Llambi Blido: Fenomeni Kadare…
Bashkëpunimi dhe ndikimi reciprok mes letërsisë dhe artit të një vendi nuk është ndonjë dukuri e re dhe e panjohur. Emil Zola dhe impresionistët në Francë, Dante Aligheri dhe Gustav Dore sikurse dhe miqësia e ngushtë e Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit me Vangjush Mion e Kristaq Sotirin në Shqipëri. Përbën shembull ky shoqërim i letërsisë me pikturën dhe fotografinë artistike në atë periudhë të vështirë të historisë sonë.
Në fund të viteve ’50-të -fillim të viteve ’60-të e në vazhdim miqtë më të afërt të shkrimtarit Ismail Kadare ndofta nuk qenë kaq shkrimtarët, sa piktorët. Vilson Kilica, Danish Jukniu, Ksenofon Dilo siç duket, e admironin shkrimtarin dhe e ndjenin natyrshëm si një protagonist të rëndësishëm të modernitetit, pikërisht në atë drejtim për të cilin aspironin edhe ata si të rinj që ishin. Nga Kosova, Muslim Mulliqi sa zbriste në Tiranë, nuk i niste takimet e tij me Abdurrahim Buzën dhe Vilson Kilicën, por me vizitën në shtëpinë e shkrimtarit, ku ishte një mysafir i mirëpritur.
Krijimtaria novatore e Kadaresë qe vënë vetiu në qendër të vëmendjes së lexuesit të gjerë dhe posaçërisht të lexuesit intelektual. Ajo qe veçanërisht e pëlqyer dhe e dashur edhe për brezin e artistëve të porsakthyer nga shkollat e huaja të artit, të frymëzuar edhe ata nga ide të reja dhe progresive për mjedisin tonë. Përveç kësaj, në betejën e kuptueshme mes brezave që nuk mund të shmangej, atëherë, këta të rinj e kishin ndjerë Kadarenë në anën e tyre, një aleat të sigurt dhe tepër të rëndësishëm. Ndërsa ne, një brez artistësh që mbaruam studimet e larta pak më vonë dhe që përbënim sigurisht një prurje më vete, në të njëjtin drejtim emancipues e modernizues ishim që të gjithë ”kadareanë”.
Më 1967, përgatitej për ribotim romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” pas suksesit të tij të bujshëm. Në atë kohë duke ndjekur botimet tona të letërsisë kisha krijuar përshtypjen se praktika që ilustrimi vizual i takonte vetëm letërsisë për fëmijë qe një gabim, prandaj i propozova Kadaresë nëpërmjet Elenës, të cilën e kishim kolege në redaksinë tonë, që botimi i ri i romanit të tij të suksesshëm të shoqërohej me ilustrime nga një piktor me aftësinë e duhur. Për këtë kisha menduar si të përshtatshëm piktorin dhe mikun tim të asaj kohe, Naxhi Bakalli. Me Naxhiun e pata biseduar paraprakisht dhe pata marrë miratimin e tij. Bakalli zotëronte një vizatim të fuqishëm dhe ilustrimet që ai realizoi për veprën e Kadaresë qenë për mua një ngjarje e vërtetë në historinë e artit shqiptar të ilustrimeve. Për fat të keq në redaksinë e ilustrimeve të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” të asaj kohe, shkrimtari ndeshi për këto vizatime në një barrikadë të pakapërcyeshme. Pamundësia për të aprovuar edhe një realizim kaq cilësor dhe që nuk kishte asgjë të tepërt dhe të papranueshme nga ana artistike, më habiti, sidomos sepse nga të njëjtat institucione të artit tonë sapo qenë vlerësuar dhe konsideruar një sukses i grafikës shqiptare, ilustrimet shumë më tepër ekspresioniste të veprës së Migjenit, me tipare dukshëm më të ekzagjeruara nga pikëpamja e censurës.
Nuk na takon neve të arteve vizive të bëjmë analizën dhe vlerësimin e saktë të letërsisë së Kadaresë, por mund ndofta të themi se çfarë na tërhiqte si lexues te vepra e tij. Para së gjithash ndjenja e realizmit e dhënë nga një këndvështrim krejt i ri me figuracion të pasur dhe shpesh të papritur, përherë me elegancë – pa rënë kurrë në vulgaritet, banalitet. Letërsia e tij ishte për ne përherë interesante, si nga forma ashtu edhe nga shija në të gjithë elementët e saj. Për ne si lexues dhe njerëz të artit kjo ka gjithmonë rëndësi.
Ismail Kadareja, me sa e kam përjetuar unë atë periudhë, është ndodhur në çdo rast në krah të të rinjve të talentuar të letërsisë pa shfaqur asnjëherë nënvleftësim apo xhelozi. Ai përkrahu që në fillim Faik Ballancën në të gjitha përpjekjet e shkrimtarit të ri. Kadareja e vlerësoi atë për talentin dhe origjinalitetin dhe u ndodh në krah të tij edhe kur tipare të caktuara të krijimtarisë jetëshkurtër të Ballancës u bënë objekt diskutimesh.
Kadareja u shfaq gjithashtu që në fillim në përkrahje të Bilal Xhaferrit një talent tjetër i ri që i bëri përshtypje në shkrimet e para. Ndihma e shkrimtarit të njohur qe e përnjëhershme dhe konkrete, prandaj të gjithëve na ka çuditur kundërvënia e papritur dhe e pavend e Bilal Xhaferrit në diskutimin e njohur tashmë për lexuesin rreth romanit “Dasma”.
Dihej nga të gjithë si u shkruan këto vepra që ishin fryt i imponuar i një fushate vulgare të dërgimit të një numri shkrimtarësh e artistësh në qendra prodhimi në pika të ndryshme të Shqipërisë, me detyrën që të ktheheshin që andej me nga një vepër letrare, muzikore apo të arteve vizive, ku të pasqyrohej jeta dhe puna e atij kantieri ndërtimi a prodhimi. Dhe ishte e qartë që vepra të këtilla, të bëra me urdhër e me fushatë, nuk kishin se si të hynin në krijimet më të mira të asnjë autori sado i aftë e më përvojë të qe ai. Është fakt që disa nga këta autorë nuk arritën të bëjnë asgjë.
Kadareja ka qenë me ne brezin e artistëve të rinj të gjysmës së dytë të viteve’60-të edhe kur mes miqve të tij artistë shfaqej ndonjë shenjë tendencioziteti klanor, dukuri kjo kaq tipike në Shqipërinë tonë. Kështu i mbaj mend unë raportet e letërsisë më të përparuar të kohës dhe artit në përpjekjet që bënte ai për zhvillime të mëtejshme dhe emancipim modern.