Ibrahim Hajdarmataj, mësuesi që u dashurua me profesionin e tij
Sejdo Harka & Murat Gecaj
Ibrahim Hajdarmataj është një nga mësuesit që u dashurua me profesionin e tij në një moshë tepër të re. Dëshirën e tij të zjarrtë, për të zgjedhur si profesion të përjetshëm punën e mësuesit, e ka thelluar sentenca e bukur filozofike me vlera universale: “Dija ndriçon mendjen, ndërsa mendja ndriçon botën”, të cilën mësues Ibrahimi e përdor shpesh edhe sot në bisedat e përditshme. Dhe ustai i parë, që i përçon dijet ndër breza, është mësuesi. Që ta meritosh përjetësisht këtë emër të madh, njëkohësisht dhe privilegj, nuk mjafton të mbarosh një shkollë mësuesie, qoftë dhe me rezultate të larta. Rëndësi të veçantë ka pasioni dhe përkushtimi për të ngulitur thellë në mendjen e nxënësve dije të qëndrueshme, me të cilat ata do të ndryshojnë botën. Vetëm kështu mësuesit e apasionuar kanë mundur të gdhendin në kujtesën e nxënësve dhe prindërve këtë emër sa të bukur, aq dhe të vështirë. Me këtë pasion dhe dashuri për dijet dhe nxënësit, ka punuar një jetrë të tërë edhe mësuesi Ibrahim Hajdarmataj, i cili lindi dhe u thinj mes banorëve dhe nxënësve të shkollave të zonave më të thella të Tropojës. Edhe pse ka shumë vite që ka dalë në pension, nuk ndahet për asnjë çast nga kolegët, fëmijët dhe ish-nxënësit e tij. Është kjo arsyeja që, edhe pse ata sot kryejnë detyra të rëndësishme, brenda dhe jashtë vendit, i drejtohen me respekt:”Eja ta pimë një kafe, o mësues Ibrahimi”!Dhe ai kurrë s’ja u bën fjalën dy. Këtë emër të bukur ai e ka ruajtur dhe ushqyer me respekt e dashuri dhe, me punë të palodhur me nxënësit dhe njerëzit e këtyre anëve. Ai, tërë jetën ka synuar që nxënësit e tij t’i bëjë jo vetëm njerëz të aftë, por dhe qytetarë të mirë dhe atdhetarë e njerëz të lirë. I frymëzuar nga filozofia e pedagogut të madh Vv. Vvuard, gjatë punës si mësues, nuk është mjaftuar me tregimin dhe shpjegimin e thjeshtë të mësimit, por rëndësi të veçantë i ka kushtuar demonstrimit, motivimit dhe frymëzimit të nxënësve. Për të, përvetësimi i dijeve të qëndrueshme nga nxënësit, është një zinxhir i pandërprerë. Ajo fillon me dëgjimin dhe përfundon me vetëveprimin e nxënësve për zbatimin dhe përçimin e tyre te njerëzit. -Fëmijët –thotë mësues Ibrahimi-nuk mund të rriten si fidanët në kubikë. Ata duhen trajtuar jo thjesht si objekt, por si subjekt i mësimit dhe edukimit. Fëmijët u ngjajnë fidanëve të njomë. Si të tillë, po nuk i “kalite” në fushat e gjera të jetës reale dhe po nuk i ushqeve me”ajrin dhe ujin e pastër”, nuk do të rriten mendërisht dhe fizikisht të shëndetshëm, por do të zvarriten si “shkurret dhe barërat e këqija”. Ashtu si bujku punëtor dhe i mençur, që rrit bimë të shëndetshme dhe plot bereqet, ashtu dhe mësuesi i ditur e me përkushtim, në bashkëveprim me familjen dhe shoqërinë, përgatit njerëz të aftë dhe të dobishëm për vete dhe për shoqërinë.
Ibrahim Hajdarmataj u lind në mars të vitit 1947, në fshatin Zogaj të krahinës së Bytyçit, në Malësinë e Madhe të Gjakovës të rrethit të Tropojës, në një familje arsimdashëse dhe me tradita patriotike. Gjyshi i tij, për një kohë të gjatë ka qenë shok dhe bashkëluftëtar me Bajram Currin. Është ai, që bashkë me disa shokë të tjerë, e ngritën të parët trupin pa jetë të plakut të maleve, ku ra heroikisht në Shpellën e Dragobisë, për ta përcjellë me nderime në banesën e fundit. Mësimet e para I. Hajdarmataj i mori në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike e kreu në Shkodër. Më vonë ai ka mbaruar Universitetin e Tiranës për gjuhë dhe letërsi shqipe. Prej këtej, ai nisi rrugën e gjatë mbi 40-vjeçare, duke u rënë kryq e tërthor shkollave të zonës së Bytyçit të Tropojës, pa iu ndarë për asnjë çast, deri sa doli në pension. Me dijet dhe vullnetin e tij, ai u mësoi nxënësve dhe banorëve të këtyre anëve si të vrasin analfabetizmin dhe varfërinë, gjakmarrjen dhe egërsinë, pesimizmin dhe pasigurinë dhe u dhuroi atyre përkushtimin dhe gatishmërinë për t’u qëndruar pranë edhe në momentet më të vështira të jetës.
Ibrahim Hajdarmataj, nuk është vetëm një mësues i mirë, por dhe një drejtues i zoti . Shkollat që ai drejtoi, u dalluan për rezultate të larta. Sekreti i performancës së mirë të këtyre shkollave, qëndron tek përkushtimi dhe kompetenca me të cilën ai drejtonte. Ai drejtonte duke udhëhequr me shembullin e një lideri të vërtetë. Në procesin e kontrollit, në plan të parë vinte ndihmën. Është kjo arsyeja që mësuesit dhe kolegët e duan dhe respektojnë edhe sot e kësaj dite. Mësues Ibrahimi, për disa vite me radhë, punoi edhe si punonjës e drejtues kulture, në zonat e thella të vendlindjes së tij. Veprimtaritë e gjera dhe të shumëllojshme kulturore, puna me traditat, lufta kundër gjakmarrjes dhe puna me librin, kanë qenë disa nga drejtimet parësore të punës së tij, në fushën e kulturës. Në veprimtaritë e tij kulturore, ai s’e ka shkëputur për asnjë çast bashkëpunimin dhe marrëdhëniet me shkollat dhe nxënësit. Me ndihmën e tyre organizoi estrada dhe shfaqje teatrale, festival folklorike dhe ekspedita për të mbledhur dhe studiuar traditat dhe traditat më të mira të këtyre anëve. Për zhvillimin e një pune të mirë me librin atë e ka ndihmuar dhe specializimi që ai bëri pranë Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Njohja me thesarin dhe vlerat e librit dhe rrugët për propagandimin e tij, ka bërë që Ibrahimi, edhe sot, që ka vite që ka dalë në pension, bën një punë të lavdërueshme me librin. Sa herë vjen në Tiranë, mbush çamtën me libra, të cilat ja dhurojnë miqtë dhe shokët e shumtë krijues, për t’ja u falur me kënaqësi lexuesve dhe bibliotekave në zonat përreth Tropojës dhe Kosovës.
Ibrahimi, është dhe një publicist i njohur në ato anë. Ai ka një jetë të tërë që shkruan dhe boton në shtypin e ditës. Sot ai kujton me nostalgji gëzimin e veçantë, që ai ndjeu kur pa të botuar në gazetën “Pionieri”, shkrimin e tij të parë. Pas këtij shkrimi, dora e tij s’pushoi së shkruari kurrë. Këto shkrime, të cilët janë me qindra, ai do t’i botonte në gazetat dhe revistat e kohërave të ndryshme si, “Zëri i Rinisë”, “Bashkimi”, “Puna”, “Mësuesi”, “Tirana Observër”, “Nacional”, “Nëntori”, “Revista Pedagogjike”… dhe në disa faqe elektronike. Ka mbi gjysmë shekulli që bashkëpunon me shumë gazeta dhe revista, që botohen brenda dhe jashtë vendit . Ndërsa, që nga viti 1990, ai drejton gazetën lokale të vendlindjes së tij, të cilën e ka pagëzuar me titullin “Ylberi i Zogajve”. Në krijimtarinë e tij publicistike, vend të rëndësishëm zënë reportazhet dhe skicat, opinionet dhe analizat, por veçanërisht temat me përmbajtje pedagogjike e kualifikuese, të cilat i ka referuar në konferenca shkencore, që janë zhvilluar në Tiranë dhe Kosovë, në Fier dhe Shkodër, në Kukës dhe Tropojë. Vitet e fundit ai botoi përmbledhjen me analiza, për krijimtarinë artistike të shkrimtarit Viron Kona me titullin “Blerimi i një fushe, me krijime të bukura”. Ka në proces botimi dy libra të rinj, me shkrime nga përvoja e punës së tij shumëvjeçare si mësues dhe drejtues shkolle. I. Hajdarmataj është dhe një bashkëshort dhe prind shembullor. Edhe pse me vështirësi, ai ka rritur dhe edukuar 5 fëmijë të mirë, të cilët me kujdesin dhe ndihmesën e tij të pakursyer, ata sot kanë përfunduar të gjithë arsimin e lartë dhe punojnë në sektorë të ndryshëm të jetës dhe ekonomisë së vendit. Figurën e mësuesit dhe publicistit Ibrahim Hajdarmataj, e lartësojnë shumë cilësi, por ato që shfaqen më dukshëm, janë sinqeriteti dhe bujaria, mikpritja dhe dashuria që ushqen për të gjithë njerëzit. Kur ai vjen në Tiranë bëhet iniciator i takimeve dhe bisedave të ngrohta me shumë miq dhe shokë. Kur kalon me të rrugëve të Tiranës apo Tropojës, janë të shumtë njerëzit që e përshëndesin dhe ftojnë për kafe. Jo vetëm që askujt s’ja bën fjalën dy, por dhe nuk lejon askënd, që të fus duart në xhep. -Ibrahimi –thotë shkrimtari dhe “Mësuesi i Merituar Bardhyl Xhama -me shpirtbardhësinë e tij të rrallë, të fal edhe shpirtin. Për këto cilësi të rralla dhe veçanërisht, për punë të shquar në fushën e arsimit, kulturës dhe edukimit të brezit të ri, Ibrahim Hajdarmataj është dekoruar 4 herë me Urdhra dhe Medalje.