Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Ksenofobia antieuropiane e Tiranës

Ministri i brendshëm i Italisë, Matteo Salvini deklaroi se 20 emigrantët nga Eritrea që aktualisht janë në territorin Italian do të dërgohen në Shqipëri edhe pse Brukseli është shprehur kundër. Kërcënimi i përfaqësuesit të të djathtës italiane për të thyer legjislacionin e BE-së për emigrantët është bërë real, duke patur parasysh qëndrimin e qeverisë shqiptare, e cila, pa ia kërkuar kush, vendosi që të bashkëpunojë për të deportuar me forcë dhe kundër dëshirës së tyre 20 emigrantët afrikanë në fjalë.

Sjellja e qeverisë shqiptare hap jo vetëm një precedent të rrezikshëm për dëbimin e dhunshëm të mijëra emigrantëve të tjerë nga Europa drejt një vendi ku nuk ka asnjë kusht për strehimin e azilkërkuesve, por nga ana tjetër dëmton qartazi interesat dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në. Tutkunët e qeverisë sonë që nuk punojnë dot për vendin e tyre, të etur për një çikë vëmendje ndërkombëtare, po përpiqen të hyjnë si provokatorë e si pykë në konfliktet politike të aleancës europiane. Për çfarë qëllimi tjetër bëhen këto veprime? Po tē ishte në të mirë të emigrantëve, përse ata e kundërshtojnë dhe e refuzojnë “bujarinë” e qeverisë sonë?!

Zëdhënësja e BE-së deklaroi se emigrantët nuk mund të çohen në asnjë vend tjetër jashtë territorit të 28 shteteve anëtare pa pëlqimin e tyre, duke përjashtuar kështu Shqipërinë. Siç del qartë shqiptarët nuk po ndihmojnë emigrantët, nuk po marrin as pjesën e tyre propocionale të përgjegjësisë krahas vendeve të tjera të BE-së, por, edhe këtë herë, po përdoren si “mish për top” për llogari të të djathtëve Italianë kundër Brukselit, Macronit dhe politikave e legjislacionit europian për emigrantët!

ZGJIDHJA nuk e harron kurrë kontributin e qeverive dhe të popullit Italian në mikëpritjen e qindra mijëra emigrantëve ekonomikë nga Shqipëria pas vitit 1990. Shumica e këtyre gjysëm milion shqiptarëve janë integruar në shoqërinë italiane, punojnë dhe paguajnë taksat, ndihmojnë familjet e tyre në atdhe dhe përbëjnë një nga pjesët më të rëndësishme të diasporës sonë nëpër botë.

Por ZGJIDHJA nuk mund të harrojë kurrë edhe thirrjet e Salvinit dhe të sillëvezërve të tij ksenofobë për të hedhur shqiptarët në det, apo premtimet e pak muajve më parë kur u zgjodh ministër për të kthyer andej nga kanë ardhur emigrantët e huaj, përfshirë edhe shqiptarët. Shqiptarët do t’i refuzojnë me vendosmëri pazaret e qarqeve të tilla politike që e shohin vendin tonë si zgjidhje pa kosto, apo si një vend pa zot me të cilin mund të bëjnë çtë duan. Të huajt kanë luajtur shumë herë me ne, fyejnë e poshtërojnë nderin dhe krenarinë tonë kur ju duhet duke blerë, përdorur dhe shantazhuar politikanët e ndyrë dhe të korruptuar të Shqipërisë.
#ZgjidhjaPërVendin

Please follow and like us: