Ndue Ukaj: Europa dhe shqiptarët
Ese
Në Europë, asnjë komb nuk ka pësuar më shumë se ne shqiptarët gjatë historisë.
Të ndarë në shumë fe, të fundit bëmë shtet dhe fituam lirinë.
Të fundit dolëm nga komunizmi.
Të fundit ishim dhe jemi në çdo proces.
Të shpërndarë në shumë shtete, rropatemi andej e këndej, pa gjetë një bosullë orientimi.
Sot, kombi shqiptar duket i trullosur dhe i paorganizuar. Ndofta, më i paorganizuari në Europë!
Këto janë dëshmi të forta që tregojnë se, ne vazhdojmë të jemi nxënës këqij të historisë.
Përndryshe, pas gjitha atyre aksidenteve historike që kemi pësuar, ne do të duhej të kishim mësuar shumë dhe do të duhej të lulëzonim, të ishim kampion në shumë fusha, ashtu siç lulëzojnë kombet e tjera të perëndimit.
Por shqiptarët vajtojnë! Dhe kjo të kujton shkrimtarin romantik, Andon Zako Çajupin dhe vargjet e tij:
“Gjithë vendet gëzojnë,
Ti, Shqipëri, pse pushon?
Gjithë vendet këndojnë,
Ti, Shqiptar, pse rënkon”?
Këto vargje bartin makth dhe u rrinë përpara shqiptarëve që rënkojnë për ditë.
Vargjet e Çajupit janë shkruar për shqiptarin e robëruar, por tingëllojnë aktuale, edhe sot, kur shqiptari është i lirë, së paku s’ka pranga robërie, por rënkon, klith, e braktis vendin e vet dhe kërkon një tokë tjetër e premtuar, kah Europa.
Dihet, një romantik si Çajupi, këto vargje i shkruante, që t’i ndizte zemrat e bashkëkohësve në luftën për liri. Por t’i rilexosh sot, pas më shumë se një shekulli, s’ka sesi të mos pezmatohesh, sepse, të duken se janë vargje të kobshme, që paralajmërojnë një fat të keq për shqiptarët: për shqiptarët që rënkojnë.