Albspirit

Media/News/Publishing

Sonja Biserko: Serbia, faktori kyç i destabilizimit të Ballkanit

Ndonëse nga shkatërrimi i Jugosllavisë kanë kaluar thuajse 30 vjet, rajoni ende nuk është konsoliduar, gjë që e bën atë të lëndueshëm. Kësaj në masë të madhe i kontribuon edhe konteksti aktual ndërkombëtar që në një mënyrë sui generis përthyhet në Ballkan. Rendi ndërkombëtar liberal, mbi të cilin është krijuar arkitektura ballkanike, është kah rrënohet dukshëm. Rajoni sërish ka filluar të fundoset në jostabilitet, me thellimin e krizave kërcënuese, si brenda disa shteteve të caktuara, ashtu edhe në marrëdhëniet e ndërsjella mes tyre. Thuajse çdo shtet i Ballkanit Perëndimor ka potencial të „krizës së brendshme“, që para së gjithash rrjedh nga mungesa e traditës demokratike dhe procesi i papërfunduar i tranzicionit. Përveç kësaj, konteksti rajonal karakterizohet nga trashëgimia e pakapërcyer e luftës dhe nga aspiratat e pashuara të territoriale dhe etnike. Largimi nga perspektiva europiane i përforcon frustracionet e brendshme dhe ato reciproke. Në këtë drejtim, në pështjellimin global, Ballkani është shndërruar në pikë ku zhvillohet gara gjeostrategjike e anëtarëve të fuqishëm të bashkësisë ndërkombëtare.

Tanimë është parë se Bashkimi Europian dhe NATO-ja nuk kanë ndikim kyç në rrjedhat e politikës së brendshme të vendeve ballkanike. BE-ja e ka nënçmuar interesin gjeostrategjik të aktorëve të tjerë ndërkombëtarë për këtë hapësirë. Siç thotë politikologu bullgar Ivan Krastev, Rusia dhe Turqia në mënyrë aktive po e politizojnë tendosjen etnike dhe fetare në vendet ballkanike. Elitat politike të Ballkanit Perëndimor nuk kanë treguar pjekuri dhe përgjegjësi në konsolidimin e shteteve të reja. Të njëjtat nuk ia kanë dalë të bëhen subjekte përgjegjëse ndërkombëtare me vizion ardhmërinë e vet. Për këtë arsye, BE-ja, pa marrë parasysh krizën momentale, duhet ta përkufizojë qartë politikën e vet ndaj Ballkanit Perëndimor. Nuk mjafton vetëm mbështetja retorike pa qëllime të qarta. Është e domosdoshme mbështetja më e madhe e të gjitha segmenteve shoqërore proeuropiane.

Serbia është faktori kyç i destabilizimit të rajonit përderisa nuk largohet nga nacionalizmi madhor shtetëror. Elita nacionale serbe ka targetuar rrethana ndërkombëtare që, me ndihmën e Rusisë, do t’i mundësonin rrumbullakimin e projektit kombëtar. Në mbajtjen gjallë të këtij iluzioni rol të rëndësishëm luan Rusia, sepse ka depërtuar shumë thellë në opinionin publik serb me tezën se „serbët duhet të jenë shumë të lumtur që nuk janë në BE“. Mbajtja e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së dhe rindezja e kontesteve lokale për Rusinë paraqesin minim apo dërrmim të unitetit europian dhe besueshmërisë së vetë BE-së. Pretendimet e Serbisë shfaqen si ndaj Bosnjës e Malit të Zi, ashtu edhe ndaj Kosovës dhe Maqedonisë. Ato janë bërë më të zëshme qëkur Ballkani Perëndimor gjithnjë e më tepër trajtohet si „punë e pakryer“ (unfinished business). Beogradi ende ka rol destabilizues kur bëhet fjalë për ish-republikat e Jugosllavisë. Përkundër Marrëveshjes së firmosur me Prishtinën, Beogradi vazhdon me fushatën kundër Kosovës dhe shqiptarëve, që është në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes. Ai zhvillon një kampanjë ndërkombëtare kundër pranimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, në veçanti në UNESCO, si dhe një fushatë të veçantë kundër pranimit të Kosovës nga shtetet që ende s’e kanë njohur atë. Histeria e inskenuar, që lidhet me „Shqipërinë e Madhe“, ka treguar qëndrimin e vërtetë të Serbisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Gatishmëria e simuluar për dialog dhe sinqeriteti në atë qëndrim kanë qenë pasojë e presionit të BE-së dhe dobisë që Serbia ka pasur prej tij. Në fakt, Marrëveshja e Brukselit ka qenë një paravan që ka rënë porsa kriza është përkeqësuar. Presioni i BE-së, që sa më parë të zgjidhet çështja e Kosovës, e rrit frustracionin e Beogradit që ka pritur që bashkësia ndërkombëtare të pajtohet me ndarjen e Kosovës, që gjithë kohës, sa i përket Beogradit, ka qenë opsioni i vetëm mbi tavolinë. Këtë opsion e ka mbrojtur ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, çdoherë që është folur për statusin e Kosovës. Presidenti, Aleksandar Vuçiq, nuk është prononcuar për zgjidhjen dhe gjithnjë e ka prolonguar shprehjen e qëndrimit të vet. Ai e ka nisur të ashtuquajturin dialog për Kosovën ku është kristalizuar qëndrimi mazhoritar se Kosova duhet të mbetet një konflikt i ngrirë, në mënyrë që të priten rrethanat ndërkombëtare që do të merrnin parasysh edhe interesat serbe (ndarjen e Kosovës). Edhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, e ka të njëjtin qëndrim. Zërat e vetmuar racionalë kundër ndarjes vijnë vetëm nga sektori civil dhe nga disa individëve me renome.

Se Beogradi nuk heq dorë nga ndarja është bërë e qartë kur Presidenti Vuçiq, pas turneut nëpër disa kryeqytete perëndimore (të SHBA-ve dhe BE-së), u kthye dukshëm i pakënaqur, sepse nuk kishte marrë mbështetje për zgjidhje të kompromisit, gjegjësisht për ndarjen e Kosovës. Atëbotë ai pati deklaruar: “Shpresoja në një mirëkuptim më të madh, jo vetëm për serbët e Kosovës, por edhe për Serbinë. Sinqerisht them se nuk jam i kënaqur me atë që kam arritur në bisedime, sepse fuqitë e mëdha perëndimore dhe njerëzit vendimmarrës, me të cilët kam pasur bisedime të thella, më duket se qëndrojnë fort në parimin e ruajtjes së pavarësisë së Kosovës, një gjë kjo që për ne është shumë e rëndë.” Interesant është fakti se në një takim me studentët ai ka pohuar se dëshiron që bisedimet për Kosovën të zhvilloheshin vetëm mes serbëve dhe shqiptarëve, pa interesin e fuqive të tjera, dhe se në atë rast problemet do të zgjidheshin më lehtë. Kjo deklaratë shpërfaq përpjekjen e të dyja palëve që të negociojnë pas shpinës së bashkësisë ndërkombëtare, siç spekulohej në vjeshtë të vitit 2017.

