Tregime nga Silke Liria Blumbach
Bora
Binte borë. Për herë të parë në këtë dimër këputeshin kristale të trasha nga retë shtatzëna, retë që pillnin dimrin, Kërshëndellat, Vitin e Ri, kushërirat në Greqi. Vjet retë e dimrit kishin sjellë një kushërirë të re, të vogël si kukull, por të shëmtuar fare, që brohoriste më shumë se televizori sepse bebes nuk i iknin dritat.
Mborja e mbështeti faqen në pëllëmbë dhe vëzhgonte rënien e borës këtu në Mborje. Fshiheshin gjurmët e makinave të pakta nën një mbulesë të bardhë që u stolis pastaj nga këmbët e qenëve, maceve dhe zogjve. Edhe të fëmijëve. Mbështillej kisha e vogël ku Mborjes – vajzës, jo fshatit – gjatë verës i pëlqente të strukej, të këpuste fijet e barit dhe të gumëzhinte me zë të ulët, me kurrizin e mbështetur në murin shumëshekullor.
Mborja nuk besonte tek Babadimri siç e parafytyronin prindërit. Ndoshta Babadimri jetonte diku në Greqi, mbi ndonjë mal, ndoshta mbi Olimpin e shumëfolur në shkollë, ku do ta kishte borën që e çmonte aq shumë. Duhet të jetonte ne Greqi sepse kushërirat merrnin gjithmonë më shumë dhurata se ajo. Këtu në Shqipëri, në Mborjen e Mborjes, ishin retë që përgjigjeshin për dhuratat dimërore. Retë e borës kishin si specializim kushërira greke. Gati çdo vit paraqisnin një foshnje tjetër të zhurmshme.
Por përveç kësaj, dhe kjo ishte më e mira patjetër, retë sillnin pushimet dimërore. Tani Mborja i priste plot gëzim ditët e lira, kur të vinin kushërirat nga Greqia me lodra të shumta dhe kur të gjitha do të uleshin në një rresht në borë, në natën e Vitit të Ri, për të bërë pipi së bashku.
Në dollap
Dollapin e madh pronarët e kishin lënë në bodrum sepse qelbej. Kurrë s’e kishin hapur. Mund të kishte një kufomë brenda ose diçka tjetër që do t’i kishte futur në siklet të madh.
Por as nuk donin ta shisnin dollapin ose t’ia dhuronin dikujt, sepse dollapi me përmbajtje kanosëse ishte pjesë e jetës së tyre.
Ndonjë ditë vajza e tyre e vogël luante në bodrum. Prindërit ia kishin ndaluar ta hapte dollapin dhe, siç ndodh në çdo përrallë, e hapi dollapin patjetër.
Meqë nuk pa asgjë, ajo u fut brenda dollapit për ta shqyrtuar më mirë. Vërtet era në dollap ishte mbytëse.
Sapo u mbyll dera, dollapi u lëviz, u tund dhe më në fund u shkëput nga dheu dhe filloi të fluturonte.
Gjatë fluturimit, vajza pa skena të tmerrshme, dhe jo vetëm i pa, por i ndjeu në lëkurë dhe në shpirt. Ndjeu trishtimin e fëmijës së bërtitur dhe qortuar, ndjeu duart dhe brezat që rrihnin trupin e saj. U perpoq ta hapte derën, por ajo nuk hapej dot, dhe asnjë shkëndijë drite nuk gjeti udhën për në dollap.
Atëherë u shkëputën lotë nga sytë e saj, që u përzunë me lotët e shumë fëmijëve të tjerë, që tashmë ishin rritur dhe që përcillnin dhimbjen, urrejtjen dhe dëshpërimin nga brezi në brez. Më në fund vajza kuptoi se era e qelbur vinte nga lotët e shumtë, të cilët formonin një liqen që prej shumë shekujsh.
Kur dollapi ndaloi fluturimin e tmerrit, kur vajza u zbrit prapë në bodrumin e prindërve sikur të mos kishte ndodhur asgjë, bëri be se do ta thyente ciklin e urrejtjes dhe dhunës. Fëmijët e saj nuk do të qanin më në dollap.
Autobusi
U tremba. Tefiku donte në të vërtetë të më linte vetëm në stacionin e autobusit dhe të kthehej në punë në vend të të më përcillte nëpër xhunglën tiranase deri tek shtëpia. Një ndjenjë pasigurie u përhap brenda meje. Kishin kaluar vetëm pesë muaj pas ikjes në SHBA të miqve të mi, që më kishin shoqëruar në çdo hap. Për çështje sigurie.
Por Tirana ishte e ndryshme tani. Isha ngelur e vetme më shumë se një orë në aeroportin e Rinasit, sepse ata që më pritën ishin vonuar. E ulur në diell mbi një mur të vogël dhe pastaj në kafenenë, kisha shijuar frymëmarrjen e asaj lirie që përbëhet nga siguri dhe qetësi. Nuk ndihesha aspak e kërcënuar. Kënaqesha sepse kjo do të thoshte se ky atdhe i vërtetë dhe i vështirë bëhej gjithmonë e më i banueshëm.
Dhe ajo mbrëmje kur kisha dalë me Evën! Kishim ngrënë picë ku vite përpara kisha ngrënë drekë me miq që tashti jetonin në Kanada. Pastaj Eva dhe unë ishim shëtitur nëpër rrugët me pemë dhe asfalt dhe nëpër rrugica pa asfalt dhe pa pemë, kishim llafosur dhe kënduar, dy vajza, vetëm, pa mbrojtje burrërore, natën, në përbindëshin me emrin Tiranë.
Pika e orientimit të tanishëm ishin tullat e rregullta dhe të pastra të Bankës Kombëtare Shqiptare. Para meje niseshin autobusa ngjyre portokalli. “Njëmijë autobusa për paqe!” ishte shkruar në italisht në disa prej tyre. Unë habitesha se ku kishin përfunduar qindra e qindra autobusa, sepse ata që qarkullonin nëpër Tiranë dhe Shqipëri kurrsesi nuk ishin njëmijë. Me njëmijë autobusa në Shqipëri, asnjëherë më s’do të detyrohesha të rrija më këmbë gjatë udhëtimit.
Linja ishte e njëjtë me linjën tonë të zakonshme nga kohërat kur jetoja ende në periferi me miqtë që tani kishin emigruar në Amerikë, ata miq që nuk më kishin lënë vetëm në asnjë hap. Kinostudio.
“Mos ki frikë, – tha Tefiku. – Do t’i hipësh autobusit dhe dy stacione më vonë do të zbresësh prapë. Tek Medreseja. – U nda prej meje dhe unë i hipa autobusit, që ende nuk ishte mbushur shumë. E sigurova çantën duke u përpjekur të mos dukesha e huaj.
Sa aventurë e madhe qe ky udhëtim i parë me autobus që e bëra vetë në Tiranë! Të shkrihesha me masën që derdhej në autobusin ngjyre portokalli për një paqe me xhama të pistë. Të shkrihesha me popullin tim, me jetesën e tij, duke mbajtur njëqind e pesëdhjetë lekë të vjetra në dorë.
Ylli i këputur
Ishte në Allias në kohën e Kërshëndellave, në kohën e Babadimrit, që të bën të mërdhish në rrugë, në dhomë dhe madje në shtrat. Muajt e kaluar, tetori i kuq, nëntori gri, dhjetori i zi mbanin peng zemrën e Sarës. E qeshura i dukej si ndonjë jashtëtokësor.
Sarës i përkisnin lotët e qarë në tokën e premtuar, e cila nuk e kthente dot në jetë. Ky plan ishte dështuar. Kishte rrezik në rrugë dhe shtypje femrash në shtëpi.
Veç kësaj Sara kishte filluar të dyshonte rreth Samuelit. Sepse pas atij trajtimi, gjendja e saj nuk ishte përmirësuar, siç ai ia kish premtuar. Përkundrazi. Këtu në Shqipëri, në Alliasin e hidhur, e kaplloi e vërteta e llahtarshme se ky trajtim i veçantë nuk ishte trajtim fare, por i veçantë në kuptimin – kriminal. Se qëllimi i masazhit nuk ishte shërimi i Sarës, por qejfi i Samuelit.
Dhe tani, pa perspektivë jete në Shqipëri, Sara nuk kishte asgjë më për t’ia dhënë jetës së saj ndonjë kuptim. Ishte pa vend, pa vend, pa vend.
Por i ishin mbetur miqtë, që bënin çmos për t’ia risjellë buzëqeshjen në fytyrë. Qe e strehonin dhe e ushqenin. Shoqja e saj Iva e lau me prekje dashamirëse, që e dëbuan perversitetin e Samuelit dhe e zëvendësuan me dashuri shoqërore. Duart e Ivës i lanë gjithë turpin nga trupi.
Tani ishin në rrugë, në Allias, prapa stendave të pazarit, por ende jo në oborrin e deleve, plehrave dhe fëmijëve. Erdhën nga qendra e qytetit ose nga ndonjë vizitë. Nata ishte e zezë. Mbi pallatet, që dukeshin përherë të papërfunduara, vëzullonin yjet me një qartësi që e gjen vetëm mbi shkretëtirat. Ajri ishte i freskët dhe i pastër. Nata ishte e pastër.
Ja! Një yll u shkëput prej simotrave dhe ra përtokë. “Shpejt! Bëj një dëshirë!”, tha Iva.
Në shkretëtirë, motra e Sarës me të dashurin e saj, që të gjithë e adhuronin, kishte parë një yll të këputur. Ndërsa Sara vetë gjatë atyre pushimeve ishte mbetur me sy dhe zemër të zbrazët.
Tani më në fund ylli i fatit e kishte gjetur edhe Sarën. Në Shqipëri, në Allias, pranë miqve të kujdesshëm. Dhe Sara bëri të vetmen dëshirë që gjendej në shpirtin e saj të etur:
“Dua të bëhem e lumtur përsëri!”
Mesnata
Mesnata është ora magjike kur fluturon stilografi duke rreshtuar gërmë pas gërme.
Mesnata është ora e krenarisë kur mbaroj një vjershë fringo që dua ta ndaj me një mik.
Mesnata është ora e krisur, ora kur pas mjaft ngurrimi guxoj më në fund ta thërras Xhevon, që më kishte thënë: “Më merr në telefon kur të mbarosh një poezi dhe ma lexo, qoftë edhe mesnate, sepse kështu do të frymëzohem dhe unë”.
Mesnata është ora kur mërzitem me atë zë femëror artificialisht të gëzueshëm, që më kujton që në Tiranë as në numrat e telefonit të miqve nuk mund të kesh besim, sepse numrat po ndryshojnë çdo ditë, janë në një rrymë të vazhdueshme kur nuk ka rrymë elektrike, janë mishërimi elektronik i parimit antik “panta rhei”. Por mërzitem edhe me faktin se nuk mësohem dot me ndryshimin më të madh brenda kësaj rryme fatale, e cila më rrëmben gjithë sigurinë e mbajtur me zor dhe të rindërtuar me flori në poezinë që nuk e gjen dot as veshin as vëmendjen miqësore. Nuk pajtohem dot më me atë zë debil stupid idiot, që në vend të fjalëve “Shërbimi special i Telekomit Shqiptar”, që me gjithë mërzinë kishte diçka qetësuese, më vjell në tru litaninë e modernizuar të privatizuar të idiotizuar “Alb-Telekom”, për të mbaruar me refrenin që me gjithë ndryshimin mbetet njëlloj dhe më siguron prapë në mërzinë përfundimtare: “Numri që ju keni kërkuar, përkohësisht është jashtë shërbimi.”
Jo
“Jo!” Fjala njërrokëshe përshkoi ajrin si një armë e sofistikuar dhe ia këputi daullen e veshit. Ai gati u rrëzua nga vrulli i zanores së katapultuar prej bashkëtingullores elastike. Mëzi e kapi veten përsëri, zgjati dorën dhe siguroi kapjen në autobus për të mos rënë përtokë.
Nga habia për atë surprizë të pakëndshme i ishte shpëtuar se çfarë kishte pyetur. Iu kujtua vetëm se duhet të ishte një pyetje e madhe, me rëndësi jetësore. E fiksoi dheun mbi këpucët e veta sikur të ishte shkruar në atë baltë cilën pyetje kishte bërë. Prapë e ngriti kokën. Shikimi përballë tij nuk ishte aq brutal sa fjala e shkurtër, që ishte lëshuar nga goja pak më poshtë. Shikimi dukej vetëm disi i irrituar sepse nuk erdhi më asnjë reagim.
Autobusi vazhdoi rrugën, ndërsa ai kërkoi në trurin e vet se çfarë do të ishte pyetja në fjalë. Mos kishte shtruar një pyetje turpësisht të qartë? Mos e kishte pyetur a e dashuronte? Apo i kishte bërë ndonjë pyetje politike: a ke votuar për Salën? a ke votuar për Tosin? Nëse ajo ishte kosovare, mund ta kishte pyetur: a ke votuar për Shallin a Gjarprin? Apo: a ke humbur lekë në piramidat? a ka humbur Shqipëria ndeshjen kundër Greqisë?
Ai i dha çunit të pistë, heroit të autobusit, një dyqindlekësh të ngrohur në xhep. Kjo ishte dita e bujarisë: pesëdhjetë lekë të vjetra ia ofroi djaloshit duke shpresuar se ky gjest do t’i sillte fat ose së paku pyetje të përshtatshme. Ishte vetëm në merak se çfarë përshtypjeje do ta linte me këtë pyetje, e cila ishte humbur sapo iku nga grilat e dhëmbëve – një debil ose dembel, një idiot himariot.
“Kombinati! Hajde kombinati!”
Papritmas kuptoi. E kishte pyetur vajzën përballë a do të shkonte autobusi në kinostudio.
Po tash, në vend të të shkonte në një kinostudio pa kinema dhe pa studime, ai, nën shikimin e pashpjegueshëm të vajzës, iu afrua gjithmonë e më shumë një kombinati që prej kohësh kishte mbaruar të ishte kombinat.
Tiranë 2000.