Dashamir Uruçi: Kam dhimbje ndaj mendova t’i them dy fjalë…!
Sapo dëgjova intervistat e shkurta të zotit Sali Berisha dhe zotit Albin Kurti.
Që të dy në unison ndanë pikëpamje të përbashkëta për mosndarjen e Kosovës, “në respekt” të qëndrimit të kahershëm europian për mosndryshimin e kufijve…!
Një qëndrim të kundërt dhe pro këmbimit të territoreve ka mbajtur presidenti aktual, Hashim Thaçi.
Ajo që i vret qytetarët sot, në Kosovë, Shqipëri e gjetkë, aty ku jetojnë, është ndarja si me thikë e qëndrimeve për interesat kombëtare të shqiptarëve si dhe mungesa e marrëveshjeve politike për qëndrime të njësuara e të përbashkëta, në mbrojtje të atyre trojeve që na kanë mbetur…!
Mungesa e analizave të thelluara, publike, të specialistëve, ku qytetarët të kuptojnë “ndryshe” çfarë po bëhet, dëshmon për monopolizimin e çështjes kombëtare nga politika dhe rrezikun e madh që i kanoset interesave tona kombëtare.
Me një klasë politike të konsumuar e të kontestuar, në sytë e së cilës humbëm me mijra km/2, të cilat na i mori Maqedonia e Mali i Zi, duke pritur të na shkyjnë copa të mëdha edhe Greqia e Serbia, ditë të mira nuk na presin…!
Në Maqedoni një skenar i paturpshëm gjithashtu po vihet në zbatim.
Me një marrëveshje skilesh si ajo e Prespës, injorohen totalisht, interesat e shqiptarëve në Maqedoni.
Askush nuk mund ta thotë se ç’punë kishte përcaktimi i gjuhës zyrtare në Maqedoni, në një marrëveshje midis Greqisë e Maqedonisë, për emrin e kësaj të fundit, një marrëveshje “e lagu, s’e lagu” për ne shqiptarët.
Rrezulton se një nga detyrat kryesore të marrëveshjes së Prespës, ka qenë, ligjërimi, në një plan gjoja ndërkombëtar edhe i maqedonishtes si gjuhë zyrtare, në Maqedoni.
Një rrugë e dy punë, kanë planifikuar të bëjnë maqedonët, me këtë marrëveshje: Të fitojnë emrin e ri “Maqedonia e Veriut” dhe të fshijnë nga faqja e dheut, gjuhën shqipe, në këtë vend.
Ato pak intelektualë shqiptarë që po luftojnë në Maqedoni, pa dashur kanë rënë viktimë, të situatës së krijuar.
Ata po shpresojnë të realizojnë të drejtat e shqiptarëve, me shpresën e ndryshimeve kushtetuese, që do të thotë “prit gomar sa të dalin bar”.
Po kaloi referendumi i 30 shtatorit, politika maqedone e shuan gjuhën shqipe në Maqedoni dhe tund përjetësisht fjalën, “referendum” dhe fjalët “vullnet i popullit”.
Qëndrimi ndaj këtij referendumi, është vijë demarkacioni, në mes të atyre që janë me interesat e shqiptarëve dhe të tjerëvë që janë kundër.
Dy rrugë, sipas mendimit tim, i kanë mbetur shqiptarëve në Maqedoni:
T’i thonë “Jo”, REFERENDUMIT për marrëveshjen liqenore të Prespës.
T’i thonë “Po”, REPUBLIKËS SHQIPTARE TË ILIRIDËS….!
Të gjitha të tjerat, janë humbje kohe.
Miratimi i Referendumit të 30 Shtatorit, do t’i krijojë mundësi të reja sundimit maqedon dhe do të lehtësojë boshatisjen e vazhdueshme, të vendbanimeve shqiptare, në të ashtuquajturën “Maqedoni e Veriut”.
Jetesa e shqiptarëve në nje vend, ku tokat janë të tyret, flamuri është grek dhe gjuha zyrtare është realisht bullgarishtja, do të jetë e pamundur.
E nëse ndodh kjo do të jetë humbja e rradhës, për ne shqiptarët, pa patur të drejtë të fajësojmë politikanët tanë.
Fajin e kemi ne, qytetarët shqiptarë që po flemë gjumin e rëndë të vdekjes…!