Për momentin, Beogradi mban shpresa të mëdha te politika e padefinuar e Presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Ballkanin, në veçanti pas takimit Trump-Putin në Helsinki. Meqë askush nuk e di se për çfarë është biseduar, është shfaqur një fushë e gjerë për spekulime të ndryshme. Administrata amerikane ende vepron në vijat e pararendëses së vet. Por, ndërkohë, në aksion janë edhe lobi-grupe të ndryshme (East-West Institute), që mbajnë qëndrim më fleksibil për Kosovën dhe mbrojnë politika që nuk duhet të bazohen në “tezat e vjetra dhe në kushtet joreale”. Për herë të parë në këtë temë ka folur edhe këshilltari i Presidentit Trump për Siguri Nacionale, që ka pohuar se nuk do ta kundërshtonte shkëmbimin e territoreve nëse të dyja palët pajtoheshin për një gjë të tillë. Për riciklimin e idesë për “korrigjimin e kufijve” (që është një ide e vjetër) është shfrytëzuar zbrazëtira verore. Të gjithë aktorët relevantë janë shprehur lidhur me këtë çështje. Presidenti Vuçiq, për herë të parë, e ka mbështetur hapur këtë propozim, që ka shkaktuar reagime të mëdha të Kishës Orthodokse Serbe dhe të qendrave nacionaliste. Një pjesë e opozitës së bashkuar ka marrë qëndrim negativ, duke llogaritur në rrëzimin e Vuçiqit. Liderët politikë serbë dhe shqiptarë, në mënyrë diskrete, e analizojnë mundësinë për shkëmbim të territoreve. Ideja e njëjtë qarkullon me vite në Beograd, por para do kohe ajo e ka tërhequr vëmendjen e qarqeve udhëheqëse shqiptare. Vuçiqi dhe Thaçi një kohë të gjatë negociojnë për ndarje, por të dy, në veçanti Thaçi, përballen me kundërshtime serioze.

Kur bëhet fjalë për aktorët ndërkombëtarë, shihet qartë dallimi mes anëtarëve të BE-së, të cilët, para së gjithash Britania dhe Gjermania, ende shfaqin kundërshtimin e tyre për ndryshim të kufijve në Ballkan, kurse Shtetet e Bashkuara po e humbin mprehtësinë e dikurshme në këtë aspekt. Zyrtarët e Gjermanisë, në disa raste, kanë deklaruar se ndarja e Kosovës mund të ketë efekte destabilizuese për rajonin dhe më gjerë dhe për këtë arsye Gjermania në mënyrë kategorike shprehet kundër ndarjes. Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe kancelarja Angela Merkel, një qëndrim që Vuçiqi e ka përjetuar si një goditje të rëndë. Analistët serbë konsiderojnë se nga Serbia e zvogëluar dhe e dobësuar, përmes bombardimeve, sanksioneve dhe presioneve të vazhdueshme, pritet që të bëhet një anëtar i vogël dhe tërësisht i padëmshëm i Bashkimit Europian. Thjesht, siç shprehet Vladislav Jovanoviqi, ministër i Punëve të Jashtme i kohës së Millosheviqit, “ata duan që ne të jemi të dëgjueshëm, ta pranojmë disfatën dhe pavarësinë e Kosovës.” Shumë ekspertë ndërkombëtarë për Ballkanin, si Daniel Server dhe Janusz Bugajski dhe të tjerë, gjithashtu kanë shprehur qëndrime të argumentuara kundër ndarjes dhe ndryshimit të kufijve. Ish kryeministri suedez dhe përfaqësuesi i lartë për BeH-në, Karl Bildt, ndarjen e sheh si lojë me zjarr, që mund të jetë rrezik për gjithë regjionin. Për Bildtin, propozimet e reja për ndarje janë receta për “jostabilitet gjeopolitik”, “hapje të kutisë së Pandorës” dhe rrezik për paqen në Bosnjë, Maqedoni…
Pikëpamja e Rusisë ndaj Kosovës mbetet parimore, të cilin e ka përsëritur edhe zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Marija Zaharova, e cila ka theksuar se Rusia nuk heq dorë nga qëndrimi i saj që bazohet në të drejtën ndërkombëtare për respektimin e sovranitetit të Serbisë dhe ligjvënies së saj të brendshme, duke shtuar se Rusia do ta respektojë vendimin e popullit serb.

Bashkësia ndërkombëtare perëndimore, e vetëdijshme për rrezikun e përfshirjes së aktorëve të tjerë, që e rrezikojnë opsionin europian për Ballkanin, ka qenë aktori kyç për zhvillimet aktuale në jug të Ballkanit, duke mbështetur kapërcimin e krizës së brendshme në Maqedoni dhe duke u përpjekur për gjetjen e zgjidhjes së çështjes së emrit të këtij shteti me Greqinë. Ajo ka reaguar shpejt edhe me pranimin e Malit të Zi në NATO. Për këto shkaqe mund të thuhet se Strategjia e BE-së për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor paraqet një vizion afatgjatë për rajonin, por kjo nuk është garanci e mjaftueshme. Ndërkohë, Maqedonia dhe Mali i Zi janë bërë bartës të “erërave të reja në Ballkan”. Këto dy shtete, përkundër shumë obstruksioneve, të brendshme dhe të jashtme, i kanë realizuar qëllimet e tyre në mënyra të ndryshme. BE-ja duhet që t’i mbështesë më seriozisht trendet e tilla pozitive në rajon, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Është e domosdoshme që BE-ja edhe më tej, kohë pas kohe, të reagojë me politika konstruktive ndaj të gjitha impulseve në rajon. Këtu duhet shënuar se nuk është shumë inkurajuese përgjigjja e Brukselit lidhur me bisedimet për antarësim të Maqedonisë, të parapara në qershor të vitit 2019. Pa marrë parasysh krizën e brendshme, reformat e BE-së duhet të zhvillohen në shumë korsi, përfshirë edhe ardhmërinë e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, rënia e euro-entuziazmit në opinionin publik në Serbi është pasojë e përparimit të ngadalshëm drejt BE-së dhe e paperspektivës së anëtarësisë, së paku tani për tani. Frustracioni dhe pakënaqësia e përgjithshme i shkojnë për shtati populizmit dhe autoritarizmit të presidentit aktual. BE-ja duhet ta ketë parasysh edhe karakterin e shoqërive të Ballkanit dhe të tregojë durim më të madh historik për problemet e tyre. Në të kundërtën, Rusia do ta sabotojë avancimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, do të mundohet ta mbajë disfunksionalitetin e vendeve nga hapësira e ish-Jugosllavisë, kjo ngase roli rus në Ballkan, me përjashtim të sektorit energjetik, nuk është i rëndësishëm për angazhimin ekonomik. Rusia është pasqyrë e transformimeve dhe tranzicioneve të pasukseshme në Ballkan. Aleanca me Rusinë bazohet në frustrim dhe rezistencë ndaj vlerave mbi të cilat qëndron Europa bashkëkohore.

Dhe, në fund, konstatojmë se Serbia, përderisa nuk heq dorë nga nacionalizmi i madh shtetëror, do të paraqesë rrezik për rajonin dhe do të mbetet faktori kryesor për destabilizimin e tij. Natyrisht, Serbia do të luajë një rol të tillë përderisa bashkësia ndërkombëtare perëndimore nuk ndjek një politikë të tërheqjes së këtij vendi kah vetja. Politika ndërkombëtare, deri tani, mes tjerash, nuk ka dhënë rezultate të dukshme, ngase Beogradi gjithnjë gjen mënyra për t’iu shmangur të negociuarës. Kritik gjithsesi është edhe propozimi që çështja e Kosovës të kalohet në Këshillin e Sigurimit nën pretekstin se Mogerini nuk ka qenë e suksesshme. Qëllimi është që në lojë të futet edhe Rusia që për momentin si interes e ka që Kosova të mbetet një konflikt i ngrirë. Do të ishte me rëndësi që BE-ja, SHBA-të dhe NATO-ja më në fund ta përmbyllnin këtë çështje të papërfunduar (unfiished business) të Ballkanit Perëndimor, duke iu përmbajtur kornizës me të cilën punojnë tanimë tre dekada. Nëse ndodhim lakime e zmbrapsje në çështjet kyçe, Ballkani Perëndimor do të rrokullisej drejt një kaosi të ri.

Please follow and like us: