Albspirit

Media/News/Publishing

Basha: Krimi i lidhur me qeverinë, platformë për të dalë nga kjo situatë

Shtypja dhe çmontimi i krimit, ishte kryefjala e Lulzim Bashës nga Shkodra ku ishin mbledhur gjithë aleatët e PD. Duke ngritur alarmin për situatën e vrasjeve në këtë qytet, Basha tha se nuk ka asgjë për të ndarë me qeverinë kur vjen puna për të luftuar krimin.

Basha foli për një platformë politike për shkëputjen e krimit nga politika, por nuk dha shumë detaje si do jetë kjo platformë.

“Në ditët në vijim, do të formulojmë aksionin, objektivat për këtë situatë”, deklaroi kreu i PD-së.

“Në më pak se 3 muaj kanë ndodhur 6 vrasje mafioze dhe janë rrëmbyer 2 persona. Kjo është situata në Shkodër. Këtu duhet të ishte kryeministri, jo për të shitur mend dhe për të bërë batuta, por për të raportuar arrestimin e kriminelëve që kanë 6 muaj që terrorizojnë Shkodrën. Por Rama nuk mund të jetë këtu, është në Tiranë me Çyrbjen, Taulant Ballën e Fatmir Xhafën”, deklaroi kreu i PD-së, Basha.

Më tej, kreu i PD-së theksoi: “Rama bashkëpunoi haptasi me familjen kriminale Bajraj që ka kthyer Dobraçin në zonë lufte. Një lagje e Shkodrës e vënë nën kontroll nga bandat. Shteti është ulur në gjunjë te krimi. Rama-Xhafaj janë kryeministër dhe ministër në letër, por kontrollin e shtetit e kanë bandat. Ky është realiteti në Shkodër, Vlorë, Fier, Durrës dhe Shijak. Janë qëlluar gazetarë, janë rrëmbyer e zhdukur qytetarë e gazetarë. Situata është totalisht jashtë kontrollit sepse shtetin e kontrollon krimi i organizuar”./gsh.al/

Please follow and like us: