Albspirit

Media/News/Publishing

Erina Çoku: Kur u rrite, bir?

 

 

I mbledh ti mendimet e tua
e i shkon në vargun e gjatë të ideve,
a thua se nesër do të bëhen
njësia jote matëse e botës.

Kur u zgjate djali im
dhe erdhe gjer afër hundës sime?
Më sheh e më ushqen
me ato ninëza të pastra
si ngastra mjalti
dhe unë filloj prapë të besoj
që në botë lulet mbillen sërish
vetëm e vetëm
që bletëza si ti
të ndërtojnë hojëza të dyllit të shenjtë.

I mbledh ti ndjesitë e tua
e i shkon në vargun e gjatë të ndijimit,
a thua se nesër do të ndërtojnë
udhën e krijesës që je.

Kur u rrite bir?
Dje ishe një mëkim i bardhë
kruspull qumështi mu në gji
sot lastar i blertë
çelë prej trungut tim,
ngjyrat e tua më mbushin sytë
më derdhen në shpirt
e bebëzat e tua më mbërthejnë në jetë,
në të gjitha jetët
gjersa fryma jote të këndohet mbi dhe.

Please follow and like us: