Viron Kona: Breshka mburravece
Breshka mburrej nëpër pyll se ishte më e forta,
se zhguallin askush s’mundej t’ia copëtonte,1)
kafshët edhe shpendët “ta bënin mendjen top”,
se sundimi dhe qeverisja vetëm asaj i takonte.
Shqiponja syçelët mburrjet e breshkës i dëgjoi,
nënqeshi dhe përshkoi si shigjetë ajrin dhe retë,
iu sul, me thonj e rrëmbeu dhe në qiell e ngriti,
pastaj e lëshoi poshtë, te një shkëmb i mprehtë.
Zhgualli i breshkës u dërmua e u bë copa – copa,
atje ku ra, zogjtë uleshin e ngriheshin fluturim,
rënkimin “eh, këto mburrje” e përpiu nëntoka,
ca gjethe të thata fëshfërinin n’shkëmb si vajtim.
————————-
1). Zhgualli i shërben breshkës si mbulesë mbrojtëse.
Please follow and like us: