Albspirit

Media/News/Publishing

Kufijtë shqiptarë si politikë dhe plan biznesi i Austrisë

Koha Ditore  publikon sot një opinion të diplomatit të njohur austriak Wolfgang Petrisch. I konsideruar si një njeri i afërt me qëndrimet shqiptare për Kosovën, Petrisch është përfolur së fundmi për ndryshimin e qëndrimit të vet dhe përafrimin me idensë serbo-thaçiane të shkëmbimit të kufijve. Në opinionin e tij, Petrisch përmend dy elementë bazë: së pari se klima në Ballkan po afirmon frymën e kompromisit mes shteteve duke nisur me rregullimet e mosmarrëveshjeve mes Maqedonisë dhe Greqisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë si dhe Kosovës dhe Malit të Zi.

Së dyti, se një marrëveshje të tillë sipas Petrich do të zgjidhte veton e Rusisë në OKB ndaj anëtarësimit të Kosovës, meqenë se Kremlini ka deklaruar se çdo aprovim i Beogradit do të sillte automatikisht njohjen e tij të Kosovës. Teksa pranon se shkëmbimi i territoreve nuk zgjidh asgjë në vetvete, diplomati e rekomandon atë duke u nisur ndër të tjera nga ky arsyetim:

…presidencës austriake të BE-së do t’i shkonte për shtat që në nëntor të 2018-s, njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore – të kremtojë fundin e konfliktit ballkanik përmes një deklarate detyruese të nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit. Kjo mund të përfshijë edhe korrigjimet e mbetura të vogla kufitare, sikurse ndërmjet Serbisë dhe Bosnjës, përkatësisht ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi, por gjithashtu edhe ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë, si dhe të përfshijë riafirmimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës. Në këtë krizë thënia e amortizuar e ndërtimit të urave lidhëse më në fund do të kishte kuptim

E parë kështu, e gjitha kjo që po ngjet ngjan si një amendimi  definitiv i Konferencës së Londrës së vitit 1913 ku pararendësja e Austrisë, Austro-Hungaria, luajti një rol kryesor, ndonëse në finale ajo arriti vetëm të ruante vijën vertikale të interesave të saj nga Dalmacia në detin Jon me gjymtime thelbësore të territorit shqiptar. Është shkruar tashmë p.sh se Prizreni u shkëmbye me Shkodrën, apo se Saranda me Himarën u ruajtën në funksion të shtetit viabël dhe aspektit strategjik të këtij rripi për hinterlandin shqiptar në zonën e Gjirokastrës.

Patjetër që sot nuk jemi në të njëjat kushte. Por filozofia është e njëjta. Ata që vizatuan Ballkanin e atëhershëm në kërkim të ekuilibrit të tyre, sot po e bëjnë këtë në emër të paqes afatgjatë. Është për t’u theksuar gjithsesi se aktorë kryesorë në lojën e sotme janë austriakët. Mungon në dukje interesi i Italisë, i Francës apo edhe Anglisë, ndërkohë që Gjermania po këmbëngul për mosndryshim kufijsh.

Austriakët janë në krye të këtij procesi që në fakt favorizon Serbinë e cila që nga Çubrilloviçi e më këtej e ka patur parim të qartë ndarjen e kufijve me shqiptarët në vija që sipas tyre do të rregullonin hapësirat historike të pretenduara prej serbëve.  Johannes Hahn që e frymëzon këtë politikë me “shushatjen” e vet publike vjen nga e njëjta parti ku sot drejton kancelari Sebastian Kurz. Partia Popullore e Austrisë është e njëjta që në vitet ’90 përmes një prej anëtarëve të vet më të njohur kërkoi nga Sllovenia që t’i bashkohej Austrisë.

Vjena ka patur një politikë të qartë pro shpërbërjes së Jugosllavisë. Duke luajtur si zëdhënëse edhe e Gjermanisë ajo njohur në mënyrë të njëanshme Slloveninë dhe Kroacinë duke rikthyer për një koniçidencë historike gjeopolitikën e fragmentarizuar në kufijtë e saj jugorë. Kurz ishte ndër ata që bëri karrierë të shpejtë duke imponuar deri diku politikat e veta për kufijtë dhe migracionin, ndërkohë që ka edhe dy elementë që duhen marrë në konsideratë: marrëdhëniet shumë të ngushta dhe të përfolura mes Austrisë dhe Rusisë dhe rritja e peshës ekonomike të Austrisë në Serbi.

Është shkruar shumë se qysh nga ardhja në pushtet e Vladimir Putinit, Vjena ka hapur dyert për penetrimin e bizneseve ruse që përndryshe në Europë nuk janë parë mirë. Nga ana tjetër, edhe në shkurt të këtij viti, presidenti serb, Vuçiç do të deklaronte se në Serbi janë 450 kompani austriake dhe se “Austria mund të mbështetet përherë te Serbia në forumet ndërkombëtare”.

Duhet shtuar këtu se në Austri jetojnë diku te 200 mijë – 300 mijë qytetarë me origjinë serbe që përbëjnë komunitetin e dytë pas turqve.
Sigurisht që Austria nuk ka as fuqinë dhe as kapacitetin të diktojë zgjidhje të njëanshme. Por ajo është mesa duket fuqia e vetme historike europiane që ka interesa të vërteta ekonomike në Ballkan dhe që e sheh Rusinë si pjesë e një arkitekture të re për sigurinë e Europës. Një gjë të tillë e vlerëon së fundmi edhe presidenti francez Macron. Nuk është rastësi që Petrisch në shkrimin e vet thekson se ka marrë garanci dhe thekson se çdo marrëveshje duhet të garantojë integritetin e Bosnjes, një vend kyç ky si në planin historik, ashtu edhe për interesat e një tjetër lojtari si Turqia.

Këto janë arsye ndoshta të përgjithshme, por ato shpjegojnë më mirë se çdo gjë tjetër faktin se asnjë prej diplomatëve europianë nuk u kap në befasi kur papagalli Hashim Thaçi propozoi idenë e korrigjimit të kufijve. Ajo që të lë me shije të hidhur është ndjesia se si përherë shqiptarët ngjajnë si më pak të vlefshëm se të tjerët, sidomos kur merr parasysh se luftërat në Jugosllavi mbajnë vulën e krimeve monstruoze për të cilat tashmë nuk flitet më. Ishte po kjo Europë që dëshmoi me cinizëm shpërbërjen e dhunshme të një shteti që e krijoi po me dhunë vetë. Dhe është kjo Europë që sot merr lapsin, e vë atë në dorë të argatit të radhës në Kosovë, i jep mbështetje, e sajdis dhe miklon, e mandej merr atë që do. Historia e kësaj që po ndodh është çështje biznesi diku tutje, ku prodhohet fabula e demokracisë që shitet këtej nga ne më shtrenjtë se kudo tjetër. Vetëm se në Ballkan është vërtetuar se kufijtë nuk bëhen dot çështje biznesi. Dhe se çdo formulë që pretendon paqen duke eliminuar “çikërrimat” rrezikon të zhubroset sa hap e mbyll sytë. Në fund të fundit në epokën e Trump, po hyre në Pazar duhet të ndërrosh 100 lëkurë rrugës.

Please follow and like us: