Albspirit

Media/News/Publishing

Shqetësimi intelektual i Eden Babanit në triptikun publicistik

 

Çerçiz Loloçi

Eden Babani, autor i mjaft librave artistikë, monografikë dhe të zhanreve të tjera vjen sërish përpara lexuesve me një triptik publicistik ku spikasim larmi temash dhe analizash për zhvillime të djeshme dhe të sotme dhe me një galeri personazhesh nga krejt viset shqiptare.

Pjesa e parë e librit e titulluar “Përsiatje për parashtrime politike” përmban 24 materiale, pjesa e dytë “Shkrirja shpirtërore e shqiptarëve” përmbledh 11 artikuj, ndërsa e treta “Pak frymë nga Bota Shqiptare” grupon 21 shkrime.

I fokusuar më shumë në të përditshmen kombëtare “Gazeta 55”, por edhe në gazetat të tjera si “Bota sot”, “Ylliria” e “Dielli” në SHBA, Babani është një ndjekës i vëmendshëm i zhvillimeve shqiptare të post-nëntëdhjetës dhe jo vetëm duke analizuar ngjarje, formacione politike, marrëveshje dhe kundërshti duke dhënë kurdoherë mendimin e tij original.

Duke ardhur vetë nga shtresa e të përndjekurve politikë dhe protagonist aktiv në zhvillimet demokratike në Shqipëri, si pakush tjetër Eden Babani është për një vështrim realist të së kaluarës dhe të tanishmes, për personalitetet më të rëndësishme në epoka të ndryshme të historisë shqiptare dhe nga ana tjetër ai është edhe një polemist që vë në bazë jo retorikën, por dokumentin, jo trillimet historike përgjatë më shumë se katër dekadave të regjimit diktatorial, por dëshmitë e faktet reale.

Në pjesën e parë të prozës publicistike kryetemë e autorit është çështja kombëtare dhe për këtë ai sjell një mori trajtimesh, mes të cilave “Historinë nuk mund ta rishikojnë falsifikatorët”, “Fryma armiqësore e ithtarëve të mosbashkimit kombëtar”, “A mund të qetësohet Ballkani”, “Ahmet Zogu: Atdheu mbi të gjitha”, “Shqiptarët në shekullin XX”, “Në Kosovë, mes vëllezërve”, “Politikë e vjetër greke në shpërthim të ri”, “Kumanova ka qenë dhe do të mbetet shqiptare”, “Janullatusi s’ka për të folur kurrë shqip”, “Përpara Mauzoleut të Familjes Mbretërore”, “Pejani që flijoi jetën për lirinë e Kosovës”, “28 Nëntori – festë në Belgjikë, mefshtësi në atdhe”, “Fluturoj për Kosovën”, “Çka pritet nga Venizellosi në Tiranë” etj

Pjesa e dytë e librit spikat për zhbirimet kulturore, në të cilat autori hedh dritë për Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë të Belgjikës, për kabanë përmetare në Pallatin e Arteve të Bukura, për dimensioned ndërkombëtare të fotografit Asllan Krasniqi, për poetin e veçantë Ali Podrimja, për Shoqatën Shqiptare “Ardhmëria” në Sint-Niklaas, për “FC – Kosova” si vatër të edukimit të fëmijëve shqiptarë në Bruksel, për ekspozitën e artistëve shqiptarë në Namyr, përurimin e gazetë së re “Albania” në Bruksel, publicistikën e Agim Gjakovës, etj.

Në pjesën e tretë Eden Babani i rikthehet sërish çështjes kombëtare me një varg artikujsh, kronikash apo reportazhesh ku veçohen “Festë në Bruksel për Pavarësinë e Kosovës”, “Në përkujtim të atdhetarit Muharrem Bajraktari”, “Mbrojtja e hebrenjve nga shqiptarët – faqe e ndritur e Besës”, “Mjaft me frymë ndasie antishqiptare”, “Shqiptarja ‘belge’ synon majat e politikës europiane, “Atdheu dhe biznesi i zonjës Ameti”, “Me shpirt atdhetari”, “Homazh për të paharruarin Gani Azemi”, “Të rehabilitohen figurat kombëtare” , etj

Edhe në kohën kur janë botuar, por edhe tani të pëmbledhura në një vëllim shkrimet krijojnë një përfytyrim të qartë për formimin e gjerë kulturor të autorit, për mënyrën e evidentimit të periudhave më të rëndësishme të historisë duke rilartësuar personalitetet e mëdha të hapësirës shqiptare dhe duke qenë kritik për protagonistët politikë që e kanë Shqipërinë të izolur nga Perëndimi dhe nga vlerat euro-atlantike.

Faqe interesante të librit janë edhe ato kushtuar mbretërisë dhe Ahmet Zogut, që arriti të ngrinte një shtet dinjitoz përballë fqinjëve dhe kontinentit të vjetër duke ripërtërirë edhe një herë lidhjet dhe bashkëpunimin me shtet të fuqishme perëndimore.

Në librin publicistik zënë vend edhe profile të artistëve të veçantë që autori i ka njohur personalisht dhe që për të përbënin një detyrim jo vetëm moral duke i risjellë për lexuesit me mbresa, emocione dhe më faktet që dalin për herë të parë.

Please follow and like us: