Albspirit

Media/News/Publishing

Grupi parlamentar i PS, përjashton deputetin Gjetan Gjetani

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, u votua përjashtimi i deputetit të Kurbinit, Gjetan Gjetani.

Ky vendim vjen pas deklaratës së bërë në Asamblenë Kombëtare të PS, nga Kryeministri Edi Rama, i cili paralajmëroi përjashtimin e tij.

Duke folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, Rama tha se askush nuk u ka kërkuar kryetarëve të PS në territor që të jenë shefa kuadri dhe garantoi se do të bëhet çmos që një gjë e tillë të ndryshojë.

“Ashtu si deputeti i Kurbinit që duhet të përjashtohet nga Partia Socialiste, pasi nuk ka vend në parti. Nuk ka bërë asnjë punë por ka shantazhuar dhe ka bërë presion dhe kërkon ekskluzivet për të vënë shefa policie në Kubrin. Dhe bën një deklaratë pocaqi aty. Përjashtimi i tij duhet të jetë mësim për deputetet për të ndarë njëherë e mirë punën nga futja e hundëve nga ndërtimi i shtetit”, u shpreh Rama.

Sipas tij, partia në territor është larg së qeni PS që dëshirohet për sfidat që presin përpara dhe se është larg së qenit partia që kryen funksionet e patjetërsueshme të komunikimit dhe ndërmjetësimit me ata që e kanë besuar.

Një javë më parë deputeti Gjetan Gjetani bëri këtë publikim në rrjetet sociale:

“Ngjarjet e fundit të ndodhura në Kurbin, më kanë shqetësuar shumë. Duke bërë që, në Kurbin, mos të ndjehemi të sigurt. Eksploziv, kërcënim me armë dhe vrasja e dy të rinjve, tregon që, policia është hallkë shtetërore shumë e paaftë.

Kjo tregon, se në Kurbin, kanë sjellë oficera dhe drejtues policie të paafte të korroptuar dhe ordinera.

Si deputet i kësaj zone, kam pas ankesa të shumta nga qytetarët të cilat do t’i bëj publike në parlament. Brenda muajit shtator do kërkoj interpelancë me ministrin e Brendshëm, dhe në qoftë se nuk do të marrë masa për pastrimin e Komisariatit të policisë Kurbin, unë i pari do ngrihem në protestë, duke kërkuar mbështetjen e gjithë qytetarëve të Kurbinit pa marrë parasysh ngjyrat politike”.

Please follow and like us: