka, pleq, burra, vajza, sakatë, plot 356 dëshmorë i nxuar në fushë të lidhur e i grinë me mitroloz e asnjë nuk shpëtoi. Ishte Edhe Ali beg Pllava me 5 hoxhallarë…

 

“Mitrovica.

Mitrovica, 1942. Janë 15000 banorë e pak kolonizatorë serbë, ardhur për herë të parë pas viti 1918. Manifaktura zotërohej nga tregëtarë shqiptarë, zyrtarët në shumicë shqiptarë […] 3 fabrika mjelli […] pasuri të shumta metalike e pyjore në krye të viseve ballkanike. Ne Zveçan, mbretëreshë e Ballkanit, punohet plumbi, ari, argjendi. Në lagjet sërbe me shumë modernizim. […] Familjet shqiptare me dinjitet moral, jetë patriarkale, fëmijët me dashuri të madhe për gjuhën shqipe e shkollën; Shihet se shqiparët janë shumë maxhoritarë ndaj sërbëve. Katundari s’di as turqisht, s’merr vesh sllavisht, krejt pazari u shton me zëra shqipe. Gjermani e sheh mitrovicarin e shqiptarin me adhurim, shqiptari racë e pastër ariane. Die Banern sind die echte Albenern”.

 

Marrë nga monografia e Vasfi Barutit.

Please follow and like us: