Albspirit

Media/News/Publishing

Kristo MËRTIRI: Më gjeni një emision televiziv pa Ramën dhe Velinë

 

Pas disa vjetëve si emigrant ekonomik në Perëndim, ditët e fundit, një intelektual shqiptar erdhi mallndezur në Tiranë. Ashtu i vetmuar e përmes detit të meditimit mëmëdhetar, vendosi të kalonte pak orë duke u capitur nëpër shëtitoret e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Por edhe gjetkë ku e thërriste me jo pak drithërima fëmijëria, rinia e parë, kujtimet e ëmbla e të tharta shkollore, dashuria e parë…Hapat sikur po e conin vetiu edhe te Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”, stadium që ka zënë vend jo dosido në historinë e memorien kryeqytetase dhe më tej. U befasua, por edhe u trishtua nga tjetërsimi e sidomos nga kulla shumëkatëshe që do të “arbitrojë” ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare dhe do të vëzhgojë Tiranën si nga maja e Olimpit. Ndërsa pamjet e filmuara do ia dhurojnë vetëm ERTV-së sojlleshë !…Duke kërkuar ca gjurmë të vjetra edhe prapa Stadiumit, më në fund u nis për të gjerbur një kafe pa sheqer te “Venecia”. Nuk ikën shumë sekonda dhe përballë iu fanepsën nishane e sinjale taze të qarkullimit rrugor. Por edhe ca skena të cuditëshme e më pranë xhirimeve kinematografike. Mos vallë po luanin role skenike në natyrë për llogari të ndonjë oligarku në Hollyëood ?! Një ekip jo i madh po bënte prova teknike me regji të posacme e kameramanë të djersitur . Ecje të komanduara para e prapa, majtas e djathtas. Në ballë te ekipit mediatizues : ishte dora vetë Erion Veliaj ! Emigranti fshiu sytë me kurrizin e duarve të argasura dhe bëri përpara i cmeritur, hutues e me plot pëshpërima hakërruese. As kish parë e as kish dëgjuar një aktrim të tillë donkishotesk e amatoresk të ndonjë kryetari Bashkie që cdo kakarisje e kthen në shou mediatik, supermashtrues e rrufjan publik. Një bombardim propagandistik irritues, i përditshëm e aspak shterues për banorët kryeqytetas. Punishte e vecantë bashkie me disa dhjetra nëpunës yzmeqarë që paguhen jo pak cdo muaj me paratë e taksapaguesve të Tiranës ! Ja synimi : Që “lali Eri” të tjetërsohët në yll të pazëvendësueshëm për cdo familje, me hir a pa hir. Intelektuali emigrant u shokua dhe po mërmërinte me veten. Iu fanepsën edhe ata topat me letra higjenike të vërvitura nga duart e ish kryetarit të lëvizjes “Mjaft” vite më parë. Topa që binin pa mëshirë mbi pushtetin e djeshëm të PS ! Gjithnjë sipas valles së njohur hipokrite të pagëzuar si “e pavarur”(?). Nuk rrodhën shumë ujëra dhe një ditë të bukur këta pehlivanë fondacionesh e donacionesh, pushtuan sa hap e mbyll sytë majat e Partisë Socialiste (tabelën kryesore të qitjes nga “Mjafti” hipokrit, tinzar e jezit). Bashkë me Kryetarin mandatdhurues të kësaj force politike me histori jo dosido (sot Kryeministër!). “Pavarësia” e tyre kallpazane u bë copë e thërrime. Teksa emigranti ynë i shkolluar po rrëfente skenat e xhirimit që e pataksën ligësisht e padrejtësisht, unë kujtova episodin e parë dhe të fundit gjatë përpjekjeve durimshumë për të kontaktuar me Bashkinë e Kryeqytetit…

Çfarë ndodhi?

Ishin muajt e parë që po gëzonte kolltukun e Kryetarit sevdalli, duke derdhur pa kursim premtime e betime për transparencën legjitime në shërbim të banorëve që i dhanë votat cudibërëse. Si qytetar, por edhe si gazetar, plot dashamirësi e përgjegjësi profesionale vendosa t’i dërgoj një email te adresa e tij publike, adresë zyrtare që e ftoi vetë njerëzinë t’i shkruanin drejtpërdrejt e pa droje. Fjala ishte për disa miliona lekë të bëra rrush e kumbulla për kamera, aparate fotografike e të tjera takëme servisi. Para se ta përcillja në shtyp komentin rreth këtij fakti, vendosa të dëgjoj edhe burimin përkatës. Shkurt, të mos mjaftohesha vetëm me dëgjimin e një kambane. Ndoshta edhe “ves” i vjetër profesional e personal. Në telefon asnjë nëpunës nuk guxonte të jepte një xhevap të shkurtër për saktësinë e shifrave marramendëse. Shpresa e vetme gulconte te Kryetari i ri fringo, që sic ka pohuar vetë, është i lidhur si mishi me thoin me timonierin Kryeministër. Mirëpo sot e kësaj dite, asnjë lloj përgjigje nuk erdhi ?! As me gojë e as me shkrim, as me tel as me korrier. Tamburatë televizive rreth tij po shtoheshin frikshëm, bashkë me furcat e penelin e “Ramskarenjve” dhe lëpirjet mbështetëse e qelbëse të “Fatligxhafërisë” kryeintrigante e dublante. Kllounada, fasada e maskarada pa anë e fund, që tani kanë përmbytur sidomos emisionet e lajmeve etj. Vecse për mua që i kushtova jetën time medias së shkruar, nuk është e lehtë, e më dhemb shumë kjo situatë paradoksale me zero profesionalizëm, zero dinjitet e zero përgjegjshmëri qytetare. Sidomos kur ekranet televizive kombëtare kërrejnë si simite të gatshme atë siglën tjetër poshtëruese me shkronjat kapitale ERTV dhe vetë të zotët e shtëpisë mediatike ngrohen…në diell !

Thonë se mëndjemadhi e mëndjelehti janë vëllezër. Jo rastësisht “lali Eri” deklaroi se është i lidhur si mishi me thoin me Kryeministrin që dikur pohonte publikisht se “nuk jam politikan”.

-Ore babam, ata janë për t’u pirë dollinë, dëgjo mua, punojnë me diell e me hënë dhe më vjen ligsht që nuk u bënë dot “bukë e fukarasë” sic premtuan, megjithse e ka gjetur aq mirë tenxherja kapakun,- më thoshte pardje te Ura e Tabakëve një miku im i hershëm nga Drashovica e shumënjohur në histori.-Ja, më shkoqit pakëz : Kush e hëngri vallë sapunin për djathë e kush u bë trokë ? Këta rilindistët (jo socialistët), u bënë qysh në sabah si ai prifti me temjanicë. Se bariu i vërtetë njihet edhe nga tufa që nget. Sot kam fituar një bast jo të vockël. Mbrëmë u mbush afati dy mujor i bastit me mëhallalinjtë e mi tiranas te rruga “Bardhyl” : Nuk u kap dot asnjë ditë e asnjë emision lajmesh televizive pa Edi Ramën e Erion Velinë ! Bastin e fitova, por nuk mund ta shtyj thjesht me një teke përmeti e me pak fërgesë tirane… Më gjeni një ekran Shqipërie qoftë edhe një ditë perëndie pa edepsëzët Rama e Veliaj që sundojnë egërsisht e pa pikë mëshire e modestie votuesit e majtë e të djathtë (sa për emërtimin “edepsëz”, mos u sëkëlldisni hic sepse është përdorur kryesisht kuptimi i fjalës “të paturpshëm”),-ky ishte lajtmotivi i atij basti që nisi si me humor dhe u bitis si theror për të vërtetën që mund të hollohet e hollohet e nuk këputet dot. (Vecse baste të tilla kishin marrë udhë edhe nëpër Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë, nga të sëmurë e të shëndoshë!).Fjala vjen, për ekipin luftarak me militantë të thekur e nëpunës propagande në Kryeministri,thonë se është një tjetër tabor më i madh se ai i Velisë dhe paguhen më shtrenjtë. Fabrika të mirëfillta manipulatore që funksionojnë non stop e nuk lenë asnjë ditë eksiq(mangët). Shesin dëngla e vëngla fasadiste me okë. Por edhe “shtresat e paprivilegjuara” thonë se iu kthyen pendimit antifasadë…Kjo lloj reklame sipërane, nuk bëhet për sevap dhe as për atë shtëpinë sidozot në Surel ! Mos vallë është dhunti personale apo prirje e vecantë natyrore e dy liderëve kalanderë ? Madje për guvernatorin e kryeqytetit me nofkën “intime” e plot tringëllime “lali Eri”(dhuratë nga nostalgjikët e dialektit të Shqipërisë së Mesme),tani po përsëritet cdo ditë e më tepër një definicion karriere : Mbani shënim, në garën fluturake të vetdeklarimit fasadist ai konkuron vetëm me Timonierin e Tepsisë rilindiste,garë që po e nxjerr me bereqet mjeshtrin Veliaj ! Disa drejtues të medias elektronike e kanë vendosur në ballë të qoshesë së edicioneve informative të ditës. Se c’farë kontrate gojore a shkresore ka firmosur me pronarët, vetëm Zoti në qiell dhe këta në tokë e dinë. Apo janë thjesht shitblerje “konfindenciale” e pa letra kredenciale, mbi dorë e nën dorë dhe pa zile e këmborë ?!…Kurrizi i taksapaguesve të varfër tashmë është bërë shollë. Të shtunën në mbrëmje, në një birrari të vogël pranë urës te Brryli, ishte ndezur një bisedë me zë të lartë rreth mashtrimeve të Bashkisë nëpër rrugët “Vllazën Huta” e “Arkitekt Kasëmi”. Gati të gjithë të rinj në moshë. Hidhnin fakte konkrete që nxirrnin lakuriq propagandën e dehur të Bashkisë, gënjeshtrat me bisht e pa bisht të reklamave kallpazane e veliane. P.sh. prapa Avokatit të Popullit apo në krah të Komisariatit Nr. 1, disa metra të asfaltuara dobët nuk kanë asnjë centimetër trotuar ! Kur kalojnë automjete, qytetarët detyrohen t’i venë shpatullat murit(majtas e djathtas) dhe presin në ankth shpëtimin nga ndonjë goditje fatale. Mendoni pleqtë e fëmijët ! Por për këto punë gjysmake që kanë rrëmbyer lavdërime mashtruese e fonde publike turbulluese, nuk bëzan askush nga Bashkia apo instanca të tjera shtetërore. Cdo mesditë e cdo mbrëmje zbrazen nga ekranet vetëm “arritje fantastike”(fjala më e shpërdoruar nga Veliaj gjatë aktrimit kulpërak të përditshëm). Shumica etyre, po të lexosh dosjet e secilit në zyrat e personelit, janë të emëruar nëpër detyra të tjera ku marrin rrogat e pamerituara ?! Pelivanllëqe të rëndomta që kanë marrë viston dhe bekimin e Kryetarit mjaftist e rilindist. Më thoni, në cilën Bashki e Kryeministri europerëndimore mashtrohet si këtu në Tiranë ? Përshembull, kush e njeh mirë kamerën televizive, me siguri do të qeshë e përqeshë përballë disa trukeve foshnjore të Ramës e Velisë, që po bëhen realisht gazi i botës së civilizuar. Ekranizime të fantaksura që e quajnë elektoratin “të peshuar eksiq” dhe që kryetari i vogël beson e kujton se të gjithë blejnë e shesin fiq…Ndërsa miku im nga Drashovica i gëzohet fitores së bastit pranë Urës së Tabakëve(jo nëpër ato pikat e mbi katër fishuara gjatë 5 vjetëve të fundit) dhe mbahet fort pas një urtësie labe : Perëndia më ndjeftë, tek fundi i së keqes, është fillimi i së mirës ! Dhe nuk harron të bëjë pyetjen ulëritëse : A më gjeni një ditë dhe një emission lajmesh pa Ramën e Velinë ?…Mirëpo, sic thoshte shpesh në Përmet e paharruara Persefoni (gruaja e mikut tim Viktor Lamani, që iku nga kjo botë në paqe me veten dhe të tjerët):-Dëgjoni, more djem, Perëndia mban vesh, nuk tjerr lesh !…

Please follow and like us: