Albspirit

Media/News/Publishing

Ardian Dvorani: E vërteta e pasurive të mia

 

 

 

Në lidhje me analizën dhe gjetjet e Raportit të këtij Komisioni “Rezultatet e Hetimit Paraprak”, si edhe për analizat dhe gjetjet e Raporteve të dërguara për shqyrtim pranë këtij Komisioni nga ILDKPKI dhe IKLD, kam paraqitur me shkrim, shpjegime të hollësishme, për sa i përket pjesëve “Vlerësimi i Pasurisë”, “Vlerësimi i Aftësive Profesionale” dhe pjesës “Denoncime nga publiku”.

Prandaj, në këtë seancë dëgjimore, mendoj të parashtroj, në mënyrë më të përmbledhur, disa nga argumentet që, në vlerësimin tim janë të rëndësishme, vetëm në lidhje me konstatimin përfundimtar të ILDKPKI për “fshehje të pasurisë”.

– Fillimisht, më lejoni të shprehem se pajtohem me konstatimet dhe gjetjet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të shprehura në Raportin “Rezultatet e Hetimit Paraprak”, në pjesën “Vlerësimi i Pasurisë”, ku bazuar në hetimin e thelluar administrativ, krahas konkluzionit që nuk rezultojnë dyshime për ligjshmërinë dhe burimet e krijimit të tö gjitha pasurive, me të drejtë janë gjetur edhe dy pasaktësitë në deklarime në të dhënat për banesën e privatizuar nga unë dhe familjarët e mi, në vitin 1993.

– Gjithashtu, pajtohem në tërësi edhe me gjetjet e këtij Komisioni të nderuar, në Seksionin “VITI 2003”, me analizën financiare dhe tabelën përkatëse, sipas të cilës, nuk rezultojnë probleme financiare edhe për këtë vit deklarimi.

– Vërej se bazuar në analizat financiare përkatëse, ky Komision ka ardhur në përfundimet pozitive edhe për të gjitha vitet e tjera kalendarike të kontrolluara, sikurse janë të pasqyruara në Tabelën e gjendjes financiare të subjektit të rivlerësimit dhe të personave të lidhur, të vendosur në faqen 10 të Raportit Tuaj.

******

– Çështja ku vlerësoj se duhet të ndalem, janë vetëm dy gjetjet faktike të ILDKPKI për mospërmbushje të detyrimit për deklarimin e likuiditeteve dhe përfundimin përkatës se është kryer “fshehje të pasurisë”.

Sipas ILDKPKI, nga njëra anë, është konstatuar se në Deklaratën e Pasurisë për Procesin e Rivlerësimit nuk ka asnjë deklarim lidhur me likuiditetet. Nga ana tjetër, është konstatuar edhe që subjekti i rivlerësimit, bashkëshortja dhe prindërit si persona të lidhur kanë likuiditete që gjenden në llogaritë përkatëse bankare në emër të secilit prej tyre.

Bazuar vetëm në këto dy gjetje të faktit, por pa kryer asnjë lloj veprimi tjetër procedural e verifikues nga ato që ia ngarkon ligji për situata të tilla, ILDKPKI ka ardhur, aty për aty, në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka kryer “fshehje të pasurisë”.

Së pari, pajtohem me gjetjen e ILDKPKI se në Deklaratën e Pasurisë për Procesin e Rivlerësimit nuk gjendej asnjë deklarim lidhur me likuiditetet. Ky është fakt.

Së dyti, pajtohem edhe me gjetjen tjetër faktike të ILDKPKI se, bazuar në informacionin e ardhur nga sistemi bankar, unë si subjekt rivlerësimi, bashkëshortja dhe dy prindërit e mi, kemi likuiditete, ato gjenden në llogaritë bankare përkatëse në emër të secilit, sikurse edhe për vlerën monetare të gjetur në këto llogari. Edhe këto janë fakte.

Së treti, në një gjendje të tillë të faktit, nëse gjykimi duhet të mjaftohej vetëm në anën objektive, e theksoj këtë, sepse është njëri elementët dhe kriteret e detyrueshme të gjykimit, atëherë edhe unë do të pajtohesha me përfundimin që mosdeklarimi i likuiditeteve që ekzistojnë dhe gjetja e tyre nga organi i kontrollit nëpër llogari bankare në emër të subjektit dhe personave të lidhur, do të përbënte rastin më ekstrem të shkeljes së ligjit administrativ dhe njëkohësisht atij penal – atë të fshehjes së pasurisë.

*******

Të nderuar anëtarë të Komisonit të Pavarur të Kualifikmit,

kjo ishte gjendja e faktit lidhur me përmbajtjen e Deklaratës së Pasurisë dhe ecurinë e zhvillimit të hetimit administrativ, nga momenti i dorëzimit të kësaj Deklarate pranë ILDKPKI, pra në datën 31.01.2017, deri në momentin kur, në datën 17.11.2017, më rezulton që ky Inspektorat ka dërguar Raportin përkatës të Kontrollit pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Vlerësoj se ka rëndësi të evidentoj edhe që është fakt se, gjatë kësaj periudhe kohore kontrolli dhe hetimi administrativ, nuk ka pasur asnjë lloj komunikimi, të çfarëdoshëm, ndërmjet meje si subjekt rivlerësimi dhe personave të tjerë të lidhur, si me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ashtu edhe me ILDKPKI apo edhe me cilindo institucion ose subjekt tjetër të përfshirë me detyrime në procesin e vetting-ut .

Gjithashtu, sipas gjykimit tim, vlen të veçoj edhe se, nga ana e ILDKPKI, nuk jam thirrur asnjëherë dhe as nuk më është kërkuar ndonjë shpjegim lidhur me plotësinë, saktësinë dhe qartësinë e Deklarimit të Pasurisë. Kjo përbën njërën nga kompetencat, njëkohësisht njërin nga detyrimet që, vetë ligji i posaçëm me nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve….” në lidhje me ligjin nr. 9049/2003, ia ngarkon ILDKPKI-së ta zbatojë në veprimet dhe procedurën e kontrollit të pasurisë edhe për procesin e vetting-ut.

Së fundi, bazuar edhe në vetë të dhënat e siguruara në hetimin administrativ të realizuar nga ILDKPKI, vlerësoj se duhet evidentuar që, me përjashtim të pjesës së arsyetimit mbi mungesën objektive të deklarimeve për likuiditetet, Raporti i këtij institucioni, ka ardhur në përfundimet se pasuritë dhe burimet e të ardhurave janë të ligjshme dhe se të gjitha të dhënat e tjera të deklaruara janë të sakta e të përputhura me deklarimet e mëparshme periodike të pasurisë.

******

Në vijim të parashtrimeve më sipër, lidhur me gjendjen e faktit, vlerësoj të shpjegoj përpara jush të nderuar Komisionerë se, gjatë gjithë periudhës pas dorëzimit të Deklaratës së Pasurisë në ILDKPKI nuk e kam verifikuar ndonjëherë përmbajtjen e saj.

Nga njëra anë, kjo për shkakun se në përgatitjen dhe plotësimin e Deklaratës, sigurimin e dokumentacionit ligjor shoqërues dhe organizmin e tij ishim të sigurtë se ishin kryer të gjitha veprimet e nevojshme.

Nga ana tjetër, nisur edhe nga vetë zgjedhjet tona mbi mënyrën e jetesës gjithmonë brenda kufijve të të ardhurave që mund të sigurohen sipas natyrës së punës dhe të profesionit tonë, nuk kishim ndonjë arsye për tu shqetësuar jo vetëm për të përmbushur detyrimin për deklarim të plotë dhe të saktë të pasurisë në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar, por edhe në lidhje me prejardhjen dhe ligjshmërinë e pasurisë, burimet e të ardhurave dhe llojeve e vlerave të shpenzimeve të kryera në vite.

Pas dorëzimit të Deklaratës së Pasurisë në ILDKPKI në datën 31.01.2017, komunikimi i parë që kam pasur me institucionet e rivlerësimit kalimtar ka qenë ai i datës 18.12.2017. Në këtë komunikim, jam njohur me 12 pyetjet e dërguara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, të cilat ishin njëjta për të gjithë subjektet e rivlerësimit në ekzamimin.

Pikërisht, gjatë përgatitjes së këtyre përgjigjeve, për verifikimin e korrektësisë së disa prej të dhënave që përmbanin këto përgjigje, gjykova të konsultohesha jo vetëm me deklarimet e mëparshme periodike vjetore të pasurisë, por edhe me vetë Deklaratën e Pasurisë në Procesin e Rivlerësimit.

Pikërisht, ky ishte momenti kur, duke shfletuar faqet e Deklaratës së Pasurisë konstatova një problem me rubrikat e saj. Ndonëse më dukej e pamundur të ishte e vërtetë, pas verifikimit dhe krahasimit të Deklaratës dhe praktikës dokumentare në kopje fizike me ato të ruajtura në rrugë elektronike, konstatova me shqetësim një ometim të dukshëm dhe tërësor në Deklaratë, por edhe absolutisht jo të qëllimshëm nga ana ime.

Më konkretisht, ndonëse ishin përgatitur dhe plotësuar me të gjitha të dhënat, duke i shoqëruar me dokumentacionin bankar referues, në kopjen fizike të Deklaratës së Pasurisë të depozituar në ILDKPKI në datën 31.01.2017, nuk gjendeshin 4 faqet përkatëse të posaçme sipas modelit të Deklaratës e që përmbanin të dhënat e përgatitura nga ana jonë në lidhje me likuiditetet, si për subjektin e rivlerësimit, ashtu edhe për bashkëshorten dhe prindërit. Për rrjedhojë, në kopjen fizike të Deklaratave të depozituar në ILDKPKI, për secilin Deklarues, mungonin tërësisht të dhënat mbi bankat, numrin dhe llojet e llogarive bankare, si edhe gjendjen e tyre vlerore deri në datën 31.01.2017.

Vlerësoj që nuk është e tepërt të evidentoj se për ne nuk ishte përvoja e parë në plotësimin e një Deklarimi të Pasurisë dhe aq më tepër pjesa e deklarimit mbi likuiditetet. I vetmi dallim nga deklarimet vjetore periodike të pasurisë është që Deklarata e Pasurisë në Procesin e Rivlerësimit ka natyrë thuajse të njëjtë me atë të deklarimit para fillimit të detyrës, kjo për shkak se nuk deklarohen ndryshimet vjetore në pasuri dhe likuiditete, por deklarohen llojet e pasurive, burimi i krijimit dhe gjendja e tyre vlerore në ditën e deklarimit.

Prandaj, edhe ishim të sigurtë për saktësinë dhe plotësinë e Deklaratës së Pasurisë në Procesin e Rivlerësimit, e cila, sikurse jeni në dijeni, është e plotësuar nga ana jonë në mënyrë shumë të detajuar dhe voluminoze, prej 121 faqesh. Madje, për secilën e rubrikë të deklarimit, bashkëlidhur gjenden Anekse përkatëse me rreth 600 faqe me dokumente justifikues sipas ligjit.

Ndonëse, vetë motivi i këtyre shpjegimeve është pikërisht mungesa në Deklaratën e Pasurisë e të dhënave të përgatitura mbi likuiditetet, vlerësoj të evidentoj që, në këtë Deklaratë, pjesa më e lehtë dhe më pak impenjative, jo vetëm për sigurimin e të dhënave bankare, por edhe për ti përpunuar e pasqyruar ato në rubrikën përkatëse, është pjesa e deklarimit të likuiditeteve.

Për shkak të vetë zgjedhjeve tona të thjeshta të jetës, jo vetëm që të ardhurat tona nuk vijnë nga veprimtari e burime komplekse apo shumë të diversifikuara, por edhe çdo hyrje e këtyre të ardhurave dhe daljet e tyre për shpenzime kanë ndodhur dhe ndodhin vetëm nëpërmjet llogarive bankare.

Për rrjedhojë, meqenëse nuk mbajmë “para nën dyshek”, pra mjete monetare gjendje CASH, kuptohet përveç sasive të nevojshme të të hollave për shpenzimet e momentit, rubrika përkatëse e likuiditeteve në Deklaratën e Pasurisë kërkonte vetëm mbledhje të thjeshtë aritmetike të vlerave monetare të secilës llogari bankare, në emër të secilit deklarues, ashtu siç rezultonin nga dokumentet përkatëse lëshuar nga bankat në datën 24.01.2017.

Po kështu, dëshiroj të theksoj se, pas sigurimit të dokumenteve bankare, përllogaritjet aritmetike dhe pasqyrimi i të dhënave përkatëse në rubrikën e Likuiditeteve, të punuara në format elektronik, kanë qenë veprimet e fundit të kryera nga ana jonë në plotësimin e Deklaratës së Pasurisë në Procesin e Rivlerësimit.

******

Për këto arsye, pas verifikimit të veprimeve dhe të dokumentacionit fizik dhe elektronik, shpjegimin e vetëm të mungesës së pjesës së likuiditeteve në Deklaratën e Pasurisë, të shpërndara në 4 faqe të saj, një për secilin deklarues, e evidentuam vetëm në pakujdesinë e treguar në momentin përfundimtar të printimit dhe asemblimit në kopje fizike të Deklaratave dhe dokumentacionit justifikues përkatës, të përgatitur dhe organizuar në Rubrika dhe Anekse, të numërtuara automatikisht nga programi elektronik kompiuterik.

Jemi të sigurte që, versioni i printuar dhe i depozituar në ILDKPKI, gabimisht, nuk ishte ai përfundimtar, por ai paraprak, ku në secilën prej katër Deklaratave nuk gjendet pikërisht vetëm faqja përkatëse që përmbante të dhënat e likuiditeteve mbi bankat, llojin e llogarive dhe vlerën e tyre deri në 24.01.2017. Por, të sigurte se ai ishte dokumenti final dhe i verifikuar më parë si i plotë, mungesa e faqes përkatëse të likuiditeteve, kaloi pa u vënë re në momentin e nënshkrimit të Deklaratave faqe në faqe, përpara dorëzimit në ILDKPKI.

Prandaj, pa u evidentuar kjo mungesë dhe pa na u kërkuar sqarim apo shpjegime nga institucionet e rivlerësimit, krahas përgjigjeve dhe dokumentacionit mbështetës për 12 pyetjet e dërguara, nga ana jonë, në datën 28.12.2017, i është paraqitur Komisionit të Pavarur të Kualifikimit edhe Kërkesa për Plotësimin e të Dhënave për Likuiditetet në Deklaratën e Pasurisë, duke i bashkëlidhur edhe dokumentet bankare ku ishin bazuar këto deklarime dhe që datonin 24.01.2017.

******

Në këto rrethana, sigurisht nuk mund të ndjehesh krenar sepse përgjegjësia që Deklarata e Pasurisë të jetë e plotë me të gjitha rubrikat e kërkuara është e vetë deklaruesit. Megjithatë, me përgjegjësi të plotë kushtetuese, ligjore, etike dhe profesionale rikonfirmojmë edhe një herë në këtë seancë dëgjimore publike se ky ometim, mjaft i dukshëm dhe tërësor, në pasqyrimin e të gjitha të dhënave mbi bankat, numrin dhe llojet e llogarive bankare si dhe gjendjen vlerore të tyre, nuk ka ndodhur me vullnetin dhe qëllimin për të fshehur të dhënat lidhur me to, por janë pasojë e pakujdesisë dhe humbjes së vëmendjes së duhur në kryerjen e veprimeve përmbyllëse të printimit, nënshkrimit dhe dorëzimit pranë ILDKPKI të Deklaratës së Pasurisë.

Nisur nga arsyet që u shpjeguan më sipër, ritheksojmë se, as në kohën e përgatitjes dhe dorëzimit të Deklaratës të Pasurisë dhe as tani, nuk ka ekzistuar dhe as nuk ekziston ndonjë lloj arsyeje dhe motivi, qoftë logjik, financiar apo ligjor për të fshehur pasuritë dhe dinamikën e krijimit, shtimit apo pakësimit të tyre në vite, për të cilat, aq më tepër, sikurse është rasti jonë, gjithmonë kemi “lënë gjurmë” të plota dokumentare.

Së paku që nga viti 2003, për çdo vit, përgatisim dhe dorëzojmë në ILDKPKI deklarimin periodik vjetor të pasurisë, ku gjenden të dhëna të plota e të sakta edhe mbi të gjitha llogaritë tona bankare dhe vlerën e tyre. Madje, të dhënat e plota, mbi të gjitha likuiditetet në llogaritë tona bankare, si gjithmonë në të kaluarën, i kemi deklaruar edhe në Deklaratën Periodike Vjetore të Pasurive për vitin 2016, të depozituar në ILDKPKI në muajin Mars 2017, pra vetëm pak javë pas depozitimit të Deklaratës së Pasurisë në Procesin e Rivlerësimit.

Po kështu, edhe nga vetë Raporti i Kontrollit të ILDKPKI, me përmbajtjen e të cilit munda të njihem para pak ditësh nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në përfundim të fazës së hetimit paraprak, qartë evidentohet se, pavarësisht nga përfundimi për “fshehje të pasurisë” vetëm lidhur me likuiditetet në llogaritë bankare, njëkohësisht konfirmohen saktësia dhe plotësia e të gjitha pjesëve të tjera të deklarimit të pasurisë, si edhe përputhja e tyre me deklarimet vjetore periodike të pasurisë nga viti 2003 e në vijim. Pikërisht, edhe për këtë arsye, nuk mund të pajtohem me sjelljen e ILDKPKI, i cili nuk hetoi dhe as nuk më kërkoi si subjekt i rivlerësimit shpjegime se për çfarë motivi dhe në cilat rrethana, për herë të parë dhe kjo vetëm në Deklaratën e Pasurisë në Procesin e Rivlerësimit, nuk ishin deklaruar jo pjesërisht por tërësisht, pra asnjë e dhënë, jo vetëm për gjendjen vlerore por edhe për vetë ekzistencën e llogarive bankare.

Njëkohësisht, vërej se edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas analizave financiare të kryera në hetimin e thelluar administrativ, në Rezultatet e Hetimit Paraprak, shprehet se likuiditetet e evidentuara në llogaritë tona bankare përkatëse nuk kanë probleme me justifikimin e vlerës, burimeve dhe ligjshmërinë e tyre. Madje, më lejoni të evidentoj që, të dhënat për llogaritë bankare dhe për vlerat e tyre përkatëse sipas Raportit të këtij Komisioni të nderuar, janë praktikisht identike me ato që kam paraqitur në Kërkesën për Plotësimin e Deklaratës së Pasurisë në Procesin e Rivlerësimit, me të cilën, nuk kemi bërë gjë tjetër, veçse kemi përcjellë të dhënat mbi likuiditetet që ishin përgatitur dhe gjendeshin në kopjen elektronike të Deklaratës sonë që në muajin Janar 2017.

******

 

Jam shpresëplotë se Ju nuk do të dyshonit si në aftësitë e mia të mjaftueshme të intelektit, ashtu edhe në aftësitë e përvojën minimale profesionale që besoj se e kam, që të kuptoj dhe të di se, lidhur me likuiditetet që mbahen në llogaritë bankare, aq më tepër në emër të vetë deklaruesit dhe aq më tepër pranë bankave në Shqipëri, marrja dijeni rreth tyre sipas ligjit nga institucionet e kontrollit është një veprim i sigurte dhe i paevitueshëm.

Pra, nuk ka asnjë arsye logjike dhe juridike që, jo vetëm cilido nëpunës zyrtar, por aq më tepër një gjyqtar dhe akoma më tepër me përvojën e gjatë profesionale e funksionale të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, si në rastin tim, të mos deklarojë, në mënyrë të qëllimshme, pra me qëllim fshehjen e pasurive, jo vetëm të dhënat por as edhe vetë ekzistencën e llogarive bankare që janë aty, në bankë, në emër të tij.

Më lejoni të arsyetoj edhe se një subjekt, për motive të shmangies së kontrollit mbi ligjshmërinë e burimeve të pasurisë etj., mundet që qëllimisht të përpiqet të mos deklarojë vlerën e saktë të një apo disa llogarive, madje edhe të mos deklarojë ekzistencën e ndonjërës llogari të tij. Por, nuk bën asnjë logjikë që, për të shmangur kontrollin dhe zbatimin e ligjit, subjekti, një nëpunës publik dhe akoma më tepër një gjyqtar, të mos deklarojë qoftë edhe vetë ekzistencën e asnjërës llogarie të tij bankare, përfshi edhe llogarinë bankare ku punëdhënësi i shlyen periodikisht pagën për punën e kryer nga ai subjekt.

******

 

Si pjesë të fundit të shpjegimeve të mia, kam vlerësuar që të ndalem shkurtimisht edhe në disa çështje mbi ligjin procedural të zbatueshëm dhe interpretimin e tij, të lidhura me deklarimin e pasurisë në procesin e rivlerësimit kalimtar dhe veçanërisht me rastet kur vetë subjekti apo institucioni kontrollues vërejnë se Deklarata e Pasurisë nuk është e plotë, nuk e justifikon pasurinë etj.

Edhe pse zgjodha ta parashtroj në fund, kjo nuk do të thotë aspak se kjo është pjesa më pak e rëndësishme e shpjegimeve të mia për këtë seancë dëgjimore. Gjithsesi kjo zgjedhje e radhës së argumenteve është e lidhur me konceptin dhe kuptimin që kam për vetë procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky proces, sipas bindjes sime, nuk është thjesht dhe vetëm një ushtrim i procedurës formale, në të cilën, institucionet e kontrollit dhe subjektet e kontrolluara, thjesht ndjekin dhe zbatojnë kompetencat, të drejtat dhe detyrimet që përcaktohen në rregullat materiale e procedurale të vendosura nga Kushtetuta dhe legjislacioni për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Ky procesi i rivlerësimit kalimtar, nuk mund të shikohet e trajtohet njësoj me proceset gjyqësore klasike, civile apo penale, ku ka një konflikt dhe një duel e përballje mes palëve, i cili duhet të zgjidhet nga gjykata. Vetting-u nuk mund dhe nuk duhet të jetë një lloj procesi dhe procedure hetimi e gjykimi, në të cilën, nën ombrellën e garancisë kushtetuese të së drejtës për tu mbrojtur, gjyqtari a prokurori të “legjitimojë” veten që të përdorë çfarëdo lloj truku dhe mjeshtërie profesionale për të shmangur akuzën (siç ndodh me të akuzuarin në procesin penal) apo për të mos përmbushur një detyrim të kërkuar (siç ndodh me të paditurin në procesin civil). Në procesin e vetting-ut mundet edhe të tentosh, madje edhe mund të fitosh “kartën e pastërtisë” me mënyra të tilla. Por, gjithsesi, nëse nuk e ke humbur tashmë, as edhe nuk ke fituar asgjë lidhur me dinjitetin dhe personalitetin, si njeri dhe si profesionist, aq më tepër si magjistrat, pra si gjyqtar apo prokuror.

Sipas kuptimit dhe bindjes sime, në procesin e rivlerësimit kalimtar, gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë as të pandehur dhe as të paditur. Në këtë proces administrativ, atipik dhe unik, me anë të rregullave procedurale, nuk synohet vetëm që subjektit të rivlerësimit ti garantohet e drejta për tu shpjeguar, dëgjuar dhe mbrojtur. Subjektit të rivlerësimit nuk i kërkohet thjesht dhe vetëm që të përmbushë detyrimin formal të deklarimit. Thelbësore në këtë proces, është që pikësëpari ata të sillen me integritet dhe të dëshmojnë me vërtetësi dhe transparencë gjithçka që lidhet dhe për aq sa lidhet me karrierën profesionale, si edhe me jetën personale e familjare, pa nevojën e shfrytëzimit të aftësive të tyre profesionale për të manovruar me procedurat dhe faktet. Integriteti dhe dinjiteti i magjistratit, si edhe besimi i publikut nuk fitohet dhe as nuk mbahet vetëm me korrektësinë formale në veprimtarinë gjyqësore, por edhe me sjelljen e tij jashtëgjyqësore, pra edhe në këtë proces vetting-u.

Gjithsesi, për sa i përket ligjit të zbatueshëm dhe interpretimit të tij, vlerësoj të ndalem shkurtimisht vetëm në disa rregulla procedurale që gjejnë zbatim në kontrollin dhe vlerësimin e pasurisë. Këto rregulla, nga njëra anë, i njohin subjektit të rivlerësimit disa të drejta dhe i ngarkojnë atij detyrime. Por, nga ana tjetër, ngarkojnë me detyrime për tu respektuar edhe ILDKPKI-në, detyrime të cilat janë të atilla që nuk mund të anashkalohen prej tij. Ligjvënësi i ka vendosur këto rregulla për shumë arsye, njëra prej të cilave, sipas gjykimit tim, është e lidhur edhe me mënyrën se si duhet të sillen subjekti i rivlerësimit dhe ILDKPKI në raste dhe rrethana si këto për të cilat po shpjegohem sot përpara jush me vërtetësi, objektivitet dhe profesionalizëm.

Së pari, pajtohem plotësisht me qëndrimin e mbajtur prej Jush të nderuar Komisionerë në Raportin për Rezultatet e Hetimit Paraprak, ku në paragrafin e fundit të faqes 15, shpreheni se “sipas parashikimit të nenit 3 pika 11 dhe 19 të ligjit 84/2016 dhe nenit 4 të ligjit 9049/2003, është subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur që kanë detyrimin për të deklaruar, përveç të tjerash, vlerën e likuiditeteve, në llogari rrjedhëse dhe depozita bankare.”.

Së dyti, kam qëndrimin se, ligji ka përcaktuar rregulla për rastet e gabimeve në deklarim dhe për veprimin e motivuar të kërkesës për plotësimin e Deklaratës së Pasurisë në Procesin e Rivlerësimit.

Natyrisht që ligji nr. 84/2016 ka përcaktuar jo vetëm detyrimin por edhe afatin për dorëzimin pranë ILDKPKI të Deklaratës së Pasurisë në Procesin e Rivlerësimit. Megjithatë, edhe procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndonëse ka elementë atipikë, gjithsesi është në thelb një procedim administrativ. Prandaj, ligjvënësi ka përcaktuar se për aq sa nuk parashikohet shprehimisht ndryshe në ligjin e posaçëm nr. 84/2016, gjejnë zbatim edhe dispozitat e ligjit nr. 9049/2003 dhe dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative.

Më konkretisht, ligji i posaçëm nr. 84/2016, në nenin 33 të tij, shprehimisht e ngarkon ILDKPKI me detyrimin që, në procedurën e kontrollit, të zbatojë edhe ligjin nr. 9049/2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive…” dhe Kodin e Procedurave Administrative.

Akoma më tej, në lidhje me “të drejtat e subjektit të rivlerësimit”, neni 47 i ligjit nr. 84/2016 parashikon se:

“Të drejtat e subjektit të rivlerësimit gjatë procesit të rivlerësimit rregullohen sipas përcaktimeve të neneve 35 – 40 dhe neneve 45 – 47 të Kodit të Procedurave Administrative.”.

Pikërisht, në nenin 47, Kodi i Procedurave Administrative parashikohet se :

“Të gjitha palët, në çdo fazë të procedurës, kanë të drejtë të paraqesin mendime dhe shpjegime për faktet, rrethana apo çështje ligjore, si dhe të depozitojnë prova ose të paraqesin propozime për zgjidhjen e çështjes.”.

Prandaj, krahas dispozitave të tjera, pikërisht në përmbajtjen dhe urdhërimet e qarta të dispozitave të sipërcituara gjendet edhe mbështetja formale e së drejtës sonë, si subjekt rivlerësimi, për të paraqitur kërkesë të motivuar dhe shpjegime të arsyeshme mbi çështje të faktit dhe të ligjit të zbatueshëm në procedurën administrative të rivlerësimit kalimtar. Është fakt që procedura administrative për verifikimin e deklarimeve të pasurisë sonë ishte në zhvillim e sipër dhe nuk kishte përfunduar, pra ajo ndodhej në fazën e hetimit administrativ dhe ne ishim dhe jemi palë të këtij procedimi.

Akoma më tej, për vetë rrethanat konkrete e krejt të veçanta, të këtij ometimi kaq të dukshëm e tërësor, madje krejt të pakuptimtë për tu bërë me qëllim, pra të një rubrike të detyrueshme për deklarim sikurse janë likuiditetet, kam qëndrimin se kërkesa jonë dhe shpjegimet e motiveve për plotësimin e të dhënave në deklarimin e pasurisë në procesin e rivlerësimit, ndoshta do të ishin të panevojshme dhe mund të mos ndodhnin nëse ILDKPKI, do të zbatonte, jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimet ligjore që rregullisht i zbaton në veprimtarinë e tij.

Kështu, ILDKPKI nuk ka diskrecion, por ka detyrimin për të thirrur subjektin e rivlerësimit për të dhënë shpjegime në zbatim të nenit 27 të ligjit nr. 9049/2003, të zbatueshëm edhe në procesin e rivlerësimit. Në këtë dispozitë, si një element thelbësor i procedurës dhe i detyrueshëm për zbatim gjatë hetimit administrativ, qartazi urdhërohet ILDKPKI që :

“Kur gjatë kontrollit zbulohet se deklarimet nuk janë të sakta ose burimet e deklaruara nuk identifikohen dhe nuk mbulojnë pasuritë e deklaruara, Inspektorati i Lartë thërret subjektin për të dhënë shpjegime të hollësishme dhe argumentet përkatëse, të cilat paraqiten kurdoherë me shkrim brenda 15 ditëve nga data e njoftimit.”.

******

Në përfundim, bazuar në arsyet dhe shpjegimet e parashtruara më sipër, gjykoj se është vendi për ti kërkuar këtij Komisioni të nderuar që të mos pranojë përfundimet e arritura nga ILDKPKI pa respektuar dhe pa kryer paraprakisht të gjitha veprimet sipas procedurës që i ngarkon ligji. Ky Inspektorat ka ardhur në konstatimin që jemi përpara “fshehjes së pasurisë, duke u bazuar vetëm në arsyetime sempliste të anës objektive të rrethanave të faktit, pra duke vërejtur vetëm materialisht mungesën tërësore të të dhënave mbi likuiditetet në Deklaratën e Pasurisë. Por, ky institucion nuk ka kryer asnjë verifikim me subjektin sikurse e urdhëron ligji, qoftë edhe duke i kaluar barrë prove, për të shpjeguar rrethanat e faktit dhe, nga ana subjektive, edhe motivet eventuale.

Ndoshta, është e tepërt të risjell në vëmendjen Tuaj se, “fshehja e pasurisë” është shkelje e cila mund të kualifikohet si e tillë vetëm kur nga fakti dhe provat rezulton që ky veprim është kryer prej subjektit me qëllim, madje me dashje direkte. Por, kurrsesi, ligji, praktika gjyqësore, jurisprudenca dhe doktrina nuk e pranojnë asnjëherë kualifikimin e shkeljes si “fshehje e pasurisë”, kur ajo ndodh nga pakujdesia.

Njëkohësisht, vlerësoj se është vendi që ti kërkoj këtij të nderuari Komision të Pavarur të Kualifikimit të mbajë parasysh edhe se mungesa tërësore e të dhënave mbi likuiditetet në Deklaratën e Pasurisë të dorëzuar në ILDKPKI nuk ishte rrjedhojë e kuptimit të ndryshëm të ligjit dhe të faktit, as edhe e “harresës” për të plotësuar Deklaratën me këto të dhëna, por vetëm rrjedhojë e një pakujdesie në momentin e printimit dhe asemblimit të Deklaratave dhe dokumenteve shoqëruese të cilat u nënshkruan dhe u dorëzuan në ILDKPKI.

Për këtë mangësi në plotësinë e Deklaratës së Pasurisë, siç parashtrohet më sipër në këto shpjegime, kam bërë të gjitha përpjekjet e mundshme dhe sipas hapësirave që njeh ligji, për të riparuar menjëherë dhe për të plotësuar këtë Deklaratë me të dhënat e plota edhe për likuiditetet, atëherë kur procedimi ishte në fazën e hetimit administrativ paraprak, pa njoftimin apo kërkesën e ndonjë institucioni, përfshirë edhe ato të ngarkuara me kompetenca në procesin e rivlerësimit kalimtar.

Së fundi, pajtohem me analizën financiare, gjetjet dhe konstatimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në të gjitha pjesët e tjera të Raportit për Rezultatet e Hetimit Paraprak, përfshirë edhe ato në faqet 12-14 të tij, ku në paragrafin e parafundit të faqes 14, lidhur me likuiditetet parashtrohet edhe gjetja se “Nga analiza financiare, nuk kanë rezultuar problematika lidhur me këto likuiditete.”.

******

Në lidhje me pjesën “Vlerësimi Profesional” dhe të “Denoncimeve nga Publiku” të Raportit për Rezultatet e Hetimit Paraprak të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe për Raportin e paraqitur pranë jush nga IKLD, shpreh qëndrimin se, përgjithësisht pajtohem me analizat dhe gjetjet përkatëse.

Në ushtrimin e funksionit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, përvoja më tregon se ka gjithmonë vend për të përmirësuar aftësitë profesionale, aftësitë për të organizuar punën dhe ato për të administruar çështjet gjyqësore. Rrjedhimisht, gjithmonë ka vend edhe për të pranuar se, pavarësisht angazhimit profesional e njerëzor, si edhe viteve në karrierë, askush nuk përjashtohet nga të meta a mangësi në kryerjen e detyrës, për të cilat nevojitet punë e përkushtim i vazhdueshëm që të mënjanohen në të ardhmen.

Prandaj, ndonëse jam pozitat e subjektit që vlerësohet e gjykohet, në parashtrimet e mia të hollësishme me shkrim për “Vlerësimin Profesional” jam përpjekur që të shpjegoj, në mënyrë të përmbledhur, fakte dhe interpretime të ligjit në lidhje me analizat dhe gjetjet e të dy Autoriteteve, ashtu si i njoh dhe për aq sa jam në dijeni, bazuar në ligjin e zbatueshëm, në rregullat e brendshme të funksionimit dhe praktikën e përditshme të punës së Gjykatës së Lartë.

Këto ishin shpjegimet që vlerësova të parashtroj në këtë seancë dëgjimore. Duke Ju falënderuar për durimin dhe vëmendjen, shpreh edhe disponibilitetin e plotë për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe sqarimeve eventuale për të cilat Ju mund të çmoni se nevojiten shpjegime nga ana ime.

*Argumentet e paraqitura para Komisionit te Pavarur te Kualifikimit 

Please follow and like us: