Albspirit

Media/News/Publishing

Gary-Seberg, një histori e pazakontë dashurie

 Luan Rama

 

Romen Gari (Roman Gary) ishte gjithashtu shkrimtari i pasionuar pas kinematografisë dhe ndoshta ngaqë ai ra në dashuri, u martua me një nga aktoret më në zë amerikane të viteve 60-të dhe veçanërisht të “Valës së Re” franceze, Jean Seberg, me një rol të mrekullueshëm në filmin A bout de souffle. Ishte një dashuri e madhe dhe një tragjedi tronditëse, pasi pas ndarjes së tyre, Jean bëri vetvrasje e vetmuar në makinën e saj në një rrugë pariziane, duke lënë pas fëmijën e tyre Diego (që mbante emrin e një shoku të tij të luftës)! Romanet e tij u ekranizuan nga autorë të shquar amerikanë e francezë si John Huston (Rrënjët e qiellit), Kosta Gavras (Shkëlqim gruaje) apo filmi i jashtëzakonshëm Jeta para teje, etj., me Madame Rosa, e interpretuar me një origjinalitet të skajshëm nga Simone Signoret.

Ai madje realizoi vetë dy filma si kineast, duke shtuar këtu dhe filmin Kill. Në Amerikë, Gari ishte një star dhe jetonte mes starëve amerikanë të Hollivudit. Kur ishin në Los Angeles, Jean pati një flirt me Clint Eastwood, ai kërkoi të ndeshej me të në duel si në kohërat kalorsiake, por aktori amerikan preferoi të largohej. I tillë ishte Romen Gari, ndryshe nga të tjerët…

Koha më e vështirë për çiftin Gari-Seberg ishte kur Jean shkoi bashkë me Diegon në Beverly Hills. Pas tyre shkoi dhe Gary, i cili në atë kohë filloi të shkruante skenare të shumtë për producentët e Hollivudit dhe siç shkruan në kujtimet e tij, ai shpejt e kuptoi se shumë regjisorë e skenaristë të talentuar, ishin në mëshirën e producentëve që ishin injorantë dhe me shije të rëndomta. Pikërisht atje ai u njoh me shumë nga figurat e kinematografisë amerikane. Miqtë e tij ishin Fred Astaire, Frank Sinatra, Cecil de Mille, Billy Wilder… darkat i kalonte me Kirk Duglas, Catherine Hepburn, Lana Turner, Ava Gardner… Çifti Gari -Seberg, ishte si një refleks i çifteve mitike, siç ishin Arthur Miller me Monro, apo siç kishin qenë Scott Fitzgerald me Zeldën… Pikërisht në këtë kohë filloi të shkruajë dhe romanin e tij të njohur Qeni i bardhë, një dëshmi e fortë e kohës ku qëndroi në Amerikë dhe e problemeve të mëdha qe përjetonte atëherë shoqëria amerikane e përballur me luftën kundër racizmit, me protestat e mëdha kundër luftës në Vietnam nën shëmbulllin e Marlon Brandos, etj.

Në vitin 1969, ishte Jules Dassin që realizoi filmin Premtimi i agut, i bazuar në romanin e tij, ku heroina kryesore ishte Melina Merkuri, gruaja e re e Dassin. Kur Gari e pa filmin në sallë, ai doli i tërbuar pa përshëndetur askënd. Askush nuk e kuptoi këtë sjellje të tij deri kur Gari edhe pse i kishte pëlqyer filmi, do të tregonte se nuk e kishte duruar atë shprehje që kishte shtuar Dassin në gojën e fëmijës kur një çast, i kishte thënë nënës së tij “Nënë, s’dua të jem hebre!…”

Seberg: “Zogjtë shkojnë të vdesin në Peru…”

“Les oiseaux vont mourir au Pérou” është nga tregimet më të bukura të tij e botuar fillmthi në revistën amerikane erotike Playboy në vitin 1965 dhe e vlerësuar nga kritika si “Novela më e mirë e vitit 1964”. Në fakt, kur ishte me funksione diplomatike në La Paz të Bolivisë, gjatë udhëtimeve të tij ai ishte habitur kur kishte parë një plazh të shkretë në Lima, ku shkonin të jepnin shpirt zogj të plagosur apo të sëmurë. Kështu, plazhi ishte mbushur me mijra zogj pa jetë. Tregimi është i shkurtër dhe në dhjetë faqe ai ndërtoi historinë e një luftëtari francez që kishte luftuar me Fidel Kastron në Sierra Madre dhe në dëshpërim të madh ishte tërhequr në një plazh të shkretë midis zogjve pa jetë. Pikërisht atje ai gjen një grua të re që tenton të vrasë veten dhe të mbytet, por ai e shpëton dhe bën me të dashuri në ujrat e oqeanit e më pas i pafuqishëm, e lë atë në fatin e vet dhe nën tmerrin se burri i saj anglez do ta vriste, nëse ajo e tradhëtonte sërrish.

Këtë histori ai donte ta shikonte në ekran dhe në rolin e regjisorit, ai filloi xhirimet në Spanjë, ku Jean Seberg shndërrohet në rolin e Adrianës dhe që shkoi atje të vdesë midis zogjve pa jetë të atij plazhi të braktisur. Edhe pse me një gjetje origjinale, filmi nuk do ta gjente emocionin e tregimit letrar… Siç do të shkruante më vonë në librin e tij autobiografik Nata do të jetë e qetë, “Unë gjithnjë kam patur frikë nga dështimi i dashurisë time, nga ajo mungesë dashurie që veç e shton dëshirën për të kërkuar këtë dashuri…”

Në fundin e viteve ’60, çifti Gari-Seberg përjetonte krisje të mëdha. Gary nuk mund të qëndronte më në Amerikë në një gjendje të vazhdueshme dëshpërimi. “Ne ishim të lumtur bashkë gjatë nëntë vjetëve, – shkruante Gari, – dhe pastaj filloi krisja… Ne u ndamë. Ishte një divorc që shkoi mire, meqë unë isha 25 vjet më i madh se Jean. Dhe natyrisht, ajo kaloi nga roli i saj si gruaja ime, në atë të vajzës time. Dhe meqë unë s’kisha patur kurrë vajzë, gjithçka shkoi mirë…”

Vite më pas Seberg do të kthehej në Paris, pasi kësaj rradhe, e përndjekur nga FBI, jeta e saj ishte bërë e padurueshme. Por ishte Romen që do ta merrte në mbrojtje, që do ta strehonte në të njëjtën ndërtesë ku ishte dhe apartamenti i tij në Rue du Bac; ishte ai që paguante gjithë faturat e saj. Vitet e fundit të Jean do të jenë vite të një rënie drejt greminës, drejt alkolit, klinikave psikiatrike…

Aktoren Jean Seberg e gjetën të vetëvrarë tetë ditë më vonë në rrugën Rue du Général Appert në Parisin 16. Ishte strukur në sediljet e prapme të makinës, mbuluar me një kuvertë, duke mbajtur një letër në dorë për të birin e saj dhe ku i kërkonte ta falte për veprimin e saj dhe se po e linte: “Më fal, nuk mundem më. Ji i fortë. Ti e di sesa të dua.

Nëna tënde!…”. Një ditë më parë, ajo i kishte kërkuar dikujt ta shoqëronte për të shikuar të nesërmen filmin e Costa Gavras Claire de lune (sipas romanit të Gari-së) ku luante Romy Schneider dhe Yves Montand… Por ajo s’do ta shikonte kurrë. Në një nga dialogjet e filmit, Montand (Gari) thoshte: “Kur të do një grua me tërë sytë e saj, megjithë mëngjeset e saj, me fushat, burimet e zogjtë e saj, e dimë se ne nuk e kemi dashur dhe aq dhe se bota nuk është veçse një fillim i gjithë asaj çka duhet bërë…”

Vetvrasja e Jean ishte nje tronditje e madhe për Gari. Në konferencën e shtypit të atyre ditëve, ku doli bashkë me djalin e tij Diego, ai akuzoi drejtpërdrejtë shërbimet e fshehta amerikane: «Jean Seberg u shkatërrua nga FBI. Më 1970, kur ne ishim në proçes divorci. FBI nxorri në një gazetë amerikane një informacion sipas të cilit Jean priste një fëmijë të një ekstremisti të lëvizjes «Black Panthers». Unë besoj se ai fëmijë ishte imi. Por kjo shpifje e sëmuri Jean-ën, dhe fëmija, një vajzë, vdiq gjatë lindjes. Që nga ajo kohë Jean u bë psikotike. Çdo vit, në përvjetorin e kësaj fëmije ajo tentonte të vriste veten…»

Please follow and like us: