Albspirit

Media/News/Publishing

Spartak Ngjela: Krerët shqiptarë janë shitur dhe shiten kundër interesit kombëtar

 

Duhet të jemi realistë: thuajse të gjithë krerët shqiptarë të Shqipërisë, dhe kudo ku kanë qenë e ku janë në Ballkanin Perëndimor, janë shitur dhe shiten kundër interesit kombëtar.

l.
Kjo është historia e dhimbshme e shqiptarëve, të cilët kanë ikur me shumicë nga vendi i tyre.
Me krerët e Shqipërisë të shitur te fqinjët aneksues të dhunshëm të territoreve shqiptare , fqinjët kanë bërë masakrën e gjatë antishqiptare dhe kanë bllokuar zhvillimin shqiptar në 100 vjet.
Historia shumë shpejt do ta shkruajë se fqinjët grabitqarë të shqiptarëve, serbë dhe grekë, duke shfrytëzuar mediokritetin politik të politikës europiane fetare dhe jolaike, dhe duke u nisur nga feja islame e shqiptarëve, me keqdashje, i kanë pozicionuar këta si turq.

Sigurisht që ky ka qenë një turp historik. Shqiptarët, autoktone në mijëra vjet, janë sot viktima të koshiencës së ulët europiane të fillimit të Shekullit të Njëzet.
Ku ka turq në Shqipëri! Këtu ka katolikë, ortodoksë dhe muslimanë, të gjithë shqiptarë me moral shqiptar dhe që flasin gjuhën shqipe, gjuhën më të vjetër të Evropës. Asnjë dasi fetare në shekuj, dhe asnjë luftë fetarë, si në asnjë vend tjetër të botës – këta janë shqiptarët. Sepse shqiptarët kanë qenë të rrezikuar së jashtmi dhe i ka shpëtuar vetëm bashkimi i tyre.

Ishte politika e Austro-Hungarisë dhe ajo e Gjermanisë të parat që e thanë këtë, dhe me vështirësi të madhe e krijuan shtetin shqiptar me 28 mijë km2. Kurse pushuesit që morrën padrejtësisht territoret shqiptare, me genocid i dëbuan muslimanët shqiptarë nga trojet e tyre. Tani duket qartë se grekët dhe serbët me genocid kanë dëbuar nga trojet e tyre autoktonët parësorë të Ballkanit. kurse ortodoksët dhe katolikët shqiptarë, i detyruan me dhunë të shkruheshin ortodoksë serbë, maqedonas dhe grekë. Kjo vepër e ulët antishqiptare do të konsiderohet shumë shpejt një turp historik, i cili do të ndreqet nga procesi gjithëshqiptar që ka nisur në Ballkanin Perëndimor.
Procesi ka ecur dhe do të ecë më me vrull historik: sot shqiptarët arvanitas të Greqisë po flasin hapur shqip, në një kohë që i kanë dhunuar kundër gjuhës së tyre. Maqedonasit ortodoksë shqiptarë, të masakruar në një shekull e më shumë, po shkruhen si shqiptarë. Ky është një fenomen gjithëshqiptar dhe kështu do vijojë, madje edhe në Mal të Zi, por edhe vetë në Serbi.

Por e dhimbshme është kur e mendon tani, se ishin të shumtë krerët shqiptarë që, të shitur, u bashkuan me aneksuesit e territoreve shqiptarë. Janë të shumta shkrimet e personaliteteve francezë, dhe europianë të tjerë që më dhimbje përshkruajnë tragjedinë shqiptare të viteve 1912-1913. “Shqiptarët, – shkruajnë ata – një popull bujar dhe inteligjent, po terrorizohet për t’iu aneksuar territoret”. “Blejini krerët shqiptarë”! Thërriste kryeministri antishqiptar serb Pashiç. “Krerët e Shqipërisë, shiten lehtë kundër interesit kombëtar”; shkruan në ditarët e tij Konti Ciano, ministri i jashtëm italian në vitet ’30. Kjo është situata dhe sot.

2.

I shihni partitë qeverisëse në Shqipëri: vetëm luftë fallco kundër njëri- tjetrit bëjnë, asgjë zhvilluese, dhe vetëm grabitje të shqiptarëve kanë si qëllim.
Asnjë lloj politike për zhvillimin kombëtar nuk paraqitet prej tyre. Shkatërrim total i pronës në Shqipëri, nisur nga Berisha dhe Beogradi që në vitin 1991 dhe, në vijim, deri te kryeministri aktual- kjo është historia shqiptare në 27 vjetët e fundit. Sepse janë zhvatës të shqiptarëve.
Në fakt kjo ka qenë rruga e grabitësve politikë në të gjithë historinë botërore, por shitësit shqiptarë të interesit kombëtar janë më të pështirët e të gjithë historisë botërore të shtetit.
Po shqiptarët pse i votojnë sot këta? Nga prapambetja e tyre, sigurisht.
E njëjta gjë në Maqedoni. Partitë politike nuk flasin fare për çështjen shqiptare, që është çështja kombëtare në Maqedoni. Se krerët janë të shitur. Si gjatë një shekulli. Si në Shkup edhe në Tiranë, kudo varfëri shqiptare dhe blerje e krerëve.
Po shqiptarët e Maqedonisë pse i votojnë? Nga prapambetja e tyre dhe nga frika shekullore e genocidit antishqiptar, sigurisht.

E njëjta gjë konstatohet edhe në Prishtinë. Këtu fenomeni nuk është kaq antishqiptar sa në elitat qeverisëse në Tiranë dhe në Shkup. Gjithsesi edhe këtu korrupsioni e ka gjetur vendin e vet, dhe, po u la i paprekur nga ligji, do të bëhet shumë dëmprurës, njëlloj si në Shqipëri.
Po kjo kohë, pse nuk i flak? Kaq pa mend jemi ne shqiptarët?
Do t’i flakin shqiptarët këta grabitës, shumë shpejt, madje – procesi ka filluar.

3.
Në Shqipëri ka filluar reforma e thellë në drejtësi; dhe këtë tani e dinë të gjithë shqiptarët.
Të tre shtetet shqiptarë: Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e kanë domosdoshmëri reformën e drejtësisë në Shqipëri. Çfarë do të sjellë në Tiranë reforma në drejtësi dhe çfarë do të reflektojë në Kosovë, në Maqedoni, madje edhe në Greqi, kjo reformë?

Eliminimin e treshes Berisha, Rama Meta, bashkë me ministrat e tyre të korruptuar, do të sjellë risinë që vetë politka dhe qeverisja shqiptare të drejtohet nga moraliteti. Të gjithë këta sot janë të skeduar ndërkombëtarisht dhe nuk kanë të ardhme. Kot shpresojne dhe kot bashkohen. Nuk kuptojnë dot, se janë nën akuzë, dhe kanë humbur ekuilibrin mendor.

Por, eliminimi i kësaj kompanie keqbërësish të Shqipërisë, çfarë sjell për botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor? Në Ballkanin Perëndimor sot janë dy shtete shqiptarë: Shqipëria dhe Kosova, dhe një i tretë që po del me forcë: Maqedonia. Dy janë nën presionin e korrupsionit, i cili po kërkon destabilizimin e Shqipërisë dhe Kosovës, kurse i treti ka problemet e nënshtrimit të elitës politike të korrupotuar shqiptare ndaj pjesës bullgare të Maqedonisë. Gjendja e korruptuar në Tiranën politike, nuk i përkrah të drejtat e shqiptarëve në këto vende. Sepse korrupsioni kryeministror shqiptar, është me dhunuesit e shqiptareve në këto vende.

Po të eliminohet korrupsioni në Shqipëri, nuk mund të ketë korrupsion as në Kosovë dhe as te shqiptarët në Maqedoni. Të gjithë këta sot, të trembur nga reforma në Shqipëri, mendojnë të shesin çështjen shqiptare, për të mbijetuar vetë me gjithë paratë dhe pasurinë e grabitur nga shqiptarët. Të tre Berisha, Rama dhe Meta, janë të trembur nga reforma në drejtësi. E shihni si janë katandisur? Sepse reformën në drejtësi e drejton politika amerikane, e cila kërkon të ristrukturojë politikën e saj në Ballkanin Perëndimor, por pa të korruptuarit e mëdhenj, të cilët janë antishqiptarët grabitës që duan mbijetesën e tyre me shkatërrimin e shqiptarëve.

Në fakt kjo ka qenë historia e Shqipërisë, dhe tani kjo po bëhet edhe histori e Kosovës, por edhe histori e Maqedonisë.
Kjo histori turpi e shqiptarëve është në kohën e ndërprerjes së vet.
Por gjithçka është e përqendruar sot në Tiranë. Nëse nuk eliminohen Berisha, Rama dhe Meta, nuk mund të ketë zhvillim shqiptar në Ballkanin Perëndimor. Atëherë, pyetja që ngrihet këtu është kjo: politika amerikane që po drejton procesin gjithëshqiptar në Ballkanin Perëndimor, a e ka të qartë këtë?

Po. E ka shumë të qartë, dhe prandaj reforma në drejtësi e strukturuar dhe e paraqitur nga politika amerikane është gjetja historike amerikane për shpëtimin e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor. Politika amerikane sot qesh me këta të korruptuar që i sheh të vërsulen nga Moska në Beograd, dhe nga Beogradi në Stamboll. Si gjithmonë. Se tre kanë qene qëndrat me theks të hapur për shfarosjen e shqiptarëve: Beogradi, Stambolli dhe Moska; por edhe Athinën që iu rreshtohet po njëlloj

4.

Çfarë duhet të bëjë politika amerikane në Shqipëri në Kosovë dhe në Maqedoni. Dhe ku është më përpara.
E gjithë kjo hapësirë tre shtetesh është hapësirë historike shqiptare, mijra vjeçare. Por në këto hapësirë, pa përfshirë Greqinë, sot jetojnë rreth gjashtë milionë shqiptarë. Të gjithë janë në fermentim të zhvillimit kombëtar shqiptar. Por këtë fermentim po kërkon ta ndërpresë Beogradi, Stambolli dhe Moska. Shqiptarët , ama,kanë përkrahjen e Amerikës dhe Gjermanisë.
Kjo është shumë për historinë e Shqipërisë. Kurse kundërshtarët aneksues territoresh shqiptare kanë vijuar zanatin e vjetër: të blejnë lidershipin shqiptar. Shiheni sesi u kapën në bashkëpunim me Rusinë kundër vendit të tyre Berisha dhe Basha. Por nuk i kapën shqiptarët, këta i kapën shërbimet dhe politika amerikane. Por, shihni sesi u katandis në një bashkëpunim antihistorik dhe antishqiptar Edi Rama me një figurë të diskredituar turke, Raxhep Edoganin.

Të tre këta, kudo janë nisur të shkojnë për të destabilizuar Shqipërinë, por lodhen kot së koti e fare kot. Gjithçka është mbyllur. Shqiptarëve politikat perëndimorë do t’iu kthejë domosdoshmërisht të gjithë dëmin makabër që iu kanë shkaktuar në 150 vet.

Është politika amerikane dhe ajo gjermane që është në avanguardë të këtij fenomeni panshqiptare në Ballkanin Perëndimor; si gjithmonë gjatë historisë, sepse këta kanë qenë dy vendet perëndimorë ngaherë në përkrahje të çështjes shqiptare në Ballkan. Dhe nuk është pak. Por edhe shqiptarët e bashkuar, do t’i shohë shumë mirë historia që vjen për vlerën perëndimore reale që do të krijojnë në Ballkanin Perëndimor.

Please follow and like us: