Emil Asdurian: PËRGJEGJËSI QYTETARE (ACCOUNTABILITY) LLOGARI
Nuk do të doja, siç është zakoni kohët e fundit në shkrime dhe përshtypje, kur e nisin me shpjegimin e fjalës/ve nga fjalorë të ndryshëm, kuptimin e parë, të dytin të vërtetuar nga koha, statistika dhe specialistët, të bëja këtë, se jam i sigurtë do ta bëni: Accountability është koncepti në fjalë.
Dikur ky emërtim, ose më mirë gjysma e parë e tij, qëndronte varur në kokat tona, si ajo shufër e gjatë, si shtyllë kurrizore hekuri në trup të avionit, që mbante litarët e parashutave, e “siguronte” hapjen e tyre kur të hidheshim të binim në tokë, butë dhe pak a shumë në vendin e përcaktuar, pa çka që disa u ish prerë ajo kordë ose parashuta ish e grisur a hequr fare, por në të fundit dihej kush e kish përgjegjësinë. Zot’ i piramidës së vetë, ku çdo gur e lëvizte si donte ai dhe rrethi i tij. Paraja s’kish fuqi, lidhja politike, a njerëzore ish Zot, si Zoti. Me apo pa parashutë. Para tij, si para vdekjes, të gjithë të barabartë. E qartë si drita.
Megjithatë, ose ajo por, që vjen më pas, lidhet ngushtë me atë pjesë të dytë të fjalës që përfshin në vetvete, llogarinë, barazpeshimin. Që do të thotë një numërim një për një dhe “pagese” për ato që u bënë, mirë apo keq. Por si mund të përgjigjej e të paguante ai NJË, fillimi dhe mbarimi, si mundej Qielli kur gjithë poshtë, s’ish tjetër veç mëkat. Për të siguruar përgjegjësinë gjithëbashkëshoqërore, dhe pse as q’u mundua, as për sy e faqe, t’i mbulonte varësinë dhe bindjen ndaj piramidës, çuditërisht kishte dhe një Kuvend Popullor, gjoja bazuar në traditën e veçantë fisnore shqiptare, jo më Parlament, ku të gjithë flisnin siç u thuhej të flisnin, siç u thuhej të ngrinin dorën në votë, 99.9%, edhe ajo si statistikë, e sajuar, në emër të unitetit, dhe kundërshtarët armiq në burgje a internim nuk lejoheshin të votonin. Të shkretët, deputetë rrëfeheshin në zonat e tyre dhe përpiqeshin sa mundnin, por dhe ata i hiqnin apo i mbanin sipas modës, (kish kaq shumë besnikë, që prisnin në radhë) dhe ndrrimit te grupeve e tribuve rreth Oborrit-Byro. Pra përgjegjësia dhe ajo llogaria e vërtetë shpërndahej kudo dhe tek asnjëri. Shkonte lart e poshtë dhe binte prapë poshtë dhe dënonte të dënuarit, q’i kishin zgjedhur me gajde dhe daulle. Ai, bënte sikur na gënjenjte dhe ne, bënim sikur ose dhe besonim. Ç’marrëzi!
Sot, në demokracinë e re, sipas modelit në formë dhe ndërtim, me atë të vendeve të zhvilluara të EB dhe SHBA, edhe pse në thelb, ca këtu e ca atje, Katovica apo Kuba, ka ngelur e pacënuar, dy gjëra kanë ngelur njëlloj, të themi ç’të duam: roli i partisë, që mbivendos për organin e zgjedhur, e njëjtë, ashtu si dhe mendëria popullore e mospërzierjes dhe mënjanimit të rolit të saj për vetëqeverisje. Unë, kam qenë nga ata, që mendoja dhe mendoj, si shumë, se krijimi i partive të reja, do prishte Katovicën e derdhur në beton dhe lyer me suvanë shumëngjyrëshe të Shallvareve, por si duket kjo kërkon diçka më rrënjësore, si ajo qe të mos bëhet nga lart, q’është treguar që s’bëhet. Llogaria një për një ndaj të zgjedhurve. Në çdo kohë, për çdo ligj të aprovuar dhe jo të lemë kryeministrin, cilindo kryeministër kokorroç apo heshtanjoz të mefshtë, të bejë ç’të dojë në parlament, në emër të partisë fitimtare. Kuptohet se çfarë na kujton kjo. Pikërisht, atë që s’duhet të jetë. Çdo deputet duhet, e përsëris duhet, të përgjigjet për votën e tij para votës sonë. Të përgjigjet për atë ligj, i cili do të bjerë mbi ne, që do e mbajmë dhe ndajmë, përpara nesh. Llogari një për një, për çdo një. Por dikush do thotë: “Ne votuam për partinë. Partia i zgjodhi për ne”. E Pastaj!!!!
Pikërisht kundër kësaj mëndërie! JEMI NE QE VENDOSIM!
Dhe përgjegjësia jonë vazhdon edhe pas zgjedhjeve, atëhere fillon.
Kjo dhënie llogarie ka munguar gjithandej, edhe sot, s’është vetëm e jona, por vërtetë, në një shtet të ri, relativisht, si i yni, a duhet të vazhdojmë siç kemi bërë ngaherë: te presim kokëulur të na qeverisin e shkelin? Shembulli më i freskët, si mish kurbani: Theatri Kombëtar, tregoi se trupi ka ende frymë! Por pak probleme madhore shoqërore kemi, q’i shohim për ditë, e i anashkalojmë:
- Korrupsionin, që na mban të gjithëve me buke dhe na vret duke vrarë shoqërinë!
- Mjekësinë plot suksese ndërkombëtare, por që falas nuk është aspak!
- Edukimin e një brezi të ri, që ka mësuar të dipllomohet edhe pa mësuar!
- Të ardhmen, që ka mbetur diku jo vetëm si jetime e braktisur dhe pa shpresë, sa duket e pamundur të jetë ne atë dhe të shenjtë!
E drejta e votës së lirë, sjell me vete, një përgjegjësi zgjedhjeje, por zgjedhja e gabuar, nuk do të thotë që mbaron aty, gdhendur në gur. Parlamenti është pushteti i vërtetë i demokracisë, çdo tjetër që rreket ta ndryshojë, heq nga ne të drejtën më parësore të lirisë dhe mëvetësinë nga çdo kush tjetër, frike apo ndjellje me të mira te çfarëdo lloji. Aq sa dhe dhënia llogari e çdo të zgjedhuri, përfaqëson dhe përforcon fuqinë tonë në qeverisjen e vetes dhe të vendit. Kjo është liria. Kjo është dhe mbrojtja jonë kundra çdo Diktature, të vjetër, të re apo të rilindur.
Kur Gjermania u dorëzua e mundur më 1945, aleatët, Fuqitë e Mëdha vendosën më së pari, mbi të gjitha të ndryshojnë mëndësinë e gjermanëve ndaj shtetit dhe qeverisjes së tyre. Rruga është e qartë, e hapur, e shtruar, por ç’presim të hedhim hapin e parë? Ajo ure pertej ketij bregu ku kemi mbetur per shume dekada dhe shekujt do kaperxyer! Le ta bejmë, se s’ka rrugë tjetër (a të na e marrin dhe atë pak që na e lanë të parët! Barkat janë gati! Për sa ikin, vinë qindra më të dëshpëruar)!
Fanar s’kemi qenë ndonjëherë, por trima kokëkrisur po, për këtë njihemi. Ndryshuam dhe shpëtuam botën e qytetëruar.
Pse kaq kohë në gjumë, për veten!