Albspirit

Media/News/Publishing

Shaban MURATI: Lojërat rurale ballkanike me kufijtë

Teza e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë është një tezë e gabuar për disa arsye. Së pari, sepse bie në kundërshtim me parimin themelor politik, diplomatik dhe juridik ndërkombëtar, të vendosur në konferencat ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë dhe në Londër në vitin 1991, që krijimi i shteteve të reja, të dala nga federata jugosllave, do të bëhej mbi bazën e kufijve administrativë, që kishin pasur në kontekstin e federatës.

 

Prishja e kufijve dhe e shteteve është një lojë e vjetër folklorike e politikanëve ballkanikë. Ndaj kur Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi befas në gushtin e vitit 2018 tezën e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, në fakt ai nuk tha ndonjë gjë të re, por vazhdoi një traditë rurale politike dhe diplomatike ballkanike. Mund të kujtojmë këtu se presidenti i Serbisë, Sllodoban Millosheviq, dhe Presidenti i Kroacisë, Franjo Tuxhman, vizatuan së bashku ndarjen e Bosnjës në një kartopecetë restoranti, kur po darkonin në Londër. Presidenti tjetër serb, Boris Tadiq, gjithashtu i propozoi Zagrebit ndarjen e Bosnjës midis dy shteteve. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë, Gorgji Efremov, me porosi të kryeministrit Lupço Georgievski, hartoi dhe i paraqiti Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në maj të vitit 2001, projektin për ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Madje, kryeministri Lupço Georgievski kishte diskutuar edhe me ndonjë udhëheqës të shqiptarëve ndarjen e Maqedonisë. Për sa i përket Kosovës, ndryshimi i kufijve të saj, nëpërmjet ndarjes, ka qenë një kërkesë konstante prej vitesh, e deri sot, e diplomacisë serbe, që nga Millosheviqi e Koshtunica, e deri tek Daçiqi e Vuçiqi. Deri para bisedimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, edhe disa qarqe të diplomacisë europiane e kishin konsideruar tezën e ndarjes së Kosovës si alternativë me interes. (Shih librin tim “Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës”, 2007, fq.282). Presidenti i Kosovës shkaktoi zhurmë në gusht me tezat e tij për ndryshimin e kufijve, sepse ishte hera e parë që një kryetar shteti i Kosovës përqafonte ide dhe teza, të cilat historia diplomatike i kishte regjistruar si patenta serbe. Interesi për analizën e tezave të presidentit të Kosovës për kufijtë bëhet i natyrshëm për shkak se, në ndryshim nga precedentët e mëparshëm ballkanikë, tani pala propozuese, shqiptarët, dilnin vullnetarë për të sakrifikuar integritetin territorial të shtetit të pavarur të Kosovës.

Këtë bindje ta përforcon triptiku diplomatik, që presidenti i Kosovës e shkallëzoi në harkun e pak ditëve. Në fillim ai doli me tezën që Kosova duhet të bëjë një kompromis të dhimbshëm për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë. Një tezë e pavend, sepse Kosova e ka mbyllur ciklin e kompromiseve të saj të dhimbshme me planin Ahtissari, kur pranoi t’i lëshonte pakicës etnike serbe, më pak se dhjetë për qind të popullsisë, rreth 22 për qind të territorit të Kosovës, kur pranoi t’u jepte aforfe pa zgjedhje karriget parlamentare e qeveritare pakicës serbe dhe rolin parlamentar bllokues asaj pakice, kur pranoi pavarësinë e kushtëzuar etj. Shkallëzimi i dytë i triptikut të Presidentit të Kosovës ishte teza e “korrigjimit të kufijve”, që në gjuhën shqipe nënkupton ndryshim të kufijve. Një tezë e pavend, sepse ndryshimi i kufijve shtetërorë ose bisedimet për kufijtë shtetërorë zhvillohen vetëm midis dy shteteve, që e kanë njohur reciprokisht njeri-tjetrin. Kështu ndodhi me Maqedoninë dhe me Malin e Zi, me të cilët Kosova nënshkroi marrëveshje për demarkimin e kufijve pas njohjes së Kosovës si shtet i pavarur nga ana e dy fqinjëve.

Teza e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë është një tezë e gabuar për disa arsye. Së pari, sepse bie në kundërshtim me parimin themelor politik, diplomatik dhe juridik ndërkombëtar, të vendosur në konferencat ndërkombëtare për ish Jugosllavinë në Hagë dhe në Londër në vitin 1991, që krijimi i shteteve të reja, të dala nga federata jugosllave, do të bëhej mbi bazën e kufijve administrativë, që kishin pasur në kontekstin e federatës. Kosova nuk mund ta prishë këtë rregull ndërkombëtar dhe të krijojë një precedent të rrezikshëm me refuzimin e këtij parimi. Teza e ndryshimit të kufijve është në kundërshtim me marrëveshjen e Kumanovës të 9 qershorit 1999, në të cilën Serbia u detyrua të pranonte largimin e të gjithë forcave të saj ushtarake dhe policore nga i gjithë territori i Kosovës, duke dalë jashtë kufijve, që Kosova i kishte pasur si njësi konstituive e federatës jugosllave. Teza e ndryshimit të kufijve bie në kundërshtim me aktin e madh historik të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, i cili sanksionoi sovranitetin dhe integritetin territorial në gjithë territorin e Kosovës, të çliruar më 12 qershor 1999, dhe që përputhej me kufijtë e Kosovës si njësi konstituive e federatës. Teza e ndryshimit të kufijve bie në kundërshtim me vendimin historik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e legalizoi aktin e shpalljes së pavarësisë si të përputhshëm me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të KS të OKB. Teza e ndryshimit të kufijve bie në kundërshtim me Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE-së, të cilat e sanksionuan mosndryshimin e kufijve të shteteve europiane si një nga shtyllat kryesore të rendit të sigurisë europiane.

Shkallëzimi i tretë i triptikut diplomatik të Presidentit të Kosovës ishte se me ndryshim kufijsh ai nënkupton shkëmbimin e territoreve dhe, konkretisht, dhënien e Veriut të Kosovës Serbisë dhe marrjen e Luginës së Preshevës nga Kosova. Është një skenar joreal për shumë arsye. Së pari, duket qartë si një provokim propagandistik, sepse shteti dhe diplomacia e Kosovës nuk e kanë vendosur asnjëherë në rendin e ditës të bisedimeve me Serbinë në Bruksel çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në vitin 2011, kur nisën bisedimet ne Bruksel, i kam sugjeruar udhëheqjes së Prishtinës që të përdorte në bisedimet me Serbinë kartën e papërdorur të Luginës së Preshevës. Prishtina nuk e shtroi asnjëherë në bisedime reciprocitetin e të drejtave dhe të statusit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, kur Beogradi që ditën e parë e shtroi çështjen e pakicës serbe në Veri të Kosovës dhe arriti të shkëpusë lëshimin e madh të krijimit të Asosiacionit të Komunave Serbe, që po kristalizohet sot si një imitim i modelit të “Republika Serpska”. Nuk mund të konsiderohet si propozim serioz, kur shteti dhe diplomacia që nuk e ka shtruar në tratativat me Serbinë në Bruksel çështjen e të drejtave dhe të statusit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, del befas dhe i hedh publikut shqiptar në gushtin e 2018 përrallën e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Triptiku diplomatik veror i Presidentit të Kosovës në asnjërën pjesë të tij nuk krijon bindje për një nismë të re diplomatike ose për një avancim të pozitave biseduese të Prishtinës me Beogradin. Për këdo, që ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë në 20 vitet e fundit, e di fare mirë se idetë verore 2018 të Prishtinës për ndryshimin e kufijve me ndarjen e Kosovës, duke dhënë Veriun, janë në qarkullim diplomatik prej kohësh nga diplomacia serbe. Është vendi t’i kujtojmë lexuesit se ndarja e Kosovës është paraqitur së pari nga regjim i Millosheviqit, i cili në fund të pranverës së vitit 1999, kur me fushatën ajrore të NATO-s kundër Serbisë po bëhej e qartë se finalja do të ishte largimi i Serbisë nga e gjithë Kosova, nxori zëvendëskryeministrin e tij, Vuk Drashkoviq, që të dilte me propozimin që Kosova të ndahej dhe Serbia të merrte një të tretën e saj. Për ndarjen e Kosovës doli me propozim në vitin 2011 edhe Presidenti serb, Boris Tadiq, i cili u deklarua i gatshëm të pranonte edhe “Shqipërinë e Madhe”, vetëm që Serbia të merrte gjysmën e Kosovës, ndërsa gjysmën tjetër ishte gati t’ia jepte Shqipërisë.

Enigma më e madhe e stuhisë në gotë, që ngriti Presidenti i Kosovës, është se cila është arsyeja, që ai po ngutet dhe po nxiton për arritjen sa më parë dhe me një kosto të rëndë të marrëveshjes përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Ngutja favorizon Serbinë, sepse ajo ka nevojë që ta zgjidhë sa më shpejt konfliktin me Kosovën dhe ta çelë derën e anëtarësimit në BE. Në këtë ngutje idiote, që i duhet Serbisë, por jo Kosovës, Prishtina po harron disa shtyllat të epërsisë së saj diplomatike dhe strategjike: 1) Që Serbia është shteti agresor, kundër të cilit Aleanca Atlantike ndërmori ndërhyrjen humanitare ushtarake në 1999 dhe e çliroi Kosovën; 2) Që Serbia ka nevojë për Kosovën tani, ka nevojë më shumë se Kosova për marrëveshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve, sepse marrëveshja është veto e pranimit të Serbisë në BE; 3) Kosova i ka ezauruar kompromiset e saj të dhimbshme me planin Ahtisaari para se të bëhej shtet i pavarur dhe nuk mund e nuk duhet t’i përsërisë ato tani që është shtet; 4) Tribunali më i lartë gjyqësor i OKB-së, GJND, e ka legalizuar pavarësinë e Kosovës në 22 korrik 2010 si të përputhshme me ligjin ndërkombëtar dhe me rezolutën 1244 të OKB-së.

Kosova i ka bërë një dhuratë të madhe Serbisë me bisedimet “në vend numëro” me të në Bruksel, të cilat i mundësuan Serbisë marrjen e statusit të shtetit kandidat dhe hapjen e bisedimeve të pranimit me BE. Ndërkaq Kosova, në shkëmbim, nuk mori ndonjë arritje politike ose lëshim politik nga Serbia. Gabimi kryesor, që po bën Prishtina, është nxjerrja në plan të parë e çështjes efemere të korrigjimit ose ristrukturimit të kufijve ose shkëmbimit të territoreve, duke fshirë kërkesën primare dhe kryesore, që është njohja reciproke e dy shteteve. Objektivi primar i njohjes nga Serbia të shtetit të pavarur të Kosovës, që duhet të kishte qenë finalja e bisedimeve të Brukselit dhe e një marrëveshje reale normalizimi, befas është spostuar prapa listës për t’u zëvendësuar me temën folklorike të ndarjes së kufijve, temë ku dehen të gjithë udhëheqësit ballkanikë. Vetëm presidenti serb nuk duket i dehur në këtë katrahurë diplomatike ballkanike, sepse ai flet për korrigjim kufijsh “midis shqiptarëve dhe serbëve” dhe jo midis dy shteteve, sepse për Beogradin fjala është për një ndarje të re administrativo-territoriale të Serbisë, ku Kosova llogaritet si provincë serbe.

Gabimi tjetër është prishja e prioriteteve, duke hedhur tezat filoserbe të rihapjes së çështjes së statusit të Kosovës. Kjo do të thotë të vësh vetë në dyshim realitetin juridik, politik dhe gjeografik të shtetit të Kosovës dhe ta fshish pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. Këtë e synon dalja me idenë e një konference ndërkombëtare të tipit të Rambujesë. Pavarësisht naivitetit të referimit te konferenca e mëparshme diplomatike, që nuk ka asnjë lloj ngjashmërie me temën e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë, çështja shtrohet pse dikush dëshiron ta përmbysë rendin e gjërave dhe ta kthejë mbrapsht historinë, duke u rikthyer 20 vjet apo 12-13 vjet mbrapa, kur nisën bisedimet ndërkombëtare për statusin e Kosovës. Serbia dhe Rusia kanë 20 vjet që i bien këtij kavalli diplomatik. Doli edhe një zëdhënës profan i OKB më 1 gusht 2018 dhe foli si zëdhënës i Rusisë për “bisedime për statusin”. Ata, që bashkë me Serbinë kërkojnë Rambuje, synojnë ta fusin Rusinë në tryezën e bisedimeve dhe në Ballkan. Ndaj është e papranueshme që t’i hapet rrugë në mjediset politike dhe mediatike të Kosovës një ideje kaq të mbrapshtë. Rambujeja sot është BE, e cila duhet t’i përmbahet kushtit zyrtar, që i ka vënë Serbisë, se nuk ka anëtarësim në BE pa e njohur shtetin e pavarur të Kosovës. Një tezë e rrezikshme, e hedhur në qarkullim në Prishtinë, për të justifikuar tezat e ndryshimit të kufijve ose të shkëmbimit të territoreve, është ajo që nëse Kosova dhe Serbia merren vesh midis tyre, nuk ka pse ta pengojë as SHBA-ja dhe as BE-ja. Kjo tezë kërkon të krijojë alibinë se gjoja Perëndimi po mbështet ndryshimin e kufijve, gjë aspak e vërtetë, siç e konfirmoi me forcë publikisht me deklaratën kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, në takimin e saj me kryeministrin e Bosnjë-Hercegovinës në muajin gusht.

Ndryshimet e kufijve të shteteve në Ballkan janë operacione të mëdha gjeopolitike, që lidhen me veprime, me interesa dhe me vendime të fuqive të mëdha dhe jo të lojtarëve të vegjël lokalë. Blofet lokale diplomatike për konsum propagandistik ose politik nuk ndikojnë në vendimmarrjet e faktorit perëndimor. Kufijtë e shteteve të Ballkanit janë ndryshuar vetëm me dy mënyra. 1) me luftëra siç qenë luftërat ballkanike, kur Serbia pushtoi dhe aneksoi Kosovën ose Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore: dhe 2) me vendime të fuqive të mëdha të tipit të Konferencës së Londrës, Traktatit të Shën Stefanit, Traktatit të Bukureshtit etj. Asnjë shtet i Ballkanit nuk e ka fituar vetë pavarësinë dhe kufijtë e tij, por ia kanë caktuar fuqitë e mëdha. Kjo ndodhi edhe me prishjen e federatës artificiale jugosllave, sepse po të ishte për Serbinë, as edhe sot e kësaj dite nuk do t’i kishte njohur as shtetet dhe as kufijtë e shteteve, që dolën nga ish Jugosllavia. Gjeopolitika ballkanike varet nga BE-ja dhe nga NATO, e jo nga lojërat rurale ballkanike me kufijtë.

Please follow and like us: