Kriza në Turqi mund të ngadalësojë shtytjen e saj për ndikim në Ballkan
Në jug të Serbisë, një kompani turke e veturave është parë si shpëtimtare, pasi krijoi qindra vende pune dhe frymëzoi një jetë të re në rajonin e pazhvilluar dhe të shkatërruar nga luftërat e viteve të 90-ta. Por, me rënien dramatike të vlerës së monedhës turke gjatë këtij viti, si pasojë e hezitimit të investitorëve dhe mosmarrëveshjeve diplomatike me Shtetet e Bashkuara, ekzistojnë shqetësime në Serbi dhe vende tjera të Ballkanit Perëndimor se investimet e tilla mund të zbehen.
Analistët thonë se trazirat financiare të Turqisë mund të ngadalësojnë investimet e ardhshme turke në Serbi, Bosnje, Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë, vende këto në të cilat Ankaraja gjendet në rivalitet të ndikimit së bashku me Bashkimin Evropian, Kinën dhe Rusinë.
“Ne jemi të shqetësuar se kriza në Turqi nuk do të kalojë pa pasoja për ne”, thotë ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiq, transmeton agjencia AP.
Tregtia mes Ballkanit Perëndimorë dhe Turqisë ka shënuar rritje prej 430 milionë dollarë në vitin 2002 në 3 miliardë dollarë gjatë vitit 2016, shumë kjo nga e cila vetëm Serbia përfshirë një të tretën.
Turqia bënë pjesë në 10 partnerët kryesorë tregtarë të Serbisë, ndërsa sa i përket Kosovës ajo është ndër tre partnerët kryesorë.
Udhëheqësit në Evropën Perëndimor janë të shqetësuar për zgjerimin e ndikimit autoritar në Ballkan të presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Vendet e Ballkanit Perëndimor formalisht dëshirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, por kandidimi i tyre është vënë në pritje për shkak të problemeve të brendshme të BE-së, si Brexit, dhe pikërisht kjo situatë vlerësohet se e ka ekspozuar Ballkanin karshi ndikimit ekonomik dhe politik nga Turqia, Kina dhe Rusia.
Ballkani ka qenë nën pushtimin osman për 500 vjet, që do të thotë se ka lidhje kulturore për shembull me trashëgiminë myslimane në Kosovë dhe Bosnje. Ekzistojnë mendime se vendet e Ballkanit Perendimor, për presidentin Erdogan, janë mjaftueshëm të rëndësishme në aspektin gjeopolitik që Turqia të përpiqet të mbajë investimet dhe tregtinë ekzistuese.
Aleksandër Medjedoviq, një anëtar i Bordit të Këshillit të Biznesit Turko-Serb, thotë se Turqia ka gjasa të mbajë investimet ekzistuese, por që ato mund të shtyhen.
“Luhatjet në normat e monedhës kanë gjithnjë ndikim në ekonomi dhe tani po ndikojnë në ekonominë turke”, tha Medjedoviq. Por, sipas tij,”Ballkani është një fushë strategjike për investitorët turq”.
Në Bosnjën e dominuar nga myslimanët, investimet turke janë mjaft modeste, mirëpo ndikimi i saj politik ka shënuar rritje që nga lufta e përgjakshme atje në vitet e 90-ta.
Organizatat humanitare turke kanë rindërtuar ura dhe xhamitë e vjetra që datojnë nga koha osmane si dhe financuan në fushën e arsimit. Ato kanë shpenzuar rreth 300 milionë euro në projekte jo-fitimprurëse në Bosnje. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dëshmoi shkallën e ndikimit politik, kur në muajin maj mbajti një tubim parazgjedhor në Sarajevë, përderisa tubime të tilla u ndaluan në Gjermani dhe Austri.
Derisa Turqia është një investitor i madh në Bosnje, vitin e kaluar Ankaraja premtoi 3 miliardë euro për financimin e një autostrade që lidh Sarajevën dhe Beogradin.
Medjedoviq thotë se Turqia e sheh Ballkanin, në veçanti Serbinë dhe Kroacinë, kryesisht si një “portë” për mallrat e saj drejt Bashkimit Evropian.
Pra përderisa ka pikëpyetje rreth investimeve të reja turke, menaxherja e kompanisë turke që ka investuar në jug të Serbisë, Fikret Aynibal, thotë se nuk ka asnjë vendim të kompanisë që përfaqëson për të ndaluar investimet në Serbi dhe rajon pasi planet për investime bazohen në periudha pesë apo dhjetë vjeçare./rel/