Sadedin Mezuraj: Lundërtar i vonuar
Unë vija nga detet e largëta të natës,
lundërtar i vonuar
i mbetur pa shokë,
Këngët e tua era mi sillte.
Erdha bashkë me agun,
në ishullin tënd me trëndafila gjaku.
Pi në burimet e tua mistike
Dhe etja ime,
flakë që nuk shuhet.
Kuaj qimekuq,
shkrofëtijnë në shkretëtirat e oazeve të tua,
Futem në syrin tënd të perënduar,
Dhe pafundësia hapet,
si humnerë e errët drite.
Medet!
Bëj të iki dhe prej teje dot nuk iki,
Në rrjetën e flokëve të tua kam ngecur,
mpleksur pas trupit tim si kulpër.
Nëse një ditë
ke për të më vrarë,
( se dashurinë, sirenë, ti e ke sadiste)
Më vrit butësisht me këngët e tua.
Shpirtin ma kurse,
Trupin ma mbulo me trëndafilat e gjakut,
në një varr të errët
në syrin tënd të bukur.
Please follow and like us: