Albspirit

Media/News/Publishing

Kina po e humbet Luftën e Ftohtë të Re

Në dallim nga Bashkimi Sovjetik, udhëheqësit e Kinës e kuptojnë se ecuria e mirë e ekonomisë është thelbësore për legjitimitet politik. Gjithsesi, njësoj si Bashkimi Sovjetik, ata po paguajnë shtrenjtë për pak miq, duke pasur vetëm përfitime të pakta ndërkohë që po bien gjithnjë e më shumë në një garë armatimesh të papërballueshme me SHBA-në.

Autor:Minxin Pei Project Syndicate Hong Kong

Kur Bashkimi Sovjetik u rrëzua nga brenda më 1991, Partia Komuniste e Kinës u bë e fiksuar për të kuptuar se pse. Mendimtarët e qeverisë që u ngarkuan me këtë detyrë i hodhën shumë faj Mikhail Gorbaçovit, udhëheqësit reformist i cili thjeshtë nuk ishte mjaftueshëm i pamëshirshëm për të mbajtur Bashkimin Sovjetik bashkë. Por udhëheqësit kinezë theksuan gjithashtu edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm, por jo të gjithë këto faktorë u bënë mësime për udhëheqësit e sotëm të Kinës.

Që të jemi të qartë, komunistët e Kinës padyshim mësuan me zemër leksionin e parë kyç: ecuria e mirë e ekonomisë është thelbësore për legjitimitetin politik. Dhe vendosmëria e tyre për ta rritur ekonominë ka sjellë një “mrekulli ekonomike” përgjatë pak dekadave të fundit, ku të ardhurat për frymë u ngritën në qiell nga 333 dollarë më 1991 në 7,329 këtë vit. Kjo është arsyeja më e rëndësishme se pse komunistët e ruajtën pushtetin.

Por mungesa e vëmendjes ndaj një ekonomie që po dobësohej vështirë se ishte gabimi i vetëm që bënë udhëheqësit sovjetikë. Ata u tërhoqën gjithashtu në një gamë të kushtueshme dhe pa shance për fitore për armatime kundër Shteteve të Bashkuara dhe ranë viktimë e tentativave të tyre perandorake, duke hedhur para dhe burime në regjime që kishin shumë pak vlerë strategjike dhe histori të gjatë keqmenaxhimi ekonomik. Ndërsa Kina po hyn në një “luftë të ftohtë” të re me SHBA-në, komunistët duket se janë në rrezik për të përsëritur të njëjtat gabime katastrofike.

Në pamje të parë, mund të duket se Kina nuk është angazhuar me të vërtetë në një garë armatimesh me SHBA. Në fund të fundit, buxheti zyrtar i mbrojtjes i Kinës për këtë vit – rreth 175 miliardë dollarë – është vetëm sa një e katërta e buxhetit 700 miliardësh të miratuar nga Kongresi i SHBA-ve. Por shpenzimet reale ushtarake të Kinës vlerësohen se janë shumë më të larta se sa buxheti zyrtar: sipas Institutit të Stokholmit për Kërkimet për Pare, Kina shpenzoi 228 miliardë për ushtrinë e vet vitin e kaluar, afërsisht 150% e shifrës zyrtare prej 151 miliardësh.

Në çdo rast, problemi nuk është te sasia e parave që Kina shpenzon për armë në vetvete, por më shumë është te rritja e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake, gjë që nënkupton se vendi është i përgatitur për t’u përballur me një luftë të gjatë lodhjeje me SHBA-në. Megjithatë ekonomia e Kinës nuk është në gjendje të gjenerojë burime të mjaftueshme për të mbështetur nivelin e shpenzimeve që kërkohen për fitore në një front të tillë.

Nëse Kina do të kishte një model rritjeje të qëndrueshme dhe një ekonomi me eficensë të lartë, ajo mund të ishte në gjendje të përballonte një garë të moderuar armatimesh me SHBA. Por ajo nuk e ka.

Në nivel makro, rritja e Kinës ka gjasa do të vijojë të ngadalësohet, për shkak të plakjes së shpejtë të popullsisë, niveleve të larta të borxhit, dhe përshkallëzimit të luftës tregtare që SHBA ka nisur tashmë. Të gjitha këto do të hanë burimet e pakta të Partisë Komuniste. Për shembull, ndërsa varësia nga të moshuarit rritet, po kështu do të rriten kostot e kujdesit shëndetësor dhe pensionet.

Për më tepër, ndërsa ekonomia e Kinës mund të jetë shumë më efikase se sa ajo e Bashkimit Sovjetik, ajo nuk është fare efikase në krahasim me atë amerikane. Arsyeja kryesore për këtë është ndikimi i fortë dhe i qëndrueshëm i sipërmarrjeve shtetërore kineze të cilat konsumojnë gjysmën e kreditit bankar të vendit por kontribuojnë në vetëm 20% të vlerës së shtuar dhe punësimit.

Problemi për Partinë Komuniste është se këto ndërmarrje kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sundimit njëpartiak për shkak se ato përdoren njëkohësisht për të shpërblyer besnikët ashtu edhe për të lehtësuar ndërhyrjen e qeverisë në objektivat ekonomikë. Çmontimi i këtyre firmave të fryra dhe joefikase mund të shkaktojë një vetëvrasje politike. Megjithatë mbrojtja e tyre thjeshtë mund të shtyjë për më vonë atë që është e pashmangshme, për shkak se sa më gjatë këto ndërmarrje të lejohen të gllabërojnë burimet e pakta ekonomike, aq më e papërballueshme bëhet gara e armatimeve me SHBA-në dhe aq më e madhe do të jetë sfida ndaj autoritetit të komunistëve.

Leksioni i dytë që udhëheqësit e Kinës dështuan të vlerësojnë siç duhet është nevoja për të shmangur zgjerimin e tepruar perandorak. Rreth një dekadë më parë, ndërsa kishte surpluse të mëdha tregtare që sillnin tepri të valutës, qeveria e Kinës filloi të ndërmarrë angazhime të kushtueshme jashtë vendit të cilat përbënin edhe subvencionime të “aleatëve” pothuajse të vdekur.

Shembulli kryesor këtu është e shumëreklamuara Iniciativa Një Brez një Rrugë, një program 1 trilionë dollarësh i përqendruar në ndërtimin e financuar me borxhe të infrastrukturës në vendet në zhvillim. Pavarësisht shenjave të para të telasheve – të cilat, bashkë me eksperiencën e Bashkimit Sovjetik, duhet t’i jepnin leksion komunistëve – Kina duket e vendosur të ecë përpara me projektin, të cilin udhëheqësit e vendit e krijuan si një kolonë të “strategjisë së madhe”.

Një shembull edhe më i dukshëm zgjerimi perandorak të tepruar është ndihma bujare që Kina po i jep vendeve të ndryshme të tilla si Kamborxhia, Venezuala dhe Rusia – në shkëmbim të së cilës po përfiton pak gjë. Sipas AidData në Kolegjin William and Marry, nga viti 2000 deri më 2014, Kina, Kameruni, Bregu i Fildishtë, Kuba, Etiopia dhe Zimbabve sëbashku morën 24.4 miliardë grante kineze apo kredi të subvencionuara. Përgjatë të njëjtës periudhë, Angola, Laosi, Pakistani, Rusia, Turkmenistani dhe Venezuela morën 98.2 miliardë.

Tani Kina ka premtuar të japë 62 miliardë dollarë kredi për “Korridorin Ekonomik Kinë-Pakistan.” Ky program do të ndihmojë Pakistanin të luftojë krizën e vet të bilancit të pagesave; por do të zbrazë edhe thesarin e qeverisë së Kinës në një kohë kur proteksionizmi tregtar kërcënon mundësinë që thesari të rimbushet.

Njësoj si Bashkimi Sovjetik, Kina po paguan me tepri për pak miq, dhe po përfiton pak gjë në shkëmbim ndërkohë që është zënë gjithnjë e më shumë në një garë armatimesh të fortë. Lufta e Ftohtë Sino-Amerikane thjeshtë sa ka nisur, megjithatë Kina është sakaq rrugës drejt humbjes.

Project Syndicate. China is Losing the New Cold War

 

Minxin Pei
RRETH AUTORIT

Minxin Pei

Minxin Pei është profesor i qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna College dhe autor i librit Kapitalizmi Klientelist i Kinës.

Please follow and like us: