Albspirit

Media/News/Publishing

PD: Qeveria në 8 muaj shpenzoi 11.3 miliardë lekë për makina dhe luks

Partia Demokratike prej pak javësh ka vendosur kryeministrin Edi Rama në qendër të akuzave për shpenzime luksi nga ai dhe ministrat e qeverisë së tij. Sot nga selia blu, deputetja Lealba Pelinku akuzoi qeverinë Rama se ka shpërdoruar 11.3 miliardë lekë për makina dhe udhëtime luksoze, aq sa është edhe fondi për ndihmën ekonomike që u jepet familjeve në nevojë.

“Kjo është qeveria që në vetëm 8 muaj të këtij viti ka shpenzuar 11.3 miliardë lekë, aq sa vlera e Ndihmës Ekonomike në Buxhet, vetëm për serviset e luksit të automjeteve të qeveritarëve. Në vetëm 8 muaj 20 miliardë lekë i janë hequr shqiptarëve për të blerë a marrë me qira automjete me specifikime që sheikët dhe bosët e mafies ia lejojnë vetes”, tha Pelinku.

Sipas PD, Rama i jep të drejtën zyrtarëve të tij që “të udhëtojnë si turistë klasi nga një qytet në tjetrin, duke dhënë spektaklet e radhës me një popull që nuk ushqen dot fëmijët”.

“Ndërsa Shqipëria kryeson turpshëm listën e vendeve të varfra, qeveria Rama për pesë vite ka vazhduar praktikën e shtimit të luksit për interesa personale, praktikën e shpërdorimit të parasë publike për luksin personal. Rama urdhëroi shpërdorimin e miliarda lekëve të marra borxh nga FMN, duke i kthyer në bojë për fasada, duke rritur borxhin publik në kufijtë më të lartë në histori. Por grabitja nga korrupsioni nuk ndalet me miliardat në të ashtuquajturën rilindjen urbane. Vetëm për vitin 2018 qeveria e tepsisë Rama, ka shpenzuar 25 milionë euro për blerje apo qira makinash për zyrtarë e qeveritarë. Ndërkohë që prej vitit 2014 kjo vlerë shpenzimesh luksi kap shifrën marramendëse prej 61.2 milionë euro”, denoncon PD.

Pelinku nuk u ndal vetëm tek qeveria por akuzoi edhe institucione të tjera, si AKU dhe AKT, që sipas saj kanë përvetësuar 188 milionë lekë nga buxheti i shtetit vetëm për dy limuzina luksoze.

“Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga vetë qeveria, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka shpenzuar nga buxheti i tij, 88 milionë lekë për një limuzinë Sedan, ndërkohë që Agjencia Kombëtare e Turizmit, një tjetër çerdhe korrupsioni e Edi Ramës, ka shpenzuar 100 milionë lekë për 1 automjet të vetëm. Këto dy institucione janë vetëm disa nga lista e gjatë e atyre segmenteve të qeverisë që abuzojnë, keqpërdorin paratë e shqiptarëve, ndërkohë që 38% e shqiptarëve kanë shpenzuar më pak për ushqimet e tyre e të fëmijëve të tyre”, shtoi deputetja demokrate.

Akuzat e saj u drejtuan edhe nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi, pasi sipas Pelinkut, Kuvendi i Shqipërisë ka shpenzuar “113 milionë lekë për një automjet Sedan pa iu dridhur dora, ndërkohë që nuk ka parà për të persekutuarit e pronarët e nëpërkëmbur”.

Please follow and like us: