Albspirit

Media/News/Publishing

Doriana Metollari: Nuk jemi ushtarë të askujt!

Gazetarët nuk janë ushtarët e askujt, as të atyre ku marrin rrogat. Nëse ne nuk e ndjejmë dhe nuk jemi të vetëdijshëm për atë që na takon si: a) e drejta për punë të rregullt b) e drejta për të ushtruar profesionin të lirë c) e drejta për të jetuar në siguri në një shtet demokratik, pra nëse ne nuk jemi të vetëdijshem për këtë, do të jetojmë të frustruar, siç jeton pjesa më e madhe sot.

Gjithsesi nisur nga kjo, besoj fort se sot mund të bëjmë një zgjedhje të guximshme. Kjo situatë mund të ndryshojë dhe s’ka burrë nene a babe që të më bindë për të kundërtën. Mënyra sesi i trajtojmë ngjarjet ndikon në influencën që kanë në shoqëri dhe në përsëritjen ose jo, të këtyre nesër. Ngjarje të tilla nuk janë trajtuar siç duhet, ose me saktë janë trajtuar pa zgjidhje.

Jetojmë në një vend, ku nuk mund të presim që partia të bëjë shtet, sepse atëherë ky shtet do të ishte shteti i partisë dhe ne do te kishin përsëri Parti-Shtet në Pushtet.

Jetojmë në një vend ku institucionet i kërkojnë shqiptarët dhe janë po shqiptarët ata që pretendojnë funksionimin e tyre. Kolegët e mi, nuk do të jenë ‘kurban’ në këtë shtet-formim, sepse ata janë heronj të përditshëm, ashtu si pjesa tjetër e gjithë atyre që paguhen me 200 euro.

Nëse shqiptarëve do tu duhet të bëjnë për institucionet e vendit do ta bëjnë, por kujdes, sepse ata nuk duhet të jenë viktima të përplasjeve, në një vend që nuk garanton siguri. Kur dikush i drejton pistoletën një gazetari, i drejton pistoletën lirisë së fjalës, ligjit, dhe vete institucioneve që ai ligj mbron. Garantimi i saj është një e drejtë dhe shqiptarët e dinë. Tani dy janë rrugët, ose mbani mirë timonin, ose ky vend do të mbushet me refugjatë e azilantë lufte, sepse askush nuk do të bindet më se mund të bëhet. Shteti është i yni, Siguria është për ne. Vendin e mban një vizion, një shpresë, një e ardhme.

Askush të mos e prekë atë për të cilën nuk ka derdhur mund e djersë as dhe një ditë për ta ndërtuar. Në Shqipëri nuk ka “armiq” për të cilët mund të bëjnë betaja civile partitë politike, sepse nëse ne kemi ardhur në këtë pikë sot kjo vjen për shkak se shteti është ngatërruar me partinë, dhe policia me politikën.

Në Shqipëri ka vetëm një mungesë, ate të bashkimit për të ndërtuar një vend ditë për ditë, jo në një ditë. Nëse për ta treguar këtë Bashkim duhet të dalim në rrugë, dhe për të mbrojtur kolegët tanë, apo çdo qytetar që kërkon që ky vend të bëhet, le ta bëjmë.

Please follow and like us